Deprecated: stristr(): Non-string needles will be interpreted as strings in the future. Use an explicit chr() call to preserve the current behavior in /var/www/vhosts/zgjohushqiptar.com.al/zgjohushqiptar.al/wp-content/plugins/a2-w3-total-cache/lib/W3/PgCache.php on line 1054
Neosuliotët | My CMS

Neosuliotët

Shumë pasardhës mundohen të shtrijnë degët e Familjeve të tyre tejet në histori. Por, historia e Xhavellave (Tasho) mbetet e njohur dhe më e hulumtuara nga pinjollët e tyre. Jo vetëm se raca e tyre i dha një kryeministër Greqisë, por sepse zjarri i Sulit mbetet ende në dejet e tyre

Një artikullshkrues, pak ditë më parë, Sulin dhe suliotët i identifikonte me Çamët. Historia ngërthehej, por pastaj ndahej. Çamët me fatkeqësinë e tyre të ditur dhe Suliotët të rrënuar, të shpërndarë, në një histori, që nuk u tregua aspak dashamirëse me ta. Një pinjoll 70 vjeçar i Xhavellave (Tasho) nuk gjente qetësi, sesi ata mund të identifikohen me çamët. Suli është Suli, u thoshte të gjithëve. I tronditur. Pa qetësi…”Kam qenë krenar për racën time dhe që kur kullosja kecërit në një pllajë, dija se ato ishin pllajat e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë në Melesin, atje në qoshk të Shqipërisë”. Suliotët kur u shpërbënë erdhën në Melesin në kohën e Zylyftar Podës, rrëfen për MAPO, Anesti Tasho…O suljotë,- na thërriste krahina. Ishin ezmerë me nofulla të kërcyera dhe të gjatë. Sot e kësaj dite shumë nga ne janë ezmerë dhe në gjithë Shqipërinë..

I pari, që erdhi prej tyre nga fisi i njohur suliot në Shqipëri, ishte me emrin Tasho. Pasardhësi i fisit të Xhavellave, kishte ngarkuar dy djemtë e vegjël, në dy kosha, dhe me ta mbartur- mbërriti Melesinin. Që andej iu shpalos për herë të parë vendi i ri fëmijëve. Përfundimisht, kjo do bëhej shtëpia e tij dhe e fisit, që tashmë nuk do të dehej më, me erën e lirisë së Sulit. Por, burri i fortë, që veç erës së luftës kishte mbartur edhe erën e blegtorit të mirë, nuhati kullotën e mirë dhe qetësinë e munguar. Atë që e kishin harruar suliotët. Stërgjyshi i Anestit Tashos, bashkë me gjashtë familje suliotësh, që erdhën pas tij në këtë vend, krijuan vendbanimin e ri të suliotëve. Tashmë kishte mbaruar lufta, po fillonte mbijetesa. “Kishin nevojë që të jetonin”, kujton Anesti, që realizoi pas viteve e viteve të tëra punë një monografi, që i kushtohet Sulit dhe suljotëve, por edhe racës së tij. Që dikur nxori dhe një nga kryeministrat e parë të shtetit grek, Kiço Xhavellën. Mësuesi, ose inxhinieri i dikurshëm, në librin e tij, ka koleksionuar me kujdes dhe ka bërë një “Histori të Sulit”, ku ka futur pasardhësit e tij, që tashmë janë të vendosur kudo nëpër Shqipëri. “Të gjithë mendojnë se të parët tanë dhe disa familje të tëra suliote kanë ardhur në Melesin rreth viteve 1828-1831, kur kapedan Zylyftar Poda mbas luftës dhe qëndresës së tij në Melesin, ndaj forcave osmane, pranoi që të qëndronte në Melesin”, kujton Anesti. “Për suliotët që kur kam kuptuar e filluar së shkruari, çdo gjë që dëgjoja e mbaja shënim dhe çdo material për Sulin e arshivoja”. Në kohën e monizmit nuk ka guxim sepse suliotët shqiptarë quheshin si filo grekë. Në kohën e demokracisë e përfundon të gjithë botimin e tij dhe tash është duke botuar një të dytë.

Në Melesin…
Në vendin e ri ata ishin të papërkulur, jo për sa i përket armiqve, por mbijetesës. Bënë pije të mrekullueshme, por edhe punuan me përkushtim në bujqësi, tregëti. Pasi jetuan deri në fillim të shekullit të kaluar, Suliotët, që tashmë ishin shkrirë me vendasit, vendosën që të shkonin më tutje në Leskovik. Në fillimet e shekullit të kaluar, Leskoviku, ishte një qytet, me peshë në Shqipëri. Dhe, falë pozicionit të dyzuar të qytetit, që shërbente njëkohësisht për Shqipërinë dhe Greqinë, suliotët, po aq të dyzuar mes kohës, blenë shtëpitë e disa të pasurve. Kur ata u zhvendosën përfundimisht në banesat e reja nuk ishin si dikur, kur jetonin në kasollet me baltë. Ky ishte ndërrimi i parafundit i banesave para se të shpërndaheshin. Por, ishte edhe koha e ndërrimit të madh të emrave. Administrata osmane, që ishte prezente në Shqipëri, nuk e kishte harruar se çfarë kishin bërë gjyshërit e tyre. Sepse, Xhavellat, që zgjidheshin shpesh në krye të suliotëve, apo që e ndihmuan Revolucionin grek, nuk mund të harroheshin lehtë. “Nga ky element, pasardhësit e fisit të famshëm luftëtar, kujtuan dhe vendosën, që të ndërronin mbiemrin e Xhavellës me Tasho, për nder të suliotit të parë, që zbriti në këtë vend”, kujton Nesti.

