Deprecated: stristr(): Non-string needles will be interpreted as strings in the future. Use an explicit chr() call to preserve the current behavior in /var/www/vhosts/zgjohushqiptar.com.al/zgjohushqiptar.al/wp-content/plugins/a2-w3-total-cache/lib/W3/PgCache.php on line 1054
"Investimet greke rriten,katërfishohen në Shqipëri.Eksportet bien" | My CMS

"Investimet greke rriten,katërfishohen në Shqipëri.Eksportet bien"

Ndërsa investimet greke janë katërfishuar në Shqipëri gjatë pesë viteve të fundit, të udhëhequra nga bankat dhe telekomunikacioni, tregtarët shqiptarë po gjejnë gjithnjë e më shumë tregje më të mira për importe

Nga : Ardit Saliaj

Nuk ka më asnjë dyshim. Greqia është investitori më i rëndësishëm i huaj në Shqipëri. Kompanitë greke kanë investuar këtu më shumë se 400 milionë euro sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme të Greqisë. Që nga koha e rënies së komunizmit, grekët kanë investuar këtu më shumë se vende të tjera të fuqishme si Italia apo Gjermania. Por ndërsa investimet greke në Shqipëri po rriten me një mesatare prej mbi 50 milionë euro në vit, ekspansioni i këtij vendi në Ballkan po ngadalësohet. Kështu, por të shohim eksportet e Greqisë drejt Shqipërisë, ka një rënie të vazhdueshme që nga viti 2002, kur arriti kulmin prej 429 milionë eurosh, në 372 milionë euro në vitin 2004. Tendenca e rënies vazhdon edhe në 2005.

Investime strategjike

Kur ke pak forca, është mirë t’i përqendrosh në pozicione strategjike. Ky parim i vjetër i artit të luftës është zbatuar më së miri në rastin e Greqisë. Kapacitetet e fqinjit tonë jugor për investime ekspansioni janë shumë më të vogla se ato të Italisë, Gjermanisë apo Austrisë, vende që kanë shprehur interesa për Ballkanin. Për këtë arsye, siç nënvijëzon edhe Financial Times në raportin special për Greqinë, e ardhmja e këtij vendi qëndron thjeshtë në rritjen e bashkëpunimit me pjesën tjetër të Ballkanit.Komuniteti grek i biznesit beson se duke qenë se Bashkimi Europian po e kufizon ndihmën e drejtpërdrejtë për këtë vend, zhvillimi ekonomik varet thjeshtë nga investimet dhe tregtia me pjesën tjetër të Ballkanit.Greqia vendosi në frontin e ekspansionit gjigandët industrialë të kontrolluar nga shteti. Kjo gjë solli edhe angazhimin e shpejtë dhe efikas të sasive relativisht të mëdha të parave që kërkohen për të përballuar privatizimet apo investimet e rëndësishme në pjesën tjetër të Ballkanit.
Së fundmi, me urdhër të kryeministrit Kostas Karamanlis, qeveria e Athinës deklaroi se do të punojë më shumë për riaktivizimin e Planit Grek për Rindërtimin e Ballkanit, një projekt ku Athina synon të investojë më shumë se 500 milionë euro për ndërtimin e infrastrukturës primare që do ta lidhë me fqinjët e saj verior. Plani kishte tre vite që flinte si pasojë e ngathtësisë institucionale, politike dhe ekonomike. Projekti synon të investojë rreth 50 milionë euro edhe në Shqipëri për ndërtimin e infrastrukturës në zonat kufitare. Projekti më i rëndësishëm është ndërtimi i rrugës Sarandë- Konispol- Greqi, projekt që aktualisht gjendet në fazën e vlerësimit.

Disa nga investimet greke :

Hyatt: Investimin shqiptar e nxjerrim në dy vjet

Investimi ynë në Shqipëri prej 14 milionë euro do të rekuperohet brenda dy viteve të para nga çasti i fillimit të punës”. Kjo ishte deklarata e para pak muajve të drejtorit ekzekutiv të Hyatt Regency, George Galanakis me rastin e publikimit të rezultatit financiar të kompanisë së tij për vitin 2004 si dhe programin për vitin 2005. Kompania ka paguar 8 milionë euro te qeveria shqiptare për të marrë licensën e parë për kazino në Shqipëri nga pesë licensa që do të jepen gjithsej.
Gjatë vitit 2005 Hyatt pret që të ardhurat nga kazinoja e Parnithës, ku ajo zotëron 34.3 % të aksioneve, të arrijnë në 150 milionë euro pas investimeve për rinovim të realizuara gjatë kohëve të kaluara.Kazinoja e Tiranës u ndërtua në ambjentet e kompleksit Tajvan në qendër të Tiranës. Ajo është vendosur në një hapësirë prej 1700 m2, me 20 tavolina loje dhe 220 slot machine. Licensa është e vlefshme për 15 vjet.

