Marrëveshja e detit – Plani sekret i qeverisë shqiptare

Ka nisur me një “të shtënë topi” diku nga shekulli i XVII, por e shtëna e tij ende nuk po ndjehet në Shqipëri. Ajo është shndërruar përfundimisht në një minë me sahat për Tiranën zyrtare që vazhdon të heshtë dhe të fshihet pas heshtjes dhe po si një minë që shpërthen rregullisht herë në heshtje dhe herë me zhurmë të mbytur në marrëdhëniet shqiptaro-greke. E shtëna e topit – largësia deri ku shkonte predha nga bregu në det – përcaktonte dikur detin territorial që i përkiste një vendi; sot në kohë moderne, ajo është zëvendësuar nga konventa ndërkombëtare që synojnë të zgjidhin një nga problemet më të rëndësishme e të debatueshme mes shteteve anëtarë të OKB-së. Në Shqipëri, si zakonisht, historia merr një përmasë tjetër. Që nuk dihet sesa dhe deri ku përcaktohet nga paaftësia proverbiale e shtetit shqiptar për të zbatuar ligjet ndërkombëtare, por sidomos, kushtëzohet nga aftësia e pazakontë për të shkelur kushtetutën dhe ligjet lokale të vendit. Kjo është një histori ku të gjithë janë fajtorë dhe një numër tjetër fajtorësh, me emër e mbiemër, të cilët janë direkt subjekt i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, vazhdojnë të shërbejnë dhe të firmosin në emër të Republikës së Shqipërisë. Kjo është një histori absurde, një histori më shumë e poshtër sesa është e turpshme. Në datën 15 prill 2010, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, ka hedhur poshtë si të papajtueshme me Kushtetutën marrëveshjen e lidhur mes Shqipërisë dhe Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Dhe që nga ai moment, nuk ka asnjë reagim. Të paktën publikisht. Njëlloj sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Herë pas here, ky shqetësim ngrihet në takime bilaterale mes dy vendeve, së fundi edhe në takimin Berisha – Papandreu në Nju Jork apo dhe në Tiranë e Athinë, si dhe në një deklarim publik të Presidentit të Republikës, që larg e larg e shpreh shqetësimin e tij për këtë situatë, duke treguar edhe një rrugëzgjidhje të absurdit të krijuar. Edhe pse institucionin e tij e kanë përjashtuar dhe veçuar deri më tani nga zgjidhja. Siç e kishin përjashtuar që në fillim të procesit.

