Deprecated: stristr(): Non-string needles will be interpreted as strings in the future. Use an explicit chr() call to preserve the current behavior in /var/www/vhosts/zgjohushqiptar.com.al/zgjohushqiptar.al/wp-content/plugins/a2-w3-total-cache/lib/W3/PgCache.php on line 1054
Koka e Aparkeas, pse nuk bien dakord ! | My CMS

Koka e Aparkeas, pse nuk bien dakord !

Nga : Ardit Saliaj

Mozaiku i Mesaplikut, i ndodhur prej ‘81-shit në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, ende nuk ka zgjidhur enigmën e kokës së Aparkeas, cili është ky burrë kaq simbolik i krijuar në Iliri?! Cili është identiteti, se çfarë ka qenë Aparkeasi, debatet vazhdojnë se ç’kuptim ka kjo fjalë dhe se cili ka qenë burri me kësule? Tezat e studiuesve dhe historianëve nuk kanë arritur në një përfundim të saktë.

Mesapliku është një nga vendbanimet e shumta të krahinës etnografike të Labërisë. Si pjesë përbërëse e rrethit të Vlorës, ai ndodhet në bregun e majtë të lumit Shushica, në mikrozonën e quajtur “Lumi i Vlorës”, e cila nis nga Armeni, aty ku Shushica bashkohet me Vjosën për të përfunduar ne lartësinë e Kuçit në jug.

I përmendur për prodhimet blegtorale dhe njerëzit trima dhe punëtorë, Mesapliku është kthyer tanimë edhe në një emër të lakuar nga gjuhëtarët, të cilët shumë syresh e lidhin atë me Mesapet e Apulisë antike, ashtu si edhe Labërinë (kah Labëria), me Kalabrinë e brigjeve përballë të Gadishullit Apenin.

Por Mesapliku është i njohur edhe për mozaikun e famshëm të gjetur në truallin e tij dhe i konsideruar si një nga perlat e artit paleokristian.

Mozaiku i Mesaplikut u zbulua në vitin 1979 nga arkeologu Damian Komata, në rrënojat e një kishe paleokristiane (Revista Iliria, I, 1984) të ndërtuar diku në shekullin e VI, e cila përbehej nga tri anijata. E gjetur në vendin e quajtur “Bregu i Kishës”, faltorja kishte një gjatësi prej 13.80 metrash, si dhe një gjerësi prej 11 metrash. Nefi ose hapësira qendrore ishte më e lartë dhe më e gjerë se dy nefet e tjera, që kishin përmasa prej 2.5 metrash secili.

Kisha përbëhej nga Naosi (salla), kthina e altarit, absida e të cilit ishte trefaqëshe dhe ikonostasi, bazamenti i të cilit ishte prej guri. E gjithë ndërtesa mbulohej me çati druri dhe tjegullash, gozhdët e së cilës u gjenden brenda rrënojës së saj.

Dyshemeja ishte e shtruar dikur me mozaik, ku në nefin qendror u gjet fragmenti, të cilin e kemi si objektin kryesor të këtij shkrimi.

Në altarin e Bazilikës arkeologët gjetën edhe një varr, fakt që vërteton tezën se shumica e Bazilikave të krishterimit të hershëm shërbenin edhe si mauzoleume të figurave të shquara të kohës, qoftë laike ose fetare.

Gjurmët e djegieve të gjetura nga arkeologu D. Komata të çojnë tek ideja se Bazilika është shkatërruar ndoshta gjatë periudhës së dyndjeve sllave, ose gjatë shekujve VIII-IX, kohë kur në Bizant lufta e ikonave nuk i kurseu veprat më të mira të artit figurativ, sepse në dyshemenë e saj përveç gozhdëve, copave të qelqit, enëve dhe tjegullave të thyera u gjet dhe një shtresë e trashë hiri.

