Deprecated: stristr(): Non-string needles will be interpreted as strings in the future. Use an explicit chr() call to preserve the current behavior in /var/www/vhosts/zgjohushqiptar.com.al/zgjohushqiptar.al/wp-content/plugins/a2-w3-total-cache/lib/W3/PgCache.php on line 1054
POLITIKA DIVIDO ET IMPERA E GRUEVSKIT | My CMS

POLITIKA DIVIDO ET IMPERA E GRUEVSKIT

Zhvillimet politike në Maqedoni, kohët e fundit, tregojnë ngecjen e çështjes shqiptare. Proceset janë kthyer, jo para 2001-shit, por në fillim të viteve ’90 të shekullit XX.
            Qëllimi i VMRO-ve është të mohojnë luftën e 2001-shit dhe rezultantën e saj – Marrëveshjen e Ohrit.
            Në fillim të viteve ‘90 të qindvjeçarit të shkuar, ideologjia gligoroviane, zbatoi ndaj shqiptarëve strategjinë e mashtrimit. Mirëpo, ndërkohë u pa se një strategji e tillë ishte miope, dritëshkurtër. Një filozof gjerman ka thënë se e mira më e madhe është pjellë e së keqes më të madhe. Si rrjedhojë e gligorovizmit, çështja shqiptare radikalizohej.
            Maqedonia nuk është shtet shumetnik por dyetnik – shqiptaro-maqedonas. Ajo përbëhet prej dy hapësirave etnike: hapësirës etnike shqiptare – në veriperëndim dhe hapësirës etnike maqedonase – në juglindje të këtij vendi. Përpos këtyre dy popujve, me kapacitet shtetformues, në Maqedoni jetojnë edhe pakica kombëtare, si: vllehtë, romët, turqit, serbët…
            Sipas VMRO-ve dhe gligorovistëve, në grupin e pakicave kombëtare na bëkan pjesë edhe shqiptarët. Duke i futur shqiptarët në grupin e minoriteteve, maqedonasit duan ta mohojnë aftësinë shtetformuese të tyre, duan ta mohojnë rolin historik të tyre në konsolidimin dhe në stabilizimin e këtij vendi, duan ta mohojnë autoktoninë e tyre dhe t’i shndërrojnë në qiraxhinj.
            Sigurimi i mandateve të deputetëve për minoritetet e sipërtheksuara – për vllehtë, për romët, për turqit, për serbët… ka karakter thellësisht antishqiptar.
            Në Maqedoninë pluraliste të dhjetëvjeçarëve të fundit, as edhe një ditë nuk është diskutuar për pakicën vllahe, rome, turke, serbe, boshnjake. Që prej vitit 1991 e deri më sot, në Maqedoni shtrohet, në të gjitha modalitetet e veta, vetëm çështja shqiptare dhe jo ajo vllahe, rome, turke, serbe, boshnjake. Në kuvendin e këtij vendi diskutojnë deputetët shqiptarë dhe jo përfaqësuesit e pakicave. Pjesë të bashkëqeverisjes së këtij vendi, janë shqiptarët dhe jo pakicat. Luftën e 2001-shit e bënë shqiptarët dhe jo pakicat. Marrëveshjen e Ohrit e imponuan dhe e nënshkruan shqiptarët dhe jo pakicat. Marrëveshjen e lartpërmendur angazhohen ta jetësojnë shqiptarët dhe jo pakicat. Takime, kontakte dhe këshillime me përfaqësuesit e qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes realizojnë shqiptarët dhe jo pakicat. Çështjen kombëtare në Maqedoni e kanë ndërkombëtarizuar shqiptarët dhe jo pakicat.
            Duke u siguruar 10 mandate deputetësh për pakicat, VMRO-të tentojnë t’i instrumentalizojnë ata, jo vetëm për interesa të politikës ditore, por edhe për qëllime strategjike – thellësisht antishqiptare. VMRO-të dhe gligorovistët kanë për qëllim të defaktorizojnë faktorin politik shqiptar, të relativizojnë forcën politike, rolin politik dhe ndikimin politik të faktorit shqiptar.
            Këto zhvillime politike të VMRO-ve dhe të gligorovistëve, i kthejnë proceset, jo në fillim të viteve ’90 të qindvjeçarit XX, por edhe para viteve të sipërthëna – në periudhën serbokomuniste, kur kushtetuta thoshte se Maqedonia na qenkësh shtet i maqedonasve, i shqiptarëve dhe i turqve. Edhe atëherë, në kohën e Josip Brozit, potencial në Maqedoni paraqitnin shqiptarët dhe jo turqit. Turqit përmendeshin vetëm sa për të amortizuar  relevancën dhe peshën e shqiptarëve, për të parandaluar fuqizimin e tyre.
            Shqiptarët në Maqedoni janë popull autokton, që paraqet potencial demografik, social, ekonomik, prodhues, riprodhues, krijues, mbrojtës dhe politik. Pakicat si vllehtë, romët, turqit, serbët, boshnjakët, të gjithë së bashku, nuk paraqesin potencial të tillë. Janë shqiptarët ata që shtrihen në një hapësirë gjeografike kompakte në tërë pjesën veriperëndimore në Maqedoni. Janë shqiptarët ata që kufizohen me vetveten dhe jo pakicat.  Si asnjë popull tjetër në Evropë.
