Pse na urrejnë Grekët?!

Në parakalimin e forcave speciale së ushtrisë greke, gjatë festës kombëtare të Greqisë më 25 mars, një njësit i ushtarëve grekë këndoi këngë dhe demonstroi me thirrje të egra antishqiptare. “Elinas genise, dhen ginese pote, to ima su tha hisume, guruni albane”, që e përkthyer në shqip do të thotë: “Grek lind, nuk bëhesh kurrë, gjakun për ty do derdhim o derr shqiptar”. Faljet dhe shkarkimet, që pasuan treguan se ishin pak për të fshehur histerinë antishqiptare dhe kompleksin e madh të fqinjëve jugore për ekzistencën tonë…
“Një mijë vjet mezi krijojnë shtetin
Në nj’ orë bëhet hi. A mund ta ndezësh vallë
kështu Shkëlqimin e shuar”
Ndoshta, ngushëllimi më i mirë për ta do të ishin bash këto vargje të George Gordon Bajronit, për rënien e Greqisë. Askush si ai në historinë e dy vendeve nuk ka shkruar me aq dashuri për shqiptarët dhe grekët, për historinë dhe mrekullinë e tyre. I shoqëruar deri në fund nga shqiptarët, ai do jepte shpirtin për kauzën e madhe greke, ashtu si dhjetëra e qindra arvanitas, që tash nuk i dihet dhe u është harruar emri. Të dy vendet e kanë vendosur poetin në Panteon, ndërsa kokën e njëra-tjetrës në karamanjollë. Pak segmentet e historisë, që janë të mbushura me respekt për njëra-tjetrën, shpejt mbulohen nga hapësira e gjatë e urrejtjes. Ku veçanërisht ajo e palës greke ka qenë e pamat. Tek ata, është fshirë kujtimi i dhuratës së mirë, që shqiptarët i bënë pavarësisë së tyre: Miaulis, Xhavellën, Marko Boçarin dhe detaren trime Laskarina Bubulina. Honore de Balzak duke shfrytëzuar një emigrante shqiptare do të shkruajë një histori të mrekullueshme për shqiptarët, që japin gjithçka për fqinjët e tyre. Në histori ka mbetur një episod sesi gjatë betejës së Dardaneleve, admirali Kundurioti jep papritmas një komandë arbërisht. Kur e pyesin pse përdor atë gjuhë, ai përgjigjet lakonikisht .”Nga entuziazmi”. Arvanitas Kundurioti nuk mbaron këtu. Në një rast tjetër mëson se oficerët i pengonin arvanitasit të flisnin në gjuhën e tyre: “Ai i thirri që nga sipër “A kuvendoni shqip, more?” Marinarët u shtangën. Më në fund njëri prej tyre i përgjigjet: “Kuvendojmë nga pak admiral”. Atëherë Kundurioti i tërheq vëmendjen: “Vazhdoni e kuvendoni shqip, sepse ne jemi ata që e çliruam Greqinë”….

Para L2B
Si u shpërblyen ata që e çliruan Greqinë
Vitet do të kalonin dhe pavarësisht nga deklaratat për asnjanësi në Luftën ballkanike flota greke më 4 dhjetor 1912, vetëm pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së shqiptarëve bombardoi qytetin e pafortifikuar të Vlorës dhe zbarkoi trupat e saj në Sazan. Në lindje, me sulmin që i bëjnë tërheqjes së forcave turke, nuk i kursejnë civilët shqiptarë. Pak javë më parë, ndodh Marshimi për të pushtuar Epirin, më 5 tetor 1912. Organizatat greke deklarojnë bashkimin e forcave ballkanike për të mbrojtur territoret nga faktori shqiptar që kërkonte pavarësinë. Veç ushtrisë organizojnë banda të armatosura që qarkullonin lirisht fshatrave myslimanë të Çamërisë. Në Konferencën e Ambasadorëve, Londër, më 20 dhjetor 1912, diplomatët Grekë e nxjerrin hapur mllefin. “Është e pamundur të lejohen shqiptarët barbarë të jetojnë të pavarur në djepin e qytetërimit grek”.
