Mit i gjenezës dhe gjithëkohësisë

Më 17 janar të vitit 1468, mbyllte sytë nga ethet në moshën 63-vjeçare, një ndër gjeneralët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe ai që më vonë shqiptarët do ta quanin njeriun më të madh të tyre dhe vepra e emri i të cilit qëndron në themelet e kombit, shtetit dhe vetëdijes kombëtare të popullsisë shqiptare të erës moderne: Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Të thuash ndonjë gjë të re për njeriun për të cilin janë shkruar mbi 15.000 vepra të të gjitha zhanreve, është e vështirë, në mos e pamundur, por si ato pak personazhe që kanë aftësinë të formëzojnë të ardhmen e një popullsie të tërë, gjithmonë do gjendet diçka që të japë spunton për të shkruar për të.
Madhështia e heroit tonë fillon që nga momenti kur një principatë e vogël e qendrës së Shqipërisë, në aleanca eklektike me princër të tjerë të një gjaku, i bënë ballë perandorisë më të madhe të asaj kohe, asaj të osmanëve. Për të bërë një krahasim, ky ishte një bast që krahasuar me “ruletën ruse” ku në mullirin me gjashtë fole të pistoletës futet vetëm një fishek dhe pas një rrotullimi të rastësishëm, shkrepet në kokë, kjo ndërmarrje e Skënderbeut, ishte sikur një “Beretë 9 mm”, arma që nuk ngec asnjëherë, ta zbrazje në kokë me shpresën se nuk do shkrepte. Megjithatë, si një njohës i shkëlqyer i taktikave dhe strategjisë, nuk ngurroi të vihej përballë gjigantit otoman dhe nga fundi i jetës të arrinte deri në atë pikë që nëse prijës të tjerë të Europës një fitore çfarëdo kundër otomanëve, ta shënonin në historinë e tyre dhe kombit të tyre, bile serbët përmendin edhe një humbje me lavdi si ajo e Fushë-Kosovës, princi shqiptar e kishte vetëm një detyrë të lehtë shtëpie. Aq e thellë ka qenë humbja që ju ka kallur në ato vite ky fisnik arbër otomanëve, sa edhe sot e kësaj dite, pasardhësit e tyre turq nuk iu del e keqja dhe nuk lënë rast pa përmendur që ta shajnë si tradhtar, pa arritur të shpjegojnë se si mund të jetë tradhtar një njeri që i largohet pengmarrjes dhe shkon në familjen e tij; ose përpjekjet e mjera për t’ia ndryshuar historinë. Nuk mungojnë të mbajnë zurnanë e otomanëve të rinj edhe ca pinjollë në tokën arbërore. Jo më kot edhe kundërshtarët më të hidhur të Skënderbeut në atë kohë, ishin shqiptarët me gjak të prishur.
Duke u kthyer në atë periudhë të errët (dhe secili të përpiqet ta zhvendosë vetveten në kohën kur jetoi shqiptari i madh), nuk mund të mos të dridhen këmbët nga mendimi, se ndeshja do bëhej midis një perandorie që kishte thyer, pushtuar e shtruar kombe me numër shumë herë më të madh se shqiptarët e motit dhe me ushtri ca herë më të mëdha se ata që luftonin në krah të heroit; një perandori e cila nxirrte në fushë betejë shifra ushtarësh që edhe sot kur bota është 20 herë më shumë si popullsi, prapë janë numerikisht të mëdha. E filloi sulmin ndaj shqiptarëve me ekspedita që kapnin shifrën 20 mijë ushtarë, pastaj 40 mijë, më vonë 80 mijë derisa arritën 150 mijë. Pra gati sa një e treta e shqiptarëve që kishte Skënderbeu nën sundim, nga fëmijët e deri te pleqtë. A mendohet në ditët e sotme që Shqipëria 3 milionëshe t’i rezistonte për 25 vjet rresht sulmit të 1 milion ushtarëve amerikanë? Megjithëse krahasimet nuk qëndrojnë, aq më pak ky për sa u përket vlerave që përfaqëson ushtria amerikane për botën dhe veçanërisht për shqiptarët, u bë sa për të krijuar idenë e forcave në fushë.
