Vila e Zogut që s’është e Zogut!

Historia e çuditshme e vilës në kodrën sipër Durrësit, e cila u ndërtua në vitet ’30 me fonde publike të marra hua nga Italia dhe që në 1939 u konfiskua në emër të shtetit. Si ia dha kryeministri Berisha familjes Zogu një pronë, e cila në fakt është publike

Sipër qytetit të Durrësit, në majë të kodrës mbi Kala, qëndron prej gati 80 vjetësh një godinë e madhe që durrsakët i thonë Vila e Zogut. Shqiptarët, që përgjithësisht mbështeten më shumë tek rrëfenjat e gjyshërve sesa tek dokumentat, e kanë trajtuar atë gjithmonë si pronë të ish mbretit Zog, ndaj edhe kur Komisioni i Kthimit të Pronave, me urdhër të Kryeministrit Berisha, ja ktheu atë Leka Zogut, atyre ju duk sikur thjesht dikush që po merrte pronën e vet. Por nga analiza e dokumentave, rezulton se kjo godinë është ndërtuar nga shteti shqiptar me fonde publike, si rezidencë qeveritare.
Historia fillon në vitin e largët 1925, kur Zogu i posashpallur President i Republikës, i gjendur ngushtë për pará, iu drejtua Italisë. Në datë 26.05.1925, midis Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë Italiane, u lidh Konvencioni “Mbi Huanë për Punët Botore të Shqipërisë”, në shumën prej 50 milion Franga Ari, me kushte favorizuese dhe me interes të ulët. Fondet e kësaj huaje do të menaxhoheshin nëpërmjet një komisioni të përbashkët, me përfaqësues të Qeverisë Shqiptare dhe të një Agjensie mbikqyrëse e quajtur “Societa per lo Svilupo Economico del Albania (SVEA)”, me qëllim që ato të mos keqpërdoreshin. Pas kësaj, nëpërmjet diskutimeve dypalëshe dhe disa vendimeve të Qeverisë, u përcaktua lista e objekteve publike që do të financoheshin me këto fonde. Në këto objekte përfshihej ndërtimi i disa akseve rrugore kryesore, ndërtimi i disa urave, porteve, veprave bonifikuese, etj. Gati të gjitha veprat publike të atyre viteve u ndërtuan me fondet e kësaj huaje që, nga ana tjetër nuk ju kthye kurrë atalianëve.
Më pas, në qershor të vitit 1927, u vendos në parim që në këtë kredi të përfshiheshin edhe ndërtimi i një numri godinash qeveritare, ushtarake etj. Kështu, me VKM nr.179 dt.16.06.1927, u vendos ndër të tjera edhe financimi i “Rezidencës Presidenciale në Durrës”. Duhet të kemi parasysh se në kushtet e atëhershme, shteti dhe administrata gjendej në ngushticë shumë të madhe për godina qeveritare dhe shumë ministri ishin sistemuar nëpër objekte private ku qëndronin duke paguar qera.
Një muaj më pas, në korrik 1927, me një vendim qeverie u vendos “financimi i Vilës Presidenciale në Durrës, nga fondet e ndërtesave të parapame me Huanë (50 milionëshe) me shumën 335.000 Fr.Ar”. Nga dokumentet rezulton se menjëherë pas këtij vendimi, më 31.07.1927, kjo shumë u është likujduar ndërmarrjeve që ndërkohë i kishin kryer punimet e ndërtimit në Vilë. Në një farë mënyre, punimet ishin kryer ende pa u çelur fondet, siç do të thonim me terminologjinë e sotme.
Më pas, parlamenti shqiptar miratoi edhe një ligj të veçantë për të ligjëruar këtë rrugë financimi, mbi bazën e të cilit në vitin 1928, midis Ministrisë së Punëve Botore dhe Ing. Silvestro Raia lidhet kontrata: ”Për ndërtimin dhe Kompletimin e Vilës Presidenciale në Durrës, punim për tu kryer me Huanë 50 milionëshe”. Kjo kontratë e firmosur nga Ministri i Punëve Botore në cilësinë e investitorit dhe nga përfaqësuesi i firmës në cilësinë e sipërmarrësit, parashikonte një investim aforfe prej 485.000 Fr.Ar, të cilat do të saktësoheshin sipas preventivave.
