Deprecated: stristr(): Non-string needles will be interpreted as strings in the future. Use an explicit chr() call to preserve the current behavior in /var/www/vhosts/zgjohushqiptar.com.al/zgjohushqiptar.al/wp-content/plugins/a2-w3-total-cache/lib/W3/PgCache.php on line 1054
Pj.2 Incidenti i Korfuzit | My CMS

Pj.2 Incidenti i Korfuzit

Në ambientet mjaft ekskluzive të një prej hoteleve të famshëm të Washington D. C., në mbledhjen vjetore të Institutit të Arkeologjisë Nënujore, ndër projektet e ndryshme ndërkombëtare u prezantuan edhe kërkimet arkeologjike nënujore në ujërat e territorit shqiptar. Projekti shqiptaro-amerikan tashmë ka mbi tre vjet që është prezent në Shqipëri dhe për zbulimet e bëra deri më tani u shpall si një ndër 10 projektet më të rëndësishme në botë të arkeologjisë nënujore nga revista e njohur amerikane “Arkeologjia”, korrikun e kaluar.
Gjithsesi, në shtatorin e sapokaluar në ambientin mjaft ekskluziv të të ftuarve dhe arkeologëve ndërkombëtarë të pranishëm në këtë mbrëmje projekti shqiptaro-amerikan solli si gjetjen më të rëndësishme të sezonit 2009 një zbulim, i cili do të hapë tashmë një debat mjaft interesant midis historianëve dhe specialistëve të Luftës së Dytë Botërore.

Prezantimi i këtij zbulimi iu besua Prof. James Delgado, president i Institutit të Arkeologjisë Nënujore me qendër në Universitetin e Teksasit dhe Bodrum të Turqisë si një prej specialistëve më të mirë në botë të relikteve të Luftës së Dytë Botërore. Megjithëse Prof. Delgado ishte prezantuesi i këtij zbulimi, ekipi shqiptaro-amerikan dhe anëtarë të Institutit të Arkeologjisë Nënujore, INA, kanë bërë kërkime të shumta për të mbështetur hipotezën e prezantuar nga Prof. Delgado

Prof. Delgado, i cili ishte në bordin e anijes amerikane kërkimore-shkencore, “Herkules”, në verën e kaluar është edhe autoriteti kryesor, i cili mbron tezën e zbulimit të një prej konflikteve detare më të famshme të historisë së pas Luftës së Dytë Botërore që ka hyrë në analet e historisë si “Incidenti i Korfuzit”.

Ekipi i arkeologëve, i ndihmuar nga aparaturat ultramoderne të anijes “Herkules”, pronë e një financieri të rëndësishëm të Wall Street dhe një prej mbështetësve më të mëdhenj të arkeologjisë nënujore amerikane, George Robb, identifikuan një anomali të pazakontë në funddetin e Gjirit të Sarandës dhe me anën e robotit në anije u bë i mundur identifikimi i një sërë objektesh, të cilat mendohen se janë pjesë të bashit të HSM Volage, destrojerit britanik që u dëmtua më rëndë në këtë incident.

Më 22 tetor të 1946, një skuadron i Flotës Mbretërore britanike i përbërë nga kryqëzorët HMS Mauritius dhe HMS Leander, si dhe dy destrojer, HMS Saumarez dhe HMS Volage, ranë në mina detare duke iniciuar kështu një prej konflikteve më të njohura dhe më të gjata të diplomacisë së pas Luftës së Dytë midis Britanisë dhe Shqipërisë.

Incidenti i Korfuzit, sipas dokumenteve zyrtare të botuara nga pala britanike, por edhe më vonë të paraqitura në Këshillin e Sigurimit dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, vërtetojnë se Flotilja britanike u godit nga minat detare në kanalin e quajtur MEDRI, kanal ky i pastruar prej minave gjermane nga Flota britanike, kanal i cili gjithashtu prekte, sipas palës shqiptare, edhe ujërat territoriale të Shqipërisë. HSM Volage u godit në bash, në momentin kur ajo po asistonte anijen tjetër britanike, HMMS Suamarez, e cila u godit e para nga minat gjermane.