Ky ishte qëndrimi i delegacionit grek në Londër. Tre muaj më vonë ndodh Masakra e udhëheqjes së Çamërisë, pikërisht , më 7 mars 1913. Gjenerali Deli Janaqis thërret në një takim krerët qyteteve dhe fshatrave të Çamërisë për të bërë një marrëveshje. Çamët nuk pranojnë. Përgjigja është makabre: urdhërohet vrasja e 62 kryetarëve çamë dhe dy prej tyre, Fuat Pronjo dhe Suhbi Bej Dino, me urdhër të gjeneralit rripen të gjallë. Në këtë muaj, të gjashtë ambasadorët e Fuqive të Mëdha të kohës japin një zgjidhje të frikshme për kufijtë shqiptarë. Veç Veriut që u la në pjesën më të madhe jashtë truallit shqiptar mbetet i cunguar dhe Jugu. Grekët ngulin këmbë që popullsia e “Vorioepirit” meqë kishte besimin ortodoks grek, ishte rrjedhimisht me kombësi greke. Gjithçka i referohet një ngjarje të vitit 1908, kur Shqipëria e Jugut e quajtur “Vorioepir” prej grekëve dërgoi përfaqësuesit e vet në Parlamentin e parë të Perandorisë Osmane dhe nga tetë deputetët e saj, gjashtë ishin shqiptarë dhe dy greqishtfolës…Në verën e këtij viti, Zografos, ministri i jashtëm i Greqisë, atëherë guvernator i Janinës, gjatë një darke që jepte për shqiptarët e shquar të Janinës dhe të rretheve të tjera, përveç mjaft fjalëve plot butësi evangjelike, la të shqiptoheshin nga goja e tij auguste këto fjalë të një “mirësie” të përjetshme: “Mos krijoni iluzione: edhe nëse do të jemi të shtrënguar të braktisim Epirin, ne nuk do të lemë veçse tokën, gjithçka mbi dhe do të rrafshohet”, citohet Mit’hat Frashëri tek “Çështja e Epirit”…Në histori shfaqen “Andartët”, që janë strukturat ushtarake të përbërë nga kriminelë lufte, dezertorë dhe të burgosur nga burgu i Kretës. Ky batalion kreu masakrat në të gjithë Jugun e Shqipërisë, duke vrarë mijëra gra dhe fëmijë për të spastruar zonën nga shqiptarët. Më 11 gusht 1913, arrihet gjithsesi një zgjidhje ‘kompromisi’. Konferenca e Ambasadorëve i jep Greqisë një pjesë të madhe të tokave shqiptare, ku përfshihej Çamëria e populluar nga myslimanët shqiptarë si edhe Janina, kryeqyteti tradicional i Shqipërisë së Jugut. Z. Bilinski përfaqësuesi austriak, që vjen me Komisionin e Kufirit do ta informonte për strategjinë greke, që synonte ta paraqiste popullsinë korçare si greke. Fëmijëve, kur u hedh karamele, fillojnë e flasin vetëm në shqip. Shqipëria, ndërkohë mbushet me gjak. Nikolica, një fshat me 5600 shtëpi në Korçë u shkatërrua nga grekët më dhjetor 1913. Në Bockë trupa greke vranë më shumë se dyqind vetë, mes tyre gra, fëmijë dhe foshnja. Një i dërguar amerikan e konfirmon dhe tregon sesi në Hormovë, pasi pushtohet- ekzekutohen të gjithë burrat e fshatit, 225 syresh. Pak ditë më vonë, Protokolli i Firences më 17 dhjetor 1913 preçizon në një dokument kufijtë e sotëm mes Greqisë dhe Shqipërisë. Greqia nuk e njohu këtë protokoll, duke pretenduar se ngelej jashtë trungut helen “Epiri i Veriut”, me disa dhjetëra mijëra minoritarë. Në fakt, përpjesëtimi është i frikshëm. Janë