Deprecated: stristr(): Non-string needles will be interpreted as strings in the future. Use an explicit chr() call to preserve the current behavior in /var/www/vhosts/zgjohushqiptar.com.al/zgjohushqiptar.al/wp-content/plugins/a2-w3-total-cache/lib/W3/PgCache.php on line 1054
Janë kopukë, janë zabërhanë, shesin t'anë, shesin vatanë ! | My CMS

Janë kopukë, janë zabërhanë, shesin t'anë, shesin vatanë !

Bashkimi  i  trojeve  shqiptare,  proçes  i  pa  shmangshëm !

          Kemi mbaruar të tërë, po qe se secili mendon për vete dhe jo për kombin – thoshte  Marin Barleti.

          Mendjendriturit tanë të Rinindjes Kombëtare, Sami Frashëri dhe Ismail Qemali,  ëndërronin një Shqipëri me gjithë trojet e bashkuara,  siç duhet të jetë në të vërtetë, me mbi 60 mijë km katrore dhe më një popullsi mbi 7 milion banorë.     
Kjo hapësirë e trojeve etnike shqiptare, llogaritet brenda pesëkëndëshit Ulqin,  Kosovë Veriore,  Pershevë,  Strugë,  Prevezë.

          Sipas tyre,  kështu Shqipëria do të kishte kushte të mjaftueshme për begati ekonomike, përparim shoqëror e qëndrushmëri politike, brenda vetes së vet, por edhe do të ishte një vend që,  sigurisht,  do rrezatonte  stabilitet  në  Ballkan.      
Poeti ynë i madh, Lasgush Poradeci, pat thënë ” Do të vijë një ditë,  kur do të vemi në dasëm e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën “.

          Ndërsa, Padër Anton Arapi, thoshte ” Bashkimin e shqiptarëve ta bajmë monument kombëtar “.

          Për disa politikanë dhe politika shqiptare, sot, të flasë dikush kështu, ose është çmenduri, ose radikalizëm.  Dhe, si të tillë,  ata që mendojnë për bashkim të trojeve shqiptare,  janë  radikalë,  spiunë serbë,  antikombëtarë,  përçarës të çështjes  kombëtare,  etj,  etj.

          Kështu thuhet. Edhe pse ka plot mjete dhe instrumente juridiko-diplomatike, që përcaktojnë të drejtën e kombeve për vetëvendosje, siç janë Karta e Kombeve të Bashkuara e vitit 1945, Rezoluta 1514 e Asamblesë së Përgjithëshme të OKB e vitit 1960,  Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile  dhe  Politike  e  vitit  1966,  Rezoluta  e  OKB-së  nr. 2625  e  vitit  1970,  e njohur  si  Deklarata  e  Marrëdhënieve  Miqësore,  Akti  final  i  Helsinkit  i  vitit 1975, karta e Parisit e vititi 1990, etj. Në shumicën e këtyre dokumenteve theksohet dhe përcaktohet qartë e drejta e vetëvendosjes së kombeve, por edhe  njohja  e  ndryshimit  të  kufijve.

          Akti  final  i  Helsinkit  është  instrumenti  themelor  në  Kuadrin  e Organizatës  për  Sigurimin  dhe  Bashkëpunimin  Evropian ( OSBE ).  Parimi  VIII  i  këtij  akti  thotë:  ” të gjithë popujt,  gjithmonë  kanë  të  drejtën  që  në  liri  të plotë dhe në kohën e në mënyrën që ata dëshirojnë,  të përcaktojnë statusin e tyre politik të brendshëm dhe të jashtëm “.  Kjo dispozitë e këtij dokumenti tregon  se  parashikohet  një  shkallë  e  lartë  e  së  drejtës  së  vetëvendosjes.

          Po kështu,  edhe Karta e Parisit për një Evropë të Re e vitit 1990,  përcakton  dhe  madje  e  avancon  edhe  më  tej  këtë  të  drejtë  të  popujve.

           Është imperativ i kohës sot, të njihen mirë këto dokumente të rëndësishëm dhe tjerë që nuk i përmendëm,  sepse  do  të  gjejmë  argumente  të  fuqishëm në  të  mirën  e  çështjes  tonë  madhore,  të  përcaktuar  nga  vetë  ata që aktualisht, ne shqiptarëve na rekomandojnë të bëjmë jetën tonë copa copa,  kështu  siç  jemi,  të  ndarë  në  pesë  shtete.

