Kosova, pse hesht kleri shqiptar?

Krerët e Kishës Ortodokse të Kosovës, Serbisë dhe Rusisë kanë ndërmarrë një fushatë të vërtetë politike dhe diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës. Komunitetet fetare në Shqipëri përgjumen: Nuk përzihemi me politikë

Tashmë që statusi përfundimtar i Kosovës është drejt përcaktimit, jo vetëm autoritetet politike të Beogradit, por edhe ato fetare kanë ndërmarrë një fushatë intensive kundër pavarësisë. Peshkopi Artemije i Kosovës, Patriarku i Serbisë, Pavle dhe Patriarku i Rusisë, Aleksej po përpiqen të ushtrojnë ndikimin e tyre për të bindur institucionet e Perëndimit se “një Kosovë e pavarur do të ishte kanceri i Europës”. Në Ditën e Pashkëve 92-vjeçari, Pavle gjeti forcën të deklarojë se ndarja e Kosovës me Serbinë do të sillte ndryshimin e kulturës dhe historisë së serbëve. Ai ka vizituar Moskën dhjetëra herë gjatë viteve të fundit, në përpjekje për të bërë lobbing kundër pavarësisë së Kosovës. Shumëkush i ka kritikuar këto përpjekje dhe në shtypin e Beogradit, patriarku Pavle është etiketuar si “teokratik” dhe “i politizuar”. Në fakt, përpjekjet e 92-vjeçarit Pavle janë përpjekjet e një nacionalisti të mirë, të një hierarku kishtar, i cili e di mirë se feja është e ndarë nga shteti, por ajo nuk është e ndarë nga kombi. Të gjithë klerikët nëpër botë janë atdhetarë: flamuri i SHBA-së valëvitet mbi çdo kishë amerikane, ashtu siç flamuri grek lartohet në kishat e vendit fqinj. Në prag të një ndryshimi të madh në trupin kombëtar shqiptar, komunitetet fetare me seli në Tiranë preferojnë të heshtin. Të frikësuar ndoshta nga kritikat e mundshme se “feja nuk duhet të përzihet me politikën”, krerët e këtyre komuniteteve po tregojnë një nivel të ulët të ndërgjegjes kombëtare.
Në këtë situatë do të tingëllonte “absurde” t’i kërkohej institucioneve të besimeve fetare në vend të bëjnë fushatë për pavarësinë e Kosovës. Por në të vërtetë, pse të mos shkonte peshkopi Janullatos në Greqi apo Qipro – vende që janë shprehur kundër rekomandimeve të Ahtisaarit – për t’i bindur ata për të kundërtën? Pse të mos shkonte Haxhi Selim Muça në Indonezi apo Monsinjor Rrok Mirdita në Itali apo Spanjë?
Kemi tenruar të kontaktojmë me përfaqësues të institucioneve kryesore fetare në Tiranë, në Komunitetin Musliman, Kishën Ortodokse Autoqefale dhe Kishën Katolike. Përfaqësuesit e komunitetit ortodoks dhe katolik deklaruan se kishin nevojë për konsultime përpara se të shprehnin një opinion lidhur me çështjen e Kosovës, ndërsa përfaqësuesi i komunitetit musliman dha një prononcim. “Institucioni ynë nuk merret me çështje që i përkasin politikës, por dëshira jonë e madhe, pas luftës së pamëshirshme që ndodhi në Kosovë, do të ishte që vëllezërit tanë kosovarë të fitonin pavarësisë e merituar”, deklaroi për revistën Dorian Demetja, drejtor i Kulturës në Komunitetin Musliman me seli në Tiranë.

Fushata anti-pavarësi
Autoritetet kishtare në Kosovë, Serbi dhe Rusi kanë rritur tonet e tyre anti-pavarësi në prag të përcaktimit të statusit përfundimtar të krahinës ku mbi 90% e popullsisë është shqiptare. Gjatë një vizite në Moskë, peshkopi i Kosovës, Artemije deklaroi se shpresonte se Rusia do të luante një rol vendimtar në mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës dhe për çështjen e statusit. “Rusia tani është me e fuqishme se 10 vjet më parë dhe unë shpresoj që zëri i Moskës do të dëgjohet në Nju-Jork dhe Uashington”, tha Artemije gjatë një takimi me studentë të Universitetit Teknik të Moskës. Ndërsa, gjatë qëndrimit në Uashington Artemije Radosavljeviç kritikoi politikën e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, e cila sipas tij, favorizon shumicën shqiptare. Ai i bëri një përshkrim të zymtë gjendjes së pakicës serbe në Kosovë, dhe shprehu shqetësim për të ardhmen e saj.

