Ribashkim Kombëtar Shqiptar, zgjidhje e vetme e pranueshme për shqiptarët

Për Ribashkimi Kombëtar Shqiptar sot, si asnjëherë më parë, populli shqiptar gjithandej trojeve shqiptare, si edhe në mërgatën shqiptare ka treguar interesim që nëpërmjet të një Unioni mbarëkombëtar shqiptar të jap kontributin për bërjen e Shqipërisë Etnike, pra ajo dëshiron që të bashkohet dhe fuqishëm të artikulojë kërkesën për bërjen e Shqipërisë Etnike.

Ribashkimi Kombëtar Shqiptar e ka vetëm një rrugë, e ajo e ka mbështetjen në Konventën Ndërkombëtare mbi të drejtën e vetëvendosjes së popujve. Në këtë rrafsh si edhe në obligimin që del nga kushtetuta e Shqipërisë Londineze për të drejtat kombëtare shqiptare, na jep të drejtën që këtë të drejtë ta kërkojmë duke shfrytëzuar postulatet më demokratike që njeh bota demokratike. Është e qartë se këtë të drejt nuk mund t’ia ndalim popullit shqiptar, ndonëse kjo gjë sa i përket Kosovës e ka të ndaluar, shih Kushtetutën e Republikës së Kosovës: “3. Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.” (Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Kapitulli I, Dispozitat themelore, Neni 1, paragrafi 3). Edhe pse është një ndalesë e tillë e thënë në Kushtetutën e Kosovës, demokracia nuk ka kufi, ajo prej ditës në ditë transformohet, zhvillohet dhe arrin përparime të ndryshme në të mirë të njerëzimit. Prandaj, kjo e drejt shkon në drejtim të kërkesës mbarëkombëtare shqiptare. Pra, kërkesën e popullit shqiptar duhet pranuar si një çështje që do të kontribuonte paqe të qëndrueshme në rajon si edhe zhvillim jo vetëm në Shqipërinë Etnike, por në gjithë rajonin. Ne të mbledhur në këtë Tribunë duhet ta artikulojmë fuqishëm kërkesën për Ribashkim Kombëtar Shqiptar. Kjo forcë mbarëkombëtare që pritet ta marrë një legjitimitet për veprim në këtë eveniment, duhet t’i përcjellë lidershipit të shteteve siç janë: Shqipëria Londineze, Kosova Historike, ish-Republika e Maqedonisë, Republika e Malit të Zi, Kosova Lindore, Çamëria, Yeni Pazari si edhe trojet tjera deri te Molla e Kuqe, në brendi të Nishit në Serbi, se shqiptarët duan ta jetësojnë amanetin e të parëve tanë për Ribashkim Kombëtar. Kërkesa për Ribashkim Kombëtar tashmë natyrshëm ka gjetur mirëkuptimin në dhjetëra e dhjetëra asociacione dhe individë të ndryshëm në Kosovë. Një organizim të ngjashëm do organizohej edhe në trojet tjera shqiptare si edhe në mërgatën shqiptare, në mënyrë që bashkërisht të bashkëveprojmë drejt sensibilizimit të idesë për Ribashkim Kombëtar. Këtë nismë në këtë formë e kanë mirëpritur hëpërhë 32 asociacione si dhe mbi 70 individë profilesh të ndryshme. Lista me kaq nuk ka përfunduar, ajo është e hapur për të gjithë ata shqiptarë të cilët në venat e tyre qarkullon gjaku shqiptar dhe dëshira për Ribashkim Kombëtar. Nuk është lehtë të organizohesh sot për një punë kaq të madhe, sepse për një punë të tillë nevojiten shumë kushte nga më të ndryshmet. Ja bie fjala për organizimin e kësaj Tribune politiko – diplomatike e shkencore, ne nuk kemi arritur të sigurojmë asnjë lekë nga donatorë të ndryshëm, edhe pse në disa vende kemi trokitur në derën e tyre, zaten edhe për këtë arsye nuk kemi arritur që të bëjmë thirrje nëpërmjet të televizioneve për mbajtjen e kësaj tribune, siç nuk kemi arritur që të shtypim ftesa dhe materiale tjera. Për këtë arsye shumë kush nuk është i informuar për këtë tribunë.

