Cili është Skënderbeu i vërtetë?!

17 janar 1476, dha shpirt në moshën 62-vjeçare, pas 25 vjetësh lufte dhe betejash të ashpra Heroi ynë Kombëtar Skënderbeu. Ndonëse dhe kjo datë është kaluar jo me pak debate mes historianëve e studiuesve, çfarë akoma nuk ka marrë përgjigje përfundimtare në histori është origjina e Skënderbeut. Në “Standard” rihapet ky debat, duke u vendosur jo rrallë kjo histori etnike në trekëndëshin Mat-Has-Dibër. Ku duhet kërkuar origjina e vërtetë e Kastriotëve!?

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Vendi ynë, Shqipëria, ka vetëm një hero kombëtar, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, për të cilin çdo shqiptar ndihet krenar. E çuditshme është se akoma historia e Shqipërisë nuk e ka zgjidhur origjinën e vërtetë krahinore të Kastriotëve.
Në librin “Historia e popullit shqiptar”, botuar në vitin 2002 nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë thuhet se për prejardhjen dhe vendorigjinën e Kastriotëve dihet shumë pak, prandaj për këto çështje mendimet e historianëve janë të ndryshme. Më pas libri parashtron idetë e të gjithë shkrimtarëve humanistë dhe historianëve të huaj dhe shqiptarë, të kaluar dhe të tashëm, idetë e të cilëve për origjinën e Kastriotëve ndahen në katër variante, të cilat do ti paraqesim një e nga një në rubrikat e këtij shkrimi.
Deri në vitin 1974 mendimet e historianëve për origjinën e Kastriotëve ndaheshin më dysh. Një pjesë argumentonin se Kastriotët ishin me origjinë nga Mati, ndërsa pjesa tjetër mendonte se kjo familje ishte me origjinë nga Hasi.
Të dyja kampet argumentonin tezat e tyre, duke sjellë në mënyrë të pavarur faktet të ndryshme. Ndërkohë që vjen momenti i fillimit të polemikave, ku në vitin 1974 tribunë e tyre do të shndërrohet gazeta “Mësuesi”. Kështu do të ishte historiani Kristo Frashëri, i cili shprehu tezën e tij në publik, duke u bërë pikënisja e një debati të madh shkencor që vazhdon edhe sot të zhvillohet me “ashpërsi”.

