Pj.2 Kristo Frashëri: Janullatosi, militant e shovinist grek

(vijon nga botimi i pj 1)

Në botimin e djeshëm lexuat pikëpamjet e historianit Kristo Frashëri, mbi rolin e kryepeshkopit ortodoks Janullatos në fabrikimin e minoritetit grek në Himarë. Sot, replika e Frashërit vijon me detaje të ceremonisë së fronëzimit të Kryepeshkopit. Sipas tij, Janullatosi shkeli statutin e Kishës duke u zgjedhur kryepeshkop, pasi ai duhet të ishte me nënshtetësi shqiptare. 

Konferenca e Tiranës (29 gusht 1992) Si dëshmi se ata që kundërshtuan fronëzimin e A. Janullatosit si kryepeshkop i KOASH-it nuk qenë shqiptarë myslimanë apo katolikë, por 100% ortodoksë, u mblodh prej tyre në Tiranë më 29 gusht një konferencë e posaçme, e cila miratoi këtë rezolutë: “Mbledhja e madhe e besimtarëve të krishterë ortodoksë, në të cilën morën pjesë përveç përfaqësues të Tiranës edhe delegatë të rretheve të tjera, u mbajt në Pallatin e Kulturës më 29 gusht 1992, për të shqyrtuar gjendjen e palejueshme të krijuar prej shkeljes së Statutit dhe kanoneve të Kishës Autoqefale Shqiptare, nga i cili Anastasos Janullatos erdhi si ekzark dhe u shndërrua si kryepeshkop. Mbledhja shprehu me forcë vendosmërinë e përgjithshme për ta marrë në dorë shëndoshjen e shpejtë të kishës ortodokse dhe për ta rimëkëmbur Kishën mbi bazën e traditave të saj të shenjta ortodokse dhe shqiptare.

REZOLUTA
 Mbledhja arriti njëzëri këto përfundime kryesore, të cilat po i riprodhojmë tekstualisht: 1. Vendosja e demokracisë në Shqipëri mbas 47 vjet shtypjeje komuniste hapi rrugën e ripërtëritjes së ndjenjave fetare, që ishin ndrydhur, por jo shuar. Si gjithë besimtarët e tjerë dhe ortodoksët u tubuan rreth kishës së tyre. Por ndërsa masa e ortodoksëve priste me qetësi dhe mirëbesim rimëkëmbjen e kësaj kishe në traditat e saj të shenjta e të bukura ekzarku grek dhe i ashtuquajturi “këshill i përgjithshëm” punuan në mënyrë tinëzare e të pabesë për asgjësimin e autoqefalisë së kishës shqiptare dhe për greqizimin e saj, në shërbim të forcave më regresive fanatike të kishës greke, që synojnë greqizimin e gjithë ortodoksëve shqiptarë dhe më tej. 2. I ashtuquajturi “këshill i përgjithshëm i kishës” me sekretar Aleko Dhimën, është i paligjshëm, sepse nuk është zgjedhur me zgjedhje të shpallura e të organizuara sipas rregullave të Kishës, por është vetëshpallur. Që në fillim ai nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë të drejtë të quhet “këshill i përgjithshëm”, të flasë e të veprojë në emër të Kishës dhe të administrojë pasurinë e saj, aq më pak të bëjë propozime parësore siç janë ato për emërimin e kryepeshkopit dhe peshkopëve. Ai i ka uzurpuar këto të drejta tinëzisht, duke shfrytëzuar mirëbesimin dhe indulgjencën e besimtarëve të vënë para fakteve të kryera. 3. Ceremonia e zhvilluar më 2 gusht 1992 në Kishën Katedale të Tiranës për të fronëzuar si kryepeshkop të Shqipërisë Anastasos Janullatosin, nuk është kryer dhe është e pavlefshme sipas rregullave të Kishës, sepse besimtarët kanë thirrur botërisht ‘Jo! Nuk është i vyer’ (dhen aksios – K.F.). Ekzarku me pasuesit e tij u detyruan të largohen nga Kisha pa u përfunduar ceremonia. 