ZGJOHUNI !!! Minoritetet, tehu i mprehtë i abuzimit

Pse Shqipëria vazhdon të vuajë temën e nxehtë të minoriteteve? Sa pakica etnike, gjuhësore, fetare e kulturore ka në vendin tonë? Faqa jonë ka pasur gjithmonë qëllim të informoje cdo shqiptar për cdo padrejtësi dhe të fshehte që i bëhet dhe i janë bërë Shqipërisë,po dhe në këtë rast do të mundohemi të hedhim dritë në këtë lëmsh të ngatërruar plot histori, politikë dhe interesa jashtëshqiptare

Shumë banorë të Republikës së Maqedonisë u ankuan, kur në Shkup, në një nga lagjet e banuara me shumicë nga shqiptarët, u vendos ekuestri i Skënderbeut, heroit tonë kombëtar. “Mos u mërzisni, -thonë se është përgjigjur me diplomaci, presidenti maqedon Crvenskovski,-edhe ai është yni”. “Po të gërmojmë, pak më shumë,-thoshte At Sava në Deçan pak kohë më parë, nuk duhet të mos themi që Karagjorgjeviçët vinin nga shqiptarët Vasojeviç”. E po të gërmosh, ballkanasit janë aq të koklavitur sa ngatërrohen në rrembat e origjinës mes tyre….

Problematika shqiptare
Në dhjetra vitet e fundit, Shqipëria, pavarësisht përfoljeve, ka rregjistruar një përqindje të minoriteteve, e cila nuk mund ta paraqesë vendin, si një shoqëri multietnike. Një e tillë do të ndodhte, nëse Shqipëria do të kishte përmasat e minoriteteve si në Maqedoni, 35-40 %, por Shqipëria dhe në shifrat më optimiste për këtë argument mbetet pas.
Por, kjo nuk e ka ndalur një televizion bullgar, që të krijojë një tollovi me referenca shumë të mangëta për shqiptarët: Lajmi i transmetuar në një televizion të Sofjes, dhe në faqen e videove “Youtube” nën titullin “100 mijë bullgarë në Shqipëri”, që ishte 2 minuta e 25 sekonda i gjatë, bënte me dije se shteti shqiptar duhet të njoh të drejtat e minoritetit bullgar duke ju siguruar krahas të tjerëve edhe arsim në gjuhën amë. Tollovia është zgjidhur shpejt, por nga pas ka lënë si gjithmonë shumë shqetësime. Në një farë mënyre ka nxjerrë handikapin e madh të mungesës së shifrave ekzakte. Këtë e kanë shfrytëzuar vazhdimisht pjesëtarë të ndryshëm të minoriteteve, duke referuar shifra që i rrudhin shumë shqiptarët, dhe fryjnë komunitetet e tyre. Gjithsesi, shpejt rreshtin. Duke u kthyer pas: Ndodhi që gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë dhe banesave të prillit të vitit 2001, indeksi mbi kombësinë nuk u përfshi në matricën e pyetjeve identifikuese të individëve. Por, kalkulimet statistikore e nxorën përqindjen e prezencës së pakicave kombëtare në popullsinë prezente të Shqipërisë (3.069.275 banorë për vitin 2001) me 1.4 %, -shumë larg pretendimit të Institutit të Studimeve Etnike. Ky, i fundit, ishte një institucion, që dha shifra, që i referoheshin kryesisht të dhënave dhe rregjistrimeve që vetë shoqatat bënin për anëtarët e tyre. Ndërsa, materiali zyrtar i referohej INSTAT-it dhe ishte bërë në bashkëpunim me Drejtorinë e Minoriteteve pranë MPJ-së. Referimi i fundit i përkiste vitit 1989. Ndërsa llojet e kombësive që u kërkuan në këtë regjistrim- ishin: Kombësia shqiptare, greke, maqedonase, malazese, italiane, rumune, çeke e bullgare, të tjera të ish-Jugosllavisë, dhe të tjera (ruse, etj.). Në këtë total konfirmohej se pjesa më e madhe e popullsisë së pakicës kombëtare në Shqipëri është ajo greke, e cila në total zinte 1.85 % të popullsisë në vitin 1989 me 58.758 mijë vetë ose 90,6 % të pakicave kombëtare. Por, mungonin krejt referencat për romët, një popullsi (e konsiderueshme), e cila vetëm në vitet ’60- arriti të disiplinohej nga regjimi në fuqi. Në këtë terren, pak vite më vonë –punoi Drejtori i Qendrës Gjeografike (Specialisti i demografisë), Prof. Arqile Berxolli. Ai duke përdorur metoda statistikore- dhe duke përmendur vështirësitë e ditura, nxorri shifra më të avancuara, por sigurisht shumë larg, atyre që pretendonin minoritetet. Shifrat e tij referonin për komunitetin grek 86.812 banorë dhe atë maqedon deri më 26.502 banorë, për 2001; ndërsa flitej për 173.900 arumunë për të njëjtin vit. Hezitoi për romët sepse nuk kishte bazë statistikore nga të fillonte. Gjithsesi konkludoi edhe për ta. Ky konfuzion vazhdoi deri pak vjet më parë, kur nxjerrja e Atlasit të Minoriteteve, që e nxirrte popullsinë totale të minoriteteve në masën rreth 10% -shkaktoi një reagim të madh, ku përfshiheshin të gjithë qarqet. Mes tyre dhe Profesorët mes veti, që nuk e sigluan Atlasin e Minoriteteve-si punë të Akademisë dhe zyrtarët….

