Deprecated: stristr(): Non-string needles will be interpreted as strings in the future. Use an explicit chr() call to preserve the current behavior in /var/www/vhosts/zgjohushqiptar.com.al/zgjohushqiptar.al/wp-content/plugins/a2-w3-total-cache/lib/W3/PgCache.php on line 1054
Moisiu: Regjistrimi i popullsisë është antikushtetues | My CMS

Moisiu: Regjistrimi i popullsisë është antikushtetues

Ish-Presidenti i Republikës kundër procesit të regjistrimit me bazë etnike: Ai formular duhet korrigjuar dhe kjo punë duhet parë seriozisht
Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu është shprehur dje kundër regjistrimit të popullsisë në bazë të etnisë duke e cilësuar si një proces që bie ndesh me kushtetutën.
Moisiu shpjegon në një intervistë për “Shekullin” se kushtetuta përcakton vetëm shtetësinë dhe jo kombësinë. “Kjo mënyrë regjistrimi është një goditje morale që i bëhet kombit shqiptar dhe këtë goditje nuk mund t’ia japë shteti i vetë”,- shprehet ish-presidenti.
Zoti Moisiu, si e vlerësoni procesin e regjistrimit të popullsisë në bazë të kombësisë?
Kjo mënyrë regjistrimi është një goditje morale që i bëhet kombit shqiptar dhe këtë goditje nuk mund t’ia japë shteti i vetë. Problemi “komb” dhe “kombësi” nuk parashikohet fare në Kushtetutë, Kushtetuta pranon vetëm shtetësi. Unë nuk e di se ku janë bazuar ata që kanë hartuar këtë formular.
Nuk e di nëse kjo është bërë nga mosdija, nga keqdashja, se nga çfarë janë nisur këtë nuk mund ta them dot. Ajo që mund të them është se ai formular duhet korrigjuar dhe kjo punë duhet parë seriozisht.
Si e shikoni këtë heshtje të klasës politike, sepse duket sikur ka një vazhdimësi politika greke duke filluar që nga shpërndarja e pensioneve në jug të vendit, varrezat e ushtarëve…?
Është diçka e habitshme. Por unë mendoj se politika duhet të reagojë, sepse ka një reagim mbarëkombëtar tani kohët e fundit, sidomos pas deklaratës së konsullit grek Ikonomus.
Njerëzit tanë intelektualët e quajtën një sulm ndaj shqiptarëve një sulm të padrejtë sepse s’ka baza. Nuk ka pse të tensionohen marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë. Duhet të kuptohemi se është fqinji ynë, sepse siç i thonë shtetin mund ta zgjedhësh, por fqinjin ta jep Zoti. Kështu që mendoj se politika duhet të reagojë dhe duhet të korrigjojë.
Pse i druhet klasa jonë politike një reagimi më të ashpër?
Kjo pse i druhet duhet parë, sepse nuk ka pse t’i druhet në fund të fundit ne jemi shtet i pavarur dhe politikanët në radhë të parë duhet të mbrojnë interesat e shtetit të tyre.
Si e shikoni kërkesën që kreu i gjykatës së Sarandës ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë ku kërkon rrëzimin e ligjit që parashikon regjistrimin mbi baza etnike.
Cili është vlerësimi juaj?
Është më se i drejtë . Edhe veprimin e nënkryetarit të KLD-së Spahiu gjithashtu e vlerësoj, bile ai ka qenë një nga promotorët e kësaj lëvizjeje edhe bravo i qoftë.
Ligji 2009 një javë para shpërndarjes së parlamentit
TIRANË-Fenomeni i ndryshimit të kombësisë në mënyrë abuzive, e ka zanafillën pas miratimit të ligjit për gjendjen civile miratuar nga Kuvendi në 11 maj të vitit 2009, vetëm pak ditë nga shpërndarja e tij. Pikërisht në këtë ligj është futur termi i kombësisë në nenin që bën fjalë për përbërësit dhe veçoritë e gjendjes civile. Është pikërisht pika e parë e këtij neni që thekson se:
1. Përbërësit e gjendjes civile janë: emri e mbiemri, numri i identitetit, datëlindja, vendlindja, gjinia, shtetësia, raportet e atësisë e amësisë, gjendja civile, kombësia, vdekja, shpallja i/e zhdukur, vendbanimi, vendqëndrimi dhe fakte të tjera, të parashikuara me ligj.
Ndërkaq në ligjin paraardhës të shfuqizuar pikërisht nga ligji i vitit 2009 nuk përmendet termi i kombësisë kur bëhet fjalë për të njëjtin nen, pra për përbërësit e gjendjes civile.
Ligji i 10 tetorit të vitit 2002 nr.89 50 që është shfuqizuar nga ligji i 2009-ës thekson në nenin 8 përbërësit e gjendjes civile. Në pikën 1 të këtij neni thuhet se
1. Përbërësit e gjendjes civile janë emri e mbiemri, numri i identitetit, datëlindja, vendlindja, vendbanimi, seksi, raportet e atësisë e mëmësisë, vdekja, shpallja i/e zhdukur dhe fakte të tjera të parashikuara nga ligji.
Pra, duket qartë se i njëjti nen ka ndryshuar për sa i përket termi kombësi. Nuk ekziston në ligjin e 2002-it dhe është vendosur në ligjin e vitit 2009.
Aktualisht ligji i majit 2009 është në gjykatën kushtetuese pas kërkesës së dërguar nga gjykata e Sarandës për të interpretuar këtë pjesë të ligjit që lidhet me përdorimin e termit kombësi. Sipas gjyqtarit të Sarandës Altrin Cela ligji për gjendjen civile i vitit 2009 i detyron qytetarët ndryshe nga ç’përcakton kushtetuta të deklarojnë etninë e tyre pikërisht nëpërmjet nenit 6 të ligjit për gjendjen civile.
Gjyqtari pretendon se ky nen bie në kundërshtim me nenin 20 pika 2 e kushtetutës, që flet për pakicat kombëtare ku thuhet se
2. Ata kanë të drejtë të shprehin lirisht, pa u ndaluar as detyruar, përkatësinë e tyre etnike, kulturore, fetare e gjuhësore. Ata kanë të drejtë t’i ruajnë e zhvillojnë ato, të mësojnë dhe të mësohen në gjuhën e tyre amtare, si dhe të bashkohen në organizata e shoqata për mbrojtjen e interesave dhe të identitetit të tyre.
Në kërkesën e tij gjyqtari ka nënvizuar se ashtu sikurse është pranuar tashmë nga jurisprudenca, qytetarët nuk mund të detyrohen të deklarojnë përkatësinë e tyre fetare, në të njëjtën mënyrë ata nuk mund të detyrohen që të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike, kulturore apo gjuhësore dhe çdo ligj që merr përsipër një detyrim të tillë është antikushtetues dhe duhet të deklarohet si i tillë.
Duhet theksuar se ligji i vitit 2009 për gjendjen civile, që i hapi rrugën ndryshimit të kombësisë u miratua vetëm në seancat e fundit të asaj legjislature. Ky ligj i ka kaluar në heshtje në atë kohe vjen pak javë pas skandalit tjetër të madh për marrëveshjen e ujërave me Greqinë.
Edhe me këtë marrëveshje u procedua me kalimin në heshtje të ligjit të ri për Kufirin në vitin 2008, dhe që më pas u zbulua nga media se ishte pikërisht ky ligj që i hapte rrugën marrëveshjes skandal me Greqinë për përcaktimin e kufijve detarë.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button