Ambasadori rus: “Shqipëria e Madhe” paraqet rrezik

Ambasadori i Federatës Ruse në Beograd, Aleksandar Konuzin, vlerëson se projekti “Shqipëria e Madhe” paraqet rrezik për rajonin e Ballkanit. Konuzin thekson, se në të kaluarën Ballkani ka përjetuar periudha të konflikteve të rënda të armatosura me baza nacionale. “Për këtë shkak, kundërshtimi sa më i shpejtë i idesë së shqiptaro-mëdhenjve dhe i ideve të tjera të ngjashme të rrezikshme është më mirë”, ka thënë Konuzin për gazetën “Dnevnik” të Novi Sadit.
Ai ka thënë se Rusia pret që dialogu ndërmjet Beogradit e Prishtinës të fillojë sa më shpejt, duke u nisur nga fakti se qëllimi i bisedimeve është në gjetjen e marrëveshjeve të ndërsjella përkatëse në lidhje me të gjitha pyetjet që kanë palët e interesuara.
Diplomati rus ka vlerësuar se pala serbe po tregon gatishmëri për fillimin e kontakteve, ndërkohë që për Prishtinën kjo nuk mund të thuhet. Konuzin ka shprehur dyshimin në aftësinë e palës kosovare që të plotësojë ato që janë parashtruar në rezolutën e përbashkët, të cilën BE dhe Serbia e kanë paraqitur më 9 shtator të vitit të kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Ambasadori rus në Beograd paralajmëron se Moska nuk do të përfshihet në bisedimet Serbi-Kosovë.