Për minoritetin
Acarimin më të madh, në këtë kohë e shprehu Ismail Kadare. Në një sprovë, ai do t’i kundërvihej ashpër përpjekjeve për të lodruar sipas nevojave me identitetin:
“Identiteti, ashtu si patriotizmi dhe nacionalizmi- bën pjesë në një zonë të mjegullt,-shkroi shkrimtari i njohur ballkanas. “Popujt në përgjithësi, e ne ballkanasit në vështirësi, kemi nevojë të pastrojmë hambaret tona të moçme, ku krahas zahiresë së mirë, ka helme të rrezikshme e rrangulla pa kuptim”. E ka pasur kaq shumë plehra dhe rrangulla në Ballkan, sa shpesh ja kanë prishur gjumin evropianëve. Një fqinj evropian i shqiptarëve, si Greqia nuk rresht ende me ankesa ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë. E të mendosh se minoriteti grek ka qenë një nga etnitë më të respektuara në Shqipëri dhe më të begenisura dhe në kohën e socializmit, kjo i vë një pikëpytje të madh problemit. Pak vite më parë, eurodeputeti i djathtë grek, Ksarkakos, (i artikulonte në qindra-mijëra minoritarët grekë në Shqipëri), arriti që të artikulojë dhe ‘Autonominë e Shqipërisë së Jugut’ bazuar në “Konventa ndërkombëtare”. Kuptohet se me shëndoshjen e shtetit shqiptar kjo nuk ka shumë rëndësi. Arsyeja kushtetuese nuk lë ekuivoke: Dokumenti themeltar i shtetit shqiptar i siguron më të mirat minoriteteve. Në nenin 20 të Kushtetutës së saj- thuhet tekstualisht: “Personat që u përkasin pakicave kombëtare ushtrojnë në barazi të plotë para ligjit të drejtat dhe liritë e tyre. Ata kanë të drejtë të shprehin lirisht pa u ndalur as detyruar përkatësinë e tyre etnike kulturore, fetare dhe gjuhësore…”. Problem kuptohet se mbetet zbatimi: Këtu gjejnë momentet e ankesave zyrtarët, që përfaqësojnë minoritetet. Si përfundim mund të themi se popullsia e Republikës së Shqipërisë është dalluar dhe dallohet për homogjenitet të lartë të strukturimit etnik, si asnjë vend jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. Pakicat Kombëtare simbas deklarimit të pasurisë mund të zenë (2001) 2.2% të numrit të përgjithshëm të popullatës banuese, ndërsa deklarimi sipas gjuhës amtare zë 2.5%. Për grupet etno-kulturore (vllahe-rome) sipas deklarimit të etnisë dhe gjuhës është 6,2%, do të konkludonte Prof. Berxolli.

