Kristo Frashëri: Bollano e Dule t’u kërkojnë falje shqiptarëve

Më 12 gusht 2010 në rrugën Vlorë-Himarë ndodhi një aksident tragjik. Nga përplasja e një makine me një motor mbeti i vdekur një qytetar himariot, Aristotel Guma, 32 vjeç. Në rrugët e Shqipërisë ndodhin vazhdimisht aksidente tragjike. Madje, ka disa kohë që dëgjojmë çdo mëngjes sa të vrarë kishte ditën e djeshme në aksidentet automobilistike, pothuajse njësoj si në vitet e luftës kur dëgjonim çdo mëngjes komunikatën nga Shtatmadhoria sa të vrarë kishin mbetur ditën e djeshme në fushën e betejës. Më 12 gusht mbeti një qytetar i vrarë. Por ka aksidente me pasoja më të rënda se ajo e 12 gushtit. Mjafton të kujtojmë aksidentin që ndodhi në korrik në rrethin e Pukës ku pati 14 të vdekur, midis tyre dhe fëmijë. Megjithatë, për asnjë nga aksidentet e kryera deri sot nuk është bërë kaq shumë zhurmë mediatike dhe politike sa me përplasjen që ndodhi më 12 gusht. Kjo për arsye se viktima ishte një shqiptar nga Himara që e quante veten grek. Ajo që na habiti është ndërhyrja e rrufeshme e qeverisë së Athinës. Pa mbushur 24 orë nga aksidenti dhe pa pritur vlerësimin e organeve shqiptare, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Grigoris Delavekuras, i cili i përket partisë së majtë PASOK, në një komunikatë për mediat tha ndër të tjera: “Ngjarje të papranueshme si këto kërcënojnë ndezje të akteve të dhunës etnike midis grekëve dhe shqiptarëve me rezultate të pakontrollueshme, të cilat pa dyshim do të dëmtojnë edhe marrëdhëniet dypalëshe”. Sipas tij, fakti që autorët kishin synime të qarta etnike ndaj viktimës, ngjallin shqetësime të dukshme në radhët e minoritetit grek që jeton në Shqipëri. Pasi shprehu sigurinë se kemi të bëjmë me vrasje me motive etnike, kërkoi nga qeveria shqiptare që ta zbardhë plotësisht ngjarjen. (Pyesim: Por, qeveria shqiptare çfarë të zbardhë kur e ka zbardhur vetë Ministria e Jashtme greke, pra kur ajo vetë ka zbuluar se prapa ngjarjes fshihen motive etnike?). Pastaj, zëdhënësi Delavekuras kërkoi që të bëhej një proces i drejtë dhe i shpejtë me qëllim që të rritet ndjenja e sigurisë në komunitetin minoritar grek në Shqipëri. Le të na falë z. Delavekuras, nga doli që minoriteti grek u shqetësua së tepërmi nga ky aksident ende i pazbardhur? * * * Vazhdojmë më tej. Vrasja e një himarioti vuri në lëvizje gjithë spektrin politik grek. Përgjegjësi i sektorit të politikës së jashtme të partisë së djathtë greke “Demokracia e Re”, Dhimitri Avramopullos, u shpreh tepër i shqetësuar për vrasjen e Artistotel Gumës. Zëdhënësi i Partisë së Ekstremit të djathtë LAOD, Kostas Aivaliotis, shkoi edhe më tej. Ai kërkoi reagime të ashpra të Athinës dhe rishikimin e marrëdhënieve dypalëshe. Mendoni: për vrasjen e një himarjoti për motive ende të pazbardhura, kërkohet të rishikohen marrëdhëniet dypalëshe dhe këtë e quajnë politikë të fqinjësisë së mirë! Si një kor që vepron nën drejtimin e shkopit të dirigjentit, u ngritën edhe “miqtë” e Athinës në Shqipëri. Madje, zoti Vangjel Dule, kryetari i Partisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe deputet në Parlamentin shqiptar së bashku me zotin Vasil Bollano, kryetar i Bashkisë së Himarës, i cili eshtë njëkohësisht dhe kryetari i organizatës minoritare greke “OMONIA”, deklaruan me një shpejtësi të habitshme se aksidenti ka qenë i qëllimshëm dhe se motivi i vrasjes së qytetarit himoriot A. Guma kishte karakter etnik. Me fjalë të tjera, sipas tij, A. Guma u vra, sepse ishte “grek”. Prej tyre, na habit në mënyrë të veçantë