Shqiperia,drejt nje lufte civile ???

Urdhër-arrestet nuk zbatohen, Prokuroria: Të tria vrasjet nga armët e Gardës
Ekspertët e Mjekësisë Ligjore, në përfundim të akt-ekspertimeve të tre të vrarëve, kanë arritur në konkluzionin se të tre janë qëlluar me armë zjarri të kalibrit 9 mm. Sipas këtyre të dhënave të siguruara nga burimet pranë Mjekësisë Ligjore dhe raporteve që tashmë janë administruar në dosjen hetimore, mësohet se të tre viktimat janë vrarë nga armë zjarri në vende të ndryshme në një afat të ngushtë kohorë mes tyre. I pari që është qëlluar me armë zjarri ka qenë shtetasi Hekuran Deda nga Dibra, i cili ndodhej rreth 10 metra nga porta hyrëse e kryeministrisë, hipur në dy tavolina të vendosura nga televizionet private për të pasqyruar demonstratën. Viktima Deda ka qenë duke zbritur nga tavolinat, ku plumbi e ka qëlluar në anën e majtë të kokës, mes veshit dhe ballit, duke i shkaktuar një plagë tejshpuese dhe vdekjeprurëse.

Drejtuesit e Gardes per te cilet eshte leshuar urdher -arresti

Plumbi që ka qëlluar Dedën, ka goditur edhe një gazetar të televizionit ABC duke i shkaktuar plagosjen në dorë. Viktima Deda, sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore ka gjetur vdekjen nga një plumb i kalibrit 9 mm.

Më pas, vetëm pak sekonda nga vrasja e Dedës, është qëlluar me armë zjarri shtetasi Ziver Veizi nga Gjirokastra, i cili ndodhej rreth tre metra nga porta hyrëse e kryeministrisë në bulevard. Sipas raportit të mjeko-ligjorëve, viktima Veizi ka marrë një plumb në kraharor, në anën e djathtë ballore. “Plumbi që ka sjell vdekjen e tij, është i kalibrit 9 mm”, – thuhet në raportin e prokurorisë.

Vetëm pak minuta nga këto dy vrasje, është qëlluar shtetasi Faik Myrtaj. “Vrasja e Myrtajt, është bërë nga një plumb i vetëm, i cili e ka goditur në shpatullën e djathtë duke përshkruar hyrjen me një pjerrtësi të vogël. Edhe plumbi që ka qëlluar Myrtajn është i kalibri 9 mm”,- thuhet nga ekspertët.
Sipas prokurorisë, në vendin e ngjarjes, dhe në oborrin e kryeministrisë janë gjetur një sasi e madhe gëzhojash të të njëjtit kalibër 9 mm, të cilat janë shkrehur nga armët e efektivëve të Gardës së Republikës të tipit MP5 të prodhimit turk. Sipas prokurorisë, predhat e gjetura në trupin e të vrarëve, janë të armëve të kalibrit të njëjtë që efektivët e Gardës kanë në përdorim.

Që në orën 12:00 të mesditës së djeshme, prokuroria e kryeqytetit ka lëshuar gjashtë urdhër-arrestet për drejtuesit e lartë të Gardës së Republikës, mes tyre komandantin e këtij institucioni gjeneral Ndrea Prendi dhe pesë vartësit e tij, por, policia e shtetit nuk i zbaton këto urdhra.

Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të organit të akuzës, ku grupi hetimor nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës prokurorit Sokol Malaj, ka konstatuar nga hetimet paraprake të ngjarjes, elementë të veprës penale të kryer nga drejtuesit e lartë të Gardës së Republikës, vartësit e të cilëve dyshohet se kanë vrarë tre demonstruesit dhe kanë plagosur me armë zjarri së paku 10 persona të tjerë.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi për Komandantin e Gardës gjeneral Ndrea Prendin i njohur si ish-shoqëruesi personal i kryeministrit Sali Berisha dhe pesë komandantët të njësive të Gardës, por ende nuk janë zbatuar nga Policia e Shtetit.

“Është lëshuar urdhër-arresti për Komandantin e Gardës gjeneral Ndrea Prendi, komandantin e njësisë numër dy të Gardës kolonel Dashamir Shehi, efektivët e të cilit sipas rregullores kishin për detyrë ruajtjen e ambienteve të kryeministrisë. Për komandantin e njësisë speciale të Gardës major Alfred Ahmetcenaj, komandantin Fran Prenga, komandat i njësisë Vladimir Ndreaj dhe një komandant tjetër i njësive që ishin organizatorët e planit të masave ndaj demonstratës”,- thuhet nga prokuroria, të cilët nuk japin detaje për dy emrat e tjerë të gardistëve. “Shekulli” deri në orët e vona të mbrëmjes, nuk ka mundur të sigurojë këto dy emra, por ka konfirmuar 4 prej tyre të cilët janë personat e sipërpërmendur.