Si u bashkuan
“Kemi disa kushërinj tanë në Borizanë (Greqi) dhe kur shkuam në Sul, pleqtë na treguan se sarajet diku atje në mal ishin tonat. Por, ata më shumë ruanin në mëndje bashkësinë tonë dhe mënyrën sesi ne rrinim me njëri-tjetrin”, kujton burri, që ideoi dhe bashkimin e fisit në një datë të caktuar, si dikur. Rituali i bashkimit të suliotëve, ose ky pelegrinazh familjar, i ka rrënjët thellë në histori. Të gjendur gjithmonë përpara vështirësive, por më shumë për të përkujtuar të kaluarën e paraardhësve të tyre të nderuar, në Sulin e largët, pinjollët e tyre mblidheshin në ditën e emrit të Shën Sotirit (Shpëtimtarit), në rrëzë të Melesinit në Leskovik. Vendit, ku ata zbritën për herë të parë në vitet ’30 të shekullit të XIX, në ekstremin lindor të Shqipërisë. Ky ritual, që vazhdoi me jetën dhe fatin e pesë brezave suliotësh, arriti kulmin para Luftës së Dytë Botërore. Në lulëzimin e tij, një panair lokal bëhej për nder të bashkimit të tyre. Xhavellajt e Shqipërisë, që tashmë u konvertuan në Tasho dhe Sulioti, mblidheshin për t’u interesuar dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin. Historia e pelegrinazhit, më vonë, nuk mbaron këtu, po ajo ka vazhduar me ritme më të ulëta dhe gjatë Luftës së Dytë. “Ku, të detyruar nga përfundimi i saj, disa shkuan në Greqi, disa mbetën në Shqipëri”, kujton Anesti, organizatori i saj, i menduar. Pas luftës, me gjithë përmasat jo të mëdha, suliotët krenarë mblidheshin përsëri, por tashmë gjithnjë e më të rralluar. Dhe, kishte shumë momente, pas Luftës që qëndronin pa folur, sepse tashmë pjesa më e madhe e tyre, ishte jashtë kufijve të Shqipërisë, ndërsa ata vetë përballeshin me shuarjen e heshtur.
Në Kishën e tyre të Shën Sotirit, pasi meshoheshin, Neo-suliotët qëndronin pak me njëri-tjetrin, pyesnin për të rejat dhe ndaheshin me premtimin e përvitshëm se do të ribashkoheshin përsëri. Këtë tash e bëjnë rregullisht kur mblidhen nga të gjithë vendet. Anesti Tasho, pinjolli i brezit të tretë të fisit të njohur suliot Xhavella, kur afron gushti, shpërndan ftesa, tek të gjithë pasardhësit e Suliotëve, që janë të përhapur tani në tre kontinente, Amerikë, Evropë dhe Australi, për tu ribashkuar. Flitet për një histori të jashtëzakonshme, që ka lidhje me fisin e njohur Xhavella, të natyralizuar tashmë Tasho dhe të denjë për një Guiness historik. Si dikur, në datën 6 gusht të çdo viti, kudo që të ndodheshin dhe në çfarëdo momentesh që të ishin, Suliotët e fisit të Xhavellajve, heronjve të famshëm të rezistencës kundër Osmanëve, bashkoheshin në Shqipëri, në Melesin të Leskovikut. Dhe me kalimin e kohës kujtuan jo vetëm suliotët e dikurshëm, por edhe të tashmit. Mbi fisin e famshëm, historikisht pati probleme me të gjithë pushtuesit. Disa nga përfaqësuesit e nderuar të këtij fisi, që organizuan për herë të parë rezistencën ndaj fashizmit në Leksovik, u dënuan më vonë nga regjimi komunist. Të mbeturit, mbijetonin me çfarë të mundeshin. “Ky ishte momenti, ku trishtimi ynë ishte i madh. Por, amaneti i pleqve tanë, që të mblidheshim ishte akoma më i madh”, kujton i moshuari, që rilindi traditën. Anesti, vazhdon që të ‘endet’ arkivave, biblotekave, Institutit të Historisë, për të sqaruar se kush ishte vendi i vërtetë i paraardhësve të tij në Revolucionin Grek, kundër Portës së Lartë, apo kundër Ali Pashës. Falë pasionit të hershëm për historinë, ish inxhinieri mekanik duket se ia ka dalë më së fundi. Kur ka arritur, më në fund, në këtë vit, që t’i bindë pas ‘90 suliotët, që t’i bashkojë si dikur në Melesinin e vjetër.
Kjo është arsyeja, që pas gati 30 vjetësh, të 150 Xhavellat shqiptarë dhe po aq grekë, dhe më pak në vendet e tjera, bashkohen, si dikur në Melesinin e largët. Është mbijetesa e një fisi shqiptar, simbol i qëndresës kombëtare në shekuj.
“E unë tashti le të më gjejë se çfarë të dojë, arrita, që t’i bashkoja njerëzit e mi, si dikur”, kujton i moshuari Anesti Tasho. “Jam i lumtur, se ne nuk do të shuhemi, thotë ai. Këtë e kam parë tek Xhavllinjtë e rinj, që mezi po presin të njihen”. Dhe, këtë do t’ua lë amanet edhe fëmijëve të mi…”Nuk jemi çamë”, më thotë sërish. Ne kemi luftuar me breza, që të ishim dhe të mbetemi suliotë.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button