RREZIKUESIT E SIGURISË KOMBËTARE

Demonstrata e 21 janarit qe paralajmëruar si një protestë që vinte si shprehje e një akumulimi të gjatë të pakënaqësive të opozitës. Analiza e situatës që solli këtë shfaqje turpi në rrugët qendrore të Tiranës do ta ketë një emërues të përbashkët: kishte mjaft xixa që i paraprinë demonstratës së tensionuar.
“Kishte mjaft xixa që i paraprinë demonstratës së tensionuar” nuk është shprehje diplomatike, sado qe edhe mund te tingëllojë ashtu, por është vlerësim i denjë i ngjarjes që do të ndodhte. Dhe erdhi dita e u bë. U realizua ai parashikim që bëhej nga njerëz në sytë e të cilëve, edhe pse pa e deklaruar botërisht, mund të lexoje: “Këtu duhet bërë diçka, disi duhet dalë përballë dhe duhet ulur gjakrat”.

Po ata që duhej të viheshin ballë për ballë kësaj gjendjeje? Si ta vlerësojmë ne sjelljen e tyre? Iu ndodhi kjo se nuk e kishin vlerësuar si duhet, apo e kishin marrë me kollaj daljen përballë masës së elektrizuar deri në skajshmëri, të elektrizuar nga ata që tashmë fitilin e kishin ndezur dhe ishin kthyer pranë TV-së, që përcillte më mirë flakët.
Dhe shtohet pyetja: si ka mundësi që njerëzit të cilët e quajnë veten profesionistë në punët e sigurisë nuk e bënë punën e duhur atë ditë? Nuk e mbrojtën as rendin, as kryeministrinë. Po ajo rrethoja që ishte po e njëjta – e pandryshueshme – sikur në çdo ditë të zakonshme? E keni llogaritur ashtu – ditë të zakonshme?! Mirë kjo, se nuk kishit pritur që masat e të rinjve të frustruar do të turren drejt hekurave të kryeministrisë. Po ju që do t’iu dilnit atyre përballë, gjithë ditën do t’i matnit forcat me masën dhjetëramijëshe?! E tha shkrimtari dhe politikani, z. Godo: njerëz janë edhe ata dhe dikur do të veprojnë kundrejt sulmuesve. Pa dyshim që janë të tillë dhe gjithkush i ka dy duar për një kokë. Po ai që paguhet për të menaxhuar situata të tilla duhet të ketë tjera qasje menaxhuese, e jo të sjellë situata të tilla që për orë të tëra të gjuhemi (popullatë-polici) me gurë para kamerave.
Ku ishin vallë makinat me ujë?!
Ku ishin rrethojat me tela gjemborë rreth ndërtesave të rëndësisë së veçantë?!
Ku ishte gazi lotsjellës, aman?!
Po, me tym të fishekzjarrëve për festa po arrijmë ta bëjmë të padurueshëm ambientin publik, e lëre më me gazin special. Të gjithëve na vjen keq për ato skena që përjetuat, por… Në vend të makinave me ujë dhe gazit lotsjellës, ju mbroheshit me plumba nga njerëz të paarmatosur. Të shtënat i pamë e i dëgjuam përmes TV-së, pavarësisht prej komenteve për njeriun me thinja që rrinte afër viktimës që po shtrihej përdhê ndërsa ai vazhdonte të bënte lëvizje të dyshuara sa andej e sa këndej. E,… kështu, jo. Se, edhe po qe e sigurt se njeriu me thinja po vriste tinëz civilë për t’i nxjerrë ata viktima të të shtënave, prapëseprapë qasja e sigurisë – e atyre që duhet të menaxhojnë me sigurinë – qe e gabuar dhe e palejueshme. Plumbi nuk është mjet mbrojtës nga qytetarët. PIKË!
Shikuar nga këndvështrimi menaxhues i sigurisë dhe mbrojtjes, iniciuesit e gjendjes duhet të eliminohen nga skena sa herë që është e mundshme një gjë e tillë. Nëse nuk mund të eliminohen, duhet të izolohen. Dhe fare në fund, të zvogëlohet për sa është e mundshme domeni veprues i atyre shkaktarëve që kanë sjellë gjendjen e çrregulluar nga e cila janë shkaktuar dëme.
Shikuar nga pikëpamja e sigurisë (lexojeni lirisht: sigurisë kombëtare!) faktorët shkaktues të gjendjes duhet të emërtohen saktësisht dhe duhet të thuhet çfarë të bëhet me ta më tutje. Pavarësisht nga luhatjet tjera politike brenda spektrit politik shqiptar, pavarësisht nga luhatjet brenda grupacioneve, nga rezistencat e shfaqura nga cilado anë e klaneve dhe grupeve, krerët e të dy anëve janë elementi që prodhuan dhunën, dëmin. Gjykatat do ta përcaktonin peshën e dëmeve të secilit, mandej edhe sanksionimin.
Rrjedhimisht, që të mund të ndreqet ajo që është prishur do të duhej të jepnin llogari tri personalitet udhëheqëse nga ana e atyre që nuk menaxhuan me pakënaqësinë të cilën vetë e thirrën të elektrizohet dhe së paku tri personalitete nga ana e atyre që udhëheqin shtetin (pozita). Profesionistët duhet të përgjigjen secili veç e veç për aq sa kanë i shkelur rregullat.
Miftar Mehani albaniapress

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button