2
Teza se Kastriotët ishin me origjinë nga Mati është mendimi më i vjetër i shprehur për origjinën e Kastriotëve. Atë e shprehu në vitin 1510 humanisti shqiptar Marin Barleti në librin e tij “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, ku midis të tjerave ai thotë se “krerët e fisit të Kastriotëve kanë rrjedhur nga Mati prej një dere fisnike (Historia e Skënderbeut, botimi i vitit 1983, f. 65).
Një tjetër bashkëkohës i Barletit dhe i Skënderbeut, ishte humanisti Dhimitër Frëngu, i cili si bashkëpunëtor i heroit, e shoqëroi këtë të fundit në vitin 1466-1467, në vizitën e tij në Romë (Historia e popullit shqiptar, f. 448). Dhimitër Frëngu shkroi në latinisht librin “Komentar për punët e turqve dhe të zotit Skënderbe, princ i Epirit”, botuar në Venedik në vitin 1539.
Në faqet e tij ky autor thekson se Kastriotët janë nga Mati. Jo më vonë, por në vitin 1553, Andrea Engjëlli nipi i Dhimitër Frëngut botoi në Romë veprën: “Gjenealogjia e perandorëve romanë dhe kostandinopolitë”. Libri, i cili i është kushtuar gjenealogjisë së familjes Engjëlli, i mëshon tezës se Kastriotët ishin nga Mati. Më vonë pro kësaj teze u shprehën edhe historianë të tjerë. Kështu në vitin 1729 historiani francez Dy Kanzhe (Dy Cange), duke ju referuar Andrea Engjëllit, thekson se “Costantinus Castriotus që mban edhe mbiemrin Mazrek (Meserechus) ka qenë princ i Aemathias (Matit) dhe Castoriae (Kosturit).
Ndërsa në vitin 1921 Fan. S. Noli në veprën e tij “Historia e Skënderbeut, mbretit të Shqipërisë’’, botuar në Boston, bashkohet me mendimin e Barletit që Kastriotët ishin me origjinë nga Mati.
Në mbrojtje të tezës se Kastriotët ishin nga Mati doli edhe studiuesi Dilaver Kurti. Në vitin 1974 ai duke polemizuar me tezën e Kristo Frashërit solli të tjera argumente mbi origjinën matjane të Kastriotëve, të cilat u publikuan në librin “Trashëgimni iliro-arbërore”, botuar në Tirane në vitin 1999. Pro kësaj teze është shprehur së fundi edhe historian kishtar, Andrea Llukani, në librin e tij “Krishtërimi në Shqipëri’’, botim i vitit 2010, ku midis të tjerave thekson edhe një tjetër ide se, Skënderbeu lindi në Mat. Por shprehësja më e fuqishme e kësaj ideje u bë nga viti 2006 edhe revista shkencore “Emathia”, ku më aktivët më shkrimet e tyre ishin studiuesit Ferit Këputa, Sulejman Cakoni dhe Ilirjan Gjika.
Ndërsa teza se Kastriotët ishin nga Hasi është mendimi i dytë për origjinën e kësaj familjeje. Kjo tezë u formulua për herë të parë nga kronisti i Raguzës Pietro Lukari në vitin 1605 (P. Luccari, Annali di Rausa, Venezia 1605, Lib II, f. 80). Midis të tjera ai thotë: “Gjon Kastrioti ishte Zot i Krujës dhe rridhte nga një familje që doli nga Kastrati, fshat nën juridiksionin e Hasit në Shqipëri, pak larg nga lumi Drin”.
Të njëjtën ide shpreh edhe humanisti shqiptar Frang Bardhi në vitin 1636 (F. Blancus, Georgius Castriottus etc. Venezia 1636, f. 70-71). Të dhëna të tjera në favor të kësaj teze janë edhe ato të disa autorëve të tjerë si: E. Fermenxhin, Athanas Gegaj, Aleks Buda, Shefqet Hoxha, Kasem Biçoku etj.
Historiani boshnjak E. Fermenxhin në një korpus dokumentesh për Bosnjën mesjetare (E. Fermendzin, Acta Bosnae, Monumenta Spectantis Historam Slavorum Meridionalium, vol. XXIII Zagreb 1892, f. 132), të gjetura në një manastir françeskan në Hungari, zbuloi të dhëna mbi familjet fisnike boshnjake dhe shqiptare. Aty në një pjesë të veçantë thuhet: “Kastriotët ishin nga fshati Kastriot në krahinën e Hasit”. Pro kësaj ideje është shprehur edhe Athanas Gegaj, i cili në vitin 1937, në tezën e doktoraturës së tij në Universitetin e Luvenit, Belgjikë, me temë “Shqipëria dhe invazioni turk i shekullit XV’’, theksoi: “Kastriotët ishin nga Mazreku i Hasit, por emrin Kastriot e kishin marrë nga pronat që kishin në Mirditë”.
Edhe një nga studiuesit dhe historianët më të njohur shqiptarë, ish-kryetari i Akademisë së Shkencave, prof. Aleks Buda, u shpreh qysh në vitin 1951 se Kastriotët ishin nga Hasi.
Me këtë ide u pajtuan edhe autorët e tekstit zyrtar të historisë së Shqipërisë, botuar në vitin 1959, historianët Selim Islami dhe Kristo Frashëri. Më pas kësaj teze ju bashkua edhe Kasem Biçoku, një historian i njohur, i cili mendimet e tij në mbështetje të origjinës hasjane të Skënderbeut e parashtroi po në gazetën “Mësuesi” në datë 18 dhjetor të vitit 1974.
Ndërkohë që më parë në favor të kësaj teze ishte shprehur edhe studiuesi Shefqet Hoxha, i cili e kishte prezantuar këtë temë në vitin 1969 në Konferencën II të Studimeve Albanologjike, të mbajtur në Tiranë në vitin 1969.
Tezën e tretë për origjinën e familjes së Skënderbeut e hodhi historiani austriak Falmerajer, në librin e tij “Elementi shqiptar në Greqi”, botuar së fundi në Tiranë në vitin 2003. Në fillim të shekullit XIX, ai theksoi: “Kastriotët ishin nga fshati Kastri i Mirditës”. Në këtë pikë me Falmerajerin u bashkua edhe Athanas Gegaj, por jo plotësisht, duke theksuar vetëm se Kastriotët emrin e morën nga fshati Kastri në Mirditë.
Ndërsa teza e fundit për origjinën e Kastriotëve është ajo se ata janë nga Dibra. Këtë tezë e hodhi për herë të parë në gazetën “Mësuesi” të datës 4 shtator 1974 Kristo Frashëri.
Sipas tij, Kastriotët ishin një familje shqiptare nga Dibra e poshtme dhe emrin ata e morën nga fshati Kastriot në krahinën e Çidhnës, që ndodhet në luginën e Drinit të Zi, pranë Peshkopisë. (K. Frashëri, Nga ishin Kastriotët, ku lindi Skënderbeu, Mësuesi, Tiranë, 1974, nr. 35-36).
Si argument kryesor Kristo Frashëri jep të dhënat e Gjon Muzakës, i cili midis të tjerave në kujtimet e tij thotë: “Gjyshi i zotit Skënderbe quhej Pal Kastrioti dhe ky nuk kishte në zotërim më tepër se dy fshatra të quajtura Sinja dhe Gardhi i Poshtëm”. Të dy këto fshatra thotë Kristo Frashëri (Shkenca dhe jeta, Tiranë 1988, I, f. 28-31), ndodhen ballë për ballë fshatit Kastriot, në të cilin ndeshim edhe një toponimi interesante, që lidhet me emrin e Gjon Kastriotit si: Kulla e Gjonit, Kopshti i Gjonit, Pusi i Gjonit, Ograja e Gjonit etj.
Një tjetër ide në të cilin u mbështet Kristo Frashëri ishte edhe libri i humanistit italian Rafael Volaterrano, botuar në vitin 1506 (R. Volaterrano, Comentari). Në shënimet e tij autori cilëson Gjon Kastriotin me mbiemrin Dibra ose Dibrani.
Të tjerë autorë që janë shprehur në favor të kësaj teze janë edhe studiuesit Hazis Ndreu dhe Ali Hoxha në vitet 1970.
Hazis Ndreu mbështet idenë e Kristo Frashërit, duke vënë në dukje toponiminë e Dibrës dhe veçanërisht atë të fshatrave Kastriot, Sinjë dhe Gardhi i Poshtëm (gazeta “Mësuesi”, 14 janar 1976). Ndërkaq në favor të kësaj teze u shpreh edhe studiuesi tjetër, Ali Hoxha, i cili angazhohet duke argumentuar origjinën dibrane të Kastriotëve (A. Hoxha, Studime historike, 3, 1979, f. 229-236). Ndërsa argumentet e fundit rreth kësaj ideje i shpreh edhe Fatos Daci, i cili në gazetën “Tema” në shkrimet e datave 17-18 tetor 2005, u kundërvihet jo vetëm dy tezave të tjera, të Matit dhe Hasit, por me tone të ashpra përpiqet të argumentojë se “Skënderbeu lindi dhe luftoi në Dibër”. Pikërisht rreth këtij debati të vjetër, në vitin 2009, Fatos Daci në mbështetje të kësaj teze botoi edhe librin “Skënderbeu i vërtetë”.
Ndërkohë, për këtë tezë ishte shprehur qysh përpara Luftës së Dytë Botërore edhe një nga personalitetet politike dhe kulturore të Shqipërisë së atyre viteve, Mustafa Kruja, por askush nuk guxoi ta citonte dhe përmendte atë si pjesë e këtij debati, për shkak të etiketimit të tij si kuisling gjatë viteve të regjimit komunist. Vetëm pas viteve ‘90, me botimin e veprës së tij “Antologji historike”, u bë atashimi edhe i këtij autori pro kësaj teze.
*Historian