Meqenëse këto fonde nuk mjaftuan për ndërtimin e godinës, më pas me vendime të tjera qeverie janë shtuar shuma të tjera, si për shembull me VKM nr.598 dt.15.09.1928, u vendos një shtesë kontrate prej 35.860 Fr.Ar apo me VKM nr.846 dt.19.09.1929, u vendos një financim shtesë prej 174.500 Fr.Ar.
Ky proces, por me shuma më të vogla vazhdoi edhe në vitet ’30, duke lidhur kontratat përkatëse sa herë ka qenë e nevojshme të bëheshin punime shtesë apo investime të reja në këtë objekt. Dy kontratat e fundit për punime, i përkasin:
E parafundit, është Kontrata dt.04.11.1937 midis Ministrisë së Punëve Botore, e përfaqësuar nga Kryeministri dhe Sipërmarrjes Pellegrini, për shumën prej 3.900 Fr.Ar. Historikisht këto punime duhen lidhur me përgatitjet për festimet e 25-vjetorit të Indipendencës. Hera e fundit që për Vilën e Durrësit janë dhënë fonde publike, ka qenë Shtojcë-Kontrata dt.06.04.1938, gjithashtu midis Ministrisë së Punëve Botore, e përfaqësuar nga Kryeministri dhe Sipërmarrjes Pellegrini, për shumën prej 4.500 Fr.Ar. Historikisht këto punime lidhen me përgatitjet e ceremonive të Martesës së Mbretit.
Gjithsej mund të thuhet se për financimin e ndërtimit dhe pajisjes me mobilje të Vilës së Durrësit, janë investuar mbi 1,5 milion Franga Ar, shumë kjo e barabarë me ndërtimin e secilës prej godinave që përbëjnë Kompleksin e Ministrive në Tiranë, edhe këto të ndërtuara ngjatë të njëtës periudhë dhe gjithashtu me fonde nga Kredia SVEA. Në dokumentat e hershme, vila përcaktohet si “Vila Presidenciale” pasi Zogu ishte President i Republikës, ndërsa pas vitit 1928, me shpalljen e Monarkisë, ajo përcaktohet si “Vila Mbretnore”.
Në Arkivin e Shtetit dhe në Arkivin e Ndërtimit, përveç sa më sipër, egziston një dokumentacion tjetër shumë i gjerë që përshkruan hap pas hapi punimet e bëra, financimet, diskutimet në komisionin mikst italo-shqiptar, faturat e likujdimit të pagesave, etj. Gjithashtu ky dokumentacion përmban edhe shumë dokumenta ku është kërkuar transferim fondesh nga një vepër publike (ura, rrugë) drejt financimit të ndërtimit të Vilës së Durrësit, me argumentimin se kemi të bëjmë transferim nga një vepër publike drejt një vepre tjetër publike.
Të gjitha këto, nuk lenë vend për dyshim se kemi të bëjmë me rastin klasik dhe tipik të financimit të një objekti me destinacion publik dhe me fonde publike. Procedurat e ndjekura janë shumë të qarta dhe janë pak a shumë ato që ndiqen ende sot në financimin e çdo vepre publike me fonde shtetërore.
I vetmi problem formal i mbetur, ishte fakti që deri në fund, Vila e Durrësit mbeti e parregjistruar në zyrën e ipotekës në emër të shtetit, por ky nuk përbënte një rast të izoluar, pasi shumica dërmuese, në mos të gjitha objektet shtetërore egzistuese apo të ndërtuara gjatë periudhës 1920-1939, nuk janë rregjistruar aso kohe (dhe në shumë raste ende sot) në zyrat përkatëse në favor të shtetit. Kjo ishte në një farë mënyre një reminishencë e traditës juridike osmane, sipas së cilës gjithshka që nuk ishte e një privati, ishte automatikisht pronë e shtetit, gjë që e bënte të panevojshëm rregjistrimin. Gjatë periudhës 1920-1939, të vetmet prona shtetërore që ndodhte të rregjistroheshin në hipotekë, ishin ato që fitoheshin me sekuestro ose me blerje, pasi në këto raste heqja e pronës nga pronësia e dikujt, shoqërohej automatikisht me transkriptimin në favor të shtetit.