rreth 38 mijë minoritarë, ndërsa në Janinë dhe krahinat e tjera ngelën me Greqinë rreth 500 mijë shqiptarë në qytetet e Filatit, Paramithisë; Margëlliçit, Pargës, Gumenicës e Prevezës. Sipas kronikave të kohës, 40 mijë ushtarë grekë kryejnë masakra të pashembullta në qytetet e Gjirokastrës, Korçës e Përmetit. Dy muaj më vonë, shkurt 1914 masakrat greke shtrihen tejet “Vorio Epirit”. Në Kuqar të Përmetit ushtria greke ther gjithë fëmijët, ndërsa burrat i mbylli në kishën e Kosinës ku i vrau në mënyrë barbare. Po ashtu dhe në fshatin Peshtan ku një kronikë e kohës shkruan. “Foshnjat ulërinin duke kërkuar prindërit. Ushtarët i mblodhën dhe i çuan në një shtëpi ku ish një pus e ku i merrnin me radhë e u prisnin kokat dhe i hidhnin brenda. Ndërkohë gratë i mblodhën në Delvinë dhe pasi i përdhunuan i vranë me bajoneta”. Por, s’mbaron këtu. I vjen koha tragjedisë së Kodrës. Grekët i ftuan të gjithë fshatarët, burrat, gratë dhe fëmijët, të mblidheshin në kishë. Me tu mbledhur këta, gjithsej 230 vetë, oficerët grekë u dhanë urdhër ushtarëve të qëllonin mbi ta me mitralozë. U vranë të gjithë. Kokat ua prenë dhe ua varën në muret e kishës. Gjeneral De Veeri i misionit holandez është njeriu që i preku vetë mizoritë. Raporti i tij dërguar Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit thotë: “Në jug të fshatit të Kodrës gjeta një kishë të vogël. Që padyshim se do ishte përdorur si burg. Muret e brendshme dhe dyshemeje ishin tëlara me gjak; kudo kishte kësula dhe rroba të mbytura me gjak. Doktori, pjesëtar i komisionit të Hetimeve, pa me sytë e vet tru njerëzor…Në altar gjeti një zemër e cila kullonte ende gjak…U zhvarrosën 195 trupa, pasi gropa ku ishin futur ishte e cekët dhe i varrosën në varre më të thellë, të gjitha trupat ishin pa kokë”.
Gazetari amerikan Uilliam U. Houard, që kishte shërbyer në kolegjiumin e Xhozef Pulicer dhe që ka udhëtuar shumë në botë, do të shkruajë: “Qinani është vetëm 5 kilometra larg Ersekës dhe u sulmua nga ushtarak grekë më 2 maj 1914. Të gjitha shtëpitë, përveç njërës u shkatërruan me zjarr e me dinamit. Ditën e tretë të majit, një trupë e vogël vullnetarësh shqiptarë, e kryesuar nga Harold Sherud Spenser, një vullnetar amerikan në shtabin e Princ Vidit rrethuan fshatin dhe u përleshën me forcat greke. Në të vetmen shtëpi të fshatit, që ishte në këmbë, Spenseri gjeti trupat lakuriq të pesë grave të reja, që ishin mbytur dhe përdhunuar nga ushtarët grekë…Një grua e vjetër i ka thënë se grekët e kishin përdhunuar 27 herë!. Gratë e reja kishin luftuar por në fund grekët i kishin mundur dhe u kishin përdhunuar kufomat…”. Për të justifikuar këtë batërdi, në Nëntor të vitit 1914, ish-ministri i Jashtëm grek, Nikollaq Zografi, së bashku me një grup ish-ministrash të tjerë, krijon qeverinë e Vorio Epirit në Gjirokastër. Andartët izolojnë Gjirokastrën, Përmetin dhe Korçën. ‘De jure’ nuk njihet nga Greqia, kurse ‘de facto’ ndihet me ushqime