4. Komploti i Janullatosit për t’u shpallur kryepeshkop i Shqipërisë dhe për të emëruar tre peshkopë grekë në krye të diocezave të Korçës, Gjirokastrës dhe Beratit, në kundërshtim me nenin 16 të Statutit të Kishës që përcakton se kryepeshkopi dhe peshkopët ‘duhet të jenë prej gjaku e gjuhe shqiptarë si edhe të kenë nënshtetësinë shqiptare’, është jo vetëm një shkelje shumë e rëndë e Statutit të Kishës, por edhe atentati më flagrant kundër vetë autoqefalisë së Kishës Autoqefale Shqiptare. Mbas këtij vendimi, që ka ngjallur revoltën e drejtë të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve, Anastasios Janullatosi nuk është i denjë të qëndrojë as si ekzark, ai duhet të largohet nga Shqipëria menjëherë dhe përgjithmonë. 5. Statuti i vitit 1950 dhe rregullorja e Kishës e vitit 1955 janë të paligjshme dhe të pavlefshme, sepse ato i janë imponuar Kishës Autoqefale Shqiptare nga qeveria komuniste. Për Kishën Autoqefale Shqiptare është në fuqi statuti i miratuar rregullisht në vitin 1928. Patriarkana Ekumenike e Stambollit e ka njohur Kishën Autoqefale Shqiptare me atë statut në vitin 1937 dhe ai Statut është rregullisht në fuqi, sepse shfuqizimet komuniste nuk kanë asnjë vlerë. 6. Është e nevojshme që, në vazhdim të traditës së Kongresit I dhe II, të mbajtur përkatësisht në vitet 1922 dhe 1928, të mblidhet sa më parë kongresi III i Kishës Autoqefale Shqiptare, i cili të përpunojë programin dhe detyrat për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e gjithanshëm të kësaj Kishe; të bëjë përshtatjen e Statutit dhe të emërojë në krye të Kishës, si administrator ose kancelar, një klerik shqiptar; ky këshill të kryejë funksionin e Sinodit të Shenjtë, derisa Kisha Autoqefale Shqiptare të përgatisë kuadrot e saj për të formuar Sinodin e rregullt. 7. Për të bashkërenduar punën me besimtarët e rretheve të tjera ngarkohet një grup nismëtar i përbërë nga Petrit Bidoshi, Pavllo Koja, Llazar Morcka, Thoma Çomorra, Anesti Paskali, Stefan Vokopola, Nasho Bezhani, Pirro Ndreka, Mihal Hanxhari, Vangjel Shundi, Petrika Trako, Dhimitër Ndrenika, Sotir Janço, Loreta Plumbi, Lumnie Jani, Sotir Qiriako, Kristo Frashëri, Jakov Milaj, Pandeli Çina, Dhimitër Kondakçiu, Ksanthipi Mullisi, Gjergj Zheji, Jorgji Çerepi, Petraq Kosova, Vangjel Myzeqari. Ky grup nismëtar, mbasi të zgjerohet me përfaqësues të zgjedhur nga të gjitha diocezat dhe rrethet e tjera ku ka ortodoksë, të kthehet në “Komisionin Organizator për rimëkëmbjen e Kishës Autoqefale Shqiptare dhe përgatitjen e Kongresit të saj III”. 8. U kërkojmë organeve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore të Shtetit, Kuvendit Popullor, rretheve, bashkive dhe komunave, të ndihmojnë e të mbrojnë në të gjitha nivelet veprimtarinë e rregullt të kishës dhe zbatimin e përpiktë të Statutit të saj, të formulojnë sa më shpejt dhe të zbatojnë dispozitat ligjore të nevojshme e financiare të këshillave të vetëshpallura të kishave në Tiranë e në rrethe, sepse ka sinjalizime për parregullsi dhe abuzime të shumta. 9. Zëri i besimtarëve myslimanë dhe katolikë, zëri i të gjithë atyre që u bashkuan me zërin e ortodoksëve për të mbrojtur Kishën Autoqefale Shqiptare, është zëri i Shqipërisë. Le të gëzohemi që shqiptarët ashtu siç punuan së bashku për të rindërtuar kishat dhe xhamitë e para, po tregojnë përsëri së toku dhe spontanisht se Feja dhe shqiptaria nuk kanë gjë të ndarë. U bëjmë thirrje vëllezërve minoritarë, që rrojnë pranë shqiptarëve ose midis shqiptarëve të të tria besimeve, si të barabartë midis të barabartëve, të mos bien pre e intrigave të klerikëve të mbrapshtë dhe parullave të helmuara që nxisin përçarjen dhe shovinizmin. Kisha Autoqefale Shqiptare i konsideron bij të vetë të barabartë e vëllezër në Krishtin të gjithë besimtarët ortodoksë. Këtë vëllazërim ajo e ka të shenjtë dhe do ta ruajë me besnikëri e përkushtim. U