Deprecated: stristr(): Non-string needles will be interpreted as strings in the future. Use an explicit chr() call to preserve the current behavior in /var/www/vhosts/zgjohushqiptar.com.al/zgjohushqiptar.al/wp-content/plugins/a2-w3-total-cache/lib/W3/PgCache.php on line 1054
Greqia ka përfituar 950 milionë franga ari nga pronat e shqiptarëve | My CMS

Greqia ka përfituar 950 milionë franga ari nga pronat e shqiptarëve

Ligji i luftës me Shqipërinë, i dekretuar nga ish-mbreti Kostandin dhe i mbajtur ende në fuqi nga shteti grek, nuk ka nxitur asnjëherë nismën e shtetit shqiptar e të politikës së tij edhe gjatë kytyre 16 viteve të fundit të demokracisë për ta injoruar qoftë jo vetëm praktikisht, por edhe teorikisht këtë ligj. Përkundrazi, ndërkohë që prej palës greke është konsideruar “ligj i drejtë dhe i motivuar”, prej palës shqiptare është konsideruar “pa rëndësi dhe mbetje inaktive e një periudhe të vdekur përgjithmonë”. Nëse ligji i luftës do të ishte një “mbetje” e tillë, atëherë Greqia nuk duhej ta mbante prej 66 vjetësh në fuqi.

Qëndrimi absurd i shtetit shqiptar qëndron në faktin se nga njëra anë shteti grek konsiderohet si “vend mik” dhe afrohet, pranohet e vepron si “partner strategjik”, nga ana tjetër vazhdon të zbatojë me fanatizëm dhe egërsi çdo dispozitë të ligjit të saj të luftës me Shqipërinë. Natyrisht, nuk është aspak normale për Shqipërinë, që quhet edhe me kushtetutë si vend sovran, të pranojë miqësi me një vend që i ka vrarë, sakatuar, larguar me dhunë një pjesë autoktone të popullsisë dhe që i ka grabitur pronat, për më tepër që vazhdon të mbajë në fuqi ligjin e luftës në kohë paqeje, kur Shqipëria nuk ka përbërë dhe nuk përbën asnjë rrezik për ta. Ne duhet të jemi të bindur tashmë se prapaskenat e dukshme greke, në lidhje me interesa të tjera që dalin së fundmi në skenë ndaj Shqipërisë po ringjallen dhe veprojnë edhe për shkak të një qëndrimi të “ngordhur” të shtetit shqiptar gjatë gjithë këtyre viteve.

Pesë vjet më parë, kur ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo, u pyet nga deputeti i PS-së, Petro Koçi, në seancën e datës 29 korrik 1997, në lidhje me politikën e fqinjësisë aktive me Greqinë ndaj çështjes çame, ai u përgjigj: “Zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve shqiptaro-greke është objektiv parësor i qeverisë dhe kjo përparësi është edhe për çamët po kaq e dobishme dhe shpresëdhënëse sa për të gjithë shqiptarët”. Tani gjithkush mund të kuptojë se në ç?nivel ndodhet çështja çame për të parë se sa e “dobishme e shpresëdhënëse” ka qenë politika e “fqinjësisë së mirë” më Greqinë, kur në mes të dy kufijve qëndron një ligj lufte i paabroguar.

Pak nga historia e ligjit të luftës

Në atë periudhë trazirash të Luftës së Dytë Botërore, për të forcuar akoma më shumë pozitat e triumfatorit pushtues, më 28 tetor 1940, Italia i shpalli luftë Greqisë dhe e sulmoi territorin e kësaj të fundit, duke përdorur si bazë kryesore zbarkimi territorin e aneksuar jugor shqiptar. Nga kjo pistë dhe në këtë kohë filloi lufta e mirënjohur në jug të Shqipërisë, e quajtur lufta italo-greke. Në këtë cilësim pjesëmarrës të shteteve ndërluftuese mungon emri i Shqipërisë. Me gjithë faktin që Shqipëria nuk ishte pjesë e sulmit italian ndaj Greqisë, menjëherë pas fillimit të luftës në Greqi u vendos dhe u shpall gjendja e luftës me Italinë dhe Shqipërinë si palë sulmuese. Dekreti Mbretëror Grek, i datës 10 nëntor 1940, ka hyrë në fuqi pas botimit në Gazetën Zyrtare Greke të vitit 1940 me këtë përcaktim: “Italia me territoret perandorake, me kolonitë e saj dhe Shqipëria, përcaktohen armike në kuptimin e Ligjit Nr. 2636. “Për veprimet juridike të armiqve dhe sekuestrimin konservativ të pasurive armike”.