Duhet thënë se egziston një variant i folur, sipas të cilit Vila e Durrësit ka qenë dhuratë e tregëtarëve të Durrësit për Presidentin e Republikës. Kjo legjendë e ka burimin në gazetat e kohës të viteve 1926 dhe 1927, pra kur vila nuk ishte ndërtuar ende. Në fakt, ka egzistuar një nismë e një grupi tregëtarësh për një gjë të tillë dhe për këtë u ngrit edhe një komision dhe u mblodh edhe një fond fillestar, por modest, dhe kjo gjë bllokoi procesin e ndërtimit të Vilës. Pas kësaj, çdo gjë vazhdoi nëpërmjet fondeve publike, por legjenda e dhurimit mbijetoi megjithatë në cilësinë e një legjende urbane.
Për sa i përket pronësisë së truallit të godinës, çështja është edhe më e ndërlikuar dhe shtrihet edhe më thellë në kohë, por pa qenë asnjëherë as e pretenduar nga Ahmet Zogu dhe as e rregjistruar ndonjëherë në emër të tij. Trualli i godinës kontestohet midis të qenit pronë shtetërore, pronë e Esat pashë Toptanit dhe pronë e familjes Xhumurteku. Kjo për faktin se gjithnjë mbi bazë të dhënash të paqarta, trualli duhet të ketë qenë pjesërisht pronë shtetërore dhe pjesërisht pronë e familjes Xhumurteku. Në vitin 1914, pas largimit të Princ Vidit, Senati i Durrësit ja sekuestroi kësaj familjeje dhe ja kaloi Esat pashë Toptanit (që i shte kryetari kësaj qeverie fantazmë), me qëllim ndërtimin e një vile për të. Ky operacion mbetet shumë i dyshimtë, për vetë faktin e legjitimitetit të cunguar të këtij organizmi.
Sidoqoftë, në vitin 1920, qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, pas vrasjes së Esat pashë Toptanit, vendosi sekuestrimin dhe kalimin në favor të shtetit të të gjitha pronave të tij, kështu që edhe nëse do të quhej legjitim sekuestrimi i parë, ky sekuestrim i mëpasëm e kaloi atë truall tërësist në pronësi të shtetit. Megjithatë, pavarësisht nga i gjithë ky arsyetim, trualli asnjëherë dher në asnjë kohë (përveç momentit aktual) nuk ka qenë i pretenduar nga Ahmet Zogu.
Viti 1939, është vit i një kthese të papritur në historinë e shtetit shqiptar. Më 7 prill të atij viti, trupat italiane zbarkojnë në portet shqiptare, ndërsa Zogu pa organizuar qoftë edhe një rezistencë formale ushtartake, u largua nëpërmjet Kapshticës në Greqi.
Pas instalimit të administratës së re, Shqipëria formalisht ruajti statusin e një mbretërie të pavarur përmes procedurës së “bashkimit personal” dhe ofrimit të kurorës mbretërore mbretit të Italisë Viktor-Emanueli III, që tani u bë edhe mbret i Shqipërisë. Funksionet si kryetar i shtetit ai i kryente përmes Mëkëmbësisë së Përghjithshme të kryesuar nga Francesko Jakomoni, deri atëhere ambasador i Italisë në Tiranë. Me Dekret Mëkëmbësor dt.02.06.1939, vendoset sekuestrimi në favor të shtetit i të gjitha pronave të luajtshme dhe të paluajtshme, “të qytetarëve që kanë zhvilluar në çdo mënyrë aktivitet në kundërshtim me interesat e larta të Kombit”. Eshtë ironi e fatit fakti që ky Dekret dilte si vazhdim i Ligjit dt.29.12.1925, që bënte fjalë për sekuestrimin e pasurive të armiqve të shtetit, ligj ky i miratuar dikur nga vetë Zogu.
