Kryepeshkopi kërkon mbështetje për shpëtimin e fesë së krishterë

Debati Janullatos-Frashëri, shpërndahen formularë në jug të vendit

Në mënyrë gati klandestine, ka nisur të qarkullojë një formular në disa qytete të vendit që kërkon firma në mbështetje të qëndrimit të Kryepeshkopit Janullatos, në debatin e hapur mes tij dhe profesor Kristo Frashëri për Kishën Autoqefale Shqiptare. Ithtarë të Fortlumturisë së tij Janullatos, që mendohet se janë njerëz me veladon, kanë nisur të vihen në lëvizje dhe në kërkim të kësaj mbështetjeje. Për të përmbushur këtë qëllim, në qytetet dhe fshatrat e jugut shqiptar njerëzve u dorëzohet në mënyrë “konfidenciale” dhe në emër të shpëtimit të fesë të krishterë, formulari që duhet të plotësojnë. Misionarë të ortodoksisë, që janë vënë krejtësisht në shërbim të Hirësisë së Tij, Anastas, e kanë ndërmarrë këtë fushatë të mbledhjes së firmave jo vetëm në zona e fshatra që banohen nga popullsi që i përket minoritetit etnik grek, por edhe ortodoksëve shqiptarë. Të gjithëve u kërkohet të shprehen vetëm në versionin se janë në mbështetje të Janullatos. Mësohet se janë bërë qindra e mijëra kopje të formularit, për të përfshirë në këtë mbështetje të kërkuar “nga lart” sa më shumë besimtarë dhe pasues të “autoqefalisë”, që përfaqëson Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastas. Nuk është e rastit që qëllimi i anketimit është rigorozisht i përcaktuar, pasi në kokën e formularit shkruhet qartazi në gjuhën greke dhe shqiptare: “Mbështesim Kryepiskopin Anastas, me mirënjohje dhe besim të palëkundur”. Në të shkruhet se, “në muajt e fundit, disa qarqe, të cilat në vitet e persekutimit të fesë shijonin pozita dhe komoditete dhe që gjatë njëzetë viteve të demokracisë nuk kanë ofruar absolutisht asgjë në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ndërmarrin të shkruajnë, me mënyrën e tyre, historinë e saj dhe të na mësojnë të drejtën kanonike dhe theologjinë e Orthodhoksisë”. Sipas formuluesve të tekstit që është pjesë e formularit, ata (kundërshtarët e Fortlumturisë së Tij Janullatos, duke aluduar për prof. Frashërin), “dalin në përfundime për tema për të cilat nuk janë të specializuar, duke kërkuar gjoja të na mbrojnë nga armiq imagjinarë”. Më tej shkruhet se, “në lidhje me këto çështje që kanë prekur, tashmë kanë marrë përgjigje të sakta dhe me përgjegjësi nga tre tekste të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasit”. Në vijim formula është më se e qartë se, kërkohet mbështetje standarde nga “ortodoksët e bashkuar” në anën e Janullatos, kur shprehen se: “Ne, të krishterët orthodhoksë, që nënshkruajmë, e njohim prej shumë vitesh udhëheqësin tonë shpirtëror, i cili duke pasur njohuri të thellë theologjike dhe vetësakrifikim, e udhëheq Kishën tonë me fjalë gjithmonë paqësore dhe me vepër krijuese. E mbështesim me gjithë shpirt, me mirënjohje dhe besim të palëkundur”. Poshtë këtij teksti vijnë kolonat e veçanta që kërkojnë mbushjen e gjenealiteteve të tilla, si: emri e mbiemri, profesioni, vendbanimi dhe firma. Nuk dihet ende se sa prej formularëve të përgatitur kanë shkuar tek mbështetësit e kërkuar ndaj “udhëheqësit shpirtëror”, Janullatos.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button