Incident në Qafëbotë, ndalohen krerët çamë

Përfaqësuesit e komunitetit çam janë përballur edhe dje me një incident në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë në Qafëbotë, ndonëse kësaj radhe personazhet janë politikanë të zgjedhur në Parlamentin e Shqipërisë dhe në pushtetin vendor.

Deputeti i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Dashamir Tahiri, së bashku me kryetarin e Komunës Markat, Ismail Myrtaj, të shoqëruar dhe nga një grup gazetarësh kanë tentuar mesditën e djeshme të kalonin kufirin mes dy vendeve dhe nuk janë lejuar nga policët kufitarë ta bënin këtë. Ata kanë pasur si qëllim të udhëtimit të tyre drejt tokës greke, një ceremonial të shkurtër përkujtimor me buqeta me lule dhe hedhjen e tyre në shenjë nderimi në lumin Kalama për të përkujtuar në këtë mënyrë gjenocidin e ndodhur 66 vite më parë në këtë zonë me shqiptarët e Çamërisë. Pas debateve në kufi dhe nevojës së delegacionit shqiptar për të ditur pse nuk po lejohej kalimi i tyre, deputeti Tahiri është lejuar ta kalojë kufirin, ndërsa kryetari i Komunës Markat, Myrtaj, së bashku me gazetarët nuk janë lejuar të kalonin në anën tjetër, me pretendimin se përbënin “Rrezik për rendin publik”.

Pak orë më vonë, në Kllogjer, gjatë homazheve të zhvilluara deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, shpjegoi edhe ngjarjen e ndodhur, duke theksuar se këtyre situatave duhet t’u jepej fund njëherë e përgjithmonë. “Unë së bashku më kryetarin e Komunës Markat, Ismail Myrtaj, dhe një grup gazetarësh tentuam, duke plotësuar të gjitha kushtet ligjore, të hyjmë në territorin grek. Në pikën kufitare të Qafëbotës në Sarandë, oficerët grekë të policisë refuzuan hyrjen tonë pa asnjë motiv të përligjur, duke shkelur haptazi të drejtat bazike të njeriut”, deklaroi Tahiri, duke theksuar se pas shumë debatesh ai ishte lejuar duke qenë se mbante një pasaportë diplomatike dhe kthimi i tij në kufi do të përbënte një incident diplomatik.

Por sipas tij, policia greke nuk lejoi futjen në tokën greke të kryetarit të Komunës Markat, i cili është mbajtës i një pasaporte shërbimi dhe gazetarëve që i shoqëronin. Sipas tij, PDIU-ja do të bënte çmos t’i jepte fund njëherë e mirë këtij persekutimi. “PDIU dhe unë personalisht do bëjmë çmos që t’u japim fund makinacioneve që vijnë në kundërshtim me të drejtat bazike të njeriut, ndaj një popullsie që ka pësuar gjenocid, spastrim etnik dhe shkelje të vazhdueshme të të drejtave. Për këtë unë vendos garanci emrin tim dhe gjithçka që kam”, deklaroi deputeti Tahiri.

Nga ana e tij, në një prononcim për “Shqip”, kryetari i Komunës Markat shpjegoi se ai kishte hyrë dhe kishte dalë me dhjetëra herë në tokën greke dhe nuk kishte ndodhur kurrë më parë që të mbahej dhe të mos lejohej të kalonte në anën tjetër. “Kam hyrë disa herë në Greqi me pasaportën time të shërbimit dhe hera e fundit ka qenë në muajin prill të këtij viti. Asnjëherë nuk kam pasur probleme në kufi si kësaj radhe”, tha Ismail Myrtaj, ndërsa shtoi se mendonte se incidenti i kësaj radhe kishte ndodhur për shkak se ai shoqërohej nga deputeti Tahiri dhe disa gazetarë. Po kështu, Myrtaj tregon se pala greke nuk kishte preferuar t’i pyeste në lidhje me destinacionin e tyre në Greqi, apo arsyet që i shtynë në këtë udhëtim. “Pas rreth dy orë konsultash që doganierët zhvilluan dhe pritjes nga ana jonë, ata dolën në konkluzionin se ne cenonim rendin publik. Na e shënuan këtë në një letër zyrtare dhe u vunë nga një kryq pasaportave tona”, shpjegoi Myrtaj. Sipas tij, pala greke nuk kishte asnjë arsye të sillej në mënyrë të tillë.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut
Per me teper klikoni me siper ^^^
“Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button