          Edhe pse disa ambasadorë e coptuan në Londër në fillimin e shekullit,  elita  shqiptare  nuk  e  përfilli  këtë  ndarje,  por  vazhdoi  me  logjikën  e  bashkimit.  Hasan  Prishtina  u  bë  kryeministër  më  shumë  se  dhjetë  vjet  pas këtij  coptimi.  Bajram  Curri  qe  anëtar  i  qeverisë  së  Nolit.  Po  sot ?  As  që mund  të  mendohet  nga  një  pjesë  e  politikës  tonë.

          Përse pra, na qenka mace e zezë kërkesa për bashkim kombëtar ?  Pse pikërisht  ndodh  kështu,  kur  ne  kemi  gjithë  premisat  optimale  për  të kërkuar  një  gjë  të  tillë ?

          Dikush thotë,  se nuk janë pjekur kushtet e ndërkombëtarëve.  Së pari,  nuk e kuptoj cilët janë kushtet e tyre !  Ç’ lidhje  kanë  ato me  ne,  me problemet  e  zhvillimet  tona  të  brendëshme ?  Jam  i  bindur  se  kushtet  e tyre nuk  përmbushen  asnjëherë.  Ata nuk do të jenë asnjëherë dhe në asnjë rrethanë në favorin tonë.  Historia  shqiptare ka dëshmuar qartë qëllimet e synimet e tyre.

          Mbetet respektimi i mendimit tonë kombëtar, respektimi i elitës shqiptare. Mbetet ndërtimi i platformës tonë nga akademikët. Por edhe kërkohet  respekt  e  ndërgjegje  patriotike  nga   të  gjithë  shqiptarët,  kudo  që janë.

          Ne mbështetemi në energjitë tona, por edhe në dokumentet e sotme ndërkombëtare, se jemi pjesë e kësaj Evrope.  Gjermania nuk qe radikale kur kërkoi dhe e bëri  bashkimin  e  vet.  As  ne  nuk  jemi  kurrë  të  tillë,  pse  kërkojmë  bashkimin   e   trojeve   tona.

          Ne,  shqiptarët,  kemi  një  përçmim  konstant  ndaj  njëri  tjetrit,  e reflektuar  kjo  së  pari  nga  sovranitetet  e huaja  që  kanë  administruar  këtë vend  shekujt  që  ikën.

          Sipas Prof. Aleks Luarasit  ” shqiptarët, duke jetuar në shekuj nën pushtimet e huaja,  e kanë parë vazhdimisht shtetin dhe institucionet e tij me një sy  armiqësor “.

          Kjo do të thotë që vetë komuniteti shqiptar nuk duhet të mos dojë, respektojë e simpatizojë shkencëtarët,  politikanët dhe idetë që pjell vetë.  Ne shqiptarët,  duhet  të  respektojmë  vlerat  dhe  qëllimet  tona  madhore,  siç është  problemi  i  madh  i  bashkimit  të  të  gjithë  shqiptarëve  në  njësi  të  vetme.

          A e kanë patur ndonjëherë në dorë shqiptarët problemin e bashkimit ? Asnjëherë  dhe  në  asnjë  rast !   Me  gjithë  përpjekjet  titanike,  as  në  Rilindjen tonë,  kur  vetëdija  kombëtare  ishte  në  shkallën  më  të  lartë.

          Sot në fakt është situatë tjetër. Por edhe kjo situatë, varet se si menaxhohet  nga  klasa  jonë  intelektuale  dhe  politike.

          Sipas studiuesit arbëresh Fortino Italo Costante ” sot,  më  shumë  se  kurrë,  Shqipëria  po  shkon  në  kërkim  të  identitetit  të  saj.  Ajo  ka  nevojë  të marrë  në  dorë  fatin  e  saj  që,  në të kaluarën,  u  qe  lënë  të  tjerëve “.  Ashtu  ka qenë plotësisht. Por ashtu më duket se është edhe tani.  Nuk kemi një platformë tonën ende. Politika servile shqiptare në përgjithësi, heziton të formulojë  para  botës  brengën  më  të  madhe  të  shqiptarëve.

