Haxhinasto: Pakti me Greqinë, negociata sipas Kushtetutës

Në një intervistë ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto ka konfirmuar dje se Tirana dhe Athina zyrtare kanë filluar negociatat për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve. Haxhinasto flet gjithashtu edhe për çështjen e zgjidhjes së kërkesave të komunitetit çam, të cilat sipas tij “janë plotësisht të mundura për t’u realizuar”. Shefi i diplomacisë shqiptare komenton gjithashtu zhvillimet e brendshme politike, ato në rajon e veçanërisht në Kosovë si dhe flet për çështjen e liberalizimit të vizave.

Z. Haxhinasto, si ju erdhi oferta për të qenë Ministër i Punëve të Jashtme?

Koalicioni qeverisës është ngritur mbi bazën e një marreveshjeje politike dhe LSI ka marrë përgjegjësitë e saj të plota në drejtimin e tre ministrive. Si zëvendëskryetar i LSI, si sekretar i Jashtëm i saj që nga themelimi në 2004 e deri në vitin 2008, kur u zgjodha Kryetar i Komitetit Drejtues Kombëtar, detyra e rëndësishme e Ministrit të Jashtëm m’u besua mua. E kam pritur si një përgjegjesi të jashtëzakonshme si dhe një mundësi konkrete për të kontribuar në axhendën e integrimit të vendit në BE dhe rritjes së rolit ndërkombëtar të Shqipërisë.

Sa e dëmton LSI-në përplasja Meta-Prifti, kur gjithmonë e më shumë po përflitet për një largim të mundshëm të Priftit nga LSI?

Mendoj se është një çështje e tejkaluar përsa i përket LSI. Qëndrimi i forumeve drejtuese të LSI ishte i pa-ekuivok për ndryshimet që ndodhën. Në çdo post publik që mbajmë aktualisht, jemi si përfaqësues politikë të një partie, dhe jo vetëm si individë me emra të përveçëm. Po kështu, rezultati zgjedhor që na dha përfaqësimin parlamentar aktual dhe pjesëmarrjen dhe përfaqësimin në qeverisje, erdhi si rezultat i kontributit të çdo drejtuesi, anëtari, simpatizanti e votuesi te LSI. Prandaj, respektimi me modesti e mirënjohje i çdo kontributi te tyre, e bën LSI më të konsoliduar e të shëndetshme për të ruajtur mbështetjen zgjedhore e per ta zgjeruar ate me tej, dhe per te evituar çdo pakënaqësi apo pretendim në percaktimin e përgjegjesive ekzekutive që marrin perfaqesuesit e LSI.

A janë të sigurta numrat e mazhorancës në Parlament duke patur parasysh precedentin Sterkaj? Si do ta komentonit lëvizjen e tij drejt opozitës? 

 Kjo mazhorance është solide jo vetëm në aspektin sasior, por atë të numrave në parlament. Por edhe në atë cilësor, se po avancon reforma dhe objektiva që u shërbejnë shqiptarëve dhe integrimit të tyre në Europë. Vendimi i PE për liberalizimin e vizave erdhi si rezultat i arritjes së një standarti të plotë europian, produkt i shumë reformave dhe arritjeve konkrete të kësaj qeverie. Ndërsa mobiliteti i deputetëve nga njëra parti në tjetrën, mendoj se ka lidhje me motivet politike e personale të secilit prej tyre, gjë të cilën unë nuk mund ta komentoj.  

Sa ndikon ngërçi politik në liberalizimin e vizave?

Procesi i liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian është ndërtuar që në fillim si një proces thellësisht teknik, i bazuar në një udhërrëfyes me detyra të qarta dhe të matshme. Kriteret që duhet të përmbusheshin kishin të bënin kryesisht me ndërtimin e infrastrukturës së sigurisë dhe aspekteve të tjera të lidhura me të, duke filluar me prodhimin dhe shpërndarjen e pasaportave biometrike, në menaxhimin e integruar të kufirit, konsolidimit të bazës ligjore e nënligjore si dhe mekanizmave efikasë për të luftuar krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme, korrupsionin, e deri tek çështje që prekin të drejtat themelore.  Kontributi i opozitës në këtë proces ka qenë i mirëpritur gjatë gjithë kohës, por kjo fatkeqësisht nuk ka ndodhur. Situata optimale do të ishte që opozita t’i bashkohej përpjekjes së qeverisë për të ecur përpara me reformat, t’i mbështeste ato, dhe jo të krijonte pengesa.

