Historia e pronave dhe Himara

Kur pak javë më parë Presidenti Topi pohoi abuzimet me pronat në Himarë, nuk mund të parashikonte dot stuhinë që do vijonte në vazhdim. Pak fjalë për pronat e himariotëve dhe aktivitetin ekonomik të tyre

Ndërsa për të zgjidhur problemin e qenësisë shqiptare apo greke të Himarës ka materiale të shumta, kur vjen puna për dokumentimin e historisë së pronave, çështja ngec. Atëherë kur specialisti duhet të rrëmojë në dokumente, stepet para arkivave. Vendin e merr historiani, por shumica nuk i shpëton dot patosit dhe urrejtjes për etninë e himariotëve…
Himara, pa asnjë dyshim, është një nga zonat më problematike në vend në lidhje me çështjet e pronësisë. Në kohën që i referohemi janë mbi 2000 tituj pronësie, që debatohen. Kaq problem është sa edhe vetë Presidentit Topi, iu desh ta pohojë dahe, veç kësaj, kërkoi një angazhim të strukturave përkatëse për ta zgjidhur problemin. Për fat të keq, sa më shumë kalon koha aq më shumë ngatërrohet historia e pronave të Himarës. Jo se ka ndryshuar ndonjë gjë, përveç se është rritur interesi për këtë zonë me vlera të mëdha turistike, i cili pas viteve ’90, është rritur pandalur.
Pozicioni gjeografik i ka detyruar banorët e krahinës të lidhen nga pikëpamja ekonomike me tokën dhe me detin. Me tokën, ku kultivoheshin vreshtat, agrumet dhe frutorët e ndryshëm; ndërsa me detin më shumë prej lundrimit sesa me peshkimin. Deri në fund të Luftës së Dytë shkëmbehej shumë me ishullin e vogël grek të Othoni-t përballë dhe me Korfuzin. Por, himariotët për shkak të veçimit të tyre natyror, u është dashur që të shkëmbejnë shumë dhe me pjesën më të afërt të hinterlandit, që korrespondonte me krahinën malore të Kurveleshit, pas tyre. Ky vend shërbente edhe si bazë strehimi, në rastet e sulmeve. Dihet se Himara ka qenë vazhdimisht e rrezikuar. Ajo është vetadministruar nga një Kod juridik, që njihet si Venomet e Himarës që nga fundi i shekullit XV. Çështjet e tyre të pronësisë, himarjotët, në atë kohë i kishin në arbitrazhin, që e zgjidhnin Kuvendet e tyre të njohura dhe Këshillat e Pleqve. Në atë shekull ishte e mëvetshme dhe njihej nga turqit me cilësimin ‘nayeti’ Himara. Gjithsesi, pronat e himariotëve janë ato pak toka, që Nëna Natyrë ua ka dhënë dhe ata ia kanë marrë buzë detit dhe më pak në malet e ashpra, që bien thikë mbi to; ullinjtë; agrumet, fiqtë dhe bagëtia; dhe pasuria e patundshme që kishte të bënte me shtëpitë etj.