ngutja e deputetit të Parlamentit shqiptar, V. Dule, i cili në mënyrë të shpejtë e paragjykoi çështjen se është një krim me motive etnike. Është gjithashtu e habitshme përse deputeti i nderuar nuk iu drejtua organeve hetimore shqiptare, por nxorri pallën nga mëhilli dhe iu drejtua organeve ndërkombëtare për ngritjen e një komisioni, i cili të hetonte rrjedhën e ngjarjes dhe motivin etnik të saj. V. Dule ka deklaruar disa muaj më parë në Parlament se nuk pret të marrë mendime nga shqiptarët sesi të veprojë sepse ai i di mirë punët e veta. Megjithatë, ne si bashkëqytetarë po ia themi troç. Ke shkelur me arrogancë parimin shekullor solomonian, i cili këshillon “Dëgjoje fajtorin, pastaj dënoje”. Ke gabuar rëndë zoti V. Dule. Nëse ke ndopak burrëri, kërko falje. Zoti V. Dule është kryetar i Partisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Është partia që ka marrë përsipër të mbrojë të drejtat jo vetëm të minoritetit etnik grek, por edhe të minoriteteve të tjera që banojnë në Shqipëri (vllah, maqedon, malazez, evgjitë, romë). Deri sot nuk e kemi parë të nxjerrë zë për të protestuar kundër aksidenteve dhe padrejtësive që kanë ndodhur ndaj pjesëtarëve të minoriteteve të tjera. Me këtë gjest, ai pushon së qeni kryetar i partisë së mbrojtjes së minoritarëve dhe shndërrohet në një komisar të qeverisë greke në Shqipëri. Të njëjtën gafë bëri edhe zoti V. Bollano. Ai nxiti ose të paktën përkrahu aksionin e disa dhjetëra himarjotëve të vetëquajtur grekë të bllokonin për katërmbëdhjetë orë rresht rrugën nacionale Vlorë- Sarandë, pra të shkelnin haptazi ligjet e shtetit shqiptar. Veç kësaj, një ditë më vonë nga incidenti ai tha se po shihej si mundësi për të bllokuar sezonin turistik dhe se po diskutohej mundësia për të kaluar edhe në ekstrem, – për të vendosur më 15 gusht që të mos pranohej asnjë turist që kishte prenotuar ambiente në Himarë. Ai harroi se si kryetar i bashkisë prioritet i tij është të respektojë ligjet e shtetit ku vepron dhe të mbrojë interesat ekonomike të qytetarëve të vet. Duke vënë në plan të parë një motiv që ende nuk është provuar, ai e vuri veten në shërbim, siç duket qartë, të Athinës. Pra, edhe ai pushoi së qeni kryebashkiak shqiptar dhe u shndërrua në një rreshter grek, që mban qëndrim “Gatitu” para Athinës zyrtare. Pa pritur përfundimin e hetimeve, kryebashkiaku i Himarës, i cili ka kohë që është veshur me uniformën e një kapedani diktator, e dha ai vetë verdiktin hetimor, sikur të ishte organ gjyqësor se fajtorë qenë të rinjtë vlonjatë që kishin debatuar me viktimën. Ai pranoi se gjithçka kishte filluar me një grindje banale midis të rinjve. Është pra e habitshme që një kryebashkiak pranon se ngjarja filloi me një grindje banale dhe grindjes banale i dha aq rëndësi të madhe politike sa të kërkojë ndërprerjen e turizmit në juridiksionin e tij. Me një fjalë, të dy këta, si z V. Dule ashtu dhe z. V. Bollano u nxituan. Nuk pritën mendimin e organeve hetimore, por e paragjykuan vrasjen si një krim me motive etnike. Pra, u veshën edhe me pushtetin e prokurorit dhe të hetuesit që nuk u takon. Një ngutje e tillë për z. Bollano nuk na habit. Ai e ka provuar mëse një herë se është një aventurier dhe se kundër tij janë ngritur disa procese gjyqësore. Ai u orvat në mbrëmjen e 5 shtatorit, në intervistën në televizionin Top Channel, t’i bënte bisht gafës, pra të lëpinte atë që pështyu më 13 gusht. Por, derisa të mos kërkojë ndjesë, gafa mbetet e rëndë. Bile ai na paralajmëroi se do të jetë edhe në të ardhmen kryetar bashkie. Të shohim!