Kur pritet vendimi përfundimtar për heqjen e vizave…

Pas miratimit të projektrezolutës së eurodeputetes Tanja Fajon për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën të cilen përfitoj nga rasti ta falenderoj, mbetet që Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe Drejtësisë të miratojë gjithashtu në mbledhjen e tij besoj te dates 8 nentor, vendimin historik për liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe BE-së. Si procedurë, vendimi hyn në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare. Pra ky vendim do të hyjë në fuqi brenda këtij viti.  

PDK ka kërkuar largimin e Shqipërisë nga Konferenca Islamike. A i pengon proceset integruese të vendit fakti që vendi ynë është anëtar në këtë organizatë?<span> </span>
<span>Anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën e Konferencës Islamike nuk i pengon proceset integruese të vendit tonë në BE</span>, madje ne e konsiderojmë anëtarësinë në këtë organizatë si një vlerë të shtuar, të cilën vendi ynë e përdor për të avancuar qëllimet e tij në arenën ndërkombëtare. Vendi ynë përcjell në këtë organizatë frymën e mirëkuptimit dhe të harmonisë fetare që ekziston në Shqipëri dhe shërben si urë lidhjeje për arritjen e konsensusit në këtë organizatë për pikat e ndarjes me vendet perëndimore. Gjithashtu, Shqipëria synon që të maksimalizojë të mirat e anëtarësimit në këtë organizatë edhe në drejtim të nxitjes së investimeve ekonomike me anëtarët e kësaj organizate. Mund t’ju them se gjate punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të UN, pata një takim me përfaqësuesin special të Presidentit Obama në Organizaten e Konferences Islamike, Rashad Husain, i cili vlerësoi shumë pozitivisht rolin e Shqipërinë në funksion të marrëdhënieve me këtë organizatë.  

Si e komentoni dorëheqjen e Fatmir Sejdiut nga posti i Presidentit të Kosovës?

Dorëheqja e Zotit Fatmir Sejdiu nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës vjen pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Ky  akt eshte shenje e respektimit te institucioneve te drejtesise, shenje e maturise, pjekurisë dhe përgjegjshmërisë se larte politke të tij, dhe se  institucionet e shtetit ligjor në Kosovë janë funksionale dhe ushtrojnë plotësisht detyrat e tyre kushtetuese. Është fakt që Shteti i ri i pavarur i Kosovës, ka bërë hapa të mëdha dhe të admirueshme në forcimin e institucioneve demokratike e shtetit ligjor, zhvillimin e ekonomisë, si dhe bashkëpunimin rajonal  dhe ndërkombëtar. Kosova e pavarur është njohur dhe ka fituar respektin e merituar nga 70 shtete dhe vende të tjera po shqyrtojnë dhe konsiderojnë njohjen e saj.  

Po zhvillimet me të fundit politike në Kosovë?

Natyrisht, zhvillimet e fundit janë zhvillime normale. Është shumë e rëndësishme që nuk u lejua vakuum institucional dhe se çdo gjë po bëhet konform ligjit themeltar të shtetit-Kushtetutës së Republikës se Kosoves, çka i shërben ruajtjes së stabilitetit në Kosovë, gjë që është tejet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal. Konstatojmë se dhe procesi i konsultimeve politike të ndërmarra nga, z. Jakup Krasniqi, Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëkohësisht, ushtrues i detyrës së Presidentit, sipas Kushtetutës, për caktimin e datës së zgjedhjeve, me konsensusin e të gjitha forcave politike dhe, në përputhje me ligjet në fuqi, janë tregues të maturisë dhe pjekurisë së klasës politike të Kosovës. Gjej rastin të rikonfirmoj angazhimin dhe mbështetjen maksimale të Shqipërisë për shtetin e pavarur të Kosovës dhe angazhimin për afirmimin e mëtejshëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe për zhvillimin e gjithanshëm të marrëdhënieve me Kosovën, si me institucionet aktuale, ashtu edhe ato që do të dalin nga zgjedhjet e reja, në frymën e fqinjësisë së mirë, në funksion të realizimit të aspiratave të përbashkëta për integrim evropian dhe euroatlantik. Në komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare është në proces shqyrtimi  

“Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë mbi bashkëpunimin në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe terrorizmit ndërkombëtar”. A mund të na thoni cilat kanë qenë propozimet e palës serbe për nënshkrimin e këtij pakti?