Hellenic Petroleum

Gjigandi grek i naftës, korporata me të ardhura prej 5 miliardë eurosh, hyri në Shqipëri direkt në vitin 1999, kur bleu 75% të Global S.A, një kompani shqiptare që merrej me tregtinë e naftës. Ajo themeloi ELDA PETROLEUM ALBANIA Sh.P.K., kompani e shitjes me pakicë të karburanteve. Një vit më vonë, në bashkëpunim me OMV të Austrisë, Hellenic Petroleum filloi punën në kërkimin e burimeve të reja të naftës në Shqipëri. Javën e fundit, një lajm pa citim I Kathimerini, njoftoi se Hellenic është tërhequr nga kërkimet në Shqipëri për shkak se nafta e zbuluar praë Gjirokastrës rezulton se kërkon një kohë të gjatë për t’u komercializuar. Në vitin 2003 kompania e rriti kuotën e saj të aksioneve te Global S.A në 99.96%. Në shënimet e bilancit të Hellenic për vitin 2003 janë shënuar edhe disa veprime humanitare. “Ne e ndihmuam në mënyrë thelbësore Kishën Ortodokse të Shqipërisë për të hapur shkolla trajnimi në Gjirokastër, të cilat edukojnë të rinjtë vendës, pavarësisht të shkuarës së tyre etnike apo fetare”.Kompania pati një rritje të shpejtë gjatë viteve 2000-2002, kur një ligj i ri i miratuar mbi tregtinë e hidrokarbureve në Shqipëri sanksionoi kushte që kërkonin vlera investimesh prej shumë milionë dollarësh, kushte që u plotësuan nga vetëm katër kompani të huaja; që u plotësuan me vonesë e me vështirësi nga vetëm dy kompani shqiptare. Dy vite më vonë ligji u ndryshua, gjë që i hapi rrugën licensimit të më shumë kompanive.
Global Petroleum u rendit e dyta në listën e kompanive që punojnë në tregtinë e karburanteve në Shqipëri. Të ardhurat e saj ishin 2,66 miliardë lekë gjatë vitit 2004 (26,6 milionë dollarë), me një rritje prej 9,3% kundrejt vitit 2002. Kompania rezultoi me një bilanc me humbje prej 64 milionë lekësh (rreth 640 mijë dollarë) për vitin 2004, ndërkohë që në vitin 2003 humbjet e saj neto ishin 66,5 milionë lekë. Gjatë vitit të kaluar kompania kishte rreth 10% të tregut shqiptar të karburanteve.

Mamid Oil

Është një kompani që merret gjithashtu me importin e karburanteve. Gjatë vitit 2004 të ardhurat e saj ishin 1,5 miliardë lekë, rreth 15 milionë dollarë amerikanë. Të ardhurat e saj u përgjysmuan gjatë vitit 2003, kur ishin 3,6 miliardë lekë. Fitimi neto gjatë vitit 2004 ra në 21,2 milionë lekë, nga 42,5 milionë lekë që ishte në 2003.

Alumil, 11 milionë euro për fabrikë alumini

Alumil Albania është një nga investimet e reja greke në Shqipëri. Gjatë këtij viti, kompania vuri në punë një investim prej rreth 11 milionë eurosh i kompanisë greke Alumil Grup. Kjo fabrikë do të ketë një kapacitet vjetor prodhimi prej rreth 6 mijë tonësh profile alumini dhe lyerje elektrostatike. Rreth 20 për qind e sasisë së prodhuar do të jetë e destinuar për eksport. Numri i punëtorëve arrin në 100.

Atlas sh.a. 12 milionë euro investim

Kompania greko-shqiptare e prodhimit të miellit ka një synim të thjeshtë. Të zëvendësojë importet e miellit që në Shqipëri arrijnë në 52 mijë tonë në vit, ose 9 milionë euro. Ajo zotërohet 50 % nga Loulis Group. Për këtë arsye, kompania kreu një investim prej 12 milionë eurosh për të zgjeruar aktivitetin. Kompania deklaron se aktualisht kontrollon 35 % të tregut vendës të miellit dhe synon të zgjerojë aktivitetin në prodhimin e makaronave dhe prodhimeve të tjera të brumit. Ajo ka filluar eksportin e himeve, të cilat përdoren për ushqimin e kafshëve drejt Greqisë. Zotërohet në masën 50 % nga biznesmenë shqiptarë.

Olympic Airlines 50 mijë pasagjerë në 2005

Lehtësirat proceduriale për kthim në atdhe nuk janë vetëm lajme të mira për emigranët shqiptarë në Greqi por edhe për Olympic Airlines e cila ka programuar që të mbyllë vitin 2005 me 50 mijë udhëtarë në linjën Tiranë-Athinë si pasojë e lehtësirave për emigrantët. Olympic e ndan linjën e Athinës me disa kompani shqiptare.

Nga : Ardit Saliaj

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button