Në Bronks të Nju Jorkut hapet shkolla shqipe

Në Bronks të Nju Jorkut u bë hapja solemne e shkollës shqipe për fëmijët shqiptarë në ndërtesën e kolegjit “Lehman College”. Të pranishëm në ceremoninë e hapjes kanë qenë përfaqësues të komunitetit shqiptar, konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në Nju Jork, Dritan Mishto, konsullja e Kosovës në Nju Jork, Arta Rama, personalitete publike të jetës amerikane dhe shqiptare në Nju Jork si dhe prindër e fëmijë të komunitetit.
Hapja e kësaj shkolle është një iniciativë private e disa biznesmenëve dhe veprimtarëve të dalluar të komunitetit. Mbi 100 fëmijë shqiptarë do të ndjekin mësimin në këtë shkollë shqipe.
Gjergj Dedvukaj, mësues dhe një nga nismëtarët e kësaj nisme theksoi se numri i nxënësve shqiptarë në të ardhmen do të shtohet tejmase. Konsulli shqiptar Dritan Mishto theksoi se shteti shqiptar do të jap kontributin dhe ndihmën për pajisjen e kësaj shkolle me tekste dhe materiale shkollore në gjuhën shqipe.
Nga Ardit Saliaj