Deprecated: stristr(): Non-string needles will be interpreted as strings in the future. Use an explicit chr() call to preserve the current behavior in /var/www/vhosts/zgjohushqiptar.com.al/zgjohushqiptar.al/wp-content/plugins/a2-w3-total-cache/lib/W3/PgCache.php on line 1054
Zbulohet letra e gjykatës e Nurembergut dërguar prokurorisë shqiptare | My CMS

Zbulohet letra e gjykatës e Nurembergut dërguar prokurorisë shqiptare

Zbulohet letra e gjykatës e Nurembergut dërguar prokurorisë shqiptare.

 Pushtimi nazist në Ballkan ishte një nga më të ashprit e Luftës së Dytë Botërore. Por, ata që luajtën rolin më të rëndësishëm, fillimisht në zbulimin dhe më pas në asgjësimin e mijëra njerëzve, ishin pikërisht formacionet e shërbimit sekret gjerman SS, të cilat kanë funksionuar edhe në Shqipëri. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, gjykata e Nurembergut u kërkoi shteteve të pushtuara nga nazistët të ofronin prova dhe fakte për drejtues të lartë të ushtrisë apo shërbimeve sekrete, për të cilët kishte prova konkrete se ata kishin kryer krime kundër popullatës. Gjykata e Nurembergut i dërgon prokurorisë shqiptare një letër në të cilën kërkohen informacione për Gunther Hausding, kreu i shërbimit SS në Shqipëri dhe Kosovë. Në letër thuhet qartë se organet e drejtësisë shqiptare duhet të ofrojnë dokumentacione të faktuara, të cilat vërtetojnë realisht krimet e Gunther Hausding apo bashkëpunëtorëve të tij, qofshin ata gjermanë apo shqiptarë. Në letrën e saj, prokuroria shqiptare dërgon një informacion të detajuar për krimet e kryera nga Gunther Hausding, të cilat përqendrohen kryesisht në gjenocidin ndaj shqiptarëve në kampin e përqendrimit në Prishtinë, madje përveç kreut të SS-ve, bien në sy edhe disa emra të bashkëpunëtorëve shqiptarë, që mendohet se mund të kenë pasur gisht në këto masakra. Gjykimi i oficerëve madhorë gjermanë ndodhi nga viti 1944 deri në fund të vitit 1951 në plot 12 seanca, në të cilat u dënuan disa nga personat që kishin firmosur për asgjësimin e popullatës së pafajshme. Një nga gjyqet e famshme është ai i 16 gjykatësve, prokurorëve dhe zyrtarëve të Ministrisë naziste të Drejtësisë, ku 4 prej tyre u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërkaq që në gjyqin që zgjati 8 vjet, në bankën e drejtësisë është ulur edhe Gunther Hausding, i cili gjithashtu akuzohet për krime lufte gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri me mision jo vetëm diplomatik, por edhe ushtarak për të realizuar planet e firmosura nga Adolf Hitleri. Më poshtë do të ofrojmë disa nga faktet që tregojnë përfshirjen e Gunther Hausding në masakra, duke përdorur një term joshës për shqiptarët, atë të Shqipërisë së Madhe, një mënyrë dinake kjo për të tërhequr drejt kampeve të përqendrimit qindra shqiptarë, të cilët vdiqën kryesisht në kampin e Prishtinës.Projekti “Shqipëria e Madhe”
Fakte për gjenocidin nazist në kampet e përqendrimit tregojnë se si vepronin trupat SS-ve për të eliminuar shqiptarët duke i ofruar në këmbim projektin “Shqipëria e Madhe”, me synimin se ata do të shërbenin për mbrojtjen e Shqipërisë etnike. Sipas dokumenteve mashtrimi i madh nazistëve konsiston në krijimin e Shqipërisë e Madhe, një shtet i krijuar nga Adolf Hitleri dhe Benito Mussolini, i cili përfshiu Kosovën, Metohinë, Maqedoninë Perëndimore dhe Malin i Zi, vende ku banojnë kryesisht shqiptarë. Sipas shifrave të paraqitura mendohet se ka pasur shumë shqiptarë të cilët duke mbështetur këtë kauzë, janë ofruar vullnetarë për të realizuar këtë projekt. Në vitin 1941 pas pushtimit gjerman u krijua në Kosovë xhandarmëria me seli në Mitrovicë, ndërsa në 1944 këto forca u përfshinë në divizionin “Skanderbeg” të SS-ve nazistë, i cili mori më parë edhe miratimin e vetë Adolf Hitlerit.
Pas kapitullimit italian, një prej drejtuesve të sigurimit gjerman, Gunther Hausding, hodhi idenë e Shqipërisë së Madhe, duke kërkuar përfshirjen e shqiptarëve në formacionet ushtarake. Hermann Neubacher, kreu i SS-ve në Shqipëri dhe Kosovë, u akuzua më pas nga gjykata e Nurembergut si kriminel lufte. Ideja e Shqipërisë së Madhe u përkrah edhe nga Franz von Scheiger dhe Martin Shliep, ky i fundit ishte ministër i Jashtëm i Gjermanisë në Shqipëri, të gjithë të dënuar më pas me akuza për krime lufte. Plani gjerman për të siguruar pushtimin u bazua mbi nismën e Neubacherit, i cili thirri “mobilizimin kombëtar”. Kreu i SS-ve veproi si i dërguari i Ministrisë së Jashtme gjermane, por duke parë rezistencën e shqiptarëve, ai hodhi idenë e Shqipërisë së Madhe, por në këtë plan ata duhet të kishin edhe mbështetjen e brendshme, pasi njihnin fare mirë idetë e disa intelektualëve që përkrahnin