Megjithëse anijet u dëmtuan rëndë dhe HMS Volage humbi bashin e saj, përsëri të dyja mundën që pas përpjekjeve të shumta të marinarëve të ktheheshin në mesnatën e 22 tetorit në Portin e Korfuzit. Gjithsesi humbjet e pësuara ishin nga më të mëdhatë që marina britanike kishte pas Luftës së Dytë Botërore.

44 marinarë dhe oficerë të HSM Suamarez dhe HSM Volage humbën jetën, ndërsa 42 të tjerë u plagosën në këtë incident fatal.

Qeveria britanike protestoi fuqimisht ndaj këtij “provokimi” shtetëror, siç e quajtën atë dhe një seri betejash diplomatike dhe ligjore filluan midis të dy shteteve. Gjithsesi, Incidenti i Korfuzit konsiderohet nga historianët e periudhës si fillimi i Luftës së Ftohtë midis dy kampeve ish-aleate kundër Gjermanisë hitleriane, bllokut komunist dhe Perëndimit demokratik. Por, megjithëse kjo ishte një betejë e famshme për kohën, në qarqet diplomatike dhe ligjore sot ka mbetur një çështje e harruar nga opinioni publik. Zbulimi i kryer nga ekspedita shqiptaro-amerikane e kërkimeve nënujore do të rihapë përsëri, me sa duket, një argument tashmë të mbyllur përgjithmonë. Kush i vuri minat në Kanalin e Korfuzit dhe a shkelën sovranitetin e Shqipërisë anijet e Flotës Mbretërore atë pasdite të 22 tetorit të 1946?

Në nëntor të 1945, me marrëveshje të posaçme, katër Fuqitë e Mëdha aleate, Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Franca, ranë dakord për formimin e Komisionit Ndërkombëtar për Pastrimin e Minave, MEDZON, me praninë edhe të shteteve që lageshin nga deti Mesdhe për të pastruar të gjitha brigjet nga minat e flotës gjermane. Në bazë të hartave të kapura Gjermanisë ky Komision Ndërkombëtar filloi punën për pastrimin e minave.

Anijet britanike kishin filluar pastrimin e fushave të minuara që në fundin e 1944 në Kanalin e Korfuzit duke bërë të mundur hapjen e këtij të fundit për të gjitha anijet tregtare që kalonin këtë kanal. Në dhjetor të 1945, anija britanike, HMS Regulus, u godit nga një minë detare duke u mbytur në ujërat e Gjirit të Butrintit, me humbjen e një oficeri të kësaj anijeje. Incidenti u konsiderua si pjesë e rrezikut të pastrimit të minave të Luftës dhe çështja u mbyll në arkivat e Flotës britanike. Anijet angleze vazhduan punën në këtë zonë, megjithëse asnjëherë pala shqiptare nuk u ftua të asistonte në këtë operacion në ujërat e saj territoriale. Me gjithë kërkesën e përsëritur të qeverisë shqiptare për të marrë pjesë si vëzhgues në MEDZON, përfaqësuesit anglezë të MEDZON nuk e mbështetën këtë kërkesë, me argumentimin se Shqipëria nuk kishte as mjete dhe as ekspertizë për të kontribuar në këtë operacion të rëndësishëm.

Zbulimi

Zbulimi i mundshëm i bashit të anijes britanike HMS Volage në fakt e ka fillesën në kërkimet e vitit 2007, kur në distancën prej rreth 21 kilometrash nga kufiri me Greqinë dhe deri në Gjirin e Sarandës, u zbuluan nga pajisjet e sofistikuara të anijes “Herkules” 125 anomali të shtratit të funddetit të Jonit. Pajisjet e sonarit “multi beam” skanuan çdo centimetër të zonës ujore të ujërave të njohura si zona territoriale shqiptare dhe me anë të robotit u kontrolluan 67 anomali, të cilat më të shumtat rezultuan si anomali gjeologjike.

Megjithatë mbi 15 anomali rezultuan të ishin “mbeturina anijesh moderne” dhe si të tilla nuk u verifikuan më tej nga anija “Herkules”.

Por në sezonin e 2009 ideja se ndonjëra prej 15 ‘mbetjeve moderne” mund të kishte lidhje me ngjarjen e 22 tetorit të 1946, risolli vendimin për t’i rishikuar edhe një herë këto mbetje anijesh. Anija “Herkules” lëshoi robotin e saj mbi targetin e identifikuar në 2007 dhe vetëm pas një ore vëzhgimi intensiv nga salla e komandimit, ideja se më në fund bashi i hedhur në erë i HMS Volage ishte gjetur, entuziazmoi jo pak të gjithë të pranishmit. Mendimi se “Herkules” kishte gjetur më në fund dhe koordinatat e sakta të vendndodhjes se HMS Volage solli edhe një vështirësi tjetër të paparashikuar. Të bindur se tashmë HMS Volage duhej të ishte gjetur, në respekt të atyre që kishin humbur jetën në këtë incident, u vendos që asgjë të mos prekej. Ky vendim do ta bënte të pamundur identifikimin 100% të vendndodhjes së saktë të HMS Volage. Sipas të gjitha konventave ndërkombëtare kjo zonë quhet varrezë ushtarake dhe duhet trajtuar me respektin më të madh. Për këtë arsye, identifikimi i mundshëm i anijes u vendos që të bëhej nga fotot e marra nga kamerat e “Herkules” dhe materialet historike të botuara për këtë çështje.

Megjithëse zona e anijes HMS Volage është mjaft e mbuluar nga balta dhe llumrat e lumit të Bistricës që derdhet në gji, përsëri është e mundur që nga kamerat e robotit të shikohen një mori objektesh, të cilat mund të identifikohen me lehtësi. Shihet qartë një pjesë çeliku e bashit që duket se është dëmtuar nga një shpërthim i fuqishëm, kjo pasi kabllo elektrike, tela çeliku dhe copa të tjera metali janë të varura në të. Të shpërndara përqark dhe gjysmë të mbuluara nga llumi i Bistricës, janë një sërë objektesh të ndryshme, të cilat i korrespondojnë klasit të anijes HSM Volage, e cila duhet t’i ketë pasur hapësirat në bash për përdorim të personelit dhe të kuzhinës. Sigurisht që, nëse edhe një prej këtyre objekteve të ishte sjellë në sipërfaqe, do ta bënte mjaft të thjeshtë identifikimin e HMS Volage. Përsëri u vendos që objektet e mëposhtme të mos prekeshin kurrsesi.

1. Një mbyllëse e vogël e një tubi uji anijesh
2. Fundi i një shtojce të salduar të bashit prej çeliku
3. Tuba çeliku
4. Pjesë çeliku e dëmtuar nga një shpërthim
5. Enë të ndryshme kuzhine
6. Një kuti metalike e përdorur për maskat Kundër Gazit
7. Pjata të ndryshme
8. Municion i kalibrit 303
9. Një pjesë çeliku e bashit me vrimë nga shpërthimi
10. Tabani i një këpuce apo çizmeje
11. Kuti municioni
12. Municion i kalibrit 303 në një zonë tjetër të vendndodhjes
13. Pjesa metalike e një prozhektori të përdorur nga anijet ushtarake
14. Shishe dhe pagurë ushtarakë
15. Këpucë të tjera

Interpretimi

Materiali i gjetur dhe i vëzhguar me imtësi nga ekspertët amerikanë nuk kishte dyshim që ishte pjesë përbërëse e një anijeje ushtarake. Gjithsesi, besimi se kishim zbuluar më në fund vendmbytjen e bashit të anijes britanike, HSM Volage, na mbërriti edhe nga një këndvështrim tjetër shumë interesant i këtij incidenti.

Oficeri i Flotës Detare shqiptare, Kapiteni i Parë, Artur Meçollari, një oficer i zoti me sa duket në punën e tij, në mënyrë të pavarur, duke studiuar vetëm dokumentet e publikuara nga pala britanike dhe materialet e dosjes shqiptare, arrin në konkluzionin se anijet janë goditur në kursin e përcaktuar në hartën e tij dhe jo sipas pretendimit të palës angleze. Ky përfundim mjaft i zgjuar i kapitenit Meçollari në fakt konfirmonte ekzaktësisht koordinatat e gjetjes së asaj që ekipi shqiptaro-amerikan besonte, vendndodhjen e bashit të HMS Volage, jo më shumë se një mijë e dyqind metra larg bregut shqiptar, një zbulim ky, i cili e fut në dyshim të thellë verdiktin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës.

Megjithatë, për mbi tre muaj fotot e marra nga roboti i anijes amerikane “Herkules”, iu dërguan disa ekspertëve të Marinës britanike dhe asaj italiane për një konfirmim të pavarur mbi origjinën e tyre. Megjithëse pjesët metalike të gjetura nuk kanë asnjë dyshim se janë të një anijeje ushtarake të shek. XX, specialistët e konsultuar konfirmuan se në fakt edhe objektet e gjetura nën llumin e Bistricës janë objekte të përdorura nga Flota britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore për mensat e marinarëve. Stili dhe forma e tyre, si dhe gjetja e tyre akoma në grumbull njëra mbi tjetrën nuk lënë asnjë dyshim për këtë konkluzion. Në bashin e HMS Volage, që u godit nga mina, ishte vendosur kuzhina, si dhe ambientet e depove të anijes.

Gjithashtu, municioni i gjetur pranë pjesëve të tjera është tipik municion i përdorur nga Marina britanike, kalibri 303 i vendosur në krehra dhe i përdorur nga pushkët Lee-Enfield, të cilat përdoreshin gjerësisht nga marinarët britanikë, por edhe nga mitralozat e vendosur në anije. Prezenca e pajisjeve të tjera ushtarake, por gjithashtu edhe mbeturinat e disa këpucëve apo çizmeve ushtarake, konfirmojnë faktin që në bashin e Volage ishin vendosur depot e pajimeve personale të marinarëve.

Për ekipin shqiptaro-amerikan të arkeologjisë nënujore nuk ka asnjë dyshim se zbulimi i kryer jo më shumë një kilometër e 200 metra nga bregu shqiptar i Sarandës nuk është tjetër veçse bashi i anijes së Flotës Mbretërore britanike, HMS Volage, anije e cila së bashku me HMS Suamarez u godit një pasdite tetori me det të trazuar në ujërat shqiptare nga minat gjermane. Incidenti i famshëm i Korfuzit, i cili hapi një betejë të furishme diplomatike në Këshillin e Lartë të Sigurimit në Kombet e Bashkuara, duke rreshtuar në kampe të kundërta vendet e bllokut sovjetik dhe atyre perëndimor, solli gjithashtu edhe prishjen e marrëdhënieve diplomatike midis Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë. Jo vetëm kaq, por pas verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, se Shqipëria është fajtore, Britania konfiskoi Arin e Bankës shqiptare, si mënyra më e mirë për ta detyruar Shqipërinë të paguante dëmshpërblimin e caktuar nga kjo Gjykatë. Për mbi 50 vjet në të gjitha librat e historisë botërore incidenti i Kanalit të Korfuzit ka hyrë si një akt i paprecedent i një vendi që kërkon të mbajë me anën e forcës zona territoriale, të cilat janë zona detare ndërkombëtare dhe aq më keq, të vendosë mina ndaj anijeve që kalojnë në mënyrë paqësore në këto zona. Shqipëria pra është fajtore. Megjithëse ky verdikt i dhënë nga një Gjykatë Ndërkombëtare me shumicë votash e dënoi dhe e penalizoi Shqipërinë për mbi 50 vjet si fajtoren kryesore të këtij incidenti, zbulimi i ekspeditës arkeologjike nënujore shqiptaro-amerikane ngre disa pyetje të rëndësishme:

1. A ishin anijet e Flotës britanike në kursin e deklaruar?
2. Çfarë bënin anijet e Flotës Mbretërore një kilometër e 200 metra nga brigjet shqiptare?
3. A po kryente skuadroni i Flotës angleze një kalim paqësor?
4. Nëse po, a ishte urdhëruar ky skuadron të qëllonte bateritë shqiptare dhe të zbarkonte në brigjet e Sarandës?
5. Kush i vuri minat?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve historia do të dëshironte t’i dinte, megjithëse gjykatësit e Gjykatës së Hagës e kanë dhënë tashmë verdiktin e tyre 65 vite më parë.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button