Luftë për paqe

Ky është një reportazh i jetuar. Autori mundohet të evokojë kalvarin, si e mban mend dhe pozitën e keqe të shqiptarëve. “Lufta nuk ishte gjë e mirë. Tash në Beograd shikoj lajmet që thonë se sulmet e NATO-së kanë qenë të padrejta. Por, nuk e di si do ndalej terrori ndaj shqiptarëve. Perse heshtën atëherë këta njerëz. E pse heshtim ne gjithmonë?”

Rruga
Oborri i shtëpisë së familjes tonë ishte mbushur plot me njerëz. Fqinjët dhe kushërinjtë e pyesnin babën se çfarë do bëjmë, nga do të nisemi, si mund të dalin. Bombardimet e NATO-s e kishin gjetur lagjen të shpërqendruar. Kisha frikë të shkoja dhe në tualet. Një ambient ku jetonin shumë serb, që nga dje u bën disi të çuditshëm, nuk përshëndeteshim dhe nuk u flisnim më. Kam qenë 14 vjeç. Atëherë në zonën e Pejës ku kam lindur kishte filluar lufta prej kohësh. Në radiot “çlirimtare” dëgjoja se po korrnim fitore, ndërkohë që nga dritarja shikoja njerëzit në radhë të gjata, dëgjoja të shtënat dhe shtëpitë që digjeshin. Kishte radhë për djegie…disi nga koka e qytetit në lagjen Kapeshnica vinte flaka me radhë si valët e detit në drejtimin tonë. Isha zgjuar për dy vjet me radhë në zhurmat e bombave që binin tri kilometra më tej, por luftën direkt nuk e kisha parë. Kishim refugjat, të afërm që kishin ikur tek ne nga vendet tjera. Por, në ato momente nuk mendoja se ç’po ndodhte me të tjerët. Ne planet e mija fëmijërore kisha vetëm një gjë me rëndësi, të dilja pa u vërejtur se jam shqiptar dhe me kujdes. Telefonata e fundit na shqetësoj të gjithëve, fqinjët thanë se po dalin, rezistenca e qëndrimit në shtëpitë që po digjeshin natyrshëm u thye dhe kush pati makina iku. Mbetëm ne! Tani do varej shumë nga të tjerët se si do sillemi. Ve të ziera për ndonjë rrugë dhe pak ujë. Unë kisha marr një bluzë sportive në çantë, një sallam dhe asgjë tjetër. Bluzën e kisha marr për shkak se ajo ka qenë e preferuara e vëllait tim që nuk jetonte aty më. Në fund të rrugës pash radhë të gjata që shkonin çuditshëm disa nga qendra e qytetit, e të tjerët iknin nga qendra.

Palestra dhe frigoriferët
Policët na udhëzuan të shkonim në qendër të qytetit. Aty organizoheshin kamionët dhe frigoriferët që dërgonin njerëz për në Shqipëri. Udhëtimi ishte pa pagesë. Turmë, radhë të gjata, njerëz që shfrytëzonin lidhjet dhe paratë. Uleshim në qendër të qytetit në tokë. Prisnin radhën tjetër. Njerëzit hidheshin si kungujt dhe foshnjat. Një pjesë e ushtarëve dëshironin të na shkelnin atë ditë pas një kohe bombardimesh. Me prindërit isha ndarë dhe kisha ngelur vetëm me motrat. Nuk e dija më nëse kujtimet dhe planet për botën më të mirë do të na bashkonin më. E tërë fëmijëria dhe kujtimet ishin ndarë. Një ushtar i ri serb qante me lot, nuk e dija nëse ai frikësohej nga ne apo nga vetja e tij. Ata natë dëgjonim të shtëna dhe bombardime. Njerëzit thoshin se një pjesë e kamionëve që shkonin goditeshin, meshkujt vriteshin, e femrat përdhunoheshin. Unë vendosa të mos lodhëm më, u ula në rrugë dhe fillova të ndaja sallamin me dorë sepse nuk kisha thikë. Policët erdhën. Mjekra, rrobe, thika, sy të egër. Mund të shkoni në shtëpi thanë ata. E ku të shkonim në tre të natës në kohë lufte! Një çantë, njerëz të lodhur, turma, dalloheshim që jemi shqiptar në qytet. Mund të shkoni në palestër thanë ata. Ajo ishte gati në oborrin e kazermës. Thoshin se NATO-ja do na bombardoj. Njerëzit nxirrnin bocat me gaz, filluan të bënin kafe, qirinj. Zhurmë pëshpëritjesh që të nxirrte veshin. Unë mundohesha të flija i mbështjellë me shallvaret e një gruaja që i kishte tepër, në ulësen ku dikur shikoja ndeshje basketbolli dhe loja në “futboll të vogël”.