Por me sa duket ngjizësi i kombit të shqiptarëve, ishte ku e ku më inteligjent sesa pasardhësit e tij dhe dinte që punës t’i gjente njeriun dhe jo të kundërtën, ndaj në mbrojtje të kështjellës së Krujës, linte gjithmonë Kont Uranin, i cili kishte eksperiencën e luftimit në Italinë e kohës dhe aftësinë e nozullimit të një qyteti kështjellë edhe në rrethim.
Ndërkohë, repart bazë i Skënderbeut ishte kalorësia. Dhjetë mijë kalorës, nga të cilët tre mijë të gardës personale, për të cilët siç thotë Andrea Frediani, studiues italian i historisë së mesjetës, Skënderbeu kujdesej personalisht për shëndetin, veshmbathjen, ushqimin, pagesën dhe veçanërisht stërvitjen e tyre. Pikërisht stërvitja e tyre, ishte edhe çelësi i fitores së Skënderbeut. Stërvitje gjatë gjithë periudhës së vitit, ditën dhe veçanërisht natën, edhe kur vendi nuk ishte fushëbetejë me turqit, ishte mënyra për t’i mbajtur gjithmonë të tendosura nervat dhe instinktet e këtyre ushtarakëve, të cilët me gjuhën e sotme do quheshin profesionistë. Marshime natën, në kushtet e errësirës së plotë, duke arritur të zhvendosej nga njëra pikë në tjetrën me dyfishin e shpesh trefishin e shpejtësisë në njëzetekatër orë sesa kundërshtari; sulme natën në kampin armik, duke mos humbur lidhjet me sho-shokun, me synimin vrasjen e elementit komandues otoman, rrëmbimin e plaçkës dhe më kryesorja moslënien e shokëve pas, që ishte një ndër ligjet e themelit të kësaj kavalerie. Të pajisur lehtë, me një kalërim të llojit të vet pasi ishte një praktikë e panjohur për këtë kafshë dhe këtë armë përdorimi në terren malor e kodrinor; me një sistem komandimi dhe lëvizjeje, që ende duhet punë që të gjendet si bëhej në atë kohë, pasi kavaleria shqiptare, sulmonte në pika të ndryshme, disa herë gjatë një beteje, duke u bërë faktori çelës i fitoreve skënderbejase, janë të gjitha detajet që e bënë këtë repart, të jetë elitë në ushtrinë shqiptare. Qenia e vetë Skënderbeut një kalorës, ka qenë patjetër një faktor që ndikonte në favorizimin e këtij reparti nga ana e tij, por edhe një shenjë e konceptit modern që ai kishte për luftën. Nëse rishtas do bënim një krahasim me kohët e sotme, me kostot, kohën dhe teknikat e avancuara që përdoren për formësimin e njësive elitë, këta kalorës do ishin si repartet e motorizuara në ushtritë moderne, ndërsa elementi njerëzor si trupat speciale të marinsave amerikanë. Dhjetë mijë marinsa të motorizuar me tanke e transportues të blinduar, ultra të trajnuar, janë një fuqi goditëse e pashoqe, por edhe një kosto në mbajtjen e tyre. Aq më shumë po të përllogaritet në raport me një Shqipëri të shkretuar nga luftërat e përvitshme dhe një popullsi të mpakur, kavaleria me siguri ka qenë një sakrificë më vete për t’u mbajtur në eficencë. Në raport me të sotmen, do ishte sikur ushtria shqiptare të kishte 30 mijë forca speciale të motorizuara dhe 45 mijë këmbësorë të stërvitur. Por në fakt, mos të entuziazmohemi, pasi kemi vetëm 14.500 ushtarakë ku përfshihen edhe pastrueset, dhe nga këta vetëm një kompani që është në Afganistan, mund të krahasohet me parametrat luftarakë të një ushtrie moderne.
