Novak: “Nacistët evropianë kanë lejuar krijimin e shtetit të dytë mafioz shqiptar në rajon”

Postimet në Facebook të një politikaneje të re kroate kanë shkaktuar skandal në këtë shtet. Helena Novak, deputete lokale në qytetin Trogiru, pjesë e partisë opozitare SDP, ka fyer dhe ofenduar në baza raciste shqiptarët e Kosovës.
“Demokracia do të thotë integriteti dhe sovraniteti i Republikës së Serbisë të pranuar ndërkombëtarisht. Kosova është territori autonom i Serbisë. Dhe, nëse flasim për “shiptari”, unë njoh shumë prej tyre në Trogir. Ata kanë argjendari, furra e pastiqeri. Ata janë mashtrues, gënjeshtarë, kontrabandojnë, gjuajnë me armë, qërojnë hesapet në mënyrën e tyre. Ata mund të jenë gjithçka pos të sinqertë, punëtorë dhe të mirë. Është qesharake. Por, unë nuk kam asgjë kundër tyre. Po flas për Kosovën – krahinën autonome të Serbisë”, raportojnë mediat kroate të ketë shkruar Novak.
Fyerjet e saj kanë nxitur reagimin e shpejtë të shqiptarëve të Kroacisë, që i janë ankuar kryetarit të Trogirit.
Më pas, duke folur për Nacional, Novak ka thënë se ka shprehur qëndrimet e saj personale se “nacistët evropianë kanë lejuar krijimin e shtetit të dytë mafioz shqiptar në rajon”, dhe se këto qëndrime nuk paraqesin politikat e partisë së saj SDP.