JANULLATOS, PESHKOPI I FRONËZUAR NË HOTEL “TIRANA” I KTHYER NË MILITANT GREK Nuk vonoi dhe po atë ditë në skenë hyri edhe hirësia e tij, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos. “Veprime të tilla dhune të paargumentuara, – tha ai, – të dënueshme pa asnjë ekuivok nga çdo person me arsye, përbëjnë kërcënim për cenimin e klimës së bashkekzistencës paqësore”. Ai tha gjithashtu se “të tilla veprime (nënkuptohet me motive etnike) janë rrezik për të ndezur përplasje dhe urrejtje të reja”. (Panorama, 14 gusht 2010). Të njëjtën pyetje i drejtojmë edhe hirësisë së tij, njëherazi dhe anëtar i Akademisë së Athinës, nga i cili prisnim t’i hidhte ujë zjarrit: Përse kjo ngutje? Përse nuk priti fjalën e organeve hetimore të shtetit shqiptar ku ai vepron? Nga e nxorri ai që vrasja e himarjotit ka motive etnike? Nëse ai justifikohet se doli në mbrojtje të jetës së një të krishteri ortodoks, mos vallë Shqipëria ka të krishterë ortodoksë vetëm në Himarë? Mos vallë Shqipëria ka vetëm ortodoksë që flasin greqisht? Përse hirësia e tij nuk e ka ngritur zërin kur janë vrarë qoftë aksidentalisht, qoftë qëllimisht edhe shqiptarë të tjerë ortodoksë, madje edhe minoritarë grekë nga Vurgu, apo nga Dropulli? Edhe dy pyetje të tjera: Përse hirësia e tij nuk e ka ngritur zërin kur shqiptarë ortodoksë janë persekutuar në Greqi? Përse si kryepeshkop që e mban veten humanist nuk ka dalë në mbrojtje të shqiptarëve dhe nuk ka protestuar në Greqinë e tij të dashur kundër barbarizmave të pashembullta të harruara prej kohësh si ajo që kryen bishat e Kretës kur para disa kohësh kaluan në hell një shqiptar fatkeq? Kur hirësia e tij erdhi në Shqipëri në 1991, besnikët ortodoksë shqiptarë e kundërshtuan synimin e tij për t’u bërë kryepeshkop i Kishës Autoqefale të Shqipërisë, sepse ai, sipas shtypit grek të asaj kohe, do të bëhej kryepeshkop i kishës autoqefale “greke” të Shqipërisë. Të gjithë e mbajnë mend se ceremonia solemne për fronëzimin e tij në kishën katedrale të Hyjëlindëses në Tiranë, dështoi, për shkak të kundërshtimit të besnikëve të krishterë, të pranishëm në ceremoni. Dihet gjithashtu se ai u fronëzua si kryepeshkop i kishës në Tiranë në një nga sallat e Hotel “Tirana Internacional”, – një solemnitet në kundërshtim me rregullat e shenjta të kishës. Megjithatë, ai i qetësoi kundërshtarët kur mësuan se ishte një personalitet akademik, i ndryshëm nga dhespotët e fanatizuar grekë, se premtoi që do të punonte për të respektuar autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare dhe se do të kujdesej për ndërtimin e faltoreve të krishtera në Shqipëri. Por, ka kohë që besnikët kanë dalë të zhgënjyer. Kryepeshkopata e kryesuar prej tij është shndërruar në një ambasadë të dytë të Republikës greke në Tiranë. Çdo deputet, ministër, kryemistër madje dhe president i Greqisë që ka vizituar Shqipërinë, pas vizitës që bën në ambasadën zyrtare greke të Tiranës, bën vizitë në ambasadën e dytë greke. Tashmë, ai e ka zbuluar veten se prapa petrailit kishtar, ai është një militant grek. Rastin më të bujshëm e dha kur bekoi arkivolet e ushtarëve grekë që ranë