Foshnja dhe uji
Një burrë luste një burrë tjetër për dy litra benzinë. Shumica bënin mirë, por ndonjëherë as vëllezërit nuk ndihmonin. Atë mëngjes shpëtuam. Ushtarët nxorën një kamion tjetër dhe askush nuk dëshironte të shkonte më për Shqipëri. Njerëzit të paktën për një ditë kishin gëlltitur frikën e tyre. Ishin lodhur për të vdekur dhe ashtu. Rrugës njerëzit provokonin. Çdo cep policët ndalonin. “Te shitorja Drita” një polic ndaloj ca shqiptar. A do më NATO i tha ai. Ky vend ka qenë famëkeq për policët e komunikacionit që rrihnin keq për kalim shpejtësie shembull. Gjëja më e shtrenjtë është jeta, e njeriu duket se vdes vetëm për liri. Por, tash njerëzit ishin bërë gati të vdisnin dhe nga lodhja. Në rrugë në mes të dy kioskave të stacioni i autobusëve qëndronte një polic. Prapa tij çanta të hedhura sipër njëra-tjetrës dhe një foshnje që qante. Mu duk sikur më shikonte dhe qante prapë. Dëgjova për një burrë të hedhur në përrua të “Çarshia e Gjatë”, për vrasjet sipër qytetit që e kishin më të vështirë të lidheshin me turmat. Në shtëpi prindërit ishin kthyer, kishin mbetur aty. Faje të ndryshme dhe lot. Edhe fqinjët qanin. Ishte ende bajram. Pak ditë më vonë u nisëm prapë në turmat e mëdha. Kryetari i gjykatës tha se po vijnë ata të Arkanit. Ky ishte stili ne nuk kemi çfarë të bëjmë. Fqinjët ishin mobilizuar, por jo për ne, edhe ashtu të mposhturit nuk luftohen. Rruga për në Rozhajë në Mal të Zi llogaritej 48 kilometra. Një gruaje të posa dalë nga spitali ia mbajta foshnjën. Në fshat “M” e “Z” ishin vrarë atë ditë. Ata kanë qenë refugjat te ne dhe ishin kthyer. Njëri 16 e tjetri 23 vjeç. Policët i vranë në rrugë, aty te vendi ku rrinin shpesh dhe bënin plane rinie. Në kolonë policët turreshin me makina. Një kioskë ishte mbushur plot atë ditë. Kisha 20 marka gjermane. Dy ditë pa pirë ujë. I thash se doja një shishe ujë dhe do e paguaja. Me përzuri gruaja në serbisht duke thënë se për ne shqiptarët s’ka ujë. Sa keq u ndjeva për njerëzimin. Isha fëmijë. Disa kilometra më vonë në Vitomericë një serb kishte nxjerrë një tub uji për udhëtarët. U ngopa pa lekë. Gruaja e tij qante në ballkon. Ishin 48 kilometra rrugë të një rrëfimi më së paku të dhimbshëm, për dy javë. Njerëz që kishin vdekur, gjak dhe batanije që fusnin në dhe kufomat për ti marr pas lufte. Kush e dinte sa zgjat e tërë kjo. Këmbët na ishin ngrirë në të ftohtin e Kullës. Një grua më shante se isha ulur sipër burës së saj më turrshi. Një pjesë maleve plot borë. Ikëm në fund. Arritëm në Rozhajë, në një barakë me 48 veta. E më pas tutje.

Kthimi dhe fitorja
Dy muaj më vonë u kthyem. Edhe ashtu na kishin mbaruar paratë për qira. Një autobus sillte njerëz. Fqinji i ri i shtëpisë në Ulqin kishte qenë në Kosovë. Askush se besonte që këta shqiptarët që hanin sallamin e ndarë me duar nuk ishin më solidar. Tregonte se si kishte vjedhur gjëra më kamion. Histori e çuditshme për Kosovën e trishtimit. Tash prapë të mposhturit luftonin të mposhturit. Si poshtërimet e antike. Në Kullë ku kisha ngrirë, pash ushtarët italian që mbanin pupla në helmeta. Më vonë në një kioskë ku rrinte policia në Vitromericë, në hyrje të Pejës, pash ushtarët e UCK-së për herë të parë. Duartrokiti tërë autobusi, edhe unë. Tash pyetem përse i pash atëherë për herë të parë? Rrugët e lagjes ishin mbuluar me bar. Ca që kisha parë në Ulqin kishin qenë në UCK, ndonëse atje i kisha parë. Tërë ata muaj kam shkuar në rivarrime dhe ndërtime shtëpish.
Lufta nuk ishte gjë e mirë. Tash në Beograd shikoj lajmet që thonë se sulmet e NATO-së kanë qenë të padrejta. Por, nuk e di si do ndalej terrori ndaj shqiptarëve. Perse heshtën atëherë këta njerëz. E pse heshtim ne gjithmonë?
Një pjesë e serbëve kanë bërë qejf, të tjerët kanë qenë kundër. Një pjese u duket atraksion. Dhjetë vite pas kësaj ngjarje që nuk ka rëndësi përse ndodhi nëse flitet për jetë njerëzish, dua të kujtoj vetëm viktimat. “M” e “Z”, në rrugën e tyre. E nga serbët nuk dua të kujtoj atë gruan që nuk më shiste ujë, por atë burrin tjetër që më ngopi. Atë ushtarin që qante, e jo atë që na ndoqi. Ne duhet të falim, e jo të harrojmë.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button