            Maqedonia mund të ketë qeveri pa pakicat, por jo edhe pa shqiptarët. Pa shqiptarët s’mund të ketë as Maqedoni si shtet.
            Një qeveri eventuale maqedonase, pa shqiptarët në të, do të gjeneronte në sistem paralel. Në atë rast, në hapësirën etnike shqiptare do të ishin themeluar organet ligjvënëse dhe ekzekutive, si parakusht i krijimit të një Maqedonie  me dy entitete, me tendenca qendërikëse.
            Asnjëra nga pakicat në këtë vend, nuk posedon forcë për të shkaktuar çfarëdo lloj krize në këtë vend. Shqiptarët ndërkaq po. Asnjë nga pakicat e këtij vendi nuk paraqet faktor stabiliteti apo paqeruajtës.
            Shqiptarët në Maqedoni janë më shtetformues madje edhe se maqedonasit. Me fjalë të tjera, kapaciteti shtetformues i maqedonasve është i diskutueshëm. Kështu sepse, maqedonasit ndodhen në kontest me fqinjët e tyre: me Greqinë – për hapësirën gjeografike, me Bullgarinë – për gjuhën dhe historinë, me Serbinë – për kishën. Shqiptarët ndërkaq, konteste të tilla s’kanë me askënd.
Aftësia shtetformuese e një populli që është në mosmarrëveshje me fqinjët e vet, madje për çështjet kruciale mbi të cilat ndërtohet identiteti i një kombi, është e diskutueshme. Në konflikt me fqinjët, me krizë identiteti, me rrymë proserbe dhe probullgare, me njërin sy nga Beogradi, me tjetrin nga Sofja, me turbulenca ndëretnike permanente, me mungesë gatishmërie për dialog dhe reforma, me mungesë vizioni politik dhe me krizë sociale e morale të vazhdueshme, në ç’mënyrë VMRO-të dhe gligorovianët do të bëhen pjesë e Perëndimit!?
             Gruevski nuk punon për t’i mbyllur çështjet, për t’i përfunduar proceset, por për t’i ndërprerë ato. E kjo rrezikon të çelen procese te reja. Një politikë e tillë është e pa perspektivë dhe kthehet si bumerang. Mund të vijë një kohë kur Marrëveshjes së Ohrit do t’i referoheshin VMRO-të dhe gligorovët, më parë se shqiptarët. Mund të vijë një kohë kur shqiptarët ta konsiderojnë marrëveshjen si të vjetruar, ende pa u jetësuar.
Çështja nuk qëndron te ripërtëritja e strategjisë së mashtrimit të shqiptarëve si në fillim të viteve ’90 të qindvjeçarit XX. Çështja nuk qëndron te manipulimi i shqiptarëve, as te relativizmi dhe amortizimi i forcës politike të tyre, e as te neutralizimi i potencialit të tyre. Kjo nuk paraqet fitore për shtetin. Përkundrazi, kjo është miopi politike.          
Çështja është: e ndjejnë shqiptarët Maqedoninë si shtet të vetin, apo nuk e ndjejnë? Kjo është kuintesenca e çështjes, d.m.th. thelbi i çështjes. S’ka Maqedoni stabile, përderisa shqiptarët të mos e ndjejnë këtë vend si të vetin. Shqiptarët mjaft i kanë kontribuar stabilitetit dhe konsolidimit të këtij vendi, simbolet e të cilit, nuk përmbajnë asnjë nga vlerat shqiptare.
Tani shtrohet pyetja: Ç’bën ky shtet për shqiptarët, kapaciteti shtetformues i të cilëve nuk përfillet dhe nuk po sanksionohet juridikisht dhe politikisht?! Përkundrazi, mohohet, injorohet dhe nëpërkëmbet.
            Çështja shqiptare nuk duhet të reduktohet në çështje të vendosjes së gurthemeleve për ndërtimin e sallave sportive, të cilat, askush s’e di se kur do të realizohen.
            Në saje të lakmisë së skajshme të shqiptarëve për pushtet – pa pushtet – Gruevski e zbaton ndaj shqiptarëve politikën divido et impera dhe ia del që çështjen shqiptare ta kthejë në vitin 1991, ta shndërrojë në çështje kulturore, ta zhveshë nga dimensioni i saj politik, duke e reduktuar në çështje të ndërtimit të sallave sportive, ndërkaq partnerin shqiptar “të bashkëqeverisjes” ta instrumentalizojë dhe ta zhveshë nga çdo peshë politike duke e shndërruar atë në dekor të kuazi-demokracisë maqedonase, që të përkujton kohën e PPD-së së manipuluar të viteve ’90 të qindvjeçarit XX.
            Strategjia antishqiptare e gligorovistëve e solli luftën e 2001-shit. Ndërkaq, politika antishqiptare e VMRO-ve nuk premton stabilitet dhe perspektivë, por krizë.

                                                                   Xhelal Zejneli

                                                         xhelalzejneli@hotmail.com

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button