dhe me armë. Kisha greke është argumenti më ndihës i kësaj politike. Stahi Melani, predikues i kishës ortodokse shqiptare të Southbridges Massucustes humb jetën më 24 dhjetor 1918, pasi gjatë vizitës së tij në Shqipëri kremtoi një meshë në gjuhën shqipe…Vrasësit i prenë kokën që të tregonin se duhej marrë shpërblimi… Konferenca e Londrës dhe ndarja e territoreve shqiptare nuk e kënaqën oreksin grek. Në Konferencën e Paqes fill pas Luftës së Madhe, kryeministri Venizelos kërkon aneksimin e Shqipërisë, sepse shqiptarët s’bëjnë dot qeveri. “Shtetasit grekë në Shqipëri duhet të drejtohen nga qytetërimi i lartë që përfaqëson shteti helen dhe jo nga shqiptarët të cilët nuk kanë asnjë qytetërim”. Katër vjet më vonë, në Traktatin e Lozanës nënshkruar me 1923, ku parashikohet shkëmbimi i popullsive greke dhe turke, Greqia e shfrytëzon për të përcjellë jashtë vendit rreth 6800 çamë me argumentin se ishin myslimanë turq. Në të njëjtin vit, vritet më 23 gusht i deleguari i Konferencës së Ambasadorëve, Gjeneral Tellini. Ai ishte akuzuar nga qeveria greke se po mbështeste pretendimet e Shqipërisë dhe u vra pikërisht në ditën që po vendoseshin piramidat kufitare në Kakavijë. Kryeministri Fan Noli në një seancë për Shqipërinë denoncon hapur masakrat e ushtarëve grekë në jug të vendit. Ai kërkoi që të mos kryhej ndërrimi i popullsisë dhe çamët të mos silleshin në Shqipëri, pasi nuk kishte vend ku të sistemoheshin. E vetmja zgjidhje, iu thotë Noli, “është që çamët të vendosen në tokat e minoritetit grek në Gjirokastër dhe këta të fundi të shkojnë në Greqi”.
Ka një qetësi relative, por kjo zgjat deri më nëntor të vitit 1940, kur Greqia shpall Ligjin e Luftës më 10 nëntor 1940, gjatë luftës Italo-Greke. Me kalimin e viteve ligji plotësohet me amendamente, që kishin të bënin me pronat e çamëve, të cilat kapnin vlerën e 350 milionë dollarëve. Ky ligj u bllokon pronën gjithë personave grekë me kombësi shqiptare, duke përjashtuar në këtë mënyrë komunitetin çam. Pas humbjes italiane, ushtria greke fillon të përparojë në Jug të Shqipërisë dhe shpejt Korça, Saranda dhe Himara ranë në duart e ushtrisë greke. Gjeneralët i cilësuan këto zona si greke dhe filluan ndëshkimin e popullatës vendase. Ushtria greke vrau në Çamëri 4300 njerëz, rezultojnë të zhdukur 3500 njerëz, u dogjën 102 fshatra, u shkatërruan plotësisht 57 fshatra si dhe 7280 shtëpi. Kronikat përmendin se shumica e njerëzve u ekzekutuan, por pati masakra kolektive ku fëmijët dhe gratë u therën me thika, u dogjën, madje dhe veprime makabre si djegie dhe rrjepje të gjallë të njerëzve. Ende sot grekët pretendojnë se kanë ekzekutuar bashkëpunëtorët e italianëve, por nuk kanë kërkuar falje për asgjë. Kulmin e patën me bashkëpunëtorin e njohur të gjermanëve Napolon Zervës, që më 25 qershor 1944 ekzekutoi 2000 çamë brenda një nate në qytetin Paramithia. Viktimat ishin kryesisht gra dhe fëmijë, të cilët u therën me thika dhe u dogjën.

