Amaneti i Dritëroit: Trupin ma hidhni në lumin Devoll,sesa të dhjesin grekët mbi mua

E megjithatë, shpresa nuk ka vdekur. Djemtë e rinj do ta mbrojnë këtë vend”, e mbyll intervistën Dritëroi. Pamjet e transmetuara në televizione të njerëzve që shkelnin mbi varret shqiptare për të nderuar memorien e një ushtari grek, e kanë trazuar jo pak. Megjithatë, ai gjen forcën për të lëshuar një apel, jo vetëm ndaj banorëve të Boboshticës dhe politikës, por të gjithë shqiptarëve. “Përdhosja e eshtrave të të parëve tanë është e pafalshme”, thotë ai. Revolta e brendshme i ndez ironinë: “Siç ka ardhur kjo kohë, që mbi kockat tona vijnë e ngrihen kryqe e gjysmëhëna në varreza, më mirë do të ishte që trupin tim ta hidhnin në lumë”.

Z. Agolli, ngritja e një memoriali në Boboshticë për një ushtar të rënë grek në luftën italo-greke shkaktoi tensione në fshat dhe ngjalli reagimin e banorëve. Si e gjykoni faktin që një pjesë e varreve të vjetra të Boboshticës u prishën pikërisht për të ndërtuar këtë memorial?

Unë mendoj se në Boboshticë ka ndodhur një veprim shovinist, madje mund të themi antihuman dhe anti-i krishterë. Nuk mund të ngresh një momument, përmendore apo memorial kushtuar një ushtari të vrarë, qoftë ky i huaj qoftë edhe vendas, mbi kockat e stërgjyshërve dhe gjyshërve, pra mbi varret e të tjerëve. Sado i çmuar të jetë ky i vrarë, nuk mund ta ngresh një memorial në atë vend. Por, jo vetëm kaq. Nga ajo që pamë, ata sehirxhinj apo pjesëmarrës atje shkelën mbi këto kocka shumë të çmuara për të bërë sehir, dmth për t’u kënaqur me këtë ceremoni. Kjo ishte një dhimbje shumë e madhe për çdo njeri që e shikonte… njerëz të mbledhur atje rreth një blloku çimentoje me një kryq apo disa të tillë, dhe shkelnin mbi kockat e të parëve tanë. Ato kockat qindravjeçare morën forma të tjera, disa si kryqe e disa si zgavra.


Ju paskan trazuar ato pamje…

 Fshatarët e Boboshticës shkelën mbi këta gjyshër, por edhe njerëz të tjerë të ardhur nga Greqia, pra boboshticarë dhe grekër. Një pjesë e boboshticarëve nuk vajtën atje, pra e kundërshtuan ceremoninë, por të tjerë vajtën. Pastaj, jo larg shumë fshatit të tyre, e hoqën atë përmendoren apo bustin e Asdrenit, poetit tonë të shquar që ka bërë vargjet e Flamurit. Vargjet e atij himni për të cilin ne ngrihemi sot në këmbë në parlament apo kudo tjetër. Ia hoqën bustin prej bronxi dhe ia shkrinë për të marrë para. Nuk u ngrit askush me forcë që ta kundërshtonte poshtërimin e poetit tonë të shquar. Dhe pas asaj që ndodhi, nuk besoj te ketë njeri me mend, që të lerë ndonjë testament ku të kërkojë t’i bëjnë ndonjë bust a përmendore. Qoftë ky inxhinier me famë, shkencëtar apo poet, askush nuk ka më dëshirë të bëhet monument për të. Unë për vete nuk do të kisha dëshirë të më bëhej, gjithnjë nëse do ta meritoja. Madje, siç ka ardhur një kohë që mbi kockat tona vijnë e ngrihen kryqe e gjysmëhëna në varreza, më mirë do të ishte që ta digjnin trupin, ta kthenin në hi dhe ta hidhnin në lumë, në Devoll. Aty askush nuk e gjen dot. Edhe unë po mendoj për këtë gjë, sa të dhjesin grekët mbi mua, më mirë të më digjet trupi e të hidhet në Devoll, se aty s’kanë nga ta gjejnë.  

Sipas jush e kujt është përgjegjësia për këtë incident?
Pra, nuk kanë faj kockat e këtij ushtari fatkeq. Madje, unë e çmoj se ai ka luftuar për atdheun e tij në luftën italo-greke, për të mbrojtur vendin e tij, por edhe për të mbrojtur popuj të tjerë. Faji është i joni, sepse ata që e varrosën ushtarin, shkelën kockat e gjyshërve të tyre. Ata që shkuan t’i bëjnë këtë homazh, shkelën mbi kockat e gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre. Kjo është e pafalshme. Edhe vetë shteti ynë nuk thotë asnjë fjalë për këtë gjë, edhe partitë nuk flasin fare. Që nga PS-ja, PD-ja e të tjera, nuk thanë asnjë fjalë për këtë skandal të madh në Boboshticë, folën vetëm disa të rinj. Unë nuk besoj që këta pushtetarë dhe anëtarë partie apo simpatizantë të jenë dehur nga rakia e manit e Boboshticës dhe e kanë harruar këtë gjë.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button