Kali i Trojës, 70 vitet e agjenturës greke në Shqipëri (DOSSIER) Pj.3

DOSSIER
Përplasja në Paris, plani Dragumis, arrestimi i Sokrat Diamantit, Andrea e Harrillo Bollanos
Ashtu si në periudhën 1920–1945, edhe në vitet në vijim, marrëdhëniet Shqipëri–Greqi do të notonin në një det të turbullt kërcënimesh, presionesh, e tensioni të fortë. Goditja e mjaft agjentëve dhe rrjeteve të tyre nuk frenuan dëshirat aneksuese të shtetit fqinj. Sërish lufta do të mbështetej në dy fronte, atë zyrtar dhe atë të nëndheshëm. Greqia vazhdonte të lëshonte individë të ndryshëm, të cilët punonin për silogjet e të ashtuquajturit Vorio Epir, e nga krahu tjetër, ushtronin presion në planin ndërkombëtar.
Teksa një merimangë agjenturore e Jugut të Shqipërisë goditej, shteti grek sulmonte në një drejtim tjetër në Konferencën e Paqes në Paris. Më 18 shkurt 1946, Kryeministri i Greqisë, Kostandin Caldaris, kërkoi hapur përballë Fuqive të Mëdha që pretendimet për Jugun e Shqipërisë dhe tokave të tjera në Bullgari të diskutohen në Konferencën e Paqes. Përveç kësaj, Kaldaris deklaroi hapur se ishte ende në gjendje lufte me Shqipërinë. Sipas dokumenteve të kohës, përfaqësuesit grekë i propozuan një pakt atyre jugosllavë, sipas të cilit, Jugu i Shqipërisë të përfshihej në shtetin grek dhe Veriu në shtetin sllav. Qëndrimi i Enver Hoxhës që kryesonte delegacionin shqiptar ishte i prerë. Në librin “Dy popuj miq”, të shkruar prej tij, zbulohen pjesë nga fjalimi në Konferencën e Paqes në Paris.
“Z. Caladaris përpiqet të provojë se Shqipëria nuk është një vend aleat, se Shqipëria ka atakuar Greqinë dhe se kjo është në gjendje lufte me të. Nga ana tjetër, z. Caldaris rivendikon Shqipërinë e Jugut, duke pretenduar se kjo është tokë greke dhe i takon asaj me të drejtë. Populli shqiptar flak poshtë me përbuzje akuzën poshtëruese të delegatit grek, që e padit vendin tim si sulmues. Populli shqiptar nuk e ka sulmuar kurrë popullin e ndershëm grek, nuk i ka shpallur kurrë luftë. Zoti Caldaris nuk do të bindte asnjeri, bile as budallenjtë me argumentet e tij, ai duhet t’i kërkojë llogari Italisë fashiste për sulmin e poshtër kundër vendit të tij e jo neve. Do të ishte qesharake të mendohej se një dekret i thatë i Viktor Emanuelit, mbretit të Italisë, do të mund të ngarkonte me faj popullin shqiptar, i cili luftonte pa mëshirë kundër Italisë që nga dita e parë e pushtimit dhe që tentoi edhe kundër jetës së mbretit vetë gjatë vizitës së vetme që bëri në Shqipëri, në maj 1941. Caldaris tregon si argument aktin e shpalljes së luftës nga kusilingu shqiptar, Verlaci. Populli shqiptar i futi në të njëjtin thes pushtuesit e kuisilingët dhe nuk bëri asnjë dallim mes tyre. Kuisilingët shqiptarë, si gjithë kuisilingët e tjerë të Europës, nuk kishin të bënin aspak me popullin tonë. Ata ishin armiqtë më të fëlliqur të popullit tonë.
Përveç të tjerave, z. Caldaris duhet t’i përgjigjet disa pyetjeve.
A do ta konsiderojë z. Caldaris si vend agresor Francën, prej ku Hitleri mendoi të ndërmarrë ofensivën kundër Anglisë?! Delegacioni grek ka pretenduar se qeveria shqiptare e tanishme ndjek një politikë shkombëtarizimi kundër minoritetit grek në Shqipëri. Zotