Deprecated: stristr(): Non-string needles will be interpreted as strings in the future. Use an explicit chr() call to preserve the current behavior in /var/www/vhosts/zgjohushqiptar.com.al/zgjohushqiptar.al/wp-content/plugins/a2-w3-total-cache/lib/W3/PgCache.php on line 1054
Pse Jorgos Papandreu nxit urrejtjen nacionaliste antishqiptare?! | My CMS

Pse Jorgos Papandreu nxit urrejtjen nacionaliste antishqiptare?!

Një muaj pas ngjarjes së Himarës, kur një banor i saj, Aristotel Guma, kishte gjetur vdekjen nga një aksident automobilistik, ishte kryeministri grek, Jorgos Papandreu, ai që gërvishti plagën që po mbyllej. Në një deklaratë, të cilën ai e ka bërë pardje, ka folur në pozitat e tutorit mbi Shqipërinë, duke dashur t`tregojë asaj sesi duhet të sillet me minoritetin grek në këtë vend. “Për fat të keq, vërejmë fenomene të ngjashme të një shpërthimi nacionalizmi nga grupe ekstreme, që për fat të keq kanë edhe pasoja politike dhe që synojnë minoritetin grek në Shqipëri”, shprehet Papandreu. Dhe më tej ai thotë: “Doja t’i dërgoja mesazhin palës shqiptare se nacionalizmat gjithmonë kanë krijuar probleme kolosale, jo vetëm ndërmjet vendeve, por me viktima edhe qytetarë të thjeshtë”. Paralel me kryeministrin grek kanë folur këto ditët e fundit për këtë ngjarje edhe kreu i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, si dhe kreu i PDNJ-së, Vangjel Dule. Të dy këta përfaqësues të OMONIA-s greke kanë afërsisht të njëjtat vlerësime si edhe kreu i qeverisë greke për ngjarjen e Himarës, duke shfrytëzuar vdekjen e një njeriu, qytetar të këtij vendi, me qëllim që të nxitin urrejtjen dhe dasitë etnike në Shqipëri. Papandreu kërcënoi Shqipërinë për “bllokimin” e saj në rrugën e integrimit evropian, ndërkohë që të dy protagonistët e politikës greke në Shqipëri kanë thënë se kjo ngjarje “nuk i ndihmon integrimit të Shqipërisë në BE”. Ndërkohë të gjithë aktorët grekë në Athinë e në Shqipëri nuk lënë rast pa përmendur se “Greqia po bën shumë për integrimin (kuptohet asimilimin) e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Ndërkaq për Papandreun, Dulen dhe Bollanon nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston as problemi çam, as problemi shqiptar i arvanitasve, komunitet në të cilin po shuhet përfundimisht jo vetëm identiteti, por edhe elementi gjuhësor i variantit të shqipes, një vlerë universale kjo për studimet evropiane të kësaj gjuhe, duke bërë kështu një krim kundër njerëzimit. Asimilimi dhe përpjekjet që Greqia ka zhvilluar gjatë shekullit të XX dhe gjatë këtij dhjetëvjeçari për zhbërjen e kulturës shqiptare dhe të gjuhës shqipe te mbi dy milionë shqiptarët arvanitas rreth Athinës, përkatësisht në lagjen e saj “Plakë”, si dhe në ishujt e Egjeut apo në fshatrat në kufi me Shqipërinë, duke nisur nga Kosturi e deri në Korfuz, nuk do të merrte asnjë emër tjetër, përveçse krim kundër njerëzimit. Po t`i shtojmë këtij krimi edhe krimin e deportimit të më shumë se 300 mijë shqiptarëve të Çamërisë dhe Thespothisë, si dhe asgjësimin fizik të rreth 10 mijë prej tyre, atëherë përmasat e këtij krimi kundër njerëzimit do të ishin llahtar.

