Fier, përurohet shkolla serbe në Libofshë

Paraditen e së shtunës, Mirealjub Zariç, ambasadori i Serbisë në Tiranë, që preu shiritin e përurimit të çeljes së një shkolle serbe (kurs për gjuhën serbe) në Libofshë të Fierit, theksoi se “të tilla do të hapen në të gjitha ato zona ku ka komunitet serb”.
Zariç theksoi se shkolla e Libofshës vjen pas asaj të hapur në Shkodër, Lezhë etj, ndërkohë që premtoi se edhe në territorin e Serbisë ku ka komunitet shqiptarësh, është lejuar dhe do të lejohet çelja e shkollave të tilla në gjuhën shqipe.

Madje ambasadori, për të konkretizuar këtë deklaratë, ka kujtuar vizitën e fundit të kryer në Beograd nga zëvendës-kryeministri i vendit, ish-ministri i Jashtëm, Ilir Meta, pak javë më parë në Serbi, ku kanë ndarë të njëjtat mendime me mikpritësit. Çelja e kësaj shkolle, e cila do të funksionojë në orët e pasditeve pas mësimit tradicional të shkollës në gjuhë shqipe, ose në fundjavë, ka ardhur pas shumë kërkesash të bëra nga ky komunitet për të ruajtur gjuhën e tyre. Më tej konkretizimi i plotë është bërë dhe nga shoqata “Maracna Rozafa Shkodër”.

Dje, gjatë inaugurimit të çeljes së kursit të parë në gjuhë serbe për 60 fëmijë të moshave të ndryshme ishte prezent dhe përshëndeti këtë nismë dhe Nikolla Zarka, kryetari i Komunës Libofshë. Ishte ambasadori Zariç, i cili ka shkruar i pari në dërrasën e zezë shkronjën e parë që përkon me shqipen, “A”. “Fillimisht do të jenë mësuesit nga Shkodra, ata që do të japin mësim dhe më vonë mësuesit e zonës, të cilët do të trajnohen gjatë kësaj kohe”, – theksoi ambasadori serb. Në fshatin Rrethlibofshë të komunës Libofshë jeton një komunitet serb. Ata kanë ardhur në Shqipëri në vitin 1924, nga krahina e Novi-Pazarit në Serbi. Shumë prej tyre kanë ruajtur gjuhën dhe zakonet. Përkohësisht, procesi mësimor i gjuhës serbe do të bëhet në një mjedis të liruar nga Eqerem Duleviçi, ndërkohë që kanë nisur punimet për ndërtimin e një godine të re për këtë qëllim. Të gjitha pajisjet e logjistika janë sjellë nga Serbia.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button