Por, që gjithsesi, në kushtet tona nuk përbën ndonjë problem. Duket se shqetësimet më të mëdha, minoritarët i kanë me veten e tyre. Shpesh njerëzit e pakicës maqedone kanë ngritur probleme dhe për Gorën, ndërsa loja e shifrave i konfuzon krejt. Ndërsa, identiteti i bën dhe më konfuzë. Por, disi, edhe të hareshëm. Jo më kot, Crvenkovski dhe historianët maqedonë ishin ‘të bindur’ për Skënderbeun: “Ka qenë yni”, thonin në hullinë e panegjirizmave groteske ballkanike.

Çfarë thonë shifrat
Rregjistrimet e bëra në periudhën mes dy luftrave të mëdha botërore, strukturimin etnik të popullsisë së vendit e kanë vlerësuar më së shumti mbështetur në treguesin e gjuhës amtare. Për këtë në dokumentat përkatëse pakicat kombëtare apo etno-kulturore janë emërtuar: grekofonë, vllahofonë, bullgarofonë, sllavofonë etj. Në rregjimin komunist, gjatë rregjistrimeve të viteve ’50, ’55, dhe ’60 krahas të dhënave për kombësinë të deklaruar nga vetë individi, janë ofruar të dhëna edhe për gjuhën amtare të shtetasve.
Analiza me kujdes e statistikës së gjuhës amtare për regjistrimet e viteve 1955 dhe 1966 na lejon të konkludojmë se: në vitin 1955 strukturimi etnik sipas gjuhës amtare del se ishte 3.4 % e popullsisë shtetas shqiptarë me gjuhë amtare joshqipe dhe 96.6% shtetas shqiptarë me gjuhë amtare shqipe. Ky tregues i përkiste vetëm tre pakicave kombëtare të njohura: greke, maqedone, malazese… Në vitin 1955 u mblodhën të dhëna edhe për gjuhën amtare të grupit etno-kulturor arumun (vllah), ku rezultuan 10,993 vllahofonë ose 0,8 % e popullsisë në atë vit. Mirëpo në studimin bashkëshoqërues të materialit statistikor thuhet se: “Frymët që mundëm të rregjistrojmë si të tillë (vlleh) në vitin 1955 jemi të mendimit se nuk përbëjnë as një të tretën e tyre”. Kjo do të thotë se në Shqipëri kanë qenë në vitin 1955 rreth 30.000-40.0000 vllahofonë, ose 2,5 % e popullsisë së rilevuar nga regjistrimi.
Në vitin 1960 u rilevuan për gjuhë amtare vetëm tri grupet tradicionale të pakicave kombëtare dhe asnjë element i grupeve etno-kulturore. Me përpunimin e materialit doli se pesha e popullsisë me gjuhë amtare joshqipen ishte 3.3%, kur treguesi sipas deklarimit të kombësisë ishte 2.7 %.
Për vitin 1979 (në rast se bëhej një abstragim dhe diferencim i shprehur midis deklarimit të kombësisë dhe të gjuhës amtare) për pakicat kombëtare tradicionale kemi një peshë prej 2,5 % ndërsa në vitin 1989, një peshë prej 2,4 % dhe në vitin 2001 prej 2,5 %. Po të pranonim këtë dhe alternativë dhe për grupin etno-kulturor vllah (arumun) atëhere ky grupim në vitin 1979 do të zinte 3,1 përqind të popullsisë së vendit, më 1989 do të zinte 3,0 përqind dhe më 2001 do të mund të zinte 3,14 % të numrit të përgjithshëm të popullsisë së vendit.
Marrë në bashkësi edhe grupi etno-kulturor vllah më 1989 etnitë do të zinin sëbashku rreth 5,4 % të popullsisë së përgjithshme dhe më 2001 do të zinin 5,64 % të numrit të përgjithshëm…
Marrë nga “Minoritet në Shqipëri”
e Prof. Arqile Bërxollit

“Studiuesit duhet të ulen dhe të punojnë”

Intervistë me Prof. Arqile Bërxollin, një nga studiuesit më të njohur për problemin e minoriteteve në Shqipëri dhe Drejtor i Qendrës Gjeografike