Pas daljes së këtij Dekreti Mëkëmbësor dhe bazuar tek ai, me dekrete të veçanta të Ministrit të Drejtësisë, u bë egzekutimi i tij për pronat e Ahmet Zogut dhe të familjarëve të tij. Këto dekrete, në nenin e fundit të tyre, urdhëronin zyrat përkatëse të ipotekës, të bënin transkriptimin në favor të shtetit të këtyre pronave. Më pas, një pjesë e tyre kaloi për funksione publike dhe një pjesë tjetër ju dhuruan Kryqit të Kuq Shqiptar. Me Dekret të Ministrit të Drejtësisë nr.66 dt.06.09.1939 është vendosur: “Sekuestrimi i një ndërtesë e madhe e përbame prej 20 dhomash e ndodhun në Durrës dhe e destinueme për Vilë Mbretnore e kufizueme në të katër anët me tokë shtetnore”. Në këtë dekret nuk përmëndet fare sekuestrimi i truallit, i cili ishte ndërkaq pronë shtetërore e transkriptuar vite më parë si e tillë. Fakti që kjo pronë në dekret cilësohet e rrethuar nga të katër anët me truall pronë shtet, e tregon qartë këtë gjë.
Pyetja që del, është: Nëse edhe vila ishte pronë shtetërore, atëhere pse është përfshirë në pronat e sekuestruara Ahmet Zogut? Një pjesë të përgjigjes e jep vetë vazhdimi i Dekretit në fjalë, i cili thotë: “Ndërtesa e shënueme me nr. 3 të këtij Dekrreti, nuk është e rregjistrueme në Zyrën e Ipothekave të Durrësit” dhe vazhdon: “Urdhëron Zyrën e Ipothekave të Durrësit me transkriptue sekuestrimin e bamë”. Meqenëse administrata e re shqiptare, kërkonte që edhe pronat shtetërore të parregjistruara deri atëhere të rregjistroheshin në ipotekë, veprim ky që nuk mund ta bënte vetë ipoteka me nismë të vet, ndaj për këtë u shfrytëzua ky rast që, nëpërmjet dekreteve sekuestruese, të urdhërohej edhe transkriptimi i pasurive shtetërore ende të pa transkriptuara në favor të shtetit.
Një tjetër argument në këtë drejtim, është edhe fakti se ndër dhjetra pasuri të ndryshme që ju sekuestruan Ahmet Zogut në atë periudhë, ato që ishin realisht prona private të tijat, egzistonin të transkriptuara në emër të tij në rregjistrat e hipotekës nëpër qarqe të ndryshme (Tiranë, Durrës, Mat, etj), ndërsa pronat publike që ai i përdorte në cilësinë e kryetarit të shtetit, por që ishin pronë shtetërore, si në rastin e Vilës së Durrësit, nuk ishin të transkriptuara.
Ky është pak a shumë historiku i ndërtimit të Vilës së Durrësit, e cila pas Lufte vazhdoi të përdoret si rezidencë qeveritare, deri sa në ditët e çmendurisë kolektive të marsit 1997, ajo u bastis dhe u grabit në mënyrën më barbare. Kjo gjendje vazhdoi derisa Berisha, në nevojën e afrimit të çdo vote të mundshme në koalicionin qeverisës të pas zgjedhjeve 2005, u përpoq dhe me sukses, të joshte Legalistët nëpërmjet kthimit të pronave familjes mbretërore. Pa hyrë në analizë politike të këtij veprimi, sidoqoftë nuk kishte asnjë arsye që ky kthim të përfshinte edhe prona që ishin të ndërtuara nga shteti shqiptar me fonde publike. Sidoqoftë Komisioni i kthimit të Pronave të Durrësit, pa u thelluar fare në prova dhe veçanërisht pa njohur asnjë prej provave që demonstronin se Vila ishte ndërtuar nga shteti, vendosi kthimin e vilës, godinave përreth si dhe të truallit.
