Himara, një minë me sahat

E vërteta nuk ka frikë nga debati. Ajo duket si drita e diellit”. Kështu u shpreh dje historiani Muharrem Dezhgiu në lidhje me debatin nëse historianët shqiptarë, duhet apo jo të marrin pjesë në simpoziumin e tetorit, rreth çështjes nëse Himara është ose jo krahinë minoritare greke. Sipas tij, të ftuarit le të shkojnë, sepse “nuk mund të japim përgjigje ndaj pretendimeve, nëse ne do të luajmë rolin e strucit”. Në një kohë kur duket se Himara duket se është kthyer në një minë me sahat, që vë në rrezik marrëdhëniet e Tiranës zyrtare me Athinën, sa herë që situata në jug tensionohet nga ndonjë incident, Muharrem Dezhgiu thotë se “kjo minë” nuk dihet se kur shfrytëzohet për të imponuar mendime… 

Në tetor do të mbahet një simpozium me temë “A është Himara krahinë minoritare greke?” Si e shihni mbajtjen e tij në Tiranë?
 Mbështetur në të gjithë literaturën që unë kam konsultuar, kam krijuar bindjen e plotë se është një problem i stisur më tepër i karakterit politik, se sa i karakterit shkencor. Nuk është ndonjë problem historiografik e megjithatë mendoj se specialistët mund ta thonë fjalën e tyre në çdo rast, jo vetëm në media por edhe në veprimtari si sesion shkencor a simpozium. Ne nuk mund të japim përgjigje ndaj pretendimeve, qoftë edhe të pabazuara, nëse ne do të luajmë rolin e strucit. 

Duhet marrë pjesë në të?
Nëse i shmangemi, nuk përgjigjemi. E vërteta qëndron si në dritë të diellit dhe argumentet, kolegët specialistë përkatës të cilët janë ftuar në këtë simpozium, mund t’i japin aty. E vërteta nuk vendoset me një simpozium, por e vërteta duhet të krijojë një opinion, një bindje të shëndoshë në të gjitha sferat e punës studimore e shkencore. A është minoritet? Është një temë që ka karakter politik.

A duhet mbajtur ky simpozium edhe pse organizohet nga shoqata “Himara” me në krye Dhori Bollanon?
Nuk paragjykoj iniciatorin, nëse kërkon specialistë dhe kërkon mendimin e sinqertë të tyre e shkencor dhe as paragjykoj specialistët që shkojnë dhe e japin këtë mendim. Kristo Frashëri ka mendimin e vet, të cilin unë e marr në konsideratë dhe i jap të drejtë. E vërteta nuk ka frikë nga debati. 

Pse gjithë kjo zhurmë për Himarën dhe sa ndikoi incidenti i pak javëve më parë?
E gjithë ngjarja është e stisur dhe ka qëllime propagandistike dhe nuk e vë në dyshim se ka qëllime të caktuara. Se sa janë këto e deri në ç’shkallë, s’e di. Unë i quaj pretendimet greke si një vazhdë të qëllimeve të tyre të vjetra. A është kthyer Himara në një lloj “mine me sahat”, që vë në rrezik marrëdhëniet e Tiranës zyrtare me Athinën zyrtare? Kjo është e vërtetë, sepse nëse ne do ta mënjanojmë këtë çështje dhe nuk do të mbajmë një qëndrim të prerë, pra nëse Tirana nuk do t’iu përgjigjet ashtu si duhet atyre qëndrimeve të palës greke, duke përfshirë edhe kryeministrin grek që prononcohet hapur për këtë çështje, për mua kjo është një minë, siç thoni ju, por që nuk dihet se kur do t’i shfrytëzojë pala tjetër marrëdhëniet mes dy vendeve për të imponuar pikëpamjet e veta.

Nga Ardit Saliaj

loading...

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button