bëjmë thirrje personaliteteve të shquara të kulturës greke, pjesës më të emancipuar të klerit të Kishës Ortodokse Greke dhe intelektualëve të vërtetë grekë të kenë kujdes nga fushata shoviniste kundër Shqipërisë që ka ndërmarrë një numër dhespotësh të prapambetur e fanatikë, si dhe qarqe të tjera. Ju takon juve t’i thoni “Ndal!” kësaj fushate, që është një turp për Greqinë e Evropës së Bashkuar! Në themelet e lirisë e të pavarësisë së Greqisë, si dhe në sukseset e mëdha që ajo ka arritur, është dhe kontributi i gjakut dhe djersës që kanë derdhur dhe derdhin qindra mijëra shqiptarë të Greqisë. Mos lejoni që edhe një herë këto t’i shpërblehen popullit shqiptar me helm dhe intriga, vetëm sepse disa klerikë të djallit dhe politikanë anakronikë nuk janë të zotët të kuptojnë një Ballkan mirëkuptimi dhe bashkëpunimi. Thojuni “Ndal!” dhe kujtojuni mësimin e madh të Ungjillit: “Silluni me të tjerët ashtu siç dëshironi të sillen të tjerët me ju!”.

Rezoluta mbyllej me këtë thirrje:
Ortodoksë të Shqipërisë! Ta çojmë më tej valën që është ngritur në të gjitha rrethet për ruajtjen dhe ripërtëritjen e Kishës Autoqefale Shqiptare sipas kanoneve dhe traditave të saj. Të ngremë këshillat e Kishës të pastruara nga fara përçarëse antikombëtare dhe ta nxjerrim Kishën tonë të dlirë e të bukur në diellin e Shqipërisë demokratike! Vëllezër të Kishës Shqiptare në Amerikë! Na u gjindni afër dhe na ndihmoni me përvojën dhe me përkrahjen tuaj! Vëllezër myslimanë dhe katolikë! Le të lidhim duart me njëri-tjetrin dhe të tregojmë se Shqipëria është, siç ka qenë kurdoherë, e të gjithë shqiptarëve dhe se do t’i dalim zot përjetë. Kur lusim Perëndinë, do të kemi në buzë dhe emrin e Shqipërisë. Popull shqiptar! Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare nuk do ta lerë veten të bëhet robinë e huaj. E pastër, duke besuar në Perëndinë, e vendosur duke besuar tek Shqipëria, e shenjtë me binomin Perëndi-Shqipëri. Pranë ikonave të saj të Krishtit dhe martirëve të krishterimit ajo do të mbajë edhe fytyrat e Papa Kristo Negovanit, At Stath Melanit dhe martirëve të tjerë të Kishës Shqiptare. Themelet e Kishës Autoqefale Shqiptare të Fan Nolit të madh, At Vasil Markos, kryepeshkopëve Visarion Xhuvani e Kristofor Kisi, janë të patundura përjetë sepse në to është gjaku, loti dhe djersa e të gjithë bijve të saj. Mbledhja e madhe e besimtarëve ortodoksë të Tiranës, Tiranë, 29 gusht 1992″. Këtë deklaratë komisioni ia dërgoi edhe Gjykatës Kushtetuese, të përcjellë me një shkresë ku thuhej: “Gjykatës Kushtetuese, Tiranë. Në emër të grupit nismëtar që bashkërendon punën për rimëkëmbjen e Kishës Ortodokse Shqiptare, nisur nga fakti se mbrojtja e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe e Statutit të saj është detyrë e shtetit shqiptar e lidhur ngushtë me interesat e kombit, e kemi për detyrë t’ju parashtrojmë sa vijon: Ekzarku grek Anastasios Janullatos ka udhëzuar klerikët e kishave ortodokse që gjatë meshës të thërrasin formulën: “Le t’i lutemi Zotit për ruajtjen e Kryepeshkopit tonë Anastas” dhe kjo formulë po përdoret në katedralen e Tiranës dhe në disa kisha të tjera, ku ka klerikë që i binden këtij udhëzimi të jashtëligjshëm. Në kohën kur protesta e besimtarëve e ndërpreu në mes dhe e bëri të pavlefshme ceremoninë e fronëzimit të Janullatosit në 2 gusht 1992 dhe kur presidenti i Republikës është shprehur botërisht se sipas statutit të Kishës Kryepeshkopi nuk mund të jetë një person që nuk ka kombësi e nënshtetësi shqiptare, ky veprim i ri i Janullatosit është vazhdim i mëtejshëm i veprimtarisë së tij këmbëngulëse për të zhdukur autoqefalinë e kishës sonë dhe një përpjekje e ulët për të na venë përpara faktit të kryer. 