“Besa” e shqiptarit vlerësohet në Hollywood.

Filmi serb “Besa”, që ngjarjet i zhvillon në Luftën e Parë Botërore dhe flet për një shqiptar dhe një serb. Ky i fundit që largohet nga vendi duke lënë pas gruan e tij, i thotë shqiptarit Azem që të kujdeset për të, i cili i jep atij besën e shqiptarit. Në vija të përgjithshme ky është subjekti i filmit serb “Solemn Promise” (Besa) që ka marrë vlerësime në Hollywood. Sipas Reuters-it, filmi që është propozuar nga Beogradi si kandidatura serbe për çmimin “Oskar” mund të nominohet në kategorinë për filmin e huaj “Best Foreign Language Film”. Subjekti zhvillohet në një qytet të vogël të Serbisë. Mësuesi Nebosja Dugaliç thirret në radhët e ushtrisë për të shkuar në luftë. Ai është i ri dhe i sapomartuar me një grua sllovene shumë të bukur. I detyruar të shkojë në luftë, ai i kërkon besën shqiptarit Azem, pastrues në shkollën ku ai punon, që të kujdeset për gruan e tij. “Nga ‘bashkëjetesa’ me shqiptarin, gruaja e bukur bie në dashuri me Azemin. Edhe Azemi lidhet shumë pas gruas së re, por mes dashurisë së tyre qëndron ‘Besa’. Gruaja e vetëdijshme për bukurinë e saj, kur përballet me indiferencën e Azemit, që edhe pse e dashuron i mbahet besës së dhënë e përfshin atë, veten e saj dhe bashkëshortin në një ‘çark’ intrigash që kapërcejnë pragun e shtëpisë, duke e kthyer ngjarjen në një konflikt ndërkombëtar”- shkruan Reuters. Nominimi për kategorinë e filmave të huaj do të bëhet më 25 janar. Ky është filmi i parë i huaj që ka marrë vlerësime nga kritika e Hollywoodit.