dëshmorë në truallin e Shqipërisë në luftën patriotike të Greqisë kundër Italisë fashiste më 1940-1941. Për të rritur numrin e ushtarëve grekë të rënë në territorin e Shqipërisë, me fjalë të tjera për të rritur pretendimet e Greqisë ndaj Shqipërisë së Jugut, ai bekoi si ushtarë grekë edhe arkivolet me eshtrat e fshatarëve shqiptarë, midis tyre dhe fëmijë të vdekur para dhe pas luftë italo-greke. Me këmbënguljen e tij autoritetet shtetërore shqiptare po e zvarritin vendimin që kanë marrë të tre shkallët e gjyqësorit shqiptar për t’ia kthyer bashkësisë qytetare të Përmetit, Shtëpinë e Kulturës “Naim Frashëri”, vetëm se, siç duket, Athina kërkon ta lërë Përmetin pa një shtëpi kulture shqiptare. Me këto veprime, hirësia e tij, A. Janullatos po ringjall figurën tashmë të harruar të dhespotit Jakov të Mitilinit, të cilin dihet se më 1921 patriotët korçarë e hipën në një karrocë dhe e përcollën deri në Kapshticë duke i thënë jo “mirupafshim”, por “udhë e mbarë”.

HIMARA DHE LIGJI I LUFTËS
Veprimtaria qartazi e deputetit, e kryebashkiakut dhe e hirësisë së tij, e orkestruar nga Athina dhe shpejtësia e ndërhyrjes së tyre, tregon, sipa nesh, se qarqet nacionaliste të Greqisë pa dallim, të majta apo të djathta, duket se mezi prisnin një incident, qoftë edhe me origjinë banale, për të krijuar një çështje politike me qeverinë shqiptare. Madje, mendja e njeriut, e cila nuk ka kufij, shkon deri atje sa prapa orkestrimit dhe shpejtësisë së protestës për incidentin e A. Gumës, të dyshojë se ndoshta-ndoshta (qofshim të gabuar) incidenti është provokuar nga vetë Athina. Kjo ngjarje na kujtoi një situatë analoge që ndodhi 70 vjet më parë, pikërisht në gusht 1940 në kufirin shqiptaro-grek. Në atë kohë, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe Roma po përgatitej t’i shpallte luftë Greqisë. Romës i duhej një casus belli (shkak lufte). E gjeti. Një bari çam, Daut Hoxha, u gjet i vrarë në një pyll të Konispolit. Se kush e vrau, deri sot ende nuk është vërtetuar, por vazhdimisht është dyshuar se porositësi i vrasjes ishte Musolini. Fill pas vrasjes, Roma menjëherë vuri ulërimën. Sipas saj, bandat greke kishin vrarë me thikë patriotin shqiptar Daut Hoxhën. Fashistët shqiptarë filluan fushatën. Duam hakmarrje për këtë patriot të madh që u vra për çështjen shqiptare. Kështu dy muaj më vonë (28 tetor 1940) filloi lufta italo-greke. Sapo filloi lufta viktima fatkeqe u harrua. Nuk e zuri më njeri në gojë. Shpresojmë sinqerisht që analogjia e Aristotel Gumës me Daut Hoxhën të jetë një rastësi pa pasoja. Sigurisht, Greqia nuk ka ndërmend t’i shpallë luftë Shqipërisë për shkak të A. Gumës. Megjithatë, ne nuk harrojmë se ajo ende nuk e ka shfuqizuar gjendjen e luftës, të cilën qeveria kuislinge e Tiranës i shpalli Greqisë më 1940. Ne gjithashtu, nuk harrojmë se Athina e mban të pashfuqizuar këtë akt të shlyer tashmë nga historia për ta përdorur si shpatën e Damokleut mbi kryet e shqiptarëve. Edhe sikur Athina të dojë ta ringjallë gjendjen e luftës, janë vetë aleatët e saj që nuk e lënë të bëjë çap përpara. Por, qarqet politike të Athinës kanë programe dhe