Në shekullin e VI kur ndërtohej dhe funksiononte si një tempull kishtar Bazilika e Mesaplikut, Amantia dhe Vlora ishin dy peshkopata, në varësi të Metropolisë së Durrësit, ashtu si Skampa, Bylisi, Linhidi dhe Listra. Peshkopata e Amantias, e cila e kishte në varësi këtë Bazilikë përmendet pak në dokumentet historike. I vetmi njoftim që na jepet për të i përket shekullit të IV, kur peshkopi Eulalis merr pjesë në një koncil kishtar të organizuar në Filipopolis, i cili ndodhet në Bullgarinë e sotme (Acta Albaniae I). Kurse të dhënat mbi Peshkopatën e Vlorës i kemi më të shumta dhe më të hershme. Ato i ndeshim qysh në shekullin e dytë, kur nga Roma erdhi i emëruar Peshkopi i qytetit të Vlorës: Shën Eleuteri (Lefteri), i cili do të ekzekutohet nga autoritetet romake në vitin 120 (Andrea Llukani, shenjtorët e Perandorisë Iliro-Shqiptare, Tiranë 2005). Vite më vonë historia e persekutimit të të krishterëve do të përsëritej, ku gjatë sundimit të Perandorit Numerian do të ekzekutohej në vitin 300 Danaksi, shërbyes në kishën e Vlorës.

Ndërkohë pas zyrtarizimit të krishterimit si fe zyrtare në vitin 313 nga Perandori Kostandini i Madh, peshkopët e Vlorës do të përmenden dendur në analet e historisë. Kështu në vitin 458 përmendet në letrën e Perandorit Leon I, Peshkopi Nazar (ACTA ALBANIAE, I.23.35.29), kurse në vitin 519 një peshkop tjetër i Vlorës pret të dërguarin e Papës, Hormisdas. Disa vite më vonë, pikërisht në vitin 553, Peshkopi Sotir i Vlorës mori pjesë në Koncilin kishtar të Kostandinopojës (Po aty).

Njoftime të tjera mbi peshkopatën e Vlorës i hasim përsëri, siç janë ato të vitit 998 në noticien e Perandorit Joan Cimisku, dhe në vitin 1307 në krisovulën e Perandorit Androniku II Paleolog, derisa në vitin 1417 kjo Peshkopatë merr fund dhe bie në varësi të Peshkopatës së Beratit. (Koço Bozhori, Dokumente të periudhës bizantine në Shqipëri-Tiranë 1978, fq 75).

3) Mozaiku i Mesaplikut është ndërtuar mbi një shtrese betoni të përbërë nga gëlqere dhe pluhur tulle, një teknike tipike romake (Damian Komata. Bazilika Paleokristiane e Mesaplikut. Iliria 1. Tiranë 1984.fq 184-197).

Mbi të, mjeshtrat artistë kanë vendosur gurë të vegjël kubike me përmasa nga 1-1.5 cm. Gurët i përkasin disa spektrave të ngjyrave si: të bardhës, të verdhës, jeshiles, rozës, grisë etj. Me ta janë krijuar figura zoomorfe si: zogj dhe peshq, të cilët janë ndërthurur me rrathë dhe motive bimore siç janë lulet dhe frutat, ku nuk mungojnë edhe mollët dhe dardhat. Nga pjesët e ruajtura të tij mund të veçojmë atë të aniatës jugore, e cila përbëhet nga shtatë medalione tetëkëndësh dhe atë të nefit qendror me përmasa 349×230 cm (D. Komata, po aty). Figura kryesore në këtë vepër të mirëfilltë artistike është ajo e një burri. Ai është paraqitur në profil duke buzëqeshur dhe në kokë mban një kësule me antenë, në të cilën është lidhur një kordele dyshe. Përpara fytyrës së personit, e cila është plot jetë me një qëndrim pozant dhe me flokë të gjatë, është shkruar vetëm një frazë e vendosur në kolonë që lexohet A∏APKEAC. Pikërisht (kjo frazë nxiti tezat dhe antitezat e autorëve të ndryshëm, që nuk kanë dhënë deri tani një sintezë përfundimtare. Midis morisë të tyre janë shprehur mendime se APARKEAS ishte emri i financuesit të ndërtimit të bazilikës. Studiues të tjerë kishin supozuar se në APARKEAS-I ishte kleriku i varrosur në Altar, apo ndoshta ndonjë martir lokal i persekutuar nga autoritetet romake përpara 313.