Pak ditë më parë, i vetëm në një tavolinë të gjatë, i duhej që të priste mandatën që të largohej nga godina, institucioni i tij. Ku do të shkonte? Nuk e dinte. Por, qeshte. Ndodhin këto në Shqipëri, ndaj nuk është për t’i vënë shumë veshin, ka thënë Prof. Bërxolli. Pak vjet më parë, i është dashur që të përballë një opinion të egërsuar, kur ka dhënë për herë të parë një shifër të përafërt për numrin e minoriteteve në Shqipëri. Atlasi i tij është rrëmbyer menjëherë, ndërsa i kanë ngjitur lloj-lloj akuzash. Por, në fund, ka gjetur prehje tek një shprehje e Hekateut: “Po i shkruaj këto gjëra se më duken të vërteta”…

Ç’përfaqësojnë minoritetet dhe kush është kuptimi i tyre?
“Për sa i përket termit minoritet, po të merret si term më vete, duhet që të kihet parasysh se “minoritet” do të thotë pakicë në kuptimin më të përgjithshëm dhe në raport me shumicën e së tërës, që ndryshon nga kjo shumicë. Kjo fjalë në vetvete nuk shpreh asgjë lidhur me strukturimin etnik dhe kombëtar. Por, “Minoritet”, në kuptimin më të gjerë të fjalës në kuadër të popullsisë, shprehin atë pjesë të popullsisë, që janë shtetas të një shteti të caktuar, por që kanë elementë dalluese nga maxhoranca e popullsisë. Ndërsa, kur themi “minoritet” për popullsi të ndryshme, nuk duhet të nënkuptojmë hapësirën gjeografike, por komunitetin njerëzor, i cili mund të jetë i vendosur në mënyrë kompakte në një hapësirë gjeografike të shtetit ku është shtetas, kryesisht në periferinë kufitare me shtetin mëmë, ose mund të jetë dhe i shpërndarë në mjedise të tjera, por që ruan tiparet themelore të veçanta”.

Cilat janë detyrimet e Shqipërisë si shtet për sa i përket dokumentave ndërkombëtare për mbrojtjen e “minoriteteve”?
“Shteti shqiptar ka qenë një nga nënshkruesit vullnetarë të deklaratës unilaterale dhe të pranimit të “Rregjimit të mbrojtjes së minoriteteve”. Deklarata është nënshkruar në Gjenevë më 5 tetor 1921 nga Fan Stilian Noli. Kjo deklaratë më së shumti ka trajtën e një statuti për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. E lidhur me kërkesat e deklaratës, Qeveria shqiptare e kohës, ishte e obliguar që brenda gjashtë muajve nga nënshkrimi t’i paraqiste Lidhjes së Kombeve raport të plotë për minoritetet e racës apo statutin legal të komuniteteve fetare. Mbështetur në këtë deklaratë, Lidhja e Kombeve dërgon në vitin 1923, Komisionin hetimor për minoritetet.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u shpall Republikë Popullore dhe hyri në rrugën e zhvillimit socialist. Në kuadrin ndërkombëtar, Shqipëria nuk nënshkroi ndonjë deklaratë apo diçka të tillë lidhur me të drejtat e shtetasve apo strukturimin social të tyre, siç është ai me baza etnike. Në intervalin kohor 1945-1990 nga dokumentat themelore të shtetit shqiptar pranohej prezenca dhe e drejta e minoriteteve, por realiteti ishte diçka më ndryshe. Gjatë rregjistrimeve më shumë vëmëndje iu kushtua rilevimit të pakicës kombëtare greke, maqedone e malazese, ndërsa për grupet etnike apo etno-kulturore dhe ai rilevim i pjesshëm, që u bë, u menjanua duke u cilësuar si “Gabime materiale”.

Po pas vitit ’90?
“Pas vitit 1990, me ndryshimet e thella politike, Republika e Shqipërisë jo vetëm që njohu dhe nënshkroi dokumentat më themelore ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, por njohu dhe nënshkroi edhe dokumentat më themelore lidhur me “minoritetet”, në veçanti. Ajo nënshkroi dokumentin bazë: Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare”. Kjo veprimtari ndikoi edhe në jetën e brendshme të vendit tonë, ku minoritetet tani kishin të drejtën e krijimit të shoqatave politiko-kulturore, të partive politike, të arsimimit më të gjerë në gjuhën amtare…”.

Si ju duket loja e shifrave, që bëhet në ditët tona?
“Eshtë një lojë jo e mirë. Ndërsa për sa i përket studiuesve, ata duhet të ulen sepse ka materiale dhe duhet që ta shikojnë problemin me kokën sa më të ftohtë”.

Back to top button