1. Kërkojmë që organet e shtetit të ndërhyjnë me autoritet shtetëror dhe ta ndalojnë përdorimin e thirrjeve që e shpallin Janullatosin kryepeshkop kur ai as nuk është e as nuk mund të jetë i tillë, gjë që është jo vetëm një shkelje e rëndë e statutit të kishës, por edhe një sulm kundër ligjeve të rendit dhe interesit të shtetit shqiptar. 2. Kërkojmë që me një dokument shtetëror të formulohet dhe të shpallet shprehimisht se shteti shqiptar njeh dhe mbron statutin e Kishës Autoqefale të vitit 1928, sepse në bazë të nenit 16 të atij statuti ajo nuk pranon asnjë propozim të patrikanës apo kujtdo tjetër që mund të cenoje këtë nen të statutit duke venë në krye të kishës prelate me kombësi e me shtetësi jo shqiptare dhe se vetëshpallja e Janullatosit kryepeshkop është një veprim pa asnjë vlerë ligjore që konsiderohet krejt i paqenë. 3. Në veprimet komplotiste që Janullatosi ka bërë dhe vazhdon të bëjë kundër autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, ai që pati ardhur “për të ndihmuar përkohësisht ‘nuk meriton të qëndrojë më as si ekzark’. Kërkojmë ndërhyrjen tuaj për largimin e tij menjëherë e përgjithmonë nga Shqipëria si i padenjë. Bashkangjitur po iu dërgojmë deklaratën e mbledhjes së madhe të besimtarëve ortodoksë të Tiranës, mbajtur më 29.08.1992 me të cilën kërkohet ndërhyrja e shtetit në mbrojtje të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Me respekt për komisionin: Kryetari Petrit Bidoshi, Sekretari Pavllo Koja, Tiranë 14 shtator 1992″.  

SHKRIMET E MEDIAS
 Në lidhje me këtë konferencë, një organ shtypi shkruante: “Në Pallatin e Kulturës, në Tiranë, më 29 gusht 1992, rreth 400 besimtarë e dashamirës të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë u mblodhën në një asamble të zgjeruar, për të analizuar aktin e çalë dhe jo kanonik të Këshillit të Përgjithshëm të Kishës sonë për kurorëzimin e grekut Anastas Janullatos si kryepeshkop të Shqipërisë. Themi “i çalë”, pse një pjesë e konsiderueshme e të pranishmëve në kishë ngriti zërin me një “Jo” të zgjatur e në kor, kur u celebrua riti i pyetjes së popullit “anaksios” (i padenjë)… Kënga “Për mëmëdhenë” dhe buçitja “Kisha është e jona” ua prishën humorin atyre që kishin ardhur apostafat me autobusë të posaçëm nga minoriteti dhe përtej, për këtë ngjarje të 2 gushtit 1992, që do t’i vinte një kryq të madh përpjekjeve të lavdishme të Fan Nolit dhe atdhetarëve të tjerë që dhanë jetën dhe djersën e tyre për pavarësinë e kishës sonë autoqefale. Thamë se akti që antikonik sepse efektivisht kurorëzimi nuk u bë në kishë… por ceremonia përfundoi në hollet e hotel ‘Tiranës’. Për më tepër, u shkel statuti i vitit 1929, që ndalon kategorikisht si kryetar të kishës një prelat jo shqiptar” (Gazeta “Lirija”, 4 shtator 1992). Për fat të keq, grupi nismëtar nuk ishte në dijeni të dispozitave kushtetuese të shtetit shqiptar, të cilat e ndalojnë shtetin të ndërhyjë në çështjet e besimit dhe në atë të institucioneve fetare. Për këtë arsye, si kërkesa e grupit nismëtar drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe rezoluta e mbledhjes së 29 gushtit 1992 drejtuar institucioneve shtetërore nuk u morën në konsideratë prej tyre. Në këto rrethana, hirësia e tij A. Janullatos e gëzoi postin e padrejtë që mori tinëzisht në hotel “Tirana International” më 2 gusht 1992.  

