Portali Shqipëri – Kosovë, adresë e përbashkët e albanologjisë

Dorëshkrime, antikuarë, harta, fotografi periodikë nga Shqipëria e Kosova tashmë kanë një adresë të përbashkët. Të mërkurën, në ditën e dytë të “Javës së bibliotekës në Kosovë”, kryefjalë e aktiviteteve ka qenë promovimi i Portalit Albanologjik Shqipëri – Kosovë, një projekt që ka ardhur si rezultat i një marrëveshjeje të cilën në mars të këtij viti e nënshkruan Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. Të dyja institucionet kanë pritur edicionin e nëntë të “Javës…”, për ta prezantuar atë.
Autori nga Shqipëria, Ramazan Vozga, ka qenë ai që ka prezantuar portalin.

Sipas tij, ky portal përpos që do të thellojë marrëdhëniet ndërmjet dy bibliotekave, aty do të hidhet gjithçka që ka të bëjë me albanologjinë.

“Palët do të t’i shkëmbejnë me njëra – tjetrën të dhënat e ndryshme si shkrime, harta, fotografi e periodikë. Informacioni do të dalë si i përbashkët”, ka thënë Vozga. Sipas tij, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë do të ofrojë ndihmë profesionale në digjitalizimin e të dhënave. Përmes kësaj teknologjie ai thotë se do të jepen informacione që rrisin dijen albanologjike. Kosova dhe Shqipëria do të bashkërendojnë punët për të publikuar studime të ndryshme me karakter albanologjik dhe përpos kësaj do të promovohet trashëgimia kulturore.

Drejtori i BKUK-së, Sali Bashota, ka thënë se me këtë portal po krijohet një hapësirë të unifikuar, e cila u jep mundësi përdoruesve dhe lexuesve që të kenë qasje në burimet albanologjike.

“Këto të dhëna do të përgatiten nga një ekip me përvojë”, ka thënë ndër të tjera Bashota.

Në ditën e dytë të “Javës së Bibliotekës në Kosovë” është bërë edhe promovimi i bibliografive “Libri shqip 1955-1912” në fondet e Bibliotekës Kombëtare nga autori Ramazan Vozga, dhe “Bibliografi e librit në fondet e Bibliotekës Kombëtare 1913-1944” nga autorët Maksim Gjinaj, Margarita Mele dhe Myrvete Elmazi.
Për dekanin e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, Osman Gashi, këto dy bibliografi janë të një rëndësie të veçantë.

“Nuk mund të ketë Bibliotekë Kombëtare pa Bibliografi Kombëtare, prandaj këto dy vëllime përmbushin në mënyrë të mrekullueshme jo vetëm nevojën e lexuesit shqiptar, por janë edhe dëshmi e një niveli shumë të lartë të përgatitjes profesionale e shkencore”, ka thënë Gashi.

Dita e dytë e “Javës së bibliotekës në Kosovë” ka qenë e mbushur edhe me aktivitete të tjera.
Njëzet fotografi të Fahredin Spahijajt nën titullin “Impresione” janë përmbledhur në një ekspozitë që është hapur në hollin e BKUK-së. Gjatë së mërkurës ka pasur edhe disa ligjërata, si: “Nga bibliografia te webografia”, “Bibliotekat e Kosovës dhe informacioni”. Ndërkaq në mbrëmje, holli i BKUK-së është mbërthyer nga tinguj të muzikës klasike në koncertin e organizuar në bashkëpunim me “DAM Festival”. Sot (e enjte) “Java e bibliotekës në Kosovë” do të udhëtojë në Prizren.

Per me teper klikoni me siper ^^^

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button