Daullet e Dules dhe Bollanos

Minoritetet, në gjeostrategjinë e kombeve të përparuara të botës, kanë qenë dhe mbeten urë lidhje dhe komunikimi të miqësisë dhe marrëdhënieve institucionale të ndërsjella. Shqipëria, pa asnjë mëdyshje mund të merret si një model unikal i bashkëjetesës, pa konflikte etnike e fetare në rajonin e Ballkanit.
Historikisht, odiseja e provokacioneve të fqinjit jugor ka qenë për motive ekspansioniste, për të ashtuquajturin Vorio -Epiri i Shqipërisë. Variantet dhe taktikat e përdorura nga qarqe ekstremiste, shoviniste greke, kanë qenë të improvizuara në hapësirë dhe në kohë sipas një strategjie koherente, duke i tejkaluar edhe kufijtë emocional.

Inventari i provokimeve dhe pretendimeve absurde, po i shton frakturat që ka shkaktuar politika aventureske e qarqeve agresive Vorio-Epiriote.
Duke mbajtur në kujtesë, aktin kriminal të ushtarëve grekë në postën kufitare të Peshkopisë në Gjirokastër, vrasjet makabre për tifozëri apo festa kombëtare, këngët genocidiste të ushtarëve grekë, procesin “Bollano” për henelizimin e krahinës së Himarës, pretendimet për varreza greke në katër qytete të jugut, hapjen e shkollave greke në gjithë krahinat e vendit, përvetësimin e vijës kufitare detare, e shumë veprime në dinamikë revanshiste, deri te sfondi politik apo etnik që duan t’i veshin rastit të humbjes së jetës të të riut himarjot. Sponsorët politik si Kryetari i PBDNJ-së z.Vangjel Dule, dhe i “shenjti” i zotit, Janullatos, u indinjuan së tepërmi për humbjen e jetës të “minoritarit” Aristotel Guma, jo për humanizëm njerëzor, por se e ngatërrojnë me etni greke. Ka pasur raste shumë më tragjike (pa dashur ta zbehim aktin e të riut himarjot) dhe as “daullet” e Dules, e as “pushkët” e Kryepeshkopit Janullatos nuk janë dëgjuar të bien për ndonjë incident të padrejtë. Alibia për etninë greke të të riut himarjot, bën që filtri etnik që qëndron në kokat e politikanëve minoritarë si shpata e Demokleut, të ndezë opinionin mediatik, për një vrasje genocidiste.

Këta misionarë, sensibilizuan Ministrinë e Jashtme Greke matanë kufirit dhe kryetarin Dule brenda vendit, që zemërimi i tij shkon deri në kufijtë e kërkesës për masa operacionale, si vendosja e policisë greke në Himarë, ndërkombëtarizimi i zgjidhjes së konfliktit të të rinjve në organizata ndërkombëtare, dhe ngritjen në protesta të komunës së Dropullit, duke e identifikuar e vendosur paralele me Bashkinë e Himarës, si minoritet.

Dule deklaron në dëlirin e tij politik, se Greqia ka të drejtë të interesohet për minoritarët dhe qytetarët shqiptarë, si anëtare e BE-së, sikur këta të jenë jetim. Në këtë sfond, pse të mos pretendojë dhe Shqipëria të interesohet për Arvanitasit, për çamët, pa folur për shqiptarët që punojnë e jetojnë prej vitesh në Greqi, për t’iu siguruar të drejtat, etninë dhe mësimin e gjuhë shqipe.
Këto marrëzi të Dules, duken qartë se kanë një prapavijë politike. Por, ajo që është më shqetësuese, është shurdhëria dhe memecëria e shtetit Shqiptar. Shqipëria s’ka njohur kurrë barazi në marrëdhëniet me Greqinë.

Është mohuar çështja çame, janë vrarë e masakruar me dhjetëra shqiptarë, u është mohuar jo vetëm shkolla por edhe etnia, emri e gjuha, dhe ndihen jetimë e të pa mbrojtur nga shteti shqiptar. Për gjithë këtë situatë që ka mbjellë rrënjët e konflikteve dhe urrejtjes ndëretnike, ka aktorë aktivë që kanë luajtur rolin e tyre inspirues, si klani Dule-Bollano.

Por autorësia e tyre vepron në një terren dhe klimë të favorshme pushtetar. Aleanca për të ruajtur pushtetin, e ka bërë Berishën derivat të Bollanos. Faji nuk qëndron as te Dule, as te Bollano, por te mekanizmi i prishur i shtetit dhe politikës shqiptare, pikërisht në nyjën nevralgjike të barazisë midis shteteve, me fqinjin jugor.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button