këtë kauzë. Neubacher ishte ideatori i krijimit të një ushtrie kombëtare shqiptare, e cila duhet të ishte një forcë rezerviste. Pas dështimit të krijimit të një ushtrie, kreu i Gestapos në Shqipëri u zhvendos edhe në Mitrovicë. Aty ai arriti të rekrutonte agjentët e parë mes të cilëve: Perijuc Mamut, Ramiz Mulic dhe Osman Ibrahimoviç, të cilët ishin kryesisht serbë myslimanë, që spiunuan emrat e hebrenjve që jetonin në Kosovë. Madje, një prej agjentëve, Ibrahimoviç, urdhëroi shkatërrimin e sinagogës hebraike në Prishtinë. Bazuar në statistikat e popullsisë të vitit 1931 në Jugosllavi kishte një total prej 488 hebrenjsh në Kosovë dhe Metohi: 373 në Prishtinë, 109 në Mitrovicë dhe 6 në Gjakovë. Madje, fakt interesant ishte edhe prania në Prishtinë e një sinagoge me emrin “Beth Izrael”, e ndërtuar qysh në vitin 1897.
Kampi i përqendrimit në Prishtinë
Në letrën drejtuar nga prokurori gjerman, bien në sy faktet se ai ka në lidhje me ekzistencën e kampit të përqendrimit në Prishtinë, ku thuhet se realisht janë dërguar dhe pushkatuar 100 shqiptarë. Në fakt, nga dokumentet e zbuluara vite më pas rezulton se realisht në Prishtinë ka pasur një kamp nazist që përdorej si kamp transit, prej ku të arrestuarit dërgoheshin më pas në kampe të tjera të shfarosjes në masë. Ky kamp funksiononte njësoj si kampet e tjera famëkeqe të ngritura nga Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në gusht 1944, në këtë kamp u dërguan rreth 400 shqiptarë të arrestuar dhe të mbajtur deri në atë periudhë në burgjet e Tiranës dhe Shkodrës. Historia e kampit të Prishtinës lidhet me dy masakra të mëdha. E para, në 19 shtator 1944, kur në Qafë-Morinë u ekzekutuan 26 vetë nga ky kamp dhe në 23 tetor 1944, kur u pushkatuan 104 persona, pasi u detyruan ta hapnin vetë gropën e përbashkët ku u varrosën. Kampi u shkatërrua gjatë tërheqjes së gjermanëve nga Evropa, ku mendohet se shumë pak shqiptarë kanë arritur të mbeteshin të gjallë për të dëshmuar terrorin e ushtruar nga gjermanët në këtë kamp përqendrimi. Mendohet se gjatë pushtimit nazist në Shqipëri ka pasur disa kampe internimi ose burgje, të cilat ishin ngritur në Prezë, Berat, Kavajë, Burrel, Shijak, Elbasan dhe Krujë, ku janë dënuar shumë shqiptarë dhe mes tyre edhe disa hebrenj. Në prill 1942, 100 hebrenj nga Prishtina janë transferuar në kampin e burgimit në Berat, ndërsa 79 u transferuan në Prezë. Në korrik 1942, 88 hebrenj u transferuan nga Prishtina në kampet e burgut në Burrel, Krujë dhe Kavajë dhe sipas dokumenteve, rezulton se janë asgjësuar 400 vetë në Kosovë, ku vetëm 100 mbijetuan.
“Kasapët” e Luftës së Dytë Botërore
Gjykata e Nurembergut ishte institucioni që vendosi në vend drejtësinë pas mbarimit të luftës, duke kërkuar edhe bashkëpunimin e vendeve të pushtuara, ku falë bashkëpunëtorëve të spiunazhit gjerman, kishin ndodhur masakra. E njëjta gjë ndodhi edhe me Shqipërinë. Prokurorët kërkuan informacione, pasi në listën e të akuzuarve për krime lufte kishte persona të cilët kishin shërbyer edhe në vendin tonë.
Në grupin e 24 të akuzuarve të cilësuar ndryshe edhe si “kasapët” e Luftës së Dytë Botërore, bënin pjesë mbështetësit më të ngushtë të Hitlerit si dhe disa prej krijuesve të ligjeve raciste kundër hebrenjve apo ideatorëve të kampeve të shfarosjes apo të pushtimit të vendeve të tjera. Gati shumica e të dënuarve me vdekje ishin drejtues të ushtrisë gjermane, por nuk mungonin as ata që quheshin “truri” i ideologjisë naziste. Madje, gjykata nuk ngurroi të jepte dënimin me vdekje edhe për një gazetar. Julius Shtariher ishte gazetari dhe drejtori i gazetës gjermane “Der Shturmer” i cili sipas gjyqtarëve ndërkombëtarë, ishte përgjegjës për vrasjen e miliona hebrenjve po aq sa ata që i ekzekutuan drejtpërsëdrejti ata. Kjo, pasi, sipas gjyqtarëve, Shtariher kishte nxitur urrejtjen raciste kundër hebrenjve, gjë që kishte sjellë edhe Holokaustin. Por në listën e të akuzuarve nuk munguan edhe ata që drejtuan ekonominë gjermane gjatë regjimit nazist.
Ministrat e gjeneralët
Walter Funk, ministër i Ekonomisë në qeverinë e Hitlerit si dhe drejtor i Bankës Kombëtare të Gjermanisë, u dënua me burgim të përjetshëm, pasi gjatë luftës kishte urdhëruar sekuestrimin e të gjitha pasurive të hebrenjve si dhe të gjithë kundërshtarëve të Hitlerit. Por i ashtuquajturi njeriu 2 i nazistëve, krahu i djathtë i Hitlerit, si dhe ideatori i shumë krimeve naziste, komandant i ushtrisë gjermane, Herman Goring, megjithëse i arrestuar dhe i mbikëqyrur më së miri, arriti t’i shpëtonte dënimit me vdekje që i dhanë gjykatësit ndërkombëtarë. Vetëm një ditë para se të varej, Herman Goring arriti të vetëhelmohej me një kapsulë cianuri.