Pas lufte
Edhe pse të dy vendet u rrënuan, Greqia nuk rreshti nga incidentet. Ajo kërkoi kufijtë më Paris 1946 dhe duke shpresuar në ndihmën e SHBA-së e anglezëve, kërkuan gjithçka. Në 12 shkurt ministri i Jashtëm grek i dërgoi një letër në OKB, ku argumentonte se çështja e Shqipërisë nuk duhet të diskutohet, pasi Greqia është ende në gjendje lufte me të dhe Shqipëria nuk ka plotësuar të drejtat e minoritetit. Grekët e akuzojnë Shqipërinë dhe politika e tyre diplomatike e vendos Shqipërinë në një pozicion të vështirë në Konferencën e Paqes, për të mos qenë në koalicionin anti-fashist. Shqiptarët akuzohen se kishin bashkëpunuar me Italinë në luftën Italo-Greke. Më 20 shkurt 1948, një zyrtar grek deklaron në radion e Athinës se: “Tani duhet të mbarojmë punë me Shqipërinë. Greqia tani duhet të luftojë me të gjitha mjetet, gjer në frymën e fundit. Sinjali u dha tani në Epir, ku ushtarët tanë janë duke luftuar me parullat, Morava, Korça, Delvina, Saranda, Gjirokastra të “Vorio-Epirit” ende të paçliruara. Duhet të mbarojmë hesapet me Shqipërinë”. Por, grekët se kanë aq të lehtë. Lufta civile në Greqi e dërrmon fare vendin dhe ajo i sjell shumë andralla dhe Shqipërisë. Qeveria greke vazhdon të akuzojë shtetin shqiptar se ndihmon partizanët kundër ushtrisë demokratike greke. Gjatë kësaj kohe hidhen parulla, libra e broshura të ndryshme që bënin thirrje kundër qeverisë shqiptare. Ndërkohë, robërit grekë pranojnë se komandantët bënin propagandë anti-shqiptare, duke përmendur Vorio Epirin dhe krijonin mes radhëve të ushtarëve psikozën e një sulmi të shpejtë kundër territorit shqiptar. Por, Shqipëria ka ndryshuar: Ajo vendosi shumë forca në kufirin greko-shqiptar dhe në bilancin e një lufte të pashpallur, gusht 1949, referuar komunikatave të Ministrisë Mbrojtjes që do dalin në dritë në vitet 1950, nga rreth 49 provokacionet e ushtrisë greke në kufirin jugor të Shqipërisë mbetën të vrarë 29 ushtarë dhe oficerë të ushtrisë tonë. Nuk përmenden civilët e paarmatosur. Kurse, nga të dhënat që mbledhin forcat shqiptare thuhet se i kanë shkaktuar ushtrisë greke mbi 300 të vrarë dhe 500 të plagosur, ndërsa 270 të tjerë u kapën robër. Greqia nuk e gëlltit lehtë. Në një memorandum të Ministrisë së Jashtme greke, të 7 gushtit 1952, depozituar në arkivat e Departamentit Amerikan të Shtetit, është një kërkesë e qeverisë greke, ku parashtrohet ndarja e Shqipërisë. Greqia kërkon “ok” për të rrëzuar regjimin komunist dhe më tej synohej ndarja e Shqipërisë. Pjesa e jugut deri në Shkumbin, sipas “Megali Idesë” (e hedhur nga ministri grek Venizellos që në vitin 1919), i takonte Greqisë, ndërsa veriu Jugosllavisë. Varianti tjetër bën me dije një protektorat ndërkombëtar mbi Shqipërinë. Grekët punojnë në sistem por situata në vendin e tyre nuk i favorizon këto plane, që bëhen gjithnjë e më shumë utopike. Kryeministri grek Kostandin Micotaqis tregon sesi në vitet ‘80 ekziston një Fond i Ministrisë së Jashtme greke për shqiptarët, që u shpërndahet mediave për të ndryshuar raportimin e lajmeve mbi realitetin shqiptar. Por edhe ato që flasin për idetë nacionaliste shqiptare, jashtë vendit për idenë e Shqipërisë së Madhe. Shtatë vjet më vonë, më 1987 Parlamenti grek lë në fuqi Ligjin e Luftës, që qeveria e Papandreut ia propozon Parlamentit Helen ta nxjerrë jashtë përdorimit. Kjo nismë që bëhet në momentin më oportun nga një kryeministër shumë autoritar, s’ia arrin qëllimit të saj. Presidenti i asaj kohe deklaron se edhe nëse ky ligj abrogohet nga Parlamenti, Presidenti nuk ka asnjë ndikim mbi të pasi ai është dekretuar nga mbreti dhe Presidenti i Republikës është një autoritet shumë i ndryshëm nga ai i mbretit.