Një plan sekret Ka një plan rezervë. Ka një plan sekret. Një plan i cili ndodhet që prej muajit korrik në zyrën e kryeministrit Sali Berisha dhe që synon daljen me aq “nder” sa ka mbetur një i tillë dhe me aq “nder” sa mund të mblidhet nga çfarë është derdhur, për marrëveshjen e ndarjes së detit me Greqinë. Është një plan që i propozohet qeverisë shqiptare nga Ministria e Jashtme për fatin e ndërlikuar të një marrëveshjeje dypalëshe të nënshkruar në nivel qeveritar, të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, por të hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. E brohoritur dhe e mallkuar në të njëjtën kohë, kjo marrëveshje ka krijuar një ngricë të vërtetë diplomatike dhe gjysmë të heshtur me fqinjin jugor. Në një situatë të tillë, heshtja është një mjet që zgjidh vetëm përkohësisht punë, por që nuk mund të shkojë larg si mjet për zgjidhje. Dhe një gjë të tillë, qeveria shqiptare, e kryqëzuar si autore e hartimit të një marrëveshjeje antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, e di më mirë se kushdo. E përfshirë nën presion të brendshëm në Tiranë – presioni që vjen nga moszbatimi i ligjeve – dhe nga presioni i kuptueshëm që vjen nga Athina që kërkon marrëveshjen, qeveria po kërkon një rrugëdalje nga kjo situatë krejt e pakëndshme. Burime të rezervuara qeveritare pohojnë për revistën MAPO ekzistencën e një plani sekret për këtë qëllim. Ky plan bazohet në dy kolona kryesore. Si për ironi të fatit, një nga autorët kryesorë të tij është Ferit Hoxha, shef i misionit diplomatik shqiptar në OKB, kryetar i grupit negociator shqiptar përballë palës greke. Plani është firmosur nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme Gazmend Turdiu, një tjetër negociator i marrëveshjes dhe për momentin, ka mbetur mbyllur në zyrën e kryeministrit. Normalisht, një kopje e tij duhet të kishte mbërritur me kohë në zyrën e Presidentit, por deri më tani, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Si të dalim nga kriza? Kjo është një pyetje e cila shkakton shumë kokëçarje në të dy anët e kufirit me fqinjin jugor. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, nuk le vend për mëdyshje, por vetëm për zbatim: marrëveshja është antikushtetuese. Në këto kushte, në bisedimet e kryera në të gjitha rastet me përfaqësues të qeverisë greke, deri dhe me kryeministrin Papandreu, pala shqiptare, në mënyrë informale ka premtuar një zgjidhje të shpejtë të problemit. Por mënyra sesi do të arrihet kjo zgjidhje është teknikisht e vështirë, politikisht problematike dhe ligjërisht e ndërlikuar. Ministria e Jashtme, dikasteri kryesor i prekur nga kjo situatë, ka arritur të prodhojë që në muajin korrik një propozim konkret. Më saktë dy të tillë. E para ka të bëjë me një negocim të ri me palën greke për ndarjen e detit dhe e dyta, me delegimin e këtij problemi në njërën nga dy gjykatat ndërkombëtare që mund të shprehen për këtë çështje; në Gjykatën e Hagës, një organ juridik i Kombeve të Bashkuara ose në Gjykatën Hamburgut, një forum qendror i themeluar prej Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit. Deri më tani dilema se cila prej këtyre gjykatave do të marrë përsipër të zgjidhë hallin e prodhuar kryesisht me mjetet e së paku paaftësisë shqiptare, nuk ka gjetur zgjidhje. Të njëjtën gjë ka pohuar dhe Presidenti i Republikës. E ka pohuar nga Uashingtoni, si zakonisht duke përdorur një gjuhë të përmbajtur për të mos larë në pazar këtë plaçkë të qelbur. Ai përmend marrëveshjen e hedhur poshtë duke u shprehur: “Këtu problemi është që kërkohet një vullnet i dyanshëm për të gjetur metodikën, sepse për t’u futur në rinegocim, kërkohet edhe vullneti i palës greke. Por, unë mendoj që janë disa rrugë të mundshme, që mund të konsiderohen rrugë në parim…Rrugët janë të hapura. Mund të ketë rrugë, të cila konsiderohen të rinegocimit, por mund të ketë edhe rrugë, të cilat çojnë në aplikimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, me pëlqimin e të dyja palëve natyrisht. Asgjë nuk është e mbyllur, gjithçka është e hapur”. Ajo që nuk thotë Presidenti është se tashmë qeveria shqiptare e ka zgjedhur një rrugë të tillë: jo rinegocimin, por përplasjen e kokës në Gjykatat Ndërkombëtare. Dhe ato janë vetëm dy të tilla. E para, është Organ Juridik i Kombeve te Bashkuara. Ndodhet në Pallatin e Paqes në Hagë, Holandë. Funksionet e saj themelore janë shqyrtimi i kundërshtive të paraqitura, nga shtetet, për të dhënë opinionin e saj këshillimor mbi çështje ligjore të sjella prej organeve ndërkombëtare të autorizuara apo agjencive, si dhe prej Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në të janë gjykuar më shumë se 20 raste që kanë të bëjnë me ndarjen e kufijve detarë midis shteteve. E dyta, është gjykata e Hamburgut, e cila është një forum qendror i themeluar prej Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit si një njësi që shqyrton në kushte paqësore të gjithë kundërshtitë që kanë të bëjnë me palët të cilat ndajnë Shelfin Detar dhe që nuk bien dakord për këtë ndarje. Autoriteti i kësaj Gjykate përfshin të gjithë kundërshtitë dhe të gjithë kërkesat e paraqitura tek ajo, në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit, si dhe gjithë çështjet e veçanta që kanë lidhje me kërkesën për këshillim juridik në këtë Gjykatë. Këto çështje përfshijnë konfliktet që janë krijuar midis shteteve të cilat janë palë dhe që kanë mospërputhje e mospërkim për interpretimin e Ligjit të Detit dhe Implementimin e UNCLOS ( Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit ) Sipas të drejtës ndërkombëtare, kur palët negociojnë për të realizuar një marrëveshje të caktuar për ndarjen e hapësirave detare midis tyre, njëra prej tyre ose të dyja mund t’i drejtohen kësaj Gjykate dhe ajo e shqyrton çështjen brenda dy javësh.