ARGUMENTET E JANULLATOSIT
 Në një shkrim të botuar në “Koha Jonë”, më 11 shtator 1992, thuhet: “Në Shqipëri vazhdon fushata kundër fronëzimit të at Anastas Janullatosit, kryepeshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare. Përditë në gazetat shqiptare botohen peticione besimtarësh ortodoksë, të cilët kërkojnë shfronëzimin e priftit grek. Në një konsultë të këtyre besimtarëve të shtunën e kaluar (5 shtator 1992 – K.F.) u vendos mosnjohja e këshillave të vetëzgjedhura dhe e sinodit të tyre dhe gjithashtu u planifikua thirrja e një kuvendi panortodoks. Po aty u tha s e70 mijë besimtarë minoritarë në tërë vendin, ortodoksët shqiptarë janë mbi 660 mijë dhe nuk ka asnjë motiv që ata të drejtohen nga një kryepeshkop grek sado i përgatitur të jetë ai”. Në atë shkrim nënvizohet fakti se konsulta e quajti A. Janullatosin të vetëzgjedhur dhe të paligjshëm si kryepeshkop i Shqipërisë. Pyetjes që Ben Blushi, në atë kohë gazetar, i drejtoi A. Janullatosit në lidhje me fronëzimin tij i cilësuar i parregullt dhe i paligjshëm, kryepeshkopi iu përgjigj duke i bërë bisht si zakonisht përgjigjes. Në vend të saj, ai tha: “Shumë vetë e dinë që unë s’kam pasur në jetën time ambicie për të ardhur këtu dhe për të zënë ndonjë vend. U ftova të vij këtu dhe të ndihmoj, përderisa e dija se Kisha në Shqipëri kishte vuajtur më shumë se në çdo vend tjetër pas një persekutimi të gjatë…”. Më tej ai shtoi se nuk kishte asnjë interes për politikë dhe se ata që e zgjodhën e njihnin mirë qëndrimin e tij kishtar dhe kontributin që ka dhënë në krijimin e Kishës Ortodokse në Afrikë. Shtoi më tej se ai, tani që u zgjodh kryetar i KOASH-it, “do të mbronte interesat e komunitetit ortodoks shqiptar, i cili mund të binte pre e kishave dhe pretendimeve të fqinjëve” (“Koha Jonë”, 11 shtator 1992). Duke zënë në gojë fqinjët, ai nuk e kishte fjalën për grekët, por për maqedonët që i kishin zënë syrin Prespës dhe për arumunët që donin një peshkop rumun. Ai nguli këmbë se zgjedhja e tij është e ligjshme, mbasi mbështetet në Kushtetutën e vitit 1967 (!0, e cila, sipas tij, ishte ende në fuqi, “E di, – theksoi ai, – se ka njerëz që thonë se ky ligj i periudhës së sundimit të Partisë Komuniste nuk është ekzistent. Kjo nuk është e vërtetë, sepse shteti në atë kohë ekzistonte”. Më tej, gjithashtu kryepeshkopi pohon se për kandidaturën e tij ka dhënë miratimin edhe Presidenti Berisha, në një kohë kur ai vetë (Janullatosi) shprehet kundër ndërhyrjes së shtetit në punët e kishës. Ai thotë se presidenti u tregua shumë i përzemërt me të dhe i tha se ne (shteti shqiptar – K.F.) e pranojmë kandidaturën tuaj, por jo atë të tre peshkopëve të tjerë. Deklaratën e tij A. Janullatosi e mbylli me këto fjalë: “Në qoftë se njerëzit duan të rri, unë do të rri, por në qoftë se jo, thotë ai duke iu referuar besimtarëve ortodoksë, unë jam i lirë të shkoj në punën time”. Më në fund ai mohon se ka pasur peticione kundër tij. Ai thotë se ato janë disa grupe të vogla edhe me emra myslimanë, të cilët ai nuk ka ndërmend t’i marrë parasysh. (“Koha Jonë, 11 shtator 1992). Me keqardhje duhet të themi se në këtë apologji të tij kryepeshkopi A. Janullatosi