Koka e Aliut do të vijë në Shqipëri

Kapelja e tij

Një grup intelektualësh me origjinë nga Tepelena kanë filluar përpjekjet e lobimit tek autoritetet zyrtare për sjelljen e kokës së Ali Pashait në Shqipëri. Po ashtu, shoqata “Ali Pashë Tepelena” në kontakte private dhe në Turqi, është duke parë mundësitë proceduriale sesi është vepruar dhe me figurat e tjera kombëtare, që kanë ardhur nga andej

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Koka e prerë nuk falet, thotë një fjalë shqiptare. Por një shoqatë patriotike po përpiqet të provojë të kundërtën. Një grup intelektualësh me origjinë nga Tepelena kanë filluar përpjekjet, prej katër muajsh, për të sjellë në Shqipëri kokën e Ali Pashait. Intelektualë, të inkuadruar në Shoqatën “Ali Pashë Tepelena”, janë në fund të përpjekjeve të tyre për të nisur zyrtarisht kërkesën drejt autoriteteve shqiptare, për të negociuar me homologët turq. Vetë ata kanë vendosur dhe kontakte private në Turqi për realizimin e qëllimit. Në momentin më të afërt të përfundimit të të gjithë përpjekjeve, Shoqata “Ali Pasha”, do të bëjë të njohur detajet. Në grupin përbërës të shoqatës ka historianë, artistë dhe intelektualë nga fusha të ndryshme.

Për Ali Pashën
Deri më tani nga Ali Pasha dihet ekzistenca vetëm e një taçi, që është në Muzeun Kombëtar i paekspozuar, që ruhet në Fondin Special- dhe që mban numrin e matrikulimit 339 dhe një kallamar i shkruesit të tij. Në Beçisht, një fshat i vogël përballë Tepelenës, kujtesa popullore ka vendosur të parët e tij. Por sarajet e Aliut, që janë në dy vende në fshat, janë të nëpërkëmbura dhe për më tepër askurrë monument kulture. Aq më tepër janë aq të prishura sa është shumë e pamundur të vendoset koka e tij, nëse realizohet marrja. Në Beçisht kanë mbetur tashmë gurët e tyre dhe kujtesa e lbyrur e pak fshatarëve të vjetër për jetën e familjes së Ali Pashait. Si për ironi të kohës dhe kujtimit të tij të mëvonshëm, Pashai në të gjallë, u ngriti një urë që është edhe sot e kësaj dite funksionale dhe që i lidh ata me qytetin e Tepelenës. Vetë Kalaja e Ali Pashës në Tepelenë nuk mundi kurë të ngjitet në një objekt të vlerësuar sepse është zënë nga banorë. Një fjalim i Enver Hoxhës e ktheu kujdesin për Kalanë, por nuk mjaftoi. Pas vdekjes së Enverit gjërat shkuan në vend dhe kalaja u dëmtua përherë e më shumë. Interesi i shoqatës është i madh edhe për faktin se në Shqipëri ka pak njerëz që dinë origjinën dhe të dhënat e vërteta të Ali Pashë Tepelenës. Shumë syresh mjaftohen me pak pika: Romani i Sabri Godos me të njëjtin emër; kujtimet e Bajronit dhe Hobhauz dhe udhëtarëve të tjerë; dhe masakra e tij në Kardhiq.

Përpjekja
Deri më tash, burime të kësaj shoqate, shprehen se kanë biseduar fillimisht për përkrahjen e kësaj nisme. Ata kanë kërkuar një mbështetje dhe nga biznesmenë të ndryshëm të qytetit dhe jashtë tij, për të realizuar sjelljen e kokës së Ali Pashës në Shqipëri. Një nga planet e afërta është që t’i kërkohet negociimi Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Po ashtu, është duke u parë dhe procedura sesi është vepruar me ardhjen e eshtrave të figurave të tjera kombëtare nga Turqia. I fundit prej tyre ka qenë ideologu i Rilindjes Kombëtare, Abdyl Frashëri. Ardhja e tij është mundësuar me rastin e 100- vjetorit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit më 1978. Në kohën e Mbretërisë, më 1937, kanë ardhur edhe eshtrat e Naim Frashërit. Shoqata është duke punuar dhe me intelektualë turq, për të parë një mundësi më shumë.

