Shqipëria lë pa abetare 100 mijë fëmijë emigrantësh

Rreth 100 mijë fëmijë të emigrantëve shqiptarë qëetojnë në Greqi rrezikojnë të mos nisin klasat plotësuese për mësimin e Gjuhës shqipe. Kjo pasi Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk u ka dërguar atyre librat dhe materiale të tjera, siç janë regjistrat. Jovan Mëhilli, kryetar i këshillit pedagogjik të mësuesve në Greqi, thotë se ministria i ka harruar, duke iu mohuar të drejtën e mësimit të gjuhës së nënës fëmijëve të emigrantëve shqiptarë në shtetin helen.

Situata
Ai thotë se në të gjithë Greqinë kanë ngritur 60 klasa nxënësish, ku mësojnë mesatarisht, 2 herë në javë, nga një orë e gjysmë rreth 2 mijë fëmijë të emigrantëve shqiptarë, që u japin mësim rreth 300 mësues. Ai thotë se i gjithë ky sistem rrezikon të shkatërrohet për shkak të neglizhencës së shtetit shqiptar, i cili duket se i ka harruar emigrantët e tij. “Këtë vit shkollor rrezikohet të dështojë hapja e shkollave të mësimit plotësues të Gjuhës shqipe në Greqi, për shkak se nuk na kanë ardhur tekstet mësimore dhe disa materiale të tjera shkollore. Kërkesa për tekste është bërë që më datë 11 maj 2010 dhe tashmë duhet të ishte mbyllur, pasi shkolla nis në muajin tetor, – ka deklaruar Mëhilli. – Kërkesat tona për tekste shkollore kanë qenë për Abetare dhe Paraabetare, tekste të Gjuhës shqipe, komplete mjetesh mësimore për ciklin e ulët; programe të unifikuara për mësimin plotësues të Gjuhës shqipe; metodika në ndihmë të mësuesit; regjistra, harta, amza etj”, – ka thënë ai, duke shtuar se kërkesat e tyre nuk janë të mëdha, është e madhe rëndësia që ato kanë në mësimin e gjuhës shqipe. “Prandaj ne, mësimdhënësit e shqipes me të drejtë u drejtohemi drejtuesve të Ministrisë së Arsimit dhe të Ministrisë së Jashtme, që të plotësojnë urgjentisht kërkesat tona për tekste e mjete mësimore, me dëshirën e mirë që viti mësimor 2010-2011 të nisë normalisht, dhe se çdo vonesë është mungesë përgjegjësie prej tyre”, – ka kërkuar përfaqësuesi i mësuesve tanë në Greqi, Jovan Mëhilli. Ai e ka akuzuar Ministrinë e Arsimit se nuk ka marrë në konsideratë as kërkesat e tyre për përgatitjen e programeve dhe teksteve të posaçme për nxënësit emigrantë; pajisjen e fëmijëve me dëftesë pas përfundimit të mësimeve plotësuese të gjuhës shqipe, me qëllim vazhdimin e arsimimit të mëtejshëm në Shqipëri; caktimin e një pagese për mësuesit shqiptarë që ushtrojnë mësimdhënien, si dhe njohjen e kohës së saj si vjetërsi pune; (përllogaritur në normë mësimore). Ndaj, ai ka kërkuar vëmendjen e presidentit, kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit, në mënyrë që fëmijët e emigrantëve shqiptarë të mos humbasin interesin për gjuhën, vetëm për shkak të mungesës së librave.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button