Nëse mendohet se kjo kavaleri ishte e suksesshme vetëm kundër turqve, ekspedita e Skënderbeut në Itali, në ndihmë të Ferinandit II të Napolit, biri i mikut të tij, Alfonsit, ishte një leksion për këmbësorinë dhe kavalerinë e rëndë të princërve apeninë, dhe një tregues se ishte kavaleria më e mirë e kohës. Siç shkruan Sabri Godo në romanin e tij, “Skënderbeu ju mësoi italianëve se çfarë ishte shija e gjakut”.
Të mësuara në përplasje ushtarake ku më shumë vlente manovra dhe pozicionimi i forcave, sesa rezultati faktik që do dilte nga përplasja e tyre, italikët shpesh ishin mësuar që ta mbyllnin betejën me një takim të komandantëve ndërluftues, ku humbësi pranonte me fisnikëri disfatën dhe pastaj arrihej marrëveshja, e cila kushtonte në jetë njerëzore më të shumtën nga të mbyturit në lumenj nga spostimi i trupave sesa nga shpata. Por nuk ishte kështu për kalorësit e Kastriotit, i cili fitoren e konsideronte vetëm spastrimin e territorit nga kundërshtari, në një kohë sa më të shkurtër dhe për këtë nuk ngurronin të silleshin me të njëjtën egërsi dhe vendosmëri si kundër spahinjve dhe akënxhinjve turq. Edhe në pushtimin e kështjellave, duke mos pasur kohë, sasi ushtarësh, eksperiencë sulmi dhe mjete, në mënyrë gjeniale, praktikoi teorinë e tokës së djegur, ku taktikisht duke tharë burimet e mbijetesës së kundërshtarit zvogëlonte rezistencën e tij, ndërsa nga pikëpamja strategjike i tregonte se lufta kishte kosto që ishin më të rënda se paqja.
Siç dhe hamendëson Kadareja te sprova e fundit e tij “Mosmarrëveshja”, në kohën e zhvillimit të luftërave të udhëhequra nga ai vetë, me siguri Skënderbeu ka qëndruar i tërhequr dha aspak një pjesëmarrës direkt në betejë, qoftë për moshën, qoftë për vlerën që kishte paprekshmëria e tij fizike për rezistencën shqiptare, aq më tepër që të pakta kanë qenë betejat ballore të tij kur fati i betejës ka qenë në fije të perit dhe duhej prania e tij. Padyshim që i ka njohur teknikat e luftimit trup më trup, pasi këtë e vërteton fakti se ushtria nën komandën e tij, me burime të kufizuara njerëzore dhe gjithmonë inferiore numerikisht përballë kundërshtarëve, mund ta balanconte diferencën vetëm nëpërmjet kualitetit të lartë individual, të cilat një trupë është në gjendje t’ia japë nëpërmjet trajnimit një komandant që i njeh ato në imtësi. Por vështirë që ai personalisht të ketë qenë pjesëmarrës në luftime direkte, aq më tepër po të mendosh që komandantët e trupës kalorësiake dhe këmbësore, ishin që të gjithë, në llojin e vet, yje të taktikës, pasi në të kundërt sado gjenial të ishte Skënderbeu, nuk mund të arrihej fitorja pa një zinxhir komande perfekt dhe që e kuptonin në fluturim mendimin e prijësit. Ashtu siç nuk do ishte Napoleoni pa gjeneralët e tij Nei, Murat etj., ashtu nuk do ishte edhe ky Skënderbe që njohim pa Kont Uranin, Moisiun, Hamzain etj.
Skënderbeu ka qenë edhe një njohës i teorive dhe historisë ushtarake jo vetëm të otomanëve, në radhët e të cilëve shërbeu dhe të cilët kishin akumuluar në vetvete trashëgiminë e popujve kalorës të lindjes, por edhe të diturisë së Bizantit dhe Romës.
