Babai i Komandant Malishevës: Ranë në kurthin e Ali Ahmetit

Babai i njërit prej protagonistëve të luftimeve në Kumanovë ka treguar për Interaktiv në KTV atë që mendon se ka ndodhur të shtunën e kaluar atje. Skënder Krasniqi, babai i Muhamet Krasniqit – Komandant Malisheva ka thënë se djali i tij do të shkonte gjithmonë në Maqedoni për të mbrojtur shqiptarët atje. Megjithatë, ai ka thënë se dyshon që kjo që ka ndodhur ka të bëjë me një tradhti nga ana e Ali Ahmetit dhe se luftëtarët atje kanë rënë në kurthin e tij.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Krasniqi ka treguar se djali i tij, baba i 6 fëmijëve është në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të torturave. “Ky është terror i shtetit. Është terror i Gruevskit dhe Ali Ahmetit. Unë jam i bindur se Ali Ahmeti ka tradhtuar. Për maqedonasit të mos flas pasi ata gjithmonë kanë bërë thirrje për vrasjen e shqiptarëve”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se shqiptarët e Maqedonisë që nga viti 2001 janë të rrezikuar dhe se që nga ky vit ata janë mashtruar vazhdimisht nga maqedonasit. “Unë nuk kam pasur indikacione se mund të ndodhë diçka mirëpo kur bëhet fjalë për mbrojtjen e shqiptarëve ata duhet të luftojnë”, ka thënë Krasniqi.

Skender Krasniqi ka thënë se i biri i tij është në burg.

“Kemi pasur informacione se është në spitalin ushtarak por ai është në burg dhe është duke u malteretuar”, ka thënë Krasniqi. “Si prind që jam unë tani më shumë e kisha dëshiruar vdekjen e djalit tim sesa keqtrajtimin e tij. Avokati na ka thënë se është mirë, por unë nuk i besoj atij”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se nuk e di se kush e ka thirrur Muhametin që të shkojë në luftime në Maqedoni. “Nëse është dashtë për me shku. Unë i kisha thënë me shku. Unë djemtë nuk i ndali për këtë çështje”, ka shtuar ai. “Por unë jam i bindur se janë tradhtuar. Djemtë i tradhtoi dikush i rrethit të besuar”.

Sipas Krasniqit, Ali Ahmeti është dashur tu dalë në mbrojtje pjesëtarëve të grupit që luftoi në Kumanovë. “Aty nuk kanë sulmuar shqiptarët. Aty ka sulmuar shteti maqedonas dhe Ahmeti është dashur t’i mbrojë ata”.

Komandant Malishevës pritet t’i konfirmohet aktakuza për pjesëmarrje në një grup terrorist, por Skender Krasniqi është shprehur i bindur se djali i tij nuk bënë pjesë në grup terrorist. “Le të merret drejtësia me ato çështje mirëpo djemtë nuk bëjnë pjesë në asnjë grup terrorist. Ky nuk është grup terrorist. Nëse do të ishin ata do të tmerronin popullatën. Do të kidnaponin njerëz për ta shpëtuar veten, po mendoj unë. Është e pakuptimtë të thuhet se ata kanë shkuar për para. Mua sot, që ndoshta s’i kam edhe 5 vjet jetë me më thënë a po shkon me vdek për 10 milionë nuk shkoj, e lere më ata”, ka përfunduar ai./Koha.net

loading...
Back to top button