gënjeu tri herë: a- Kur tha se ai u zgjodh në përshtatje me kanonet kishtare dhe se ata që thirrën “anaksios” qenë qytetarë myslimanë; b – Kur tha se zgjedhja e tij është në përshtatje me kushtetutën e vitit 1950, në të cilën kërkohet si kusht të paktën nënshtetësia shqiptare që ai nuk e kishte; c – Kur deklaroi se rezoluta e 29 gushtit 1992 ishte hartuar nga grupe myslimanësh shqiptarë, kurse në të nuk kishte asnjë pjesëmarrës islamik. Megjithatë, pika më e dobët e fronëzimit të tij si kryepeshkop i Shqipërisë është fakti se deri sot pas 18 vjetësh, ai nuk ka botuar asnjë procesverbal të hartuar në kohën e fronëzimit dhe të nënshkruar nga peshkopët që u ndodhën në kohën e fronëzimit, që të deklarojnë me përgjegjësi se në ceremoninë solemne të 2 gushtit 1992 të mbajtur në katedralen e Tiranës, ai, Hirësia e tij Anastas Janullatos, u zgjodh njëzëri në përshtatje me kanonet tradicionale kishtare kryepeshkop i KOASH-it. Pa një procesverbal të tillë, të gjitha deklaratat që ai ka bërë poshtë e përpjetë janë pa vlerë, madje mund ta themi me plot gojën, janë mashtrime. Me emërimin e tij si një nënshtetas grek në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare dhe në shërbim të Kishës Ortodokse Greke, ai shkeli një nga parimet universale të kishës së krishterë lindore. Dihet se kishat ortodokse autoqefale të vendeve të ndryshme të pavarura nga njëra-tjetra janë motra të barabarta, kurse Patrikana ekumenike është edhe ajo e barabartë, por e para ndër të barabartat. Të gjitha kishat ortodokse autoqefale janë të varura dhe të ndërlidhura me shtetin kua to ushtrojnë besimin e tyre. Në bazë të parimeve moderne të shpallura që nga Revolucioni Frëng i vitit 1879 institucionet fetare, pra edhe kisha ortodokse, nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në punët dhe jetën e shtetit. Nga ana tjetër, shteti për mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare ka të drejtë të mbikëqyrë veprimtarinë administrative të çdo komuniteti fetar. Një nga parimet themelore është që udhëheqësit fetarë të jenë me kombësi ose nënshtetësi të shtetit të tyre. Për shembull, në ligjin e shtetit grek mbi fenë, paragrafi 3, neni 12, për “kryepeshkopin e Athinës dhe të gjithë Greqisë”, thotë: “të zgjedhurit e kishës duhet të jenë të gjithë të kombësisë greke”. Janullatosi mbron pikëpamjen se statuti i kishës shqiptare miratuar në kongresin e vitit 1929 është i shfuqizuar. Kjo për arsye se atij i intereson, meqenëse neni 16 nuk lejon në mënyrë ligjore-kanonike që Prof.Dr. Janullatosi si një grek të jetë kryepeshkop ose peshkop në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Duhet pasur parasysh se KOASH-i dhe statuti i vitit 1929 është, sikurse u tha, i njohur nga Patriarku i Stambollit Benjamin i Parë me “Tomin” e vet të lëshuar më 12 prill 1937. Për habinë tonë, kryepeshkopi Janullatos e quan të rrëzuar “Tomin” e Patriarkut të Kostandinopojës dhe emërimin e tij e mbështet në statutin e miratuar nga shteti komunist me Kongresin e Tretë të Delegatëve Ortodoksë, të mbledhur në Tiranë më 5-10 shkurt 1950 – statut që nuk ka marrë pëlqimin e Patriarkatit të Kostandinopojës. Kjo do të thotë se statuti