Deprecated: stristr(): Non-string needles will be interpreted as strings in the future. Use an explicit chr() call to preserve the current behavior in /var/www/vhosts/zgjohushqiptar.com.al/zgjohushqiptar.al/wp-content/plugins/a2-w3-total-cache/lib/W3/PgCache.php on line 1054
Himara, parajsa e “pensionisteve” | My CMS

Himara, parajsa e “pensionisteve”

Aty ku një popullatë thuajse e tëra me kombësi shqiptare, merr 200 euro në muaj për të qenë “greke”

Gjëja më e jashtëzakonshme për njerëzit e moshës së tretë në Himarë është që të mos marrin pensionin e akorduar në Greqi. Kjo epidemi e ëmbël, që filloi pas dallgëve të para të njerëzve që shkelën në vendin fqinj, tashmë i ka “molepsur” të gjithë himariotët. Që pavarësisht nëse janë apo jo banues në këtë vend, kanë rendur duke përgatitur të gjithë dokumentacionin e duhur për të marrë pensionin. E tashmë mund të numërohen me gishta, ata të moshuar që nuk e kanë. Por, kur i flet, që kjo është e pandershme, sepse ata janë nënshtetas shqiptarë, përgjigja është e thatë: “T’i lemë, atëhere, dhe të rrimë me 3.000 lekët e Shqipërisë”?!

Pensionet e himariotëve
Në këtë hapësirë përfitimi, bëri llogaritë e tij edhe Telo B. Banor, i njërit prej fshatrave të Bregut, 46-vjeçari, vendosi që pasi të gjente një punë në Greqi nuk do ishte keq, që t’i siguronte dhe pensionin të jëmës në fshat. Me këtë shpresë kishte lënë fshatin, aty ndanë Jonit dhe bashkë me të shoqen dhe vajzën, ishin bindur se nuk ia vlente që të mbaheshin më në vendlindje me bagëtinë dhe me ullinjtë. Si ata, të tjerë para tyre, tashmë kishin ngritur shtëpitë me punën në Greqi, por shumë i kishin pajisur dhe pleqtë me pensionin e bujkut të vendit fqinj.
Por, në fillim, nuk ishte e lehtë për himariotët. Të pamësuar mirë me gjuhën, vetëm tre nga vendet e Himarës e flisnin greqishten (edhe këtë me një dialekt tepër arkaik), ndërsa të tjerët e kishin vështirë. Çuditërisht, në ndihmë, u erdhën njerëz, që duket se ishin të interesuar që pleqtë himariotë mos “të vuanin”. Plaka e Telos, ashtu si gjithë të tjerët, kishte mbushur një vandak me dokumente: Emrin, fshatin, vendbanimin në Greqi, pasaportën shqiptare, kontratën e shtëpisë, vërtetimin e tatim-taksave. “Ta kisha ditur, mos të kisha ardhur fare”, i kishte thënë plaka, kur shikonte sfilitjen e të birit. “E kanë marrë të gjithë. Do e marrim edhe na”, i thoshte i biri. E vjetra, rendte të kërkonte vdekjen në shtëpi, paçka se edhe pensioni i pëlqente. Më pas, të dy kishin shkuar në O.G.A. (O.Ã.A), një zyrë pensioni e fshatarësisë, pranë minibashkisë ku jetonin dhe, pasi kishin paraqitur dokumentet kishin pritur sa t’u dilte emri. “Plakën e pyetën ku donte që t’ia sillnin pensionin në shtëpi apo do vinte vetë”. E gjora, sikur ta dinte, na e la ne ta merrnim, tregon Telo, që tash ulur para një gotë rakie, shikon valën e detit në një dimër, që e ka mbuluar me errësirë Jalin në Vuno. Në fakt, ashtu si bëri plaka e Telos, një banor duhet që të plotësojë 65 vitet dhe më vonë, pas një kërkese dhe një sërë parametrash duhet të paraqitet në O.G.A (Zyra e pensioneve të fshatarsisë). Pastaj janë ata që shqyrtojnë dhe pasi marrin dhe adresën procedojnë, nëse duhet dhënë apo jo. Autoritetet greke janë të kujdesshme, që nga koha kur është bërë kërkesa, deri në momentin që del, të paguhet, më shpjegon një pensionist, që shfaqet papritur.
Askujt nuk i bën më përshtypje, kjo në Himarë, ndërsa aspekti politik, për ta kthehet në humor, sepse për shumë kohë kanë manovruar në mes të dy vendeve, pa përfshirë këtu vetëm kohën e pas Luftës së Dytë Botërore. Tallen me grekët dhe njësoj me pensionin e Shqipërisë.
Procedura e pensioneve është e njëjtë. Bëhet një kërkesë pranë minibashkisë ku jeton i interesuari në vendbanimin e tij të Greqisë dhe pastaj plotësohen dokumentat. Nga vendlindja, dikush duhet të konfirmojë ekzistencën tënde. Kanë prioritet ata, që janë në hapësirën e ashtuquajtur Vorio-Epir. Deri më tani, këtë e kanë bërë funksionarët e OMONIA-s, ndërsa tani është vetë ambasada me strukturat e saj, që e shikon. Në Greqi, pastaj, tregohet vendi ku banon dhe njeriu përgjegjës për ty ( në rastin e pensionistëve të vjetër) dhe pastaj, në rast se aprovohet, merret pensioni…Ai është 200 Euro dhe në kohën e Krishtlindjeve merret dhe një rrogë plus. Veprimet bëhen në OGA, që është një zyrë për pensionet bujqësore dhe që në rastin e banorëve shqiptarë, në zonën e ashtëquajtur të Vorio-Epirit, akordohet si ndihmë për Diasporën.

Si aplikojnë
Në fillim, banorët që kishin vendqëndrimin në Himarë, duhet që të konfirmonin vendqenësinë e tyre në fshatrat e Bregdetit, falë zyrave të Omonias në Himarë. Këto të fundit dërgonin një faks në ambasadë, ku provohej qenësia e tyre. Më pas, kur u shtuan pa fund himariotët, diplomatët grekë vendosën, që pasi dokumentet të liheshin në ambasadë, të vazhdohej me vetë instancat e tyre, që të bënin kontrollin. Në fakt, lista e tyre po shtohej dhe shtohej pa fund dhe kjo i bëri autoritetet të ishin më të kujdesshëm ndaj përfituesve “të padrejtë..”. Himariotët i shmangen sa munden muhabetit të pensioneve, ndërsa të gjithë kanë në gojë një justifikim të njëjtë:” pensioni që marrim andej, është ku e ku me atë që marrim ne këtu. Fshatarët marrin 2.700-3.000 lekë. E mban dot frymën me këtë”, më thotë një i moshuar. Falë dokumentit në Greqi, ka shkuar deri tek e bija në Gjermani, i patrazuar nga askush, ndryshe nga shqiptarët që prisnin në radhë, më shpjegohet krenar.

Nga Ardit SALIAJ

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button