Katandia e tyre
Pasi vendosin një armëpushim me turqit- në regjistrin më të hollësishëm (Defter-i Mufasal) të sanxhakut të Delvinës, të hartuar nga administrata perandorake osmane në vitin 991 të hexhirës (1583), ata rrudhen. Tashmë figurojnë thjesht si krahinë në kazanë e Kurveleshit. Referuar Profesor P. Thëngjillit që ka bërë transkriptimin e kësaj në Himarë kemi gjithsej 137 shtëpi: hane (me kryefamiljarë) 130, me myxhered (me jetimë) 7. Tatimet nga fshati Himarë: Ispenxhë – 3425 akçe, Hinta (drithë) – 2250 akçe, Musht (Shaire) – 6000 akçe, E dhejta e ullinjve – 1600 akçe, e dhjeta benakut – 600 akçe, resm-i bostan – 260 akçe, badihava – 13 akçe. Në Dhërmi janë gjithsej 53 shtëpi: hane (me kryefamiljarë) 50, me myxhered (me jetimë) 3. Tatimet nga fshati Dhërmi: ispenxha 1325 akçe, hinta (drithë) 900 akçe, shair (thekër) 290 akçe, e dhjeta e mushtit 840 akçe, e dhjeta e alef 28 akçe, e dhjeta e ullinjve 23 akçe, resm-i bennak 250 akçe, resm-i bostan 100 akçe, badihava 1138 akçe, shuma 4999 akçe.Kurse në Palasë tatimet janë: ispenxhë 1250 akçe, hinta (drithë) 1350 akçe, e dhjeta e shairit 580 akçe, e dhjeta e mushtit 360 akçe, resm-i bennak 400 akçe, resm-i bostan 1600 akçe, resma i kovan (blet) 200 akçe, e dhjeta e ullinjve 400 akçe, e dhjeta e Pallamudhit 65 akçe, badihava 861 akçe, shuma 6629 akçe.
Duket se lufta do ti dobësojë më shumë dhe pakësimi i burrave do ti bëjë më të varur nga hinterlandi. “Të braktisur nga Venediku, Spanja, Napoli dhe Papati, himariotëve në fund të shekullit XVI u ranë edhe dy fatkeqësi të tjera, murtaja dhe zija. Për të përballuar zinë, ata u detyruan të blinin si zakonisht drithë në Korfuz. Por, administrata venedikase, nga frika e përhapjes së murtajës, e ndaloi rreptësisht zbarkimin e tyre në ishull”, shkruan Kristo Frashëri. Në fakt, Himara gati shfaroset dhe toka bëhet dhe më jopjellore si rezultat i mungesës së dorës së njeriut. Rrallohen bagëtitë dhe ullinjtë nuk i punojnë si më parë. Varfëria e pllakos krejt vendin.
Në mesin e shekullit XVIII detyrohen dhe u shkruajnë autoriteteve ruse, ku kemi përshkrimin e parë serioz të vendit: Sot Himara kufizohet me bregdetin Adriatik dhe Shqipërinë, në Jug me detin Jon, në lindje me Epirin lindor të pushtuar nga Turqit dhe, në Veri, me Thesalinë që e qarkon përreth. Që nga Kapo Lingueta dhe deri në Kështjellën e Butrintit ka shtrirje së gjati afërsisht 100 milja, ndërsa së gjeri nuk i kalon të 50 miljat. E gjithë krahina rrethohet veçanërisht prej Bregut të Detit dhe malet Akrokeraune të larta dhe të pakalueshme dhe për këtë arsye të gjitha përpjekjet e otomanëve për ta pushtuar mbetën edhe sot të pafrytshme. Populli është i gatshëm për luftë dhe në rast bashkimi të forcave tona do të mundeshim të nxirrnim në betejë 20.000 burra të aftë për të luftuar. Kjo letër mban nënshkrimin Himara e Epirit më 14. Tetor.1759, me kalendarin e vjetër dhe firmohet për Himarën dhe Konilosin nga Kapedan Gjika Nestor Spiro… Anëtar, Kapedan Nestor Nina dhe Gjika Vreto; Për Vunoin nga Konti Dhimo Savo Kapedan Kostandin Gjika Thanasi..Për Dukatin Strati Dhima, Kalorës Ilia Bixhili etj. Abandonimi i Himarës vijoi dhe më tej, paçka mëvetësisë dhe patriozitmit të madh të banorëve.