i vitit 1929, i pajisur me “Tomin” e Patriarkut Benjamin i Parë më 1937, është ende në fuqi. Dihet se statuti i 1950 u miratua nga një i ashtuquajturi sinod në kushtet kur dy anëtarë të tij, mitropolitët Kristofor Kisi dhe Irene Banushi ndodheshin të burgosur. Si rrjedhim, në të tilla kushte ai ishte një statut pa vlerë. Që këtej lind pyetja: a ka të drejtë A. Janullatosi të mbështetet në një statut të miratuar fund e krye nga një i ashtuquajtur kongres dhe i ashtuquajtur sinod? Sigurisht që Janullatosit i intereson statuti i vitit 1950, sepse aty mungon kushti, sipas të cilit, kryepeshkopi duhet të jetë me kombësi shqiptare, po ashtu edhe neni 3, i cili thotë: “Ndonëse gjuha zyrtare e kishës është shqipja, në shërbimet fetare mund të përdoren edhe gjuhë të tjera”. Është pikërisht në mbështetje të këtij neni që në fillim kryepeshkopi Anastas urdhëroi që në kishat e Shqipërisë shërbesat fetare të zhvilloheshin në greqisht, pavarësisht se më vonë, për shkak të protestave popullore ai u detyrua të hiqte dorë. Arsyet që e shtynë Janullatosin ta quajë të zhvleftësuar janë të shumta, por ne këtu nuk mund të merremi me to. Mjafton të përmendim nenin 55 të statutit të vitit 1929, i cili e ndalonte kategorikisht kishën shqiptare të merrte “dhurata” nga të huajt dhe se pranim
i i tyre konsiderohej si nënshtrim i politikës ndaj shteteve kreditore në dëm të pavarësisë së shtetit dhe të kishës. Me fjalë të tjera, marrja e huave dënohej si një akt politik jo kombëtar. Pavarësia e plotë e KOASH-it, ashtu si dhe pavarësitë e institucioneve të tjera fetare, konsiderohet në statutin e vitit 1929 si një nga garancitë e pavarësisë së shtetit shqiptar, garanci të cilën kryepeshkopi i tanishëm A. Janullatos e ka shkelur me të dyja këmbët.  

PERFUNDIM
Nga sa u tha deri tani, del ky konkluzion: se nga pikëpamja juridike-kanonike-ekleziastike është në fuqi statuti i KOASH-it i vitit 1929, i miratuar nga Patriarkana Ekumenike me “Tomusin” e vet më 1937. Si rrjedhim, Hirësia e tij A. Janullatos është zgjedhur si kryepeshkop i Shqipërisë më 2 gusht 1992, në mënyrë të paligjshme nga 3 pikëpamje: e para, se më 1992 kur ai pretendon se është zgjedhur kryepeshkop, KOASH nuk kishte një Sinod të Shenjtë, i cili ka të drejtë të zgjedhë kryepeshkopin e Shqipërisë. E dyta, se Hirësia e tij A. Janullatosi nuk ka të drejtë të zgjidhet jo vetëm kryepeshkop, por as peshkop i kishës shqiptare, përderisa ai nuk është shqiptar nga kombësia. E treta, se ceremonia e zgjedhjes së tij nuk gjeti pëlqimin (aksios) të të gjithë të pranishmëve në asamblenë kishtare të 2 prillit 1992. Pra, proklamimi i tij si kryepeshkop i Shqipërisë në hollin e hotel “Tirana International” është një mashtrim apo abuzim i tij, quajeni si të doni, i padenjë jo vetëm për një kryepeshkop, por edhe për një prift ordiner të kishës së krishterë shqiptare. Për të gjitha këto arsye, ne e konsiderojmë ushtrimin e tij të deritanishëm në krye të KOASH-it jo si kryepeshkop, por si ekzark. Si një dhelpër, ai arriti të bindte opinionin që frekuentonte kishën se do t’i bënte shërbime të mëdha autoqefalisë së ortodoksisë shqiptare. Në të vërtetë, ai kreu shumë investime