Një aksident i rastësishëm dhe ordiner i një banori me origjinë shqiptare në Himarë është politizuar dhe ngritur në mit nga ana e qeverisë greke dhe përfaqësuesve grekë të këtij minoriteti në Shqipëri. Kjo ngjarje, për të cilën nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë shqiptar të interesuar që të ndodhte, është instrumentalizuar nga Athina zyrtare në stilin dhe modelin e ngjarjes së vitit 1985 në Kosovë, kur plagosja e një Martinoviçi, banor serb i Graçanicës, ishte shfrytëzuar si precedent për të hedhur akuzën “e gjenocidit të shqiptarëve kundër serbëve në Kosovë”. Ky model po konstruktohet në Athinë dhe kryeministrin grek po e ndihmojnë në këtë absurd ndihmësit e tij në Shqipëri. Nuk kam ndër mend që të vë në dukje të vërtetën e Himarës dhe origjinës shqiptare të popullsisë së saj. Nuk mund të shterohet në një artikull as manipulimi historik që Greqia ka bërë me Himarën, për shkak të faktit se banorët e saj kanë përdorur si gjuhë tregtie dhe migrimi gjuhën greke. Kjo është një histori e tërë, për të cilën do të ishte mirë që institutet tona të organizonin sesione dhe konferenca shkencore të mirëfillta. Por metodat nacionaliste të Jorgos Papandreut nuk mund të mbulohen pas “kritikës” që ai i bën Qeverisë shqiptare ose të ashtuquajturave qarqe nacionaliste në Shqipëri. Shqipëria asnjëherë nuk ka prodhuar qarqe dhe organizata antigreke, aq më pak raciste dhe ksenofobike, fenomen ky që ka ndodhur rëndom gjatë të gjithë rrjedhës së historisë së dy shekujve të fundit në Greqi, ku mund të përmenden me dhjetëra qarqe dhe organizata, qeveri dhe parti politike të shumta, presidentë dhe kryeministra të panumërt, të cilët kanë dëshmuar qëndrime nacionaliste e shoviniste kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë. Në Shqipëri nuk mund të vlerësohet asnjë qeveri e asnjë periudhe, e cila të ketë shfaqur tendenca dhe koncepte antigreke. Edhe përpjekjet e vitit 1994-1995 për të dënuar disa krerë të korruptuar dhe inkriminuar të OMONIA-s në thelb nuk bënte pjesë në ndonjë strategji antigreke, megjithëse Greqia vriste shqiptarë deri në repartet ushtarake të dislokuara në kufi me shtetin grek. Viti 1997 kishte sjellë kulmin e kësaj veprimtarie subversive, kohë kur qeveria greke gati sa nuk përsëriti në jug të vendit ngjarjet e dimrit dhe pranverës së vitit 1914. Atëherë andartët grekë kishin marshuar në të gjithë jugun e Shqipërisë dhe kishin kërkuar aneksimin e saj. E njëjta skemë ishte tentuar të imponohej më 1997, kur në Gjirokastër nuk drejtonte më qeveria shqiptare, por guvernatori grek i emëruar nga Athina ishte një zëvendësministër i jashtëm i qeverisë greke, të cilin më vonë, për një shërbim të tillë, vetë grekët do ta nisnin drejt fundit të botës së përtejme.

Por edhe pse Papandreu ka kërcënuar pengimin e Shqipërisë për t`u integruar në Bashkimin Evropian, për shkak, siç thotë ai, “mosrespektimin e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri”, kreu i qeverisë së Athinës duket se këto deklarata i përdor për kapital politik të brendshëm. Dy ditë më parë demonstrues të shumtë grekë në Selanik e kishin akuzuar atë “për tradhti kombëtare”. Me qëllim që ta hiqte “damkën e tradhtarit”, Papandreut i duhej një makijazh nacionalist përmes aksionit të radhës kundër një vendi tjetër fqinjë. Pas konfliktit tipik mitik e nacionalist në marrëdhëniet me Maqedoninë e Kosovën, tani atij i mbetet të sulmojë në mënyrë të ngjashme Shqipërinë. Megjithatë, ai nuk e ka aq të lehtë të rifillojë një fushatë antishqiptare. Kjo, sepse partnerët evropianë do të mërziteshin me këtë Greqi zevzeke, së cilës nuk i pëlqen asnjë prej fqinjëve të saj. Sepse Athina ka jo pak privilegje në Jug të Shqipërisë, deri tek tolerimi që asaj i bëhet me incidentet që krijon për të penguar zhvillimin e turizmit te ne. Në Evropë nuk shkojnë më kryeneçësitë e Athinës dhe për shkak të Traktatit të Lisbonës, në të cilin integrimi i vendeve të ndryshme nuk do të realizohet më me mekanizmin e vetos, por me mekanizmin e votës (55 për qind të vendeve, të cilat përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë evropiane).

Nëse Tirana zyrtare ka toleruar kërkesat greke, për shkak se asaj i duhej vota për miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe për pranimin në NATO, tashmë partneriteti midis Shqipërisë dhe Greqisë është i domosdoshëm të rikthehet në kornizat normale, pa pasur më frikë se Athina do të jetë aq e fuqishme, sa të përdorte fshesa të reja kundër refugjatëve. Madje fshesa të tilla do të ishin në të mirë të emigrantëve shqiptarë të diskriminuar dhe të ekonomisë shqiptare, e cila tashmë është aftësuar që t`i përgjigjet menaxhimit të nevojave të emigrantëve që mund të kthehen në vend. Ndaj, ngado që të kthehet medalja e kërcënimit grek, ajo nuk rrezaton më asnjë lloj rreziku për Shqipërinë, përkundrazi, do të mund të kthehet lehtazi në një bumerang të ri për Athinën zyrtare dhe jozyrtare. Dhe nëse Greqia ia shton vetes një marrëdhënie të re krize, veç asaj që vuan në trupin e vet e veç krizës me Maqedoninë, është e sigurt se do të dështojë në të tri këto drejtime. Megjithatë, shqiptarët nuk kanë ligësinë greke që ta shfrytëzojnë agoninë e shtetit helen për ta shtyrë atë drejt greminës. Këtë nuk e kanë bërë e nuk e bëjnë grekët për ne shqiptarët, por së paku është koha, vendi dhe momenti që Shqipëria të mbrojë më me forcë të drejtën e shqiptarëve arvanitas në Greqi, të drejtën e pronësisë së çamëve të deportuar, shpronësuar dhe asgjësuar, të drejtën e emigrantëve për të pasur shkolla, radio, gjykata, gazeta, televizione, libra, revista në gjuhën shqipe e kështu me radhë.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button