Ku ndodhet trupi i tij
Ali Pashë Tepelena, një nga figurat më të mëdha të historisë së Shqipërisë së shekullit të XIX, ka referenca si pakkush figurë tjetër kombëtare. Më shkurt të vitit 1822, koka e tij u ekspozua në Stamboll, pasi u ekzekutua në Janinë. Gjithë jetën e ndoqën dy gjëra: mundësia për të qenë dikush dhe pamundësia për t’u bërë ai që do të donte. I dyzuar mes fuqive të mëdha. I dyzuar në luftën e tij. Dyzuar shkoi deri në fund, kur llogaria që bëri i doli gabim. Sërish u nda në dy pjesë. Më 5 shkurt 1822, Ali pashë Tepelena u vra me armë në dorë në manastirin e Shën Pandelemonit, në ishullin e liqenit të Janinës. Më 23 shkurt 1822 koka e tij u çua në Stamboll ku u ekspozua publikisht përpara publikut. Ditë më vonë u varros nga një dervish shqiptar, i cili vuri mbi kokën e varrit këtë mbishkrim: “Këtu është varrosur koka e të famshmit Ali Pashë Tepelenës, ish- qeveritar i Janinës, i cili më tepër se 30 vjet, qeverisi i pavarur në Shqipëri.” Kjo referencë merret nga Historia e Shqipërisë, Tiranë 1959, Vëllimi I, faqe 477-478. Koka e tij dhe varret e të bijve Veliut dhe Myftarit sot gjenden në Ejub të Stambollit. Kurse varri i trupit të Ali Pashait është në Janinë. Ka mbi vete një zgarë hekuri , e cila në Luftën e Dytë Botërore është hajnuar nga gjermanët, por autoritetet vendase e kanë rivendosur sërish pas luftës.
Momentet e fundit të Aliut
Më 23 janar 1822 trupat osmane e pushtuan kështjellën e Janinës me përjashtim të një pjese të brendshme të saj, ku mbeti i rrethuar Ali Pasha me rreth 50 veta besnikë dhe me gruan e tij, Vasiliqinë. Në këto kushte Ali Pasha nuk mundi të qëndronte gjatë. I mashtruar edhe nga njerëzit e vet, që ishin vënë në shërbim të Hurshid Pashës dhe që i premtuan se do të falej, Aliu ra në kurthin e kryekomandantit osman. Ky e siguroi se sulltani kishte nxjerrë fermanin e faljes, i cili nuk mund të zbatohej para se ai të tërhiqej në ishullin e liqenit dhe të dorëzonte fortesën e fundit, ku po vazhdonte qëndresën i vetmuar. Ali Pasha e priti me plumb të ngarkuarin e Hurshid Pashës, i cili, në vend të fjalës së premtuar, lexoi dënimin me vdekje, -shkruhet në Historinë e Shqipërisë.

Retrospektivë
Veziri ishte një burrë i shkurtër dhe mjaft i trashë. Kishte një fytyrë shume të kendshme me cipë të bardhë dhe trajtë të rrumbullakët. Sytë i kishte të kaltër me lëvizje të shpejta që të bënin me kuptuar menjëherë se nuk gjendesh përpara një Pashai oriental. Mjekrën e kishte të bardhë dhe të gjatë sa i binte përmbi gjoksin… Na priti me nji kortezi të jashtëzakonshme dhe na mori aq me të mirë sa me na quajtur djem te tij. Ishte fare në qejf për një njeri në atë pozitë. Në sa vise të Turqisë që vizituam nuk pashë një pasha tjetër të qeshte në atë mënyrë. Nuk kishte ndonjë roje të posaçme, por vetëm katër a pesë djem të veshur me petkun e bukur shqiptar dhe me flokët e gjatë që u binin mbi supe. Ky përshkrim i Lordit Hobhauzi, shoqëruesit të Lord Bajronit, është dhe më i afërti për të. Në atë kohë kishte një kokë të bukur. Pas kësaj, u kthye në mit. Trupin në Janinë dhe kokën në Stamboll. Një kujtim, që për shqiptarët ia vlen t’i rikthehen krenarisë së tyre, nëse turqit do të na rikthejnë me xhentilesë kokën që na e kanë këputur.

loading...
Back to top button