Marrëdhëniet e “jashtëzakonshme” të Ilir Metës me Serbinë

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, ishte dy ditë më parë në Beograd dhe media zyrtare shqiptare raportoi takimin e tij me presidentin serb Boris Tadiç. Për fat  të keq nuk morëm vesh çfarë i kanë thënë njëri- tjetrit, pasi askush nuk ka mundur të citojë asnjë fjali. Por janë dy gjëra që përfundimisht po bien në sy në sjelljen politike të Ilir Metës.

E para është një raport i tij personal me Serbinë. Nuk dua ta paragjykoj dhe nuk hyj tek njerëzit që kanë paranoja nga raportet me serbët, por kur i gjithë raporti i vendit tim me Serbinë kufizohet vetëm tek raportet e një njeriu, dhe kjo paraqitet për vite të tëra si raport kombëtar, kam të drejtë të jem i shqetësuar. Nëse do kemi raporte normale politike me Serbinë, eja t’i bëjmë. Nëse shkon aty zëvendësministri i jashtëm, le të vijë këtu zëvendësministri i jashtëm. Nëse shkon Ministri i Jashtëm, le të vijë Ministri i Jashtëm. Nëse shkon zv/kryeministri apo presidenti, le të vij zv/kryeministri apo presidenti. Por ajo që po ndodhë qysh nga viti 2002 e deri më sot është se atje po shkon vazhdimisht Ilir Meta, herë si Ministër i Jashtëm, herë si zëvendëskryeministër, e herë si Ministër Ekonomie, dhe nuk është se ka ndonjë reciprocitet në këto marrëdhënie. Pra nuk mund të flasim për marrëdhënie normale shqiptaro- serbe, por për marrëdhënie të jashtëzakonshme mes Ilir Metës dhe Serbisë. Kjo bëhet pastaj një temë e rrezikshme, pasi kemi personalizimin e interesit kombëtar, tek interesat personale të një njeriu. Përfoljet për lidhjet e tij me lobe të biznesit serb, veçanërisht rrjetit të Mishkoviçit, i cili prej vitesh gjendet në Tiranë dhe disa lidhje të reja të biznesit serb me Tiranën, i dedikohen Ilir Metës.
Shitje- blerjet e energjisë elektrike, ku tre nga katër kompanitë janë serbe, dhe udhëtimet e këtij njeriu privatisht sa në Çeki ku është zyra e kompanisë që shpërndan energjinë, aq dhe në Serbi ku janë kompanitë që i blejnë KESH energjinë elektrike, duket se po prodhojnë një sekser serb në qeverinë shqiptare, i cili po përpiqet të mbulojë interesat e tij personale dhe financiare me një lloj modelimi të politikës sonë kombëtare, çka nuk është e vërtetë. Nuk e kam parë në Tiranë, as Jeremiçin, dhe as ndonjë Ministër të Ekonomisë së Serbisë që të besoj tek reciprociteti, dhe është shumë skandaloze që protokolli i mikpritësve në Beograd ndryshon postet e ministrave që pret nga Shqipëria, por jo emrin e tyre. Ai emër është gjithmonë Ilir Meta. Edhe kur ka shkuar aty Ministri i Jashtëm, edhe kur ka shkuar zëvendëskryeministri, edhe kur shkon Ministri i Ekonomisë, është i njëjti emër: Quhet Ilir Meta.

E dyta gjë që bie në sy është koha që ka zgjedhur për vizitën e fundit të tij. Ilir Meta e ka shijuar në Beograd valën më të fortë të sulmit ndërkombëtar që i është bërë Kosovës ndonjë herë. Komentet shpërthyese që pasuan raportin e Dik Martit kanë ndryshuar dukshëm imazhin e botës për Kosovën, dhe e kanë çuar në qiell të shtatë diplomacinë serbe me këtë rast. Kjo i dedikohet më së shumti forcave të moderuara të Serbisë dhe sidomos Boris Tadiçit, i cili ka mundur që me petkun e tij evropian të bëjë aleat Perëndimin kundër Kosovës. Unë nuk e di si e ka shijuar këtë atmosfere serbe të festës kundër Kosovës Ilir Meta, por është e neveritshme ta mendosh se ai ka qenë pikërisht ato ditë në Beograd.

Ministrja e Jashtme e Zvicrës  Micheline Calmy-Rey ka refuzuar pardje një dekorate simbolike mirënjohje nga përfaqësia e Kosovës në Zvicër, me arsyetimin se nuk është kohë e mirë në këtë moment të marrë një dekoratë nga Kosova. Edhe pse Zvicra është një shtet ku kosovarët zënë thuajse vendin e parë nga të huajt e integruar aty, zhurma dhe baltosja që ka shkaktuar raporti i Dik Martit për Kosovën duket se ka bërë të vetën. Dhe Ministri i jashtëm zviceran e ka respektuar këtë frymë dhe këtë valë antishqiptare, duke mos u shfaqur në anën e shqiptarëve. Si është e mundur që zëvendëskryeministri ynë nuk skuqet fare nga kjo zhurmë, por shkon bash në zemër të vendit që ka investuar dhe pritur aq shumë me zgjuarsi dhe durim të vij kjo ditë? Çfarë race diplomati dhe politikani është ky njeri kokëtul, që i erren sytë kur dëgjon kontrata KESH-i dhe firma serbe, dhe s’ka burrë ta ndalë për të udhëtuar e festuar mes Beogradit? Si mund ta marr unë seriozisht pas kësaj patriotizmin e Sali Berishës, Bamir Topit, Jozefina Topallit apo Edi Ramës, që flasin për “raporte të gatuara në kuzhinën e Beogradit”, dhe nuk flasin për zëvendëskryeministrin e tyre që e kanë pas me lugë në brez në mes të kësaj kuzhine?

E ritheksoj se nuk kam paranoja nga raportet me Serbinë dhe është mirë që ato t’i kemi sa më të hapura, transparente dhe të konkurrojmë me ta me dinjitet për problemin e Kosovës. Por kurrsesi nuk duhet të arrijmë në këtë standard degradues, kur politika zyrtare mban një qëndrim tërësisht të vjetër dhe arkaik për një çështje delikate siç është raporti i Dik Martit dhe i jep pikë diplomacisë serbe, kurse një përfaqësues i lartë i këtij shteti, numri 2 i qeverisë, shkon për punë private në Serbi bash në kulmin e situatës paradoksale në Tiranë dhe një kohe të keqe për Kosovën. Ndoshta më e keqja për të qysh nga marsi i vitit 1999.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button