Në bazë të këtij ligji, të gjitha pasuritë e shqiptarëve në Greqi u vunë nën “sekuestrimin konservativ” dhe filluan të administroheshin nga shteti grek. Duhet të theksojmë këtu se me fjalën “pasuritë e shqiptarëve në Greqi” nuk kemi parasysh vetëm pasuritë e shqiptarëve në trojet e tyre si në Çamëri etj, por edhe pasuritë e shqiptarëve në të gjithë territorin e shtetit grek. Më vonë, me vendim të përbashkët të Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare dhe të Ministrisë së Financave të Greqisë, datë 9 qershor 1947, Nr. 14882/3574 dhe më vonë në bazë të Ligjit Nr. 4506, datë 14 mars 1966, përjashtoheshin nga zbatimi i dispozitave të ligjit të luftës “shtetasit shqiptarë me origjinë greke që banonin në Shqipëri”. Sipas këtij ligji dhe sipas dëshirës identifikuese greke, “shtetas shqiptarë me origjinë greke” quhen të gjithë ortodoksët e Shqipërisë. Sipas dekretligjit Nr. 1138/1948, Neni 21 i ligjit të luftës është ndryshuar duke qartësuar se marrja fund e këtij ligji bëhet me vendim të përbashkët të kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme, ministrit të Financave dhe ministrit të Drejtësisë. Pastaj, një vendim i tillë duhej të miratohej edhe nga Parlamenti Grek. Në vitin 1987, grekët mashtruan në lidhje me heqjen e ligjit të luftës me Shqipërinë. Ishte koha kur kryeministër ishte Andrea Papandreu dhe PASOK-u si parti. Qeveria e tij hoqi pjesën politike të ligjit, duke lënë në fuqi atë ekonomike. Për faj edhe të palës shqiptare, për shumicën e popullsisë nuk dihej deri vonë se Greqia e kishte akoma në fuqi këtë ligj. Duhet kujtuar se grekët kanë qenë mashtrues deri vonë në lidhje me këtë çështje. Kështu, për shembull, ish-këshilltari i Shtypit i Ambasadës Greke në Tiranë, Kristos Failadis, në vitin 1994 i ka deklaruar gazetës “Aleanca”: “Me komunikatën zyrtare të Këshillit të Ministrave të Greqisë, datë 28 gusht 1987, ka pushuar së ekzistuari gjendja e luftës me Shqipërinë. Ky dokument zyrtar i Këshillit të Ministrave është firmosur nga kryeministri i asaj kohe, Papandreu dhe ministrat pjesëmarrës”.

Sipas informacioneve që kemi, ky i ashtuquajtur “vendim” nuk është botuar në Gazetën Zyrtare të Greqisë, pra ka qenë një truk grek për t?i shërbyer politikës së “dy popujve miq”, nisur e publikuar me marifet në Shqipëri që nga koha e regjimit të Enver Hoxhës.

Interesat e Greqisë për të mos hequr ligjin e luftës me Shqipërinë

Tashmë nuk ka asnjë mëdyshje që shkaku kryesor dhe i vetëm i mbajtjes së ligjit të luftës me Shqipërinë është ai ekonomik ose kuptuar më ndryshe kjo është maska e qeverive greke nëpërmjet këtij ligji. Sipas ligjit grek të luftës, të gjitha pronat e shqiptarëve në Greqi administrohen e shfrytëzohen nga shteti grek. Në këto pasuri futen tokat bujqësore, trojet, objektet, fabrikat, punishtet, llogaritë bankare, etj. Po ashtu, sot ekziston çdo mundësi dhe bazë juridike prej shtetit grek që emigrantëve shqiptarë në Greqi t?u konfiskohen ato pak prona që kanë blerë, pasuritë e tjera, pse jo edhe llogaritë bankare. Këtë e përcakton ligji i luftës. Por në tërësinë e interesave të dukshme e të padukshme të Greqisë, për të mbajtur në fuqi këtë ligj qëndrojnë edhe motive të tjera me natyrë ushtarake, psikologjike, bllokuese, racore. Sipas këtij ligji, shtetasit shqiptarë që punojnë si emigrantë në Greqi mund të konsiderohen si skllevër pa asnjë të drejtë, që mund të trajtohen si të ketë dëshirë shteti grek, siç ka ndodhur dhe po vazhdon të ndodhë me ta.

Nga : Ardit Saliaj

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button