          Duhet të hartohet nga institucionet tona më të larta shkencore një program strategjik,  afatgjatë – shprehet prof. dr. Agim Vinca – ku do të parashikohen  rrugët  dhe  mundësitë  e  bashkimit   të  shqiptarëve  në  një shtet,  si e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare.  Rolin  kryesor  në   këtë plan duhet ta luajë shteti.  Por  kundër rrjedhës,  individë të veçantë,  por edhe një pjesë e politikës të sotme në Tiranë e Prishtinë,  të etiketon dhe të shikon vëngër nëse dikush flet për shqiptarë  të  bashkuar,  për  troje  të  bashkuara, për një  unifikim  natyror  të  shqiptarëve.

           Ismail Kadare shprehet se ” asnjë doktrinë,  asnjë manipulim apo tregti politike, asnjë trysni shtetesh, lobesh apo organizmash ndërkombëtarë, nuk mund të pengojnë kombin shqiptar të kryejë atë që gjithë kombet e Evropës,  plotësisht  apo  gati  plotësisht,   e  kanë  kryer,   bashkimin  kombëtar  të  tyre “.

          Sipas disa politikanëve të sotëm,  por edhe të disa gazetave tona gjoja kombëtare, Ismail Kadare është radikal, fundamentalist, nxitës i luftrave, ultranacionalist,  që  kërkon  Shqipërinë  e  madhe.

          Ecim  më  tej.  Më së shumti me trajtimin e problemit të bashkimit kombëtar  është  marrë  akademiku  i  nderuar Rexhep Qosja.  Ai diku në trajtesat e tij për këtë problem madhor shprehet “… bashkimi kombëtar -bashkimi i trojeve, në të cilat shqiptarët janë popullatë e vetme,  shumicë në shtetin  amë  me  Shqipërinë  shtetërore,  duhet  të  jetë  synimi  historik  i popullit të ndarë shqiptar “.  Më tej vazhdon mendimin e tij profesori Qose ” Historia  nuk  pushtohet  me  njerëz  të  ndarë  dhe  pa  sakrifica.  Historia ndryshon  dhe  pushtohet  me  njerëz  të  bashkuar  dhe  me  sakrifica.  E bashkimi nuk bën vetëm fuqinë siç është thënë shpesh, por bashkimi bën edhe mençurinë “.  Edhe  professor  Qosja,  sipas  një  pjese të  politikës  së  sotme servile,  është  i  anatemuar,  i  papërfillur,  i pa  respektuar.  Madje  i  kanë ndryshuar  edhe  mbiemrin.  Edhe  kjo  mendje   e ndritur,  duhet  të  konsiderohet  radikal  sipas  konceptit  të  sotëm  të  një  pjese  të politikës shqiptare,   sepse   kërkon   bashkimin,  kërkon  njësimin  e  trojeve  shqiptare.

          Vazhdojmë  me  mendimin  e  Ukshin  Hotit,  një  nga  figurat  më të shquara  në  fushën  e  filozofisë  dhe  politologjisë  tonë  të  re.  ” çdo  analizë, thotë  ai,  në  çfarëdo  aspekti,  në  instance  të  fundit,  nuk  mund  të  mos reduktojë  çështjen  shqiptare  në  nevojën  e  bashkimit  të  trojeve  shqiptare  në  një  shtet  të  vetëm  shqiptar “.  Edhe  intelektuali  ynë  martir  duhet  të  jetë  radikal,  se  kërkon  bashkimin,  kërkon  një  shtet  të  vetëm  shqiptar.

          Për  një  pjesë  të  politikës  së  sotme,  nuk  ka  rëndësi  logjika  e  zhvillimeve shqiptare, nuk kanë rëndësi përpjekjet e akademikëve dhe idealistëve  shqiptarë,  me  rëndësi  është  që  të  respektohen  ato  rekomandime që  jep  bota.  Ajo  nuk  e  do  bashkimin.  Ok.   Edhe ne nuk e duam,  thotë  njëzëri  politika  e  sotme.

          Të gjitha këto tregojnë,  se  ne  nuk  e  kemi  në  dorë  ende  problemin tonë më të madh.  Atë  ia  kemi  lënë  ndërkombëtarëve, ia  kemi  lënë  një Evrope,  institucionet  e  së  cilës  vdiqën  pas  luftës  në  Irak,  por  që  ende  nuk është  bërë  ceremonia  e  varrimit.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button