Qoftë për shkak të sasisë së madhe të informacionit në ditët e sotme, kohës së pakët të njerëzve dhe të interesave të shumëllojshme të publikut, ashtu edhe për shkak të hijes së obskurantizmit që ka lënë në memorien e perëndimorëve ish-Perandoria e Bizantit, pak ka qenë e studiuar nga shkencat humane trashëgimia administrative, diplomatike dhe mbi të gjitha ajo ushtarake e Bizantit. Duke harruar që Bizanti ishte vazhdim i Perandorisë Romake të Lindjes, shumë nuk e dinë që teoria ushtarake mbi të cilën bazohej Bizanti ishin elaborim i teorive romake të luftimit, e aplikuar dhe zhvilluar në përballjen që kjo perandori në një mijë vjetët e ekzistencës së saj pas rënies së Perandorisë Romake të Perëndimit, ishte e detyruar të bënte me popullsitë kalorëse që vinin nga stepat. Pavarësisht se sa e çuditshme duket, por deri në shpërbërjen e saj me rënien e Kostandinopojës, në ushtrinë bizantine, komandat jepeshin nga oficerët në latinisht, megjithëse këtë gjuhë tashmë askush nuk e kuptonte. Manuali ushtarak, që ishte baza e stërvitjes së trupës, ishin traktatet e quajtura “Strategikon” të atribuuara perandorit Maurizio dhe mbaruan së mbledhuri në intervalin 592-610. Këto manuale në vetvete kishin marrë fillesën e tyre nga “Arti i luftës” i Vegezios, por ishin shumë më profesionale sesa ato.
Disa perandorë bizantinë shkruan më vonë traktatet e tyre, me shkas nga eksperienca e tyre dhe e paraardhësve në terren, por ndër më të dëgjuarit, i cili përmblidhte eksperiencën e Bizantit në luftë kundër invazorëve kalorës që vinin nga Lindja dhe veçanërisht me emirët dhe sulltanët e fesë së re që kishte lindur në kufijtë e tyre, është e perandorit Niqifor Foka e titulluar “De Vellitatione Bellica Nicephori Augusti”: Tërheqje taktike; sulme natën; prita; shfrytëzimi i terrenit malor dhe futja e kundërshtarit në gryka të ngushta për të ulur epërsinë numerike; zënia e pusive trupave inskursioniste kur ishin në kthim në kampin e tyre, pikërisht në kohën kur ishin të lodhura dhe më pak vigjilente; ndërtim i fshatrave kufitare që shërbenin si baza nisje të inkursioneve guerilje të banorëve kundër invazorëve, vendosja në pika zotëruese ku perimetri i vendbanimit të ishin faqet e trasha dhe pa dritare të mureve të shtëpive periferike dhe ku hyrja në fshat të ishte vetëm nëpërmjet një shtegu të ngushtë, ku vështirë të ndërmerrte aventurën për t’u futur ndonjë repart i shkëputur i ushtrisë armike; ndjekja e invazorit nga skuadra zbuluesish gjatë marshimit të tij, të cilat njoftojnë komandantin suprem; sulme natën, kur forca numerike e sulmuesve rritet në imagjinatën e kundërshtarit nga mungesa e informacionit viziv dhe britmat e sulmuesve, dhe gjithashtu pluhuri i ngritur nga galopi i kuajve nuk është i mundur të shikohet dhe nuk lejon kundërshtarin të diktojë sulmuesit në distancë; një disiplinë e hekurt dhe një stërvitje e vazhdueshme, më e madhe se në një ushtri të zakonshme; sulme të vazhdueshme mbi praparojën dhe ndëshkim i inskursionistëve që shkëputen për të plaçkitur fshatrat, nëpërmjet pritave, duke varfëruar kështu furnizimin e tyre nga plaçkitjet. Që të gjitha këto duket se janë një histori e taktikës së Skënderbeut, por e shkruar 500 vjet përpara. Po ashtu, në libër këshillohet shmangia e betejave ballore me një armik i ndezur nga zjarri fetar si ai i otomanëve në ato vite, i cili ngutet të shkojë në botën tjetër dhe që ka rezerva të pashtershme njerëzore, krahasuar me popullsitë e mpakura të Bizantit dhe në rastin tonë Arbërisë. Përkundrazi, bjerrja e vullnetit dhe demoralizimi i idealistëve të islamit, ishin këshillat e Focas, si përmbledhje e luftërave të Bizantit dhe të cilat paraardhësi ynë i ndritur i aplikoi në mënyrë gjeniale.