Kjo marrëveshje është nënshkruar më 11 mars 2010 në Beograd, gjatë vizitës zyrtare të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme z. Ilir Meta. Marrëveshja është miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave dhe më tej, është duke ndjekur procedurat normale të ratifikimit në Parlament (përfshi komisionet parlamentare), si çdo marrëveshje tjetër e këtij lloji. Ka qene propozim i palës serbe në mars 2005 që të lidhej një marrëveshje në nivel të ministrive të brendshme. Duke parë se marrëveshja del jashtë objektit të një marrëveshje teknike, Ministria e Punëve të Jashtme ka propozuar që marrëveshja të lidhet në emër të qeverive, propozim i cili është pranuar nga pala serbe. Marrëveshja i përqaset instrumentave të tjerë dypalësh standarte të këtij lloji. Marrëveshja synon krijimin e hapësirave të reja të bashkëpunimit ndërmjet palëve për ta bërë më efikase luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike dhe terrorizmit.  

Opozita pretendon se zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare iu kanë ofruar informacione të klasifikuara të NATO-s, vendeve që nuk janë anëtare të kësaj organizate. A i është paraqitur qeverisë shqiptare në rrugë zyrtare ndonjë shqetësim i tillë nga NATO?

Absolutisht nuk është paraqitur dhe nuk ka asnjë arësye për të paraqitur një shqetësim të tillë. Me sa di, edhe vetë deputeti i opozitës është shprehur se është keqkuptuar. Shqipëria po luan një rol aktiv dhe po kontribuon në mënyrë sinjifikative në Aleancë, çka është konfirmuar edhe nga takimet e shumta me zyrtarët e NATO-s, si dhe nga vetë Sekretari i Përgjithshëm në vizitën e tij të para disa muajve në Tiranë.    

Athina zyrtare ka kërkuar rifillimin e negociatave për marrëveshjen e kufirit detar mes dy vendeve. Marrëveshja e kaluar u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Mendoni se Tirana është e përgatitur kësaj here për rinegociimin e marrëveshjes?

 Mund të them me kënaqësi se si në Greqi ashtu dhe në Shqipëri ekziston vullneti i mirë politik që kjo çështje të zgjidhet në frymën e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit midis dy vende tona, që ndajnë jo vetëm të njëjtën hapësirë gjeografike dhe detare, por edhe vlera të përbashkëta dhe perspektivën e qartë në kuadër të institucioneve euroatlantike, së pari në kuadër të NATO-s dhe atë të Bashkimit Evropian. Ne jemi në kontakt me palën greke dhe kemi shpjeguar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e bën të domosdoshme gjetjen e një zgjidhje tjetër për të cilën jemi të gatshëm të kontribuojmë, përfshirë edhe mundësinë e rinegocimit të marrëveshjes. Të dy vendet jemi në fazën e analizave dhe eksplorimit të mundësive të ndryshme për arritjen e një zgjidhje me mirëkuptim, e cila të respektojë aktet ligjore ndërkombtare ku Shqipëria dhe Greqia janë palë, si dhe kuadrin kushtetues të dy vendeve respektive. Unë kam besim se sikurse vullneti i mirë politik në të dy vendet tona, ekzistojnë edhe kapacitetet institucionale dhe teknike për zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje.

Si mendoni se duhet zgjidhur çështja çame dhe a keni biseduar rreth saj në takimet që keni zhvilluar me zyrtarë të lartë të qeverisë greke?

Vlen të theksojmë fillimisht se klima miqësore që mbizotëron në marrëdhëniet mes dy vendeve i detyrohet qartazi vullnetit të përbashkët dhe strategjisë largpamëse të dy Qeverive, për të mënjanuar nga fryma e përgjithshme e marrëdhënieve komplekse dhe paragjykime të së kaluarës, me dëshirën për t’u dhënë zgjidhje edhe disa problemeve të trashëguara, në frymë të hapur sinqeriteti e mirëbesimi të ndërsjellë. Ne i qëndrojmë mendimit se ajo që dikush e përcakton si “çështja came” është në fakt çështje e të drejtave njerëzore të shtetasve shqiptarë me origjinë nga krahina e Çamërisë për t’ju njohur dhe gëzuar pronat e tyre atje, gjë që parashikohet edhe në Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë së Mirë, nënshkruar në mars të vitit 1996. Mendoj se kjo është plotësisht e mundur të realizohet në kuadër të vullnetit politik për konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera e të gjithanshme mes dy vendeve dhe popujve tanë miq, si dhe të drejtës ndërkombëtare.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button