Gjashtë drejtuesit e gardës akuzohen se kanë konsumuar elementë të veprave penale të “shpërdorimit të detyrës” sipas Kodit Penal Ushtarak dhe akuzën e “vrasjes në rrethane cilësuese” kundër dy apo më shumë personave (pasi është qëlluar në drejtim të turmës) sipas Kodit Penal civil. Mësohet se urdhrat për arrestimin e gardistëve janë dërguar në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, por, në mënyrë skandaloze, deri në mesnatën e djeshme, urdhrat nuk janë ekzekutuar nga policia në kundërshtim flagrant me ligjet e shtetit.


Prokuroria: Asnjë ligj nuk lejon që të qëllohen protestuesit jashtë rrethimit të kryeministrisë
Gjatë paradites së djeshme, hetuesit e çështjes kanë sekuestruar në ambientet e Gardës së Republikës rregulloren e këtij institucioni, ku tregon ndarjen e secilës njësi. Sipas këtyre dokumentacioneve të sekuestruar, rezulton se Garda është e ndarë në pesë njësi, atë speciale, numër një, numër dy, tre dhe katër, ku secila prej tyre i ka detyrat e ndara.
Ditën e demonstratës, mësohet se njësitë e Gardës ishin ndarë në pozicione të ndryshme, por të gjitha nën komandoni e njësisë numër dy të drejtuar nga kolonel Dashamir Shehi, që kishte për detyrë ruajtjen dhe sigurinë e ambienteve të kryeministrisë.
Në hapësirën mes kryeministrisë dhe piramidës, sipas hetuesve, ka qenë njësia nr. 2 e gardës, ndërsa para kryeministrisë ka vepruar njësia e forcave speciale të gardës nën komandën e major Alfred Ahmetcenaj, në krahun mes hotelit të njohur dhe kryeministrisë ka qenë e vendosur në pozicion njësia nr. 1 nën drejtimin e kolonel Vladimir Ndreaj.
Ndërsa dy njësitë e tjera të drejtuar nga komandantët e tyre, kanë shërbyer si forcë mbështetëse për tri njësit e shpërndara për rreth kryeministrisë. Sipas planit të masave që tashmë është sekuestruar nga prokuroria, mësohet se Garda e Republikës kishte planifikuar disa masa për menaxhimin e situatës që pritej të demonstronin para kryeministrisë. Sipas këtyre të dhënave, në asnjë rast nuk ishte parashikuar specifikisht përdorimi i armëve.
“Në planin e masave, thuhej që në rastet kur situata del jashtë kontrollit të policisë dhe protestuesit hynë në ambientet e brendshme të rrethimit të kryeministrisë, efektivët e gardës duhet të zbatojnë ligjin për ruajtjen e institucioneve të rëndësisë së veçantë. Sipas ligjit për ruajtjen e këtyre institucioneve, parashikohet se në rast tejkalimi të situatës dhe personat që hyjnë me forcë brenda rrethimit të parashikuar, efektivët e gardës duhet të qëllojnë në ajër për të paralajmëruar gjithmonë nëse situata është përshkallëzuar. Në momentin që qëllohet në ajër dhe protestuesit nuk janë ndalur, efektivët e gardës kanë të drejtë të qëllojnë në drejtim të agresorëve gjithmonë, nëse kanë hyrë brenda rrethimit të institucionit”, – thanë burimet e prokurorisë.
Por, në rastet e vrasjes së tre protestuesve, duket qartë që asnjëri prej tyre nuk është qëlluar brenda rrethimit të kryeministrisë por jashtë saj. Çka do të thotë, sipas hetuesve, se personat që kanë dhënë urdhër të qëllohet dhe ata që kanë zbatuar këto urdhra do të ndiqen penalisht.

Paraditen e djeshme, hetuesit dhe prokuroritë e kryeqytetit, kanë marr në pyetje të gjithë drejtuesit e Gardës së Republikës dhe një numër të konsiderueshëm oficerësh e ushtarësh, që ndodheshin në ruajtje të institucionit të kryeministrisë gjatë ditës së premte. Përveç këtyre, hetues e prokuror të grupit hetimor kanë administruar në dosjen hetimore edhe një sërë dëshmish të personave të plagosur me armë zjarri dhe atyre të lënduar nga të goditurat e policisë. Gjithashtu, prokurorët gjatë ditës së djeshme kanë siguruar edhe dëshmi të gazetarëve, të cilët mbetën të plagosur me armë, apo nga të goditurat e policisë gjatë demonstratës të së premtes në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Në dosjen hetimore janë administruar edhe disa akt-ekspertime të Mjekësisë Ligjore, ku bëhet fjalë për akt-ekspertimin e kufomave të të vrarëve, të plagosurve me armë, të dëmtuarve nga goditjet me shkopinj gome e mjete të forta të policisë”,- thuhet nga burimet e prokurorisë.

