Deprecated: stristr(): Non-string needles will be interpreted as strings in the future. Use an explicit chr() call to preserve the current behavior in /var/www/vhosts/zgjohushqiptar.com.al/zgjohushqiptar.al/wp-content/plugins/a2-w3-total-cache/lib/W3/PgCache.php on line 1054
Shqiptarët pa viza, ekstremistët grekë “protestë” në Parlament. | My CMS

Shqiptarët pa viza, ekstremistët grekë “protestë” në Parlament.

E ndërsa shqiptarët po numërojnë mbrapsht për ditën e udhëtimit pa viza, partitë ekstremiste në disa vende të Europës kanë filluar tashmë fushatën kundër vendimit të BE-së. Parlamenti grek është kthyer në arenë debati, të inicuar nga deputetët e partisë së LAOS-it, të cilët i kanë kërkuar shpjegime zyrtare ministrit të Jashtëm se pse nuk tha asnjë fjalë kundër liberalizimit të vizave për Shqipërinë. Shkak për këtë kërkesë të partisë së njohur për qëndrimet antishqiptare është bërë deklarata e krerëve të PDU-së për kujtimin e “Ditës së Gjenocidit” në Igumenicë, në vitin 2011. Gazeta greke “Proinos Logos” ka zbardhur fjalën e kreut të deputetëve të LAOS-it, Ioanis Korandis, në Parlamentin grek, jo vetëm kundër idesë së Partisë për Drejtësi e Unitet për të kujtuar në Greqi gjenocidin, por edhe kundër politikës së Greqisë, që, sipas tij, ka lënë në mëshirë të fatit minoritetin grek në Shqipëri. “Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave të Europës e vendos Greqinë në një parametër shumë të rëndësishëm. Mbajtësve të pasaportave shqiptare u hiqen vizat për hyrjen në vendet e BE-së që nga java e ardhshme, dhe më saktë nga 17 dhjetori. Nga ajo ditë dhe më vonë shteti grek dhe çdo shtet europian nuk do të ketë më fjalën e vet se kush dhe sa shtetas shqiptarë do të mund të hyjnë në vendin e tij. Vlen të theksohet se vendimi në fjalë u mor unanimisht, ndërsa ministri i Jashtëm, z. Drucas, nuk tha asnjë fjalë kundër” – ka thënë Korandis në Parlamentin grek. Më tej, në artikullin e kësaj gazete thuhet se pretendimet e çamëve për gjenocid janë vetëm në fillimet e tyre. “Por sigurisht, qeveria Berisha, e cila ka përfshirë partinë e çamëve në koalicion, do të përpiqet të nxjerrë në pah këtë çështje, duke organizuar të tilla festime. Por ajo që mund të ndodhë është më e rëndë se kaq. Një numër i pakontrolluar shqiptarësh mund të vijnë në Greqi, në mënyrë që të ndjekin këtë manifestim. Ngjarja të cilën çamët duan të zhvillojnë në shtetin grek, sigurisht që nuk ka qëllim tjetër, vetëm e vetëm që të manifestojnë gjenocidin që ata pretendojnë. Sigurisht që kjo gjë ngre një pikëpyetje të madhe në lidhje me “kthimin e pronave”, të cilat ata kanë vite që i kërkojnë, duke arritur kulmin vitin e shkuar gjatë vizitës së zyrtarëve grekë në Shqipëri” – shkruan gazeta greke, duke iu referuar pyetjes së bërë nga ana e deputetit të LAOS-it në Parlament. Ai ka shtuar më tej se Greqia ka lënë në mëshirë të fatit minoritetin grek në Shqipëri dhe kjo gjë do t’i kushtojë shumë shtrenjtë vendit, në vitet e ardhshme. “Sot, në pjesën veriore të Epirit ka ende njerëz që vuajnë terrorizmin e shqiptarëve të armatosur” – është mbyllur fjala e kreut të deputetëve të partisë LAOS, Ioanis Korandis, në Parlamentin grek. Partia LAOS e ekstremit të djathtë, e njohur për qëndrimet e saj antishqiptare, ka 15 deputetë në Parlamentin grek.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button