Shteti le ne harrese historine dhe arkeologjine tone.Bylis,punishtja e zbuluar me fonde private

Gërmimet në Bylis këtë vit u bënë me mbështetjen e të huajve dhe në mënyrë private nga specialistët e arkeologjisë.

Zbulohet e plotë punishtja e verës, dëshmi e antikitetit të vonë për një qytet tregtar. Pranë saj zbulohet një punishte qelqi e shek. II

Një punishte vere e shek. VI, një punishte qelqi e shek. II dhe varri i Terencianit janë rezultatet e fundit të gërmimeve arkeologjike në qytetin antik të Bylisit. Ekspedita e drejtuar nga arkeologu Skënder Muçaj, e cila duhej të zgjaste një muaj u realizua për dy javë sepse Instituti i Arkeologjisë nuk ka dhënë fonde për gërmimet e këtij viti.

Specialistët i kanë hequr vetë shpenzimet e gërmimeve, restaurimit dhe udhëtimit, dhe Muçaj e prek në mënyrë të veçantë këtë situatë.

Gërmimet në një qendër të rëndësishme arkeologjike siç është ajo e Bylisit, bëhen vetëm nëse ofrohen palët e huaja, institutet dhe universitetet që sjellin me vete studentë, specialistë dhe studiues të tyre. Këtë situatë Muçaj e shpjegon kështu:

“Për këtë vit, Instituti i Arkeologjisë nuk ka pasur asnjë buxhet.

Nga viti 2006 deri më 2009-ën, kemi pasur vetëm pagesa punëtorësh, pa dieta për specialistët, për punonjësit dhe pa shpenzime të tjera. Por këto vit, nuk ka as pagesa punëtorësh. Megjithëse, pagesat e planifikuara kanë ardhur në buxhetin e Qendrës së Studimeve Albanologjike, ato nuk janë përdorur.”

Arkeologu tregon se nuk është hera e parë që ndërmerr nisma të tilla vetjake në kufijtë e aventurës. Para pak kohësh, të njëjtën gjë ka bërë edhe për monumentin e 40 shenjtorëve në Sarandë. Edhe kundrejt kësaj kostoje, specialistët ndërhyjnë për të shmangur degradimin e gjendjes në zonat arkeologjike dhe në monumentet që gjenden në to.

Një shqetësim që nuk mund ta ketë një arkeolog i huaj që rri në Shqipëri aq sa zgjat projekti. Specialistëve u duhet t’i konsolidojnë objektet e zbuluara nga gërmimet, pasi vitet e fundit nuk e koordinojnë më punën me Institutin e Monumenteve.

“Ne marrim persona që janë përgatitur nëpër kurset e restaurimit dhe objektet më të rrezikuara i konsolidojmë. Konsoliduam pjesët që duheshin mbrojtur nga monumenti i Terencianit me shpenzimet tona.

Por, ka nevojë për bashkëpunim, ndryshe punët kështu nuk mund të ecin”, vijon më tej arkeologu. Sipas tij, Bylisi ka sipërfaqen më të madhe të gërmuar dhe konkurron vetëm me Butrintin. Por ndryshe nga Butrinti, ka ende punë që të bëhet i vizitueshëm.

Në këtë ekspeditë dyjavore në Bylis, gërmimet u përqendruan te Kompleksi Peshkopal i fundit të shek. IV dhe gjysmës së parë të shek VI, një nga më të mëdhenjtë e gërmuar në Shqipëri. Objektet më të rëndësishme të zbuluara janë punishtja e vajit të ullirit dhe e verës “që jep të dhëna se në antikitetin e vonë, këto kanë qenë qytete zejtarësh dhe tregtarësh”.

Punishtja është zbuluar e plotë dhe nëse do të renditen enët e gjetura gjatë gërmimeve mund të përfytyrohet i gjithë procesi i përpunimit të verës. “Shtypja bëhet në një vaskë të madhe. Shtypej me këmbë, ose me dorë dhe havan. Dihet që vera e shtypur me dorë, prodhohej për dikë që kishte vlera më të mëdha se të tjerët në shoqëri. Kurse tjetra për t’u pirë dhe për t’u tregtuar.

Nga vaska ku mblidhej, mushti kalonte në disa pitos-a, që i kemi gjetur të plotë, dhe pastaj kalonte nëpër vaska të mëdha. Kjo punishte ka tri të tilla që komunikojnë me njëra-tjetrën.

Pastaj kalonin në magazinat përkatëse, në enë të tjera, nga të cilat ne kemi gjetur rreth 25 pitosa, që janë afërsisht mbi 200 litra njëri”,e tregon hap pas hapi arkeologu procesin.

Nga punishtja e vajit të ullirit, e pazbuluar plotësisht, janë gjetur vatrat e zjarrit dhe mbeturinat e ullirit dhe mokrën ku bluhej ulliri.

Muçaj thotë se procesi i dekantimit, i vjetërimit dhe i përpunimit është i njëjtë edhe në ditët e sotme, veçse mjetet
ndryshojnë. “Në Shqipëri deri në fund të shek. XIX, nuk kishte familje që të mos kishte enë të trashëguara të verës.

Në shek. XX, kjo traditë nuk u ndoq më sepse pas reformës së Tanzimatit paguanin taksa për çdo pemë. Deri vonë nëpër shtëpia është ndjekur edhe tradita e vajit të këmbëve.”

Tjetër objekt i zbuluar këtë vit është monumenti i Terencianit. Gërmimet kanë qenë më komplekse dhe objektet e zbuluara janë të periudhave të ndryshme të lashtësisë. “Kemi gjetur material që lidhet me të gjitha periudhat.

Objekte prej balte, terrakota, pjesë prej bronzi, argjendi, punime prej kocke, që nga gjilpërat tek enët e kockës dhe me radhë. Por më interesante janë dy piedestalet dhe dy skulpturat e vendosura mbi to, shtatet e djemve të Terencianit.

Nga pozicioni i tyre duket që janë të shek. II.” Gërmimet ende nuk kanë përfunduar në këtë monument.

Po këtu u gjend edhe punishtja e përpunimit të qelqit, që i takon viteve ’80-‘150 pas Krishtit, në të njëjtën kohë me ndërtimin e monumentit të Terencianit.

Gjurmë të ekzistencës së saj, janë disa lingota (enë të veçanta ku bëhej shkrirja), që nuk janë prodhuar në Shqipëri. “Ato prodhoheshin në vende ku kishte material të gatshëm për prodhimin e qelqit.

Zakonisht në zonën e Azizë së Vogël dhe eksportoheshin, importoheshin në vendet ku përpunohej qelqi.” Arkeologu kujton se ky është rasti i tretë i zbulimit të enëve të tilla për shkrirjen e qelqit. Dy janë gjetur në Slloveni dhe tjetra në Francë. Në shek. I-II, Bylisi prodhonte qelqin për nevojat e tij, ose edhe për eksport.

Back to top button