Çfarë ka shkelur pala shqiptare? Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të prillit 2010, shkeljet janë të shumta. Ato nisin që me mungesën e rolit të Presidentit të Republikës në hartimin e kësaj marrëveshjeje – nuk i ishte kërkuar plotfuqishmëria për negociatorët shqiptarë – dhe vazhdojnë me “…moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare mes dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm”, siç shprehet gjykata. Brenda vendimit të saj është dhe “loja” e rëndë që negociatorët shqiptarë në fillim, ish-ministri i jashtëm në vazhdim dhe gjithë deputetët shqiptarë që votuan pro marrëveshjes, i kanë bërë kryeministrit Berisha. Të paktën sipas Gjykatës Kushtetuese, është shkelur dhe urdhri i kryeministrit Berisha për të nisur bisedimet me Athinën për ndarjen e detit. Nuk është respektuar objekti i urdhrit 135, të datës 23 gusht 2007, firmosur nga Berisha që kërkonte ngritjen e “grupit ndërinstitucional të punës për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinjë”, sepse në referim të marrëveshjes tashmë të hedhur poshtë, objekti i saj është shtuar dhe me përcaktimin e “…zonave të tjera që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Por në botën informale shqiptare, kur fajin e kanë elefantët e politikës, normalisht për atë faj duhet të përgjigjet bari nën këmbët e tyre. Vetëm nëse vetë elefantët sillen si gjykatës dhe nuk respektojnë ligjin. Sepse duke mbetur tek “bari”, pozita e negociatorëve të palës shqiptare rëndohet në mënyrë ekstreme. Të paktën nëse zbatohet ligji.

Shërbejnë në shtet, kandidatë për në qeli MAPO konsultoi një grup juristësh dhe asnjëri prej të cilëve nuk pati dilema: “Ka një lidhje të dukshme shkak-pasojë. Shkelja e Kushtetutës, ligji themelor i shtetit të së drejtës, reflekton në Kodin Penal. Duke nisur nga neni 3 i saj që thotë: “Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”. Në këtë rast, “tërësia e territorit”, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është shkelur. E nëse Kushtetuta jep parimin, Kodi Penal dëshmon vazhdimin. Kreu V, i Kodit Penal, krime kundër rendit kushtetues, seksioni i parë, që flet për “Dorëzimin e territorit”, neni 208, thotë: “Dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i territorit një shteti apo një fuqie të huaj, me qëllim për të cënuar pavarësinë dhe integritetin e vendit dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm”. Më tej, Neni 210, i Kodit Penal, për “Marrëveshjet për dorëzim territori” thotë: “Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim pjesërisht apo tërësisht të territorit apo të forcave të armatosura dhe materialeve mbrojtëse, me qëllim për të cënuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet burg”. Por çfarë ka ndodhur me grupin negociator shqiptar. Të gjithë janë gra dhe burra të mirë, profesionistë në fushat e tyre, por që sipas interpretimit të Kushtetutës nga organi i vetëm që e bën një gjë të tillë, Gjykata Kushtetuese dhe sipas referimit të Kodit Penal, rezultojnë se janë subjekt i shkeljes së rëndë të ligjit. Në të kundërt me çfarë duhej të kishte ndodhur me kohë, ata vazhdojnë të qëndrojnë në detyrat e tyre zyrtare, një pjesë e tyre edhe kanë marrë detyra edhe më të larta, njëlloj sikur nuk ka ndodhur asgjë. Dhe jo vetëm ata. Por gjithkush tjetër që ka konsumuar një shkelje të tillë. Duke nisur nga kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili për më shumë, mund të shohë me trishtim se vartësit e tij, ja kanë “hedhur” edhe atij vetë. Një javë më parë zoti Berisha i dha “leje” organeve të drejtësisë që të zbatojnë ligjin… kundër shkelësve të mundshëm të tij. Që do të thotë që drejtësia duhet të nisë të hetojë për akuzat për korrupsion në rradhët e politikës. Rasti i marrëveshjes detare është një tjetër lloj korrupsioni. Jo vetëm financiar. Jo vetëm politik. Jo vetëm moral, por një akt i kryer as më shumë e as më pak, në kushtet e tradhëtisë së lartë ndaj vendit. Në një vend anormal si Shqipëria, “normalisht” zoti Berisha duhet të japë sërish leje që të zbatohet ligji ndaj shkelësve të mundshëm të tij. Normalisht, kryeprokurorja e Republikës Ina Rama duhet të kishte nisur kryesisht hetimin e këtij skandali. Sepse është e detyruar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Dhe nëse ndodh që zonja Ina Rama vendos të zbatojë detyrimin e ligjit, do të ketë në dorë një dosje fare të thjeshtë për hetim: ka një vendim të pakundërshtueshëm të Gjykatës Kushtetuese, ka emrat e fajtorëve dhe referencën në Kodin Penal. Vetëm kështu mund të mbarojë një histori turpi, mëkati dhe shkeljeje të ligjit që turpëron të gjithë. Sepse kjo është një histori që vërtet nis me një të shtënë topi nga bregu në det, por predha e tij mund të shkatërrojë të gjithë institucionet e vendit. Një predhë që për momentin, sapo ka helmuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Republikën e Greqisë, duke krijuar një ngërç krejt të panevojshëm mes Tiranës dhe Athinës. Një predhë që tradhëton emrat e gjithë topçinjve shqiptarë. Që i njohin të gjithë, por nuk i përmend askush.

Nga Revista Mapo

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button