Kështu vdes Shqipëria

Nga Elvira Dones
E pafuqishme të gjej një nisje “të arsyeshme” për këta rreshta po i bie shkurt: refuzoj të pranoj këtë krim të fundit, më shumë së çdo krim të shkuar. Pasi ky nuk është thjesht një krim, kjo është vdekja përfundimtare e një vendi.

Në 21 janar u vranë katër burra në mes të një sheshi: aty filloi të vdiste Shqipëria në mënyrë plateale, të padiskutueshme – sepse në thelb Shqipëria vdes nga pak çdo herë që ndodh një mashtrim politik; një hajdutëri e vlerave; një kërkesë mitmarrjeje; një vjedhje e votave apo një shpikje daltonizmi e votuesve, pra nëpërkëmbja e dinjitetit të qytetarit e fshatarit të ndershëm kudoqoftë.

Por në 31 maj u rrëmbye një grua, Grizelda Roshi. Në datën 3 qershor asaj gruaje do t’i lindte një fëmijë. Sot nuk dihet më ku është fëmija (nëse është). Hyrje brutale në jetë pësoi ajo foshnje, për ta thënë me fjalë të moderuara.

Drejtësia në kuptimin ligjor do të bëjë punën e saj (nëse e bën?!) për të zbardhur faktet, ndaj nuk dëshiroj të shtyhem në hamendësira që mund të rezultojnë të gabuara. Madje as më intereson. Ajo që duhet të mos përqasim në mendësi është shtyrja e kufirit të krimit; ngritja e nivelit të dhunës, përdhunës; ofrimi i vdekjes si një fakt normal; banalizimi i jetës njërëzore dhe institucionalizimi i horrorit.

Sepse kjo ndodhi dje në Shqipëri me rrëmbimin e gruas së Kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi. Grizelda Roshi u rrëmbye, u dhunua, iu nxor fëmija nga barku, më pas nëna e re u hodh si një plaçkë e grisur në rrugë. Fëmija derimëtani nuk dihet ku është. Dhe ky akt tjetër gjë nuk është veçse ngritja e nivelit të krimit në horror.

Nëse Shqipëria këtë radhë nuk reagon kompakte, jashtë ngjyrave, interesave, dialekteve, pozitave zyrtare e kaheve politike, ja ku e kemi pranuar, “çdoganuar” e ngritur horrorin në një piedestal paprekshmërie.
Këtu vdes Shqipëria në mënyrë shumëfishe.

Vdes në radhë të parë ajo Shqipëri me të cilën fill pas “unit” vetjak, identifikohemi: mëmëdheu, historia, tradita, familja, gjaku, fëmijët, ngrohtësia jonë e gjitha shqiptare, bujaria jonë, emotiviteti ynë. Ne nuk dikërkemi të krijojmë një shtet, kemi ca taksirate të lëna nga e kaluara, por ama dimë të duam. Jemi krenuar ngapak të gjithë me këtë, nuk?

Por sot, nëse edhe ky horror lihet të kalohet si një krim i radhës e aq, Shqipëria e shqiptarëve të ndershëm ndalon së ekzistuari përfundimisht. Vendi i lihet në dorë bestialitetit, frikës së krimit që mund të godasë pas shpatullave në çdo çast, për arsye shpesh të qarta apo për arsye misterioze.

Ky është edhe qëllimi i dorasve të këtij krimi, cilëtdo qofshin ata: të zbrazin Shqipërinë edhe nga e fundmja rreze shprese dhe ta kthejnë atë në një terra franca të krimit, ku qytetarët e saj të mos dinë më nga t’ju vijë e nga ta presin, ndaj është e udhës të ulin kokën, të shohin pas shpatullave e të binden edhe për gjëra që nuk dinë se duhet të binden, por për të qënë brenda është më mirë as të mos u shkojë në mendje të kundërshtojnë, të ankohen, të bëjnë miqësira apo aleanca të “padëshiruara”. Të padëshiruara nga kush? Nga kush duhet të kenë frikë shqiptarët?!

Ngjarja e Kavajës është ende e freskët, mungojnë elementët e një investigimi të mirëfilltë, por me gjithë dëshirën absolute për objektivitet ka dy elementë që nuk mund të injorohen: Elvis Roshi, kryebashkiaku i sapozgjedhur i Kavajës, ati i foshnjës, është pjesë e opozitës. Roshi fitoi në një elektorat historikisht në duart e maxhorancës së sotme. Elementi i dytë: burime thonë se Roshi në ditët e fundit ishte kërcënuar me jetë.