Pas viteve ‘90
Shqiptarët do e shpërthejnë kufirin dhe në drejtim të vendit fqinj do të strehohen me qindra mijëra syresh, në kërkim të ekzistencës. Presioni grek ka kohë që është fashitur deri sa ndodh incidenti me priftin grek, në Tiranë, më 28 qershor 1993. Ky shënon në vitet e pas diktaturës rifillimin e incidenteve të rënda me Greqinë. Prifti grek Kristostomu Maidonis u shpall persona “non grata” dhe u dëbua nga Shqipëria. Një muaj më vonë del në skenë Plani i Micotaqisit, më 14 korrik 1993 për jugun e Shqipërisë të përbërë nga 6 pika. Plani ishte hartuar nga këshilltari i tij, Nikolas Gejxh. Në dokument kërkohej që Shqipëria të përmbushte të drejtat e grekëve etnikë me banim në Shqipëri, të pranonte rikthimin pa kushte të priftit, të hapte shkolla greke në Shqipëri edhe jo vetëm në zonën minoritare, të regjistronte popullsinë si Epiri, të merrte të njëjtin status që do të merrte Kosova. Ajo që i vë vulën e keqe marrëdhënieve është Masakra e Peshkëpisë. Ajo ndodh më 10 prill 1994-në orën 02:40, kur një komando greke prej 8 personash me uniforma të ushtrisë greke hynë në territorin shqiptar, në afërsi të fshatit Peshkëpi pranë një reparti ushtarak. Vrasin dhe në fund lënë mesazhin:”Këto i keni për Vorio Epirin”. Gazeta “Elefterotipia” nxjerr lajmin se vrasja është marrë përsipër nga grupi terrorist “MAVI” (Fronti për Çlirimin e Epirit”. Ky grup financohet nga Nikolas Gejxh. Sikur të mos mjaftojë kjo, Greqia në shenjë demonstrimi force bllokon 35 milionë eku, më qershor të vitit 1994 si reagim. Pas kësaj, mes të dy vendeve do të regjistrohen incidente të një pas njëshme. Por, ndërsa pala shqiptare është kokulur për shkak të 400,000 refugjatëve të saj, grekët janë të pamëshirshëm. Pas çdo incidenti, ndaj shqiptarëve arrijnë Operacionet “Fshesa”, që do të thotë arrestime në masë të policisë greke, disa herë në dhjetëra mijëra dhe kthimi i tyre në Shqipëri. Në vitet `94-`95 pati rreth 4 operacione të tilla ku shqiptarët trajtoheshin në kushte çnjerëzore. Demonstrimi i forcës arrin kulmin në Himarë më 23 shkurt 1997, kur disa persona të panjohur ngritën në qendër të qytetit flamurin grek dhe zëvendëministri i Jashtëm grek vjen në këtë qytet pa asnjë lloj lajmërimi protokollar. Sërish ka vite fashitje të inateve, derisa pak vite më parë, incidentet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë arrijnë sërish në zenit. Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, anulon në momentin e fundit takimin me homologun shqiptar Alfred Moisiu, në Sarandë, sepse protestues të Shoqatës Çamëria kishin vendosur parulla dhe thërrisnin për të drejtat e tyre…Epilogu i përket pak ditëve më parë, të marsit 2010, kur njësia speciale e marinës greke në një demonstrim këndonte këngë kundër shqiptarëve…Urrejtja s’ka marrë fund dhe me sa duket nuk do të marrë fund kaq lehtë.

Për ironi të fatit, ndërtesa ku ishte vendosur “Portreti i një Fisniku me veshje shqiptare” (Bajronit) ka qenë shtëpia e Elefterios Venizellosit, krijuesit të “Megali Ideas”, armikut të kahershëm të shqiptarëve. E blerë në vitin 1936 pas vdekjes së Venizellosit nga qeveria britanike, ndërtesa në rrugën Loukianou 2, ka shërbyer që atëherë si ambasadë britanike në Athinë…
Materialet u konsultuan nga “Shqiptarët” e Edwin Jacques, “Çështja e Epirit” e Mit’hat Frashërit dhe Forumi “Lidhja Çame”


loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button