Ndërkohë studiuesi Moikom Zeqo në librin e tij, “Arkeologjia, Gramatikë e fakteve”, botuar në Tiranë në vitin 2009, në faqen 27, thotë se Aparkeas është emri i hyjnisë Abraxas, perëndisë kryesore të sektit të Baziliteve, që u krijua dikur në Aleksandri të Egjiptit, i cili ka konkurruar dikur krishterimin në fazat e para të zhvillimit të tij. M. Zeqo e lidh figurën e hyut Abraxas si ndikim të ekzistencës së komunitetit hebre që ka jetuar në qytetin e Vlorës gjatë periudhës së antikitetit të vonë. (M Zeqo, Shekulli, 08-02-2005.)

Ndërsa studiuesi Niko Stillo, një njohës i mbishkrimeve Pellazgo-Ilire, na jep një tjetër ide. Në librin e tij, “Historia e shenjtë e Arvanitëve”, botuar në Prishtinë në vitin 2004, thekson se: APARKEAS është mbishkrim në gjuhën ilire i bërë me shkronja greke, i cili përmban një sentencë të jetës së murgjve. Sentenca e tyre shprehet në formën:

A

∏AP

KE

AC

Që në mënyrë të koduar do të thotë: HA PAK KE TE HASH, dhe ka të bëjë me filozofinë modeste të jetës monastike. Kurse burri me kësule sipas N. Stillos nuk është gjë tjetër veçse figura e një murgu, ku edhe kësula që ai mban në kokë i përshtatet veshjes së këtyre njerëzve që jetonin në kuvende dhe manastire.

Ndërkohë ekziston edhe një tezë e tretë, e cila është më e hershme se dy tezat e mësipërme. Ajo u formulua menjëherë pas gërmimeve në rrënojën e bazilikës dhe i mëshonte idesë së figura e burrit me kësulë të mozaikut ishte imazhi i AПΑΡΚTΙАΣ, që simbolizonte për kulturën greke erën e veriut. E hedhur si ide nga studiuesja e artit kishtar, Dhorka Dhamo, edhe kjo tezë ka një sërë argumentesh si: vendosjen e mozaikut me kokë nga veriu, konfiguracionin e tij, valëvitjen e kordeleve nga era, apo ngjashmërinë e figurës së mozaikut me figurat që simbolizojnë erërat në hartat antike etj.

4) I fotografuar tridhjetë e pak vite më parë, kur bazilika u zbulua në vitin 1979, mozaiku i Mesaplikut ka bërë tashmë xhiron e botës. Imazhet e tij i gjen në librat e historisë së Shqipërisë, historisë së artit, kartolina, guida dhe albume turistike etj. Madje, edhe departamenti i dikurshëm i antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme i institutit arkeologjik kishte “kokën” e Aparkeasit si logo (simbol) të tij.

I vendosur që nga viti 1981 në Muzeun Historik në Tiranë, Mozaiku i Mesaplikut mund të vizitohet në mënyrë komode në çdo kohë. Vetëm në një pikë, studiuesit e tij bien dakord me njëri-tjetrin. Pikërisht për vlerat e tij si simboli i mirëfilltë i artit kishtar shqiptar, vazhdues i traditës antike.

Ndërsa për identitetin se çfarë ka qenë APARKEASI debatet vazhdojnë se: ç’kuptim ka kjo fjalë dhe se cili ka qenë burri me kësule? Po antena sipër tij çfarë simbolizon?! E kështu studimet dhe polemikat nuk reshtin. Të nisura me tone të larta në vitin 2005, në shtypin e shkruar ato janë perfeksionuar në forma nga më të specializuarat në sitet e ndryshme në internet.

Kështu secili është vendosur në llogoren e vet, e ndërsa “Aparkeasi” qëndron në Muze, në pritje. Në pritje të së nesërmes… “Me shpresën” se një ditë e vërteta do të dalë në dritë.

Nga : Ardit Saliaj

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button