Të vetmen ndihmesë e kemi pasur nga drejtori i Hotelit Grand në Prishtinë, z.Zylqefli Berisha, i cili na e ka dhënë në shfrytëzim këtë sallë të mrekullueshme për ta mbajtur këtë tribunë politiko – diplomatike e shkencore, me ç’rast shfrytëzojë rastin që si anëtarë i këshillit të organizmit të këtij evenimenti t’i falënderohem z.Zylqefli Berishës. Asociacionet qeveritare dhe jo qeveritare si edhe organizma të tjerë që janë mbledhur në këtë eveniment, respektivisht në këtë sallë të mrekullueshme, domosdo, të gjithë neve dhe jo vetëm neve na thërret amaneti shekullor i stërgjyshërve, i gjyshërve, i etërve, respektivisht vëllezërve dhe motrave tanë, heronj dhe veprimtarë tanë të pushkës dhe të penës që flijuan madje edhe jetën për të mirën kombëtare, do të thoja për RIBASHKIM KOMBËTAR SHQIPTAR, respektivisht të Shqipërisë Etnike. Është koha të nderuar pjesëmarrës në këtë eveniment që të rreshtohemi në një Union mbarëkombëtar Shqiptar për bërjen e Shqipërisë Etnike, që kërkesa e sipërpërmendur të jetësohet sa më parë që është e mundshme. Sot, them unë është koha e Ribashkimit Kombëtar Shqiptar, sot, them unë është koha të thuhet haptas, se një Shqipëri Etnike është domosdoshmëri e kohës. Disa nacionalistë të kauzës gjithëkombëtare dinë të thonë se Ribashkimi Kombëtar tashmë ka ndodhur, madje sipas tyre kjo paska ndodhur mu atëherë kur është dëbuar Serbia nga trualli i Kosovës Historike. Për këtë konstatim të tyre ata përdorin disa fakte: fakti që në Shqipërinë Londineze Kosovën Historike dhe anasjelltas mund të shkohet pa pasaportë, fakti që Shqipëria Londineze ia ka dhënë Kosovës Historike një pjesë të detit në shfrytëzim pa kompensim të jep të kuptosh se e ardhmja shqiptarët do t’i gjejë të Ribashkuar natyralisht, pra sipas “tempos së natyrshme” kohë pas kohe (me integrim të natyrshëm). Kështu ngjashëm thonë edhe shumë e shumë nacionalistë të partive, lëvizjeve, shoqatave si edhe individ kalibrash të ndryshëm. “ Mendimi se integrimi shqiptar- shqiptar duhet të shkojë sipas “tempos” kohë pas kohe (me integrim të natyrshëm), nuk i kënaq nacionalistët, madje kjo gjë mund të mos i pëlqejë BE-së, dhe që nesër mund ta pengojë hyrjen e shqiptarëve të Kosovës në truallin e Shqipërisë Londineze pa pasaportë dhe pa viza, ngaqë Shqipëria e sotme, pra Shqipëria Londineze tashmë mund të thuhet se është pjesë e BE-së. Pra, ne duhet filluar qysh tash me marrëveshje të ndryshme me i paraprirë Ribashkimit Kombëtar (lexo: sa më parë) me integrime brendapërbrenda shqiptarëve, dmth;

*duhet të fillojë së pari me planprograme të unifikuara në të gjitha fazat e arsimit,

*së dyti tregtia ndërshtetërore të zhvillohet plotësisht pa pengesa doganore,

*së treti punësimi të rrjedhë natyrshëm pa asnjë problem andej e këndej kufirit shqiptar-shqiptar,

*së katërti sigurimet në paluajtshmëri dhe në jetëra të unifikohet me kushte të njëjta në të gjitha shoqëritë e sigurimeve,

*së pesti çështja e pensioneve të bëhet i harmonizuar dhe i përshtatur në nivel kombëtar, *së gjashti çështja e sigurimeve shëndetësore të bëhet gjithashtu në nivel kombëtar, bie fjala me një recetë të mjekut të mund të merren barnat pa pengesa si andej në Shqipërinë Londineze, ashtu edhe në Kosovën Historike,

*së shtati shqiptarët jashtë Shqipërisë Londineze dhe Kosovës Historike me ligj t’u bëhet e mundur shfrytëzimi i të gjitha të mirave, sikurse shqiptarët që jetojnë e veprojnë në Shqipërinë Londineze, respektivisht në Kosovën Historike e kështu me radhë, derisa të ribëhet SHQIPËRIA ETNIKE. Sigurisht që ka edhe fusha të tjera ku mund të integrohemi menjëherë, çka do të thotë deri në aktin final të Ribashkimit Kombëtar Shqiptar. Pra, nëse ne duam të integrohemi sa më shumë që është e mundur, natyrisht me kusht që menjëherë t’i hyhet procesit të Ribashkimit Kombëtar Shqiptar, ne mund t’ua lehtësojmë shqiptarëve jetën. Të gjitha këto që u përmendën më sipër më duket se fare qartë shihet se kjo rrugë mund të arrihet vetëm me mjete. Mendoj se për Ribashkim Kombëtar ka forma e forma të ndryshme, disa që u përmendën më sipër duhet përkrahur sepse janë të arritshme sot si asnjëherë më parë. Unë i ftoj të gjithë politikanët shqiptar, qofshin ata të Shqipërisë Londineze, qofshin ata të Kosovës Historike, apo ata të viseve tjera shqiptare që të angazhohen për rrugën e Ribashkimit Kombëtar Shqiptar. Ata mund të mos e pranojnë rrugën çfarë unë e kam thënë në këtë shkrim, por kjo mua nuk më shqetëson fare, nëse ata zgjedhin rrugën tjetër drejt Ribashkimit të Kombit, unë ata i përkrahi. E rëndësishme është që ajo të ndodhë. Një është e sigurt se për Ribashkim Kombëtar, tashmë janë prononcuar shumë ekspertë, politikan, analistë, shkencëtarë e njerëz të tjerë të politikës, pendës e kulturës, ndër ta është edhe z.Villiam Voker. Krejt për fund do ta citoja profesor, dr. Mehdi Hyseni: “Për të sendërtuar këtë objektiv dhe aspiratë shekullore historike, kombëtare dhe shtetërore, ka ardhur çasti vendimtar, ai lidhur me këtë ka cituar edhe patriotin, diplomatin tonë të madh Ismail Qemali: “O sot pavarësi të plotë e të bashkuar, o Shqipërinë e humbëm!

Së fundi, për procesin e Ribashkimit Kombëtar, nuk duhet bërë “politikë” njëri-tjetrit lidhur me këtë çështje madhore, duhet angazhur gjithë forcën mendore, politike, diplomatike e shkencore që t’i ndërtojmë vlerat demokratike universale, si dhe Ribashkimin e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.

Kumtesa e lexuar në tribunën politike – diplomatike e shkencore, në hotelin Grand të Prishtinës më 23 nëntor, 2010, nga autori:

Cenë Pushkolli 

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button