“Lufta në vijën e kufirit kërkon marshime në këmbë dhe shumë ditë mbi shalën e një kali. Morali është i rëndësishëm në çdo formë luftimi, por është më shumë në një luftë kufitare, pasi pjesa më e madhe e përleshjeve zhvillohet në mënyrë autonome në skuadra dyshe, katërshe, gjithsesi në njësi të vogla, larg syve vëzhgues të oficerëve superiorë. Ndaj për të mbajtur lart moralin, duhet imponuar një disiplinë e ashpër që ndalon dembelizmin, rrugaçërinë, pijen, por duhen dhënë edhe shpërblime mbi sasinë e pagës të premtuar në momentin e rekrutimit”, këshillon perandori bizantin në traktatin e tij. A nuk duken këto si një manual i shkruar nga Skënderbeu, dhe i aplikuar në mënyrë gjeniale në terrenin shqiptar?
Dhjetë vjet pas vdekjes së tij dhe pas rënies së Shkodrës, këta kalorës, që thirreshin “stratiotë”, do zbarkonin në Itali, dhe do ishin të preferuarit e Republikës së Venedikut në rastet kur “Serenisima” përballej ushtarakisht me kundërshtarët e saj. Ja si përshkruhen nga bashkëkohësit dhe të cituar nga studiuesja veneciane Lucia Nadin: “Pak prej tyre qenë katolikë, ndërsa shumica ishin ortodoksë dhe mblidheshin në kishën e Shën Vlashit… dihen mirë antipatitë reciproke midis stratiotëve shqiptarë dhe atyre grekë, dhe asnjëri nuk pranon të jetë nën komandën e tjetrit”. Ndërsa Luigi da Porto, në veprën e tij “Shkrime Historike”, shkruan: “Ushtarët e Dominik Buziqit (prijës arbër), harbonin nga Udine në Viçencë e Basano me kuaj të shpejtë si era, duke kaluar në shtigje e vahe të panjohura, dhe arrinin të ktheheshin në kamp në mbrëmje pasi kapërcenin lumin Adixhe e Minçino dhe kaptonin male të ashpra, duke u lëshuar si shigjetë mbi armiqtë duke shkaktuar dëme të mëdha. Ishin rezistentë si askush tjetër dhe kishin aftësi të jashtëzakonshme të duronin urinë, etjen dhe pagjumësinë. E admirueshme ishte aftësia e tyre për të përshkruar vende të panjohura e për t’u orientuar në rrugë të panjohura e të papërdorura”.
Po ashtu, teknikat e bizantinëve për marrjen e kështjellave, siç ishin ndotja e ujit me kavje të infektuara, gjuajtja me katapulta e mbrojtësve të kështjellës, hapja e llagëmeve nëntokësore, dhe shumë teknika të tjera, i shërbyen Kastriotit për të nxjerrë mësime dhe mos lejuar që t’i pësonte në kurriz.
Nëse ndokush mendon se këto i ulin vlerat heroit tonë, duhet të rikujtojë thënien e një gjeniu tjetër të armëve, i cili është shprehur se: “Asnjëherë nuk kam shpikur ndonjë rrugëzgjidhje ose plan beteje. Gjithmonë kam bërë atë që më kanë sugjeruar gjeneralët e mi, thoshte Napoleoni. Gjenia ime qëndronte se zgjidhja gjithmonë këshillën e duhur për problemin që kisha”.