Në diskutimin e tij mbajtur në një forum organizatash jo-qeveritare, peshkopi Artemije tha se pakica serbe e atjeshme jeton nën sundimin e terrorit, dhe për këtë ai ua hodhi fajin atyre që ai i quajti struktura të mbetura kriminale nga ish UÇK-ja. “Këto grupe ende gëzojnë mbështetjen e shumicës së udhëheqësve dhe partive politike shqiptare”, tha ai. Ai tha se shqiptarët po përdorin jo vetëm sulmet e drejtpërdrejta ekstremiste kundër serbëve por po shfrytëzojnë gjithashtu institucionet e përkohshme si mburojë.

Peshkopi Artemije kritikoi UNMIK-un, i cili sipas tij, nuk ka arritur të ndalë prirjen negative për krijimin e një shoqërie ku qytetarët janë të ndarë në një shumicë të privilegjuar dhe në një pakicë që nuk gëzon as të drejtat më elementare.
Peshkopi Artemije shprehu skepticizëm për standardet e përcaktuara nga komuniteti ndërkombëtar për Kosovën. Ai tha se imponimi i këtyre standardeve, pa patur propozimet e serbëve, në thelb i hap rrugën shqiptarizimit dhe shkëputjes së plotë të Kosovës.

Peshkopi Artemije, u shpreh kategorisht kundër një pavarësie për Kosovën. “Kjo do të sillte paqendrueshmëri dhe konflikte të pashmangëshme në Ballkan dhe në Evropë”, u shpreh ai. Sipas tij, Kosova nuk mund të ekzistojë si një ishull i izoluar, i varur plotësisht nga taksapaguesit perëndimorë, por as mund të zhvillohet pa integrim rajonal. Si zgjidhje më të pranueshme, peshkopi Artemije shikon një Kosovë me autonomi të gjerë brenda Serbisë, formulë të cilën shqiptarët e kundërshtojnë fuqimisht.

Në festën e Pashkëve, patriarku Pavle artikuloi një mesazh mirëfilli politik duke akuzuar nominalisht Shtetet e Bashkuara dhe Europën. “Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të Europës kanë propozuar t’i japin pavarësinë Kosovës, por këto mendime vijnë nga mendje të errëta që marrin përsipër të dhunojnë ligjet ndërkombëtare duke ndryshuar kufijtë”, deklaroi patriarku Pavle. 92-vjeçari shtoi se “edhe nëse Kosova shkëputet nga Serbia ne nuk duhet të frikësohemi. Ne besojmë në Krisht dhe në Zot. Ne duhet të qëndrojmë me Krishtin. Ata të cilët yshtin djallin mbi të tjerët, më keq i bëjnë vetes”. Ai përmendi me keqardhje shkatërrimin e mbi 100 kishave dhe manastireve antike serbe gjatë viteve të fundit dhe i bëri thirrje Moskës zyrtare të ndihmojë serbët e Kosovës duke specifikuar se në Rusi jetojnë mbi 100 milionë ortodoksë.

Megjithëse më i rezervuar në deklaratat e tij, patriarku i Rusisë Aleksej i Dytë i ka dalë në krah vëllezërve të tij ortodoksë në rreshtimin për çështjen e Kosovës. “Ne shprehim keqardhjen për shkatërrimin e kishave dhe manastireve nga ata që presupozohet të ngrenë zërin për mbrojtjen e këtyre vendeve të shenjta”, deklaroi Aleksej gjatë një takimi me patriarkun e Serbisë, Pavle. Sipas agjencisë së lajmeve ruse, Interfaks, “Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse ruse ka konfirmuar mbështetjen e plotë për Kishën Ortodokse të Serbisë dhe popullin e Serbisë. Sinodi i Shenjtë përkrah një zgjidhje të drejtë të statusit të Kosovës dhe Metohisë (emërtimi serb për Kosovën) duke marrë parasysh interesat legjitime të refugjatëve që janë detyruar të largohen që aty”. Patriarku Aleksej bëri thirrje gjithashtu për pajtim mes banorëve të Kosovës. Këto deklarata u bënë gjatë vizitës së patriarkut Pavle në Moskë. Sipas tij, serbët e kanë përsëritur gjithmonë se çdo të thotë dhe çfarë rëndësia ka për ta, Kosova. Pavle shtoi se Kosova është një tokë e shenjtë për serbët dhe Serbinë, për historinë dhe kulturën e saj. “Qëllimi i vizitës së tij ishte informimi i Patriarkanës së Moskës dhe qeverisë së Rusisë për shqetësimin lidhur me negociatat për statusin e Kosovës dhe Metohisë”, citon agjencia ruse Interfaks.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut

Per me teper klikoni me siper ^^^

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button