Maqedoni, sherr në parlament për regjistrimin e popullsisë

Miratimi i ligjit për regjistrimin e popullsisë u shoqërua me momente tensioni mes deputetëve shqiptarë në parlamentin maqedonas.

Deputetët shqiptarë të opozitës dhe ata të BDI-së në pushtet u fyen dhe gati sa nuk u përleshën fizikisht me njëri-tjetrin, pasi opozita, e konsideroi ligjin si përjashtim të 250 mijë shqiptarëve nga regjistrimi.

Partitë opozitare shqiptare kërkojnë rritjen e afatit të mbajtjes së proçesit dhe rritjen e numrit të shqiptarëve në entin shtetëror të statistikave.

“Duke votuar këtë ligj BDI mohoi regjistrimin e mbi 250 mijë shqiptarëve nënshtetas të Maqedonisë të cilët përkohësisht punojnë dhe jetojnë në Europë dhe në Amerikë”, deklaroi Imer Selmani, kryetar i partisë Demokracia e Re.

Ashpër u deklarua edhe PDSH e cila tha se do të ftojë shqiptarët të bojktojnë proçesin e regjistrimit.

“Nuk u morën parasysh kërkesat e Partisë Demokratike Shqiptare dhe ne ripërsërisim qendrimin tonë se do t’i ftojmë shqiptarët që të bojktohet regjistrimi”, deklaroi deputeti i PDSH, Imer Aliu.

Ndërkohë deputetët e BDI-së në aleancë me kryeministrin Gruevski shprehen se ligji nuk dëmton interesat e askujt.

Në Maqedoni regjistrimi nuk kryet thjesht për statistika pasi në bazë të marrëveshjes së Ohrit, komuniteti që tejkalon 20 përqindëshin fiton të drejta specifike.

Nderkohe pritet qe edhe ne Shqiperi te ndodh procesi i rregjistrimit te popullsise por edhe ketu me nje padrejtesi,ate te deklarimit mbi baza etnike dhe fetare cka bie ne kundershitm me Kushtetuten e Shqiperise.

Back to top button