Kryeministri Berisha kunder kryeprokurores dhe ligjit…

Kryeministri Berisha gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e qeverisë në orët e pasdites së sotme ka akuzuar kryeprokuroren Ina Rama se zbaton dy standarte në punën e saj për zbatimin e ligjit.


Madje kryeministri ka shkuar edhe më tej duke u shprehur se zonja Rama raporton tek kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama për punën e saj.

“Kjo zonjë që kur është emëruar me votën time e të mazhorancës ka zbatuar dy standarte për të cilat unë në mënyrë të hapur kam bërë deklaratën time. Deri më sot nuk ka hapur asnjë cështje penale ndaj asnjë eksponenti të qeverisë së mëparëshme ndaj asnjë eksponenti të qeverisjes vendore aktuale socialiste. Kjo zonjë ka hapur me qindra dosje ndaj mazhorancës e administratës së saj. Prokuroria i ka dhënë imunitet opozitës duke e dëmtuar atë. Afera e fundit me të cilën zoti Rama u akuzua me kontratë se kishte marrë 20 përqind për lejen e ndërtimit. Po e ndiqja me vëmendje i sigurt se mikesha e Avllajve do ta mbyllte, prokuroria ka ëikende brenda dhe jashtë shtetit me Avllajin tjetër”, tha Berisha.
Më tej kryeministri përmendi një telefonatë të kryeprokurores Ina Rama me Drejtorin e Përgjishëm të Policisë për udhër-arrestet e 6 gardistëve, për t’u aluduar se kryeprokurorja raporton tek kryetari i PS-së, Edi Rama.

“Dje pasdite Ina Rama merr në telefon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për urdhër-arrestet. Drejtori iu shpreh prokurores së formulimi ishte me gabime teknike dhe duhej korigjuar. Vetmë 30 minuta pas kësaj Edi Rama del në një konferencë për shtyp akuzon policinë për mosarrestimet”, deklaroi kryeministri Berisha.

Në fund të fjalës së tij Berisha njoftoi mbledhjen e parlamentit për ngritjen e një komisioni hetimor për ngjarjet, si dhe njoftoi shtyrjen e manifestimit kundër dhunës për ditën e shtunë nderkohe qe PS lajmeron se protesta do te rifillojne diten e premte ne te 7-at e personave qe humben jeten ne protesten e 21 Janarit.

Cfare do te thote kjo qe edhe qeveria po kerkon te ngreje popullin qe te ngriet e te vritet vellaj me vellane.Cdo te thote kjo kur akuzoj Ramen per protestat dhe tani na ngre dhe ky njerezit e tij.Cfare duan qe ti bejne ketij popullit te mjere.Gjithcka qe ju beni,jane ne dem te popullit pasi ne i persojme pasojat.
Nuk mund te na perdorni si te doni,jemi njerez e jo kafshe !!!
I gjithe populli do drejtesi dhe liri ne kete vend,drejtesia i vuri pikat mbi “i” dhe e akuzoj vrasjen e 3 protestueve se erdhi nga gardistet.Ne baze te ligjit ata duhet te denohen dhe te shkoj drejtesia ne vend.Juve pse nuk ju pelqen kjo,pse duhet ta kundershtoni pasi ligji eshte i barabarte per te gjithe,apo pse drejtesia akuzon qeverine tuaj si fajtore te ketyre vrasjeve dhe juve leshoni akuza te pabaze ndaj kryeprokurores se ua ka fajin ajo.Madje juve e shperblyet policine dhe gardistet dhe nuk jemi kunder kesaj,po per cfare i shperblyet kur juve po kundershtoni ligjet,per vrasjen qe i beri popullit???
Cfare do te thote me kete,mos valle ata protestues kishin te drejte qe u ngriten pasi juve nuk pranoni drejtesi dhe sprononi ti pergjigjeni ligjit.Mesa dime ligjet jane per te gjithe te barabarte dhe fajtoret duhet te ndeshkohen kurse juve me keto akte po i mbeshtesni.
Ne si popull duam te mos na beni padrejtesira,si te majte e te djathte.Duam qe per cdo fajtor tja leme drejtesise dhe te zbatohen ligjet dhe ti respektojme ato.
Kujdes !!!

Nga Ardit Saliaj

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button