Një argument dibran për Skënderbeun

Halil Rama
Pas një pune gati 30-vjeçare për origjinën e Kastriotëve, që legjendat i sillnin në Dibër të Poshtme, ndërsa disa studiues i largonin nga ky truall, qoftë nga padituria, qoftë qëllimisht, studiuesi Besnik S. Kbëj vjen me një libër tejet bindës për origjinën dibrane të Skënderbeut. Në kundërshtim me stilin e parlamentarizmit historik, për vite me radhë, ai ka ballafaquar shumicën e dokumenteve dhe argumenteve të dhëna nga studiues të ndryshëm, harta etj., për të shkuar te burimi. Por. sipas tij, krahina apo qendra administrative me emrin Hass apo As, ishte nyja që ngatërronte apo zgjidhte problemin.
“Shfrytëzimi i hartave që identifikon Hassin si qendër administrative në Dibër të Poshtme besoj se zgjidh problemin”, – shprehet autori. Gjithashtu në këtë libër ai ka sjellë të gjitha argumentet dhe kundërargumentet që Hassi ka qenë në Fushë-Çidhnën e sotme, si qendër administrative ku kishte në juridiksion Kastriotin, Sinjat, Gardhin e Poshtëm, Mazrekat etj. Autori argumenton bindshëm se Hasi ka bashkëjetuar për shumë vjet bashkë me Kastriotin, por në një kohë të caktuar, Kastrioti është rrafshuar për t’u ringritur përsëri nga çidhnakët.
Gjatë studimit të këtij libri, lexuesi do të kuptojë se ekzistenca e Hassit në Dibër të Poshtme, më herët se Pashtriku ose Shullani, siç njihet ndryshe Hasi i sotëm, përputhet me të dhënat dokumentare. Studjuesi i mirëfilltë Besnik S.Këbej beson se edhe përkrahësit e tezës “hasjane” për origjinën e Kastriotëve, tashmë kanë material dokumentar që flet ndryshe nga ata. Prandaj duhet të pajtohen me të vërtetën. Pikërisht edhe për këto arsye, autori i këtij libri propozon që në shërbim të historisë dhe së ardhmes, ndoshta do të ishte në interes që fshati Fushë Muhurr të emërtohet ashtu si në kohën e Skënderbeut Gardhi i Poshtëm, ndërsa qyteti i Peshkopisë të emërtohej qyteti Kastriot. Atëherë, sipas tij, do të kishim dhe qarkun dhe prefekturën Kastriot. Vendosja e shtatores së heroit në mesin e këtij qyteti ishte një hap përpara, por mund të çohet më tej, duke ndryshuar dhe emrin.

loading...
Back to top button