Koincidenca ogurzeza këto? Krim thjesht ordiner? Mes dy të ligave duhet zgjedhur ajo më e vogla, ndaj duhet të besojmë e të shpresojmë se është fjala për një krim ordiner. Ndryshe skenari do të ishte shumë, shumë më i kobshëm. Pasi një e vërtetë nuk mund të vihet në dyshim: ndodhin vrasje të turbullta në Shqipëri e askush nuk ndëshkohet. Rrihen gazetarë, ndodhin aksidente rrugore, shkapërderdhen diga, pëlcasin fabrika armësh dhe krimi (i çfarëdo natyre) në vend të ndëshkohet, lulëzon, madje “përsoset” në horrorin e vet si në rastin e fundit, ku krimi bëhet një ndëshkim mafia-style i nivelit më barbar: nuk të shfaros më ty si kundërshtar, armik, por të godas edhe më zi, të vras në afektet, në familjen, i masakroj jetën foshnjes tënde sepse kështu të bëj të vuash edhe më shumë.
Ndaj lipset të bëhet dritë. Menjëherë. Me një shpenzim në terren të të gjitha forcave investiguese e atyre të drejtësisë. Shqipëria është një vend i vogël dhe hapësirat gjeografike nuk janë të tilla sa të lejojnë një fshehje të krimit, kriminelëve e gjurmëve të tyre në kushedi ç’qoshe të pakapshme. Nëse ky krim është vetëm pjellë e mendjes së disa sociopatëve banalë, kryeministri shqiptar e qeveria aktuale duhet të zbardhin gjithçka në mënyrë efikase, trasparente. Nëse kjo nuk ndodh, hijet mbi qeverinë në fjalë dhe mbi dorasit e këtij horrori do të jenë të tilla sa të errësojnë përfundimisht çdo shpresë shëndeti për jetën e sotme dhe të nesërme të vendit.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut  

Per me teper klikoni me siper ^^^  

Nese mendoni se kjo faqe vlen per cdo inforamcion,atehere do tju luteshim te gjithe te na ndihmonit duke e shperndare kete faqe ne profilet tuaja thjeshte duke klikuar ketu “Shperndaje”.

loading...

Një koment

  1. Lexova në faqen on-line të NOA-s (Agjensia Kombëtare e Lajmeve)deklaratën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda,në të cilën theksohet se nuk kemi të bëjmë me rrëmbim dhe marrje peng të fëmijës së porsalindur. Sipas mendimit tim lë të kuptohet, që e gjithë kjo histori është një trillim i bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Kavajës.Në këtë rast kemi të bëjmë me një mëndje kriminale të tejskajëshme.Të kujt? Të bashkëshortes së të porsazgjedhurit kryetar të Bashkisë Kavajë? TË të parit kryetar bashkie nga raëdhët e P.S pas 20 vjetësh në Kavajë,të ahtuquajturit bastion i patundshëm i P.D,pra i S.Berishës? Sepse Saliu dhe P.D janë një,kur themi P.D në nkuptojmë Saliun,kur themi Saliu nënkuptojmë P.D. Fatëkeqësisht vargjet e Majakovskit për Leninin përpara një shekulli në Rusi janë kuptimplote tani në Shqipëri.Këtë e themë sepse një pjesë e mirë e shqiptarëve brënda dhe jashtë vendit e shikojnë jetën shoqërpre-politike në Shqipëri fatëkeqësisht me syzet evjetra të Majakovskit rus të një shekulli më parë.Kaq prapa jemi? TË kthehem në temë.Apo të Prokurorisë së Krimeve të Rënda,që deklaron se nuk kemi të bëjmë me rrëmbim? N.q.se kemi trillim nga bashkëshortja e kryerarit të Bashkisë Kavajë,gjë që mendoj se është jashtë llogjikës njerëzore,atëherë ky kryetar të japë dorëheqje dhe si anëtar i thjeshtë i P.S. N.q.se Prokuroria fsheh fakte dhe kriminelë atëherë KUJDES SHQIPTARË!!!! Kemi një skenar të ri(shqiptar) të djegjes së Rajshtagut nga Hitleri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button