Kombi i ri kosovar dhe loja me flamurin

Deklaratat e sekretares së SHBA-vë znj.Hillari Klinton në Kosovë se nga lidershipi kosovar kishte marrë garanci të forta për formimin e një kombi të ri kosovar në Ballkan dhe do të mbronin veçoritë e këtij kombi, padyshim ishte surpriza më e madhe e këtij takimi.

Po ashtu, befasi tjetër e kësaj vizite ishte edhe deklarata tjetër e saj gjatë takimit me studentë kosovarë në Bibliotekën Kombëtare, “edhe pse SHBA-të janë për ruajtën e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, por nuk përjashton mundësinë e lëvizjes së kufijve të saj, në rast të pajtimit të palëve të interesuara”. Këto dy deklaratat të Hillari Klinton, zonjës së parë amerikane sqarojnë më së miri kursin e ri të SHBA-ve dhe ndryshimin e politikës së SHBA-ve ndaj rajonit të trazuar të Ballkanit. Gjithashtu, në anën tjetër kur kësaj i shtohen edhe deklaratat e ambasadorit të SHBA-ve në NATO, i cili pas thirrjes së kryeministrit shqiptarë z.Sali Berisha për pranimin e Kosovës në asociacionin e sigurisë së Evropës Juglindore kishte reaguar duke thënë se kjo nuk është e mundur për shkak se Kosova nuk ka ushtri dhe Ministri të Mbrojtjes. Ndoshta, qëllimi i tij është formimi i një ushtrie të përbashkët shqiptare duke mos shpenzuar shumë në kohë për dy, apo tri ushtri shqiptare mu ashtu siç patëm gjatë krizave në këto hapësira. Këto këndvështrime të reja politike ndaj Kosovës, sidomos nga aleati i saj kryesor SHBA-ja nuk janë të rastësishme, por kanë qëllime afatgjata dhe vizion të caktuar në të ardhmen. Sekretarja amerikane Klinton, jo që nuk ishte e informuar mbi vënien dhe më vonë heqjen e flamurit kombëtar shqiptar nëpër rrugët e Prishtinës, por ajo kishte shprehur habinë me sjelljet e lidershipit të këtij vendi me lojën konfuze rreth kësaj ngjarje. Ajo në detaje e njeh problemin shqiptarë dhe për këtë arsye ishte befasuar me sjelljet e lidershipit të Kosovës. Ajo e ka shumë të qartë gjendjen e shqiptarëve në Ballkan, por politika e bajraktarëve shqiptare është ajo që ka krijuar konfuzion te miqtë tanë dhe për këtë arsye ndodhin skandalet e llojit të tillë. Si mund të ketë komb të ri kosovar derisa SHBA-të dhe të gjitha vendet e Evropës e dinë shumë mirë problemin e ndarjes së shqiptarëve pas Konferencës së Londrës në vitin 1913? Ky është një problem dhe nuk mund të ketë dy, tre, katër, apo pesë probleme shqiptare. Pavarësia e Kosovës është hapi shumë i madh i zgjidhjes së çështjes shqiptare në Ballkan, por jo finalja e zgjidhjes së këtij problemi. Këtë e di zonja Klinton, administrata e SHBA-ve, por edhe vendet tjera Evropiane, por këtë gjë nuk e kuptojnë vetëm mediokritetet politike shqiptare, të cilët për interesa personale, bajraktarizëm dhe përfitime materiale janë verbëruar plotësisht, ndërsa pasojat janë të mëdha. Kjo është koha e fundit, që këta bajraktarë të kuptojë seriozisht lojën politike dhe të radhitet në politikën e njëmendët dhe integrues kombëtare dhe më pas të ndjekin politikën e integrimit ndërkombëtar, sepse kjo është rruga më e mirë për këtë popull. Kjo udhë politikë është më e shëndosha dhe më me perspektivë për popullin shqiptarë dhe jo të premtohet një komb i ri, i cili nuk ka kurrfarë shanse të mbijetesës në këto hapësira. Vetë populli shqiptarë do të demaskojë një politikë e tillë, e rasti më i mirë i tij është protesta e të rinjve shqiptarë para ambasadës së Serbisë në Tiranë kundër shovinizmit serb dhe djegies së flamurit shqiptarë në Gjenova të Italisë nga huliganë serbë. Po ashtu, edhe protesta e studentëve të Prishtinës ndaj fashizmit serb dhe aktit të djegies së flamurit tonë, por edhe ndaj heqjes së flamurit shqiptarë nëpër rrugët e Prishtinës ishte përgjigjja më e mirë ndaj këtyre kësteve politike, si në pushtet dhe jashtë tij se nuk do të tolerohet loja me flamurin tonë kombëtar dhe bastardimin e tij. Kjo politikë do të perëndojë shumë shpejt njëherë e përgjithmonë dhe kombi shqiptarë do të ketë një vetëm një flamur, një himn dhe një stemë të përbashkët në një shtet të përbashkët shqiptarë për të cilin po punohet në mënyrë të pandalshme.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button