mjete të tjera, të cilat për t’i realizuar nuk kanë nevojë të përdorin armë. Arma që tani i ka mbetur në dorë është presioni i vazhdueshëm politik për ta detyruar qeverinë shqiptare që të bëjë sa më tepër lëshime në favor të minoritetit grek, derisa ta detyrojë Tiranën të pranojë autonominë e Vorio-Epirit, e cila dështoi më 1914. Për të siguruar suksesin, qeveria e Athinës kërkon të rritë artificialisht popullsinë minoritare greke në Shqipërinë e Jugut. Për këtë qëllim, ajo përdor dy mjete: po i jep pensione falas në euro shqiptarëve të krishterë të jugut që të pranojnë në dokumentet e tyre se i përkasin kombësisë helene dhe e dyta, po i shtrëngon me presione administrative emigrantët që punojnë në Greqi të ndërrojnë kombësinë, kurse shqiptarët myslimanë të ndërrojnë emrin, kombësinë dhe fenë. Pa hyrë në historinë e largët, të tilla spekulime, për të mos thënë provokime nga ana e Athinës kundrejt shqiptarëve kanë ndodhur shpesh vitet e fundit. Megjithatë, nuk ngurrojmë të themi se molla më e mprehtë e sherrit tani është bërë Himara.

PËRSE HIMARA?
Shqipëria ka dy vise të cilësuara si krahina minoritare greke: Dropullin në rrethin e Gjirokastrës dhe Vurgun në rrethin e Delvinës. Natyrisht që në këto dy krahina ka dhe fshatra shqiptare. Por, shumicën e kanë përfaqësuar minoritarët helenë. Të dyja krahinat kanë vetëm fshatra me minoritarë, por asnjë qytet me shumicë banorë helenë. Askush deri sot nuk e ka vënë në dyshim etnikonin helen të fshatrave minoritare të këtyre dy krahinave. Marrëdhëniet e shqiptarëve me to kanë qenë vazhdimisht të përzemërta. Shqiptarët dhe grekët e këtyre dy krahinave kanë jetuar së bashku, janë shkolluar së bashku, kanë punuar së bashku dhe kanë krijuar marrëdhënie martesore me njëri-tjetrin. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ata luftuan bashkërisht në radhët e Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare shqiptare. Minoritarët grekë të këtyre dy krahinave kanë qenë të mirëpritur në mbarë Shqipërinë. Martesa të përziera midis tyre ndesh edhe në cepat veriore të Shqipërisë. Deri sot nuk ka qenë shënuar asnjë konflikt etnik që të përbëjë çështje. Me sa dihet, asnjë shqiptar nuk ka ngritur probleme etniciteti me minoritarët grekë, po ashtu edhe e kundërta. Ka qenë një kohë ku jo vetëm drejtorë të shkollave shqiptare, por edhe drejtorë të institucioneve kulturore shqiptare kanë qenë minoritarë grekë. Në organe gjyqësore, në reparte ushtarake, në rrjetin diplomatik vazhdimisht ka patur kuadro të dala nga minoriteti grek. Për fat të keq, këto kohët e fundit rrjedha e ngjarjeve ndryshoi befasisht në Himarë. Fjala është jo për Himarën si krahinë, e cila ka tetë fshatra, por për qendrën e krahinës, qytetin e Himarës dhe për dy fshatrat fqinje të saj, Dhërmiun dhe Palasën. Kjo për arsye se në këto tri qendra ka banorë greqishtfolës, por nuk mungojnë banorët shqipfolës. Për shembull, patrioti, revolucionari dhe poeti i shquar shqiptar, Petro Marko, ishte nga Dhërmiu. Në pesë fshatrat e tjera të krahinës etnografike të Himarës, banorët flasin vetëm shqip (Vuno, Iliasë, Kudhës, Pilur, Qeparo).