Në fakt, titulli i pronësisë së himariotëve mbetet i qartë. Në të gjithë trevën e Himarës, që njihet si një bashkësi e qytetit me këtë emër dhe shtatë fshatrat e Bregut, dihej që tokat ndaheshin me muranat dhe madje nëse ullinjtë binin mbi to në tokën e dikujt tjetër, kokrrat e rëna përtokë nuk merreshin. Një e ardhur tjetër ishte lundrimi dhe përveç ishullit të Othonit dhe Korfuzit, banorët mundoheshin që të tregtonin gjërat e tyre deri në viset fqinje. Dhe, agrumet. Petro Marko kujton se familja e tij arriti para gati 100 viteve që të bënte tregtinë më të madhe të qitrove në Adriatik. Bëhej me anije dhe me një flotë të vogël, që ishte pronë e vendasve. Profesor Zija Shkodra përmend se përveç Ulqinit, në shekullin XIX edhe në Himarë kishte disa anije të vogla, që bënin tregtinë. Një formë e jetesës ishte dhe mercenarizmi. Kjo ishte diktuar nga koha dhe nga vështirësitë. Gjithsesi në kohë të qeta shtohej bagëtia dhe vihej pak rregull tek vreshtat dhe ullinjtë. Pa harruar agrumet, që ishin mrekullia e zonës. Por fiset janë sërish ato. Tokat, agrumet dhe ullinjtë nuk ndryshojnë.
Një pamje interesante na jep William Martin Leak në “Travel” në fillim të shekullit XIX. Së shpejti arritëm në pamjen e Himarës, të vendosur në kulmin e një kodre me majë dhe hymë përmes tokës së kultivuar, që e rrethon- e përbërë prej vreshtave të gjera dhe disa tokave gruri të porsaçelura dhe të tjera elbi, të cilat fshatarët janë duke i liruar…mbi një majë të lartë nën malet në të djathtë gjendet manastiri i Panagjias, afër bregut të të cilit gjenden disa mullinj uji të vërtitura prej një rrëkeje të vogël që zbret nga mali. Limani është i ekspozuar drejt perëndimit, por është një strehim i mirë për anijet e vogla..dhe ka një plazh të mirë. Ka edhe një tjetër Spiaxhia më të çelur dy milje larg më tej drejt veriut menjëherë ku anijet nxirren mbi ranishten. Këtu ekziston dhe një fushë dhe vendasit e përdorin për të kultivuar territorin e Himarës, Menjëherë nën fshatin janë disa kopshte me rrush, ullinj selvia e pemë frutore…
Zogu mundohet t’u ndryshojë toponimet dhe tregohet i ashpër me banorët. Derisa do të vijnë komunistët. Himariotët nuk e votojnë në fillim regjimin komunist dhe këtë do ta paguajnë me indiferencë totale. Kanë një lloj mirëqënieje sërish dhe kanë një ndihmë nga emigracioni, por që më kohën u ulet. Në vitin 1960 e gjithë zona u përfshi në Fermën e Himarës. Kurse fshatrat ishin kooperativë. Deri vonë, ndryshe nga rajone ët tjera në vend, banorët arritën të mbajnë pak ekonomi ndihmëse. Në një farë mënyre i kolektivizuan pronat, por nuk i dhanë… Kishte shumë bagëti, që organizimi i ri i uli pa fund. Kishte agrume. Derisa erdhi viti 1991. Dukej se punët do shkonin mirë në disa vende, sepse pronarët kanë shkuar në vendet e tyre, por problemi majiset nga ardhja e njerëzve, që kishin më shumë lidhje prej qeveritarëve të rinj, që tjetërsuan gjithçka.. Sot flitet për një abuzim, prej 860 ha nga një familje, për Jalën dhe vende të tjera. Në këto kushte Shoqata “Bregdeti” ka ndërmarrë një fushatë për të bërë verifikimin e duhur të pronave me shpenzimet e saj deri në 30 nëntor të këtij viti. “I takon qeverisë shqiptare që të përmirësoje kuadrin ligjor dhe të mos mendohet më për interesat e çastit, por për të ardhmen e vendit” u shpreh presidenti Bamir Topi, por pa i dhënë dot fund rebusit himariot.
Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut  

Per me teper klikoni me siper ^^^

Nese mendoni se kjo faqe vlen per cdo inforamcion,atehere do tju luteshim te gjithe te na ndihmonit duke e shperndare kete faqe ne profilet tuaja thjeshte duke klikuar ketu “Shperndaje”.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button