Dosja 1568
Përkthim i vërtetuar nga gjermanishtja

1a Js 3263/60
Nuremberg, më 9 prill 1965

Zoti prokuror i Republikës Popullore të Shqipërisë, në Tiranë
Lënda: Hausding Gunther, i pandehuri për vrasje me anë veprimtarie kriminale të dhunës nacionalsocialiste në Shqipëri.
Ministria e Drejtësisë e Republikës Popullore të Shqipërisë, në letrën datë 17 korrik 1963, pa referime në prova, drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë në Nuremberg, komunikon sa më poshtë sa vijon:
Në referim të veprimtarisë të quajturit Gunther Hausding gjatë kohës së ndodhjes së tij në Shqipëri me cilësinë e “Hauptstrumfuhrer” (Kapiten i trupave SS) në shërbim të sigurimit gjerman (SD), Ministria e Drejtësisë e Republikës Popullore të Shqipërisë ju vë në dijeni se gjatë proceseve penale që janë zhvilluar pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në vendin tonë kundra kriminelëve të luftës dhe armiqve të popullit shqiptar dhe veçanërisht në proceset kundra të akuzuarve Shefki Halili, Riza Alija, Ethem Cara, Javer Hurshiti, Sierseh Engelbert e të tjerë ka rezultuar se me urdhrin e drejtpërdrejtë të kapitenit të shërbimit të sigurimit gjerman (SD), Gunther Hausding, gjatë okupacionit gjerman në Shqipëri dhe pikërisht gjatë periudhës nga muaji tetor 1943 gjerë në nëntor 1944, një numër i madh qytetarësh shqiptarë të pafajshëm nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, sidomos nga Tirana dhe Shkodra, janë arrestuar, keqtrajtuar dhe dërguar në kampe të ndryshme të përqendrimit, ku ata më vonë kanë gjetur vdekjen. Vetëm në kampin e përqendrimit të Prishtinës janë dërguar më shumë se 100 persona të pafajshëm dhe janë pushkatuar. Ka rezultuar gjithashtu gjatë këtyre proceseve penale se ish-kapiteni në shërbim të sigurimit gjerman (SD), Gunther Hausding, ka qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i kriminelit të luftës Xhafer Deva. Këta kanë urdhëruar së bashku pushkatimin në masë të qytetarëve shqiptarë; është për të përmendur sidomos nata e 4 shkurt 1944 në të cilën, në Tiranë një numër i madh shqiptarësh të pafajshëm u masakruan.
Ju lutem zoti prokuror i Republikës që të konstatoni se cilat janë mjetet e provës për këto akuza që bëhen kundra Hausdingut, që janë paraqitur me hollësi në Shqipëri dhe të keni mirësinë të na i transmetoni në origjinal ose në kopje të vërtetuara. Letra e Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë duke qenë se është shkruar në gjuhën frënge, edhe unë zgjodha këtë gjuhë për të paraqitur këtë letër-porosi. Urdhëroni zoti prokuror i Republikës të pranoni shprehjen e konsideratave të mia të veçanta.
Willomitzer (d.v)

Prokuror i Republikës

Vërtetimi i përkthyesit:
Në bazë të cilësisë sime të përkthyesit zyrtar të emëruar për gjuhët angleze, franceze, italiane dhe çeke, me dekret të kryetarit të Gjykatës Krahinore të Lartë të Nurembergut datë 27 gusht 1948, nr. 3134, vërtetoj saktësinë e këtij përkthimi dhe përputhjen e tij të plotë me tekstin në gjuhën gjermane.

Avokat, dr. Rudolf Shnabel (d.v)

Buschingstrasse 9

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button