GJYSHËRIT E BOLLANOS ISHIN LABË NGA KURVELESHI
Duke u mbështetur në përdorimin e greqishtes në këto tri fshatra, në qarqet nacionaliste të Athinës lindi pretendimi se treva e Himarës është krahinë minoritare. Meqenëse shumicën e popullsisë së trevës e përbënin banorët shqiptarë, në krye të krahinës zgjidheshin funksionarë shqiptarë. Por, në vitin 2005, meqenëse dy partitë kryesore të spektrit shqiptar, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike hynë në konflikt të hapur me njëra-tjetrën, të dyja e humbën mundësinë për të fituar zgjedhjet. Në këto rrethana, fitoi Vasil Bollano, i cili pretendon se përfaqëson minoritetin grek në Himarë. U vërtetua kështu frika e rilindësve tanë të mëdhenj, të cilët thoshin se kur grinden dy shqiptarë, përfiton greku. Me zgjedhjen e tij si kryetar bashkie, rrjedha e historisë në Himarë ndryshoi. Ujërat filluan të rridhnin drejt mullirit të Athinës. Vasil Bollano e quan veten njëqind përqind grek. Në të vërtetë, ai është një lab shqiptar nga fshati Zhulat i Kurveleshit, gjyshi i të cilit, Plaku Bollano mësoi greqisht dhe u bë grek. Me Bollanon ndodhi fenomeni që njihet prej shekujsh se i adoptuari bëhet më i egër se natyrali. Kjo për arsye se ai si  adoptuar apo si i rekrutuar për të provuar se është njëqind përqind grek, tregohet ndaj shqiptarëve më i ashpër dhe më i egër se greku i vërtetë. Rilindësit tanë të nderuar e shihnin të keqen më të madhe jo nga greku i vërtetë, por nga grekomani, domethënë nga shqiptari që kishte braktisur kombësinë e tij dhe ishte bërë grek.

GREQIA KËRKON NGUSHTICËN E OTRANTIT
Grekomanë, domethënë shqiptarë të shndërruar në grekë, ka edhe në vise të tjera të Shqipërisë. Kanë filluar të shfaqen deri në Kukës. Por, për Athinën rëndësi të jashtëzakonshme kanë grekomanët e Himarës. Përse? Sepse Himara ka një rëndësi të jashtëzakonshme politike dhe strategjike për Greqinë. Greqia kërkon t’i afrohet sa më tepër Ngushticës së Otrantit. Synimi i saj është t’i bëjë në Otrant karshillëk Italisë. Këtu e ka burimin edhe përpjekja për t’i rrëmbyer Shqipërisë pjesë nga ujërat e saj territoriale në zonën e Korfuzit dhe në detin Jon, pra në afërsi të Otrantit. Se çfarë planesh të tjera ka, ne nuk jemi në gjendje t’i diktojmë se ato mbahen të kyçura nëpër kasaforta me njëqind çelësa. Për ne mjafton fakti që Athina harxhon miliona euro për pensionet falas që u jep himarjotëve, të cilët pranojnë të deklarohen se janë grekë. Kush mund të thotë se kjo bujari kaq e madhe, kjo gatishmëri për t’u dhënë pension himarjotëve “shqiptarë” 300 deri 500 euro në muaj, të pamotivuar me punën e tyre, ndoshta krerëve dhe më tepër, vjen nga shpirtgjerësia e tyre, nga dashuria për kombësinë, në qoftë se nuk ka interesa politike? Kush mund të pranojë se edhe në këtë krizë kaq të madhe financiare që e ka ngërthyer Greqinë, e cila detyrohet t’ua shkurtojë pagat grekëve në Greqi, vazhdon të derdhë eurot lumë në Himarë? Për të realizuar ëndrrën e saj megalomane, Greqia ka një pengesë serioze. Krahina e Himarës nuk është si krahina e Dropullit dhe e Vurgut, fshatrat e të cilave janë njohur me akte ndërkombëtare se janë zona minoritare, por ato janë larg Ngushticës së Otrantit. Përkundrazi, krahina e Himarës deri sot është pranuar si historikisht si ligjërisht, ashtu dhe faktikisht si një krahinë shqiptare. Ajo është krahinë shqiptare, pavarësisht se në gjirin e saj ka banorë si V. Bollano, që flasin greqisht, por që greqishten e kanë jo gjuhë amtare, por gjuhë të dytë, pa përjashtuar mundësinë që