Duhet të kemi parasysh se i vetmi dokument mbi të cilin është mbështetur vendimi, është Dekreti i Ministrit të Drejtësisë i shtatorit 1939, i cili flet për sekuestrimin e Vilës, por siç e shpjeguam, këtë e bën me qëllimin që të urdhëronte hipotekën që të bënte rregjistrimin e saj në favor të shtetit. Vendimi i kthimit të pronës, në mënyrë abuzive kthen edhe truallin e vilës, truall për të cilin dekreti i sekuestrimit as që bën fjalë fare, pasi në kohën e sekuestrimit, trualli egzistonte i transkriptuar prej vitesh në favor të shtetit. Në të gjitha dekretet e sekuestrimit, kur trualli ka qenë pronë private, ai është shënuar veçan ashtu siç është edhe procedura normale edhe aktualisht në raste shit-blerje godinash dhe ku statusi i truallit specifikohet veçan. Nga leximi i Vendimit të kthimit të pronës, nuk kuptohet se në ç’mënyrë e ka përcaktuar Komisioni sipërfaqen prej 5081,48 m2 të cilën e ka trajtuar, pasi Dekreti i sekuestrimit flet vetëm për godinën dhe nuk përmend asnjë sipërfaqe.
Le ta trajtojmë çështjen në rrugën e kundërt. Nëse për ndonjë arsye, ligjvënësi në vitin 1939, nuk do ta kishte përfshirë Vilën e Durrësit në Dekretin e Sekuestrimit, familja Zogu sot nuk do të kishte asnjë dokument provues që ajo pronë ka qenë e Ahmet Zogut, pasi i vetmi dokument ku ata mbështeten për të provuar pronësinë, është provë indirekte.
Për vetë faktin e traditës së varfër shqiptare në këto fusha, edhe konfuzioni që lind duket i natyrshëm. Duhet të bëjmë një dallim të qartë midis pronave private të mbretit dhe pronave të Kurorës. Pronat private janë ato të trashëguara familjare apo të realizuara nëpërmjet të ardhurave ligjore personale Roga, dhurata, etj) që në terminologjinë juridike quhen “Lista Civile” (term që përdoret edhe siot në vendet me sistem monarkik). Prona të kurorës quhen ato prona që përdoren nga Monarku apo familja mbretërore por që janë pasuri e shtetit apo të ndërtuara me fonde shtetërore. Kështu për të bërë një krahasim, Buckingam Palace në Londër është në përdorim të monarkut por është pronë e Kurorës (pra e shgtetit) ndërsa Windsor Castle është pronë e trashëgueshme e famijes mbretërore. Në rastin e ndërrimit të dinastisë sunduese në Britaninë e Madhe Windsor Castle do të mbetej pronë e familjes aktuale mbretërore ndërsa Ëindsor Castle do të kalonte në përdorim të familjes së re mbretërore në fuqi. Sipas të njëjtës llogjikë pronat e Zogut të trashëguara nëpërmjet familjes në Burgajet apo në zonën e Matit janë pronë private e monarkut, ndërsa godinat e përdorura si pallat mbretëror apo të tjera të ndërtuara nga shteti dhe që përdoreshin nga mbreti janë pronë e Kurorës.
Nëse do të donim ta bënim edhe më të prekshme situatën, mund të themi se do të ishte njësoj sikur Fatos Nano të pretendonte sot pronësinë mbi Vilën Qeveritare në Tiranë, pasi ai kishte banuar aty dhe ajo u restaurua gjatë kohës kur ai kish qenë kryeministër.
Këtij vendi i kanë ikur një herë e përgjithmonë shumë pasuri, kështu që një më shumë apo më pak, duket sikur nuk ngre peshë, por në rastin konkret duhet të kemi parasysh se kemi të bëjmë me një nga investimet e para të përbashkëta të shtetit të shqiptarëve dhe që fati e do që të jetë ende më këmbë. Qoftë edhe për hir të historisë dhe të vazhdimësisë së institucioneve në kohë, do t’i bënte nder vetes çdo insitucion që do të merrte nismën për ta rishukuar të gjithë këtë procedurë. E kam fjalën këtu, për Kontrollin e Shtetit, por edhe për Prokurorinë apo edhe për Avokatin e Shtetit, organe këto që i paguajmë pikërisht për të mbrojtur pronën tonë të përbashkët.
Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut  

Per me teper klikoni me siper ^^^  

Nese mendoni se kjo faqe vlen per cdo inforamcion,atehere do tju luteshim te gjithe te na ndihmonit duke e shperndare kete faqe ne profilet tuaja thjeshte duke klikuar ketu “Shperndaje”.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button