në fushën e ndërtimit të faltoreve dhe të përgatitjes së kuadrove. Ai hoqi shpejt dorë nga lufta që sapo erdhi i shpalli Fan Nolit. Me dinakëri arriti të krijonte një sinod prej katër peshkopësh, nga të cilët tre janë me kombësi greke. Me një fjalë, ai arriti t’i fashitte protestat e intelektualëve ortodoksë shqiptarë. Në fakt, A. Janullatosi është kryepeshkop i pleqve dhe i plakave, të cilat të dëshiruara për të parë një meshë në gjuhën shqipe nuk interesohen fort për kombësinë e priftit, kur ai meshon shqip. Megjithatë, vepra e tij tinëzare nuk shlyhet kollaj. Materiali që ilustron veprimtarinë e tij në Shqipëri provon se ai është një agjent i fshehur i shovinizmit grek që përgjon ditën e përshtatshme për t’i shkëputur Shqipërisë të ashtuquajturin “Vorio-Epir”. Po ashtu, materiali dokumentar dhe mediatik tregon se ai që gënjen në trajtimin e solemnitetit peshkopal të 2 gushtit 1992 është për turpin e tij Anastas Janullatos. Nuk ka dyshim se dinakëria e tij për ta fshehur veten si militant i politikës shoviniste greke një ditë do të zbulohej. Rastin e dha ndërhyrja e tij për aksidentin fatkeq që pati himarjoti Aristotel Guma – një ndërhyrje e kombinuar nga Athina me kronometër me akuzën e të ashtuquajturit shpërthim të nacionalizmit shqiptar që shprehën më 13 shtator 2010 zëvendësministri i Jashtëm i Greqisë, Delavekuras, deputeti i Parlamentit shqiptar, Vangjel Dule dhe kryetari i shoqatës “OMONIA’, Vasil Bollano. Është pikërisht ky kombinim kronometrik që i shndërroi dyshimet e mia mbi A. Janullatosin si simpatizant i Greqisë në një militant të politikës shoviniste greke. Pavarësisht nga synimet e tij të fshehta, meqenëse si ekzark ai e ka kryer detyrën që kishte marrë përsipër për rimëkëmbjen e kishës së shkallmuar shqiptare, puna e do që ai të largohet me gjithë falënderimet tona nga Shqipëria. Më në fund, është e domosdoshme që me largimin e tij ndonëse me vonesë, të mblidhet një kongres i rregullt i KOASH-it, i cili t’ia kthejë Kishës Ortodokse Shqiptare prestigjin që kishte kur ajo u krijua nga i pavdekshmi mitropolit, Fan Noli.

Janullatos: Në hotel u shtrua një drekë nderimi
Kryepeshkopi ortodoks, Anastas Janullatos replikoi pak ditë më parë në një ese të botuar në “GSH”, me historianin Kristo Frashëri. Ai sqaroi pozicionin e tij publik pas aksidentit të Aristotel Gumës që solli tensione në Himarë. Janullatos foli gjithashtu për marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe reformimin e Kishës shqiptare. Duke kundërshtuar tezat e historianit Frashëri, kryepeshkopi ortodoks deklaroi se fronëzimi i tij u krye në katedrale dhe jo në hotel “Tirana”. “Në hotel ‘Tirana’ u shtrua thjesht një drekë në shenjë nderimi. Është e habitshme se si z. Frashëri, me një mosnjohje të thellë, flet si specialist i kanuneve të Kishës, të cilat me sa duket, i njeh shumë pak. Fakti se të gjitha kishat ortodokse autoqefale në mbarë botën e njohën pa kurrfarë vështirësie Kryepiskopin e ri, nxjerr në pah se nuk u bë asnjë shkelje e askurrfarë kanoni dhe rregulli”, deklaroi Janullatos në replikën e tij botuar në “Gazetën Shqiptare.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button