"Papandreu-Bollano", për regjistrimin e popullsisë

Gazeta greke “Eleftherotipia” në një shkrim të botuar në numrin e saj para disa ditësh me titull “Paralajmërim fqinjëve”, e ka konsideruar “të pazakontë” dhe “të ashpër” gjuhën e përdorur nga kryeministri i Greqisë, Jorgo Papandreu në adresë në Tiranës zyrtare lidhur me vdekjen e 37-vjeçarit nga Himara, Aristotel Guma. Sipas “Eleftherotopia”-s “mesazhi që dërgon qeveria greke është se mbështet nga njëra anë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por kjo mbështetje kalon përmes marrëdhënieve të mira dypalëshe dhe mbrojtjen e të drejtave të minoritetit etnik grek. Dhe kjo në një fazë kyçe për Tiranen, që pret në Tetor të hiqen vizat për shqiptarët që udhëtojnë drejt BE-së dhe si pasojë kanë nevojë për mbështetjen e Athinës”. Në këtë shkrim bëhet gjithashtu e ditur se temë kryesore e takimit të zhvilluar në Athinë mes Papandreut dhe kreut të OMONIA-s, Vasil Bollano dhe atij të PBDNJ-së, Vangjel Dule ka qenë çështja e regjistrimit të popullsisë në vitin 2011.
———————————————————————————————-
Në mesazhin e tij drejtuar Shqipërisë nga Ekspozita Ndërkombëtare e Selanikut, Jorgo Papandreu përdori një gjuhë të pazakontë, të ashpër, me deklarata që ishin bërë vetëm kur ishte ministër i Jashtëm pas zgjedhjeve me manipulime dhe dhunë të vitit 2003 në vendin fqinj. Zhvillimet e fundit në Himarë, me kulm vrasjen e 37-vjeçarit homogjen dhe kreshentoja nacionaliste që vijoi nga qarqe ekstreme dhe një pjesë e shtypit, detyruan qeverinë greke që të rrisë tonet. Kryeministri e cilësoi këtë rast tragjik “një çështje të rëndë për rrugën europiane të Shqipërisë” dhe foli për “sulm ndaj minoritetit grek”.

Propaganda e çamëve
 Shqetësimi i Athinës është i përqendruar në rrezikun që të gjenden homogjenët në betejën e brendshme të destabilitetit politik dhe shumicës së thyeshme të qeverisë Berisha, e cilanuk nguron të lerë hapësirë për propagandën politike ndaj partisë së çamëve, që marrin pjesë në aleancën qeveritare dhe që kanë nisur një lobing të vazhdueshëm në Kongresin Amerikan. Kështu, mesazhi që dërgon qeveria greke është se mbështet nga njëra anë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por kjo mbështetje kalon përmes marrëdhënieve të mira dypalëshe dhe mbrojtjen e të drejtave të minoritetit etnik grek. Dhe kjo në një fazë kyçe për Tiranen, që pret në Tetor të hiqen vizat për shqiptarët që udhëtojnë drejt BE-së dhe si pasojë kanë nevojë për mbështetjen e Athinës. Ky mesazh do të përçohet drejt qeverisë shqiptare nga sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Jashtme, Aleksandros Zepos, i cili u prit dje (pardje) në Tiranë në takime nga udhëheqja shqiptare dhe kryeministrin shqiptar. Paralelisht, në një shenjë praktike mbështetjeje ndaj minoritetit, kryeministri dhe ministri i Jashtëm pritën të martën udhëheqjen e homogjenëve ku biseduan për problemet që kanë, pranë zgjedhjeve lokale në Shqipëri dhe regjistrimit të popullsisë që do të bëhet në vitin 2011. Kërkesë kryesore është që të jenë në standardet evropiane, në mënyrë që për herë të parë të ketë regjistrim objektiv të elementit grek. “Kërkesa jonë është që të bëhet regjistrimi jo në një ditë, por në një periudhë më të gjatë në mënyrë që të kthehen Vorio-epirotët që punojnë në Greqi” – thotë për “Eleftherotipia” kryetari i Bashkimit të Himarjotëve, Fredi Beleri.

Ndarja e homogjenëve
Në qytet (Himarë) ka një “qetësi shqetësuese” me klimën shumë të rëndë, siç thekson edhe kryetari i Partisë për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), Vangjel Dule, që shton se po planifikohet ndërhyrja në OKB për sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar në lidhje me çështjen e rrëmbimit të pasurive greke. Gjithsesi, situata rëndohet nga ndarja në përfaqësimin politik të homogjenëve, ç’ka ul mbrojtjen efektive të të drejtave të tyre. Në çështjen gjyqësore të vrasjes së Aristotel Gumës, më 12 gusht, procedurat vijojnë me ritëm të avashtë dhe vetëm javën e kaluar autoritetet morën dëshmitë nga dëshmitarët okularë, ndërkohë që vijon të mbahet në burg vetëm një person. Pesë të tjerë u lanë të lirë me kushte. Në këto rrethana, marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve nuk kalojnë fazën e tyre më të mirë, pasi zhvillimet e fundit erdhën për t’iu bashkuar anulimit të marrëveshjes për vendosjen e kufijve detare nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, por edhe marrëveshjen mes Tiranës dhe Ankarasë për përdorimin e porteve shqiptare për anijet turke.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button