Po ashtu sistemi informativ i Kastriotit ishte një nga më modernët e kohës. Duke shfrytëzuar shqiptarët që banonin në perandorinë e sapoformuar, si dhe nga korruptimi me anë të parasë, Skënderbeu ishte në gjendje të vihej në dijeni gati në kohë reale se kur fillonte mobilizimi i trupave turke që në bazat e tyre në Turqi, si dhe ndiqte hap pas hapi marshimin e tyre duke i dhënë mundësi vetes të bënte atë që çdo komandant ushtarak ëndërron: Të zgjedhë kohën dhe vendin e betejës.
Në vitin 1463, nën presionin e aleatëve të tij të lodhur nga luftërat, Skënderbeu nënshkroi një paqe 10-vjeçare me Muhametin II, i cili kështu kishte neutralizuar kundërshtarin e tij më të frikshëm e të pamposhtur. Por nën premtimin e Papa Piu II për një kryqëzatë, ku udhëheqës do ishte Skënderbeu, Kastrioti e prishi paqen. Papa i pati premtuar edhe kurorëzimin e tij si mbret i Arbrit, premtim i cili mesa duket ishte kryesori që e shtyu të prishte paqen dhe t’u kallë në Ohër më 14 gusht të 1964-s një disfatë tjetër otomanëve. Por Papa vdiq, dhe bashkë me të edhe kryqëzata dhe ëndrra e Skënderbeut për t’u bërë mbret i Arbrit.
Është shpirtvogëlsi të mendosh se Kastrioti e donte titullin për egon e tij personale, duke menduar që tashmë ishte rreth të 60-ave, moshë gati dyfish më e madhe se jeta mesatare e burrave të asaj kohe, çka kuptonte një takim të afërt me vdekjen, dhe aq më pak për një njeri që me fitoret që kishte korrur në fushëbeteja, e krahasonin me gjeneralët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ai kishte gëzuar më tepër pushtet e lavdi se shumë mbretër dhe u kishte përdhosur titullin dy perandorëve, ndaj vështirë të ishte ambicioz për veten. Por si çdo bashkëkohës, me siguri mendonte se titulli mbret do t’i siguronte vazhdimësinë djalit të tij dhe në një farë mënyre edhe vetë Arbërisë, që mos të zhdukej nga faqja e dheut. Gjeniu i fushëbetejave, i cili preferonte të quhej princ i Arbrit dhe i Epirit, duke vulosur kështu gjenezën iliro-epirotase të arbërve nuk kishte si ta dinte se me veprën e tij, kishte bërë të pazhbëshëm një komb, i cili për 434 vjet u duroi gjithë trysnive dhe rilindi në fillimin e shekullit të 20. Pak gjëra ka trashëguar kombi i sotëm nga paraardhësit e tij zulummëdhenj: Shpesh preferojnë paqen edhe kur ajo nuk ka nder; sillen si burracakë edhe kur nuk i kërcënon vdekja; i bëhen urë më të fortit dhe presin që e mira t’ju dhurohet për gjynah dhe jo ta marrin se u takon; tremben t’i kthejnë fjalën grekut dhe i kanë lëshuar edhe Epirin, ndërkohë që princi i tyre emblemën e Epirit e mbrojti kundër një perandorie, ndërsa fqinjët e tij lëvdonin Perëndinë që tërbimi osman nuk binte mbi ta; por të paktën pranimi në gjenezën e tyre të njeriut që i tregoi botës se liria është e çmuar si për të madhin po aq edhe për të voglin; se megjithëse prijës i një populli të vogël i dha krah e shpatë që t’i bënin turqit të gëlltisnin për 25 vjet arrogancën e tyre bashkë me dhëmbët e thyer; se një çështje e drejtë mund të mbrohet dhe të jetë kauza e popujve të vegjël; të lënë të shpresosh se një ditë do t’i ngjajnë burrit të madh që sot ka 533 vjet i ikur nga kjo botë, po që emri do t’i dëgjohet edhe për shumë kohë.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button