ndonjëra familje ta ketë greqishten gjuhë amtare. Pra, Athinës i duhet fillimisht, ta mbushë Himarën me banorë që të pranojnë se janë me kombësi greke. Por kjo nuk mjafton. Athinës i duhet në të njëjtën kohë të përmbysë aktet kombëtare dhe ndërkombëtare që e njohin Himarën si krahinë shqiptare. Për t’ia aritur këtij synimi, Athinës i duhet ta detyrojë Tiranën të pranojë se Himara është krahinë minoritare greke. Pikërisht këtu fillojnë pazarllëket që Athina përpiqet të zhvillojë me Tiranën. Vasil Bollano, kryetari i OMONIA-s deklaroi në mbrëmjen e 5 shtatorit, se është gati t’ia japë votën Partisë Demokratike, në rast se ajo pranon aleancën me OMONIA-n. Me fjalë të tjera, nëse pranon ta njohë Himarën zonë minoritare. Ta zëmë se, ndonëse nuk e besojmë, Partia Demokratike do të pranojë. Por edhe kjo nuk mjafton. Në rast se qeveria e ardhshme shqiptare denoncon aktin e qeverisë së mëparshme, Himara mbetet përsëri shqiptare. Kështu ndodhi për shembull me Konventën për ujërat territoriale në zonën e Korfuzit, të cilën vetë pala shqiptare që e kishte nënshkruar, e denoncoi. Që Himara të përcaktohet krahinë autonome duhet të pranohet edhe nga institucionet ndërkombëtare përkatëse. Pa këtë procedurë Himara do të mbetet deri në fund krahinë shqiptare. Si rrjedhim, aspirata e Athinës për ta kthyer Himarën në një krahinë autonome, e cila t’i shërbejë asaj që të dalë në gjiun e Otrantit, fluturon në erë. Siç shihet, kjo është një aventurë e gjatë. Veç kësaj, qoftë se realizohet, qoftë se nuk realizohet, do ketë dy pasoja të rënda. Nëse cilado qeveri e Tiranës do ta pranojë njohjen e Himarës shqiptare si një krahinë minoritare greke, ajo do të hyjë në histori, ashtu siç ka hyrë qeveria e Turhan Pashës më 1914, si një qeveri që dhunon sovranitetin kombëtar dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Nëse pala shqiptare, cilado qoftë nuk do t’i nënshtrohet presionit të Athinës, atëherë marrëdhëniet shqiptarogreke do të komprometohen seriozisht. Në të dyja rastet nuk është pra vrasja aksidentale e A. Gumës ajo që komprometon, sipas qarqeve të Athinës, marrëdhëniet shqiptaro-greke, por megalomania e saj për të shtënë në dorë një gjë që nuk i takon. Është pikërisht kjo që ka filluar të shqetësojë seriozisht opinionin publik shqiptar. Ka dhe diçka tjetër. Është fjala për pensionet falas që qeveria greke u jep qytetarëve shqiptarë të krishterë (greqishtfolës dhe shqipfolës). Është një akt ligjërisht i pajustifikueshëm, politikisht i pamoralshëm. Pensionet falas që me aq bujari jep Athina, janë instrumente korrupsioni politik, afërsisht njësoj si financimet që organet e sigurimit të Athinës u japin agjentëve të tyre jashtë Greqisë. Ne e kuptojmë se shumë qytetarë himarjotë i pranojnë pensionet falas të Greqisë për shkak të varfërisë së tyre. Por, mendojmë se është turp për një shtet modern evropian të përfitojë nga varfëria e qytetarit të një shteti tjetër, për t’i prishur ndërgjegjjen kombëtare, për t’i kthyer ata me anë të euros në gregarë të saj. Nuk e dimë se si Athina e justifikon këtë sjellje të pandershme përballë shoqeve të saj të familjes evropiane. Nëse Athinës i vjen me të vërtetë keq për qytetarët shqiptarë greqishtfolës, le t’i ndihmojë, por ndihma duhet të shkojë ashtu si shkojnë të gjitha ndihmat e fondacioneve ndërkombëtare, nëpërmjet kanaleve të njohura zyrtarisht nga shteti shqiptar. Ne presim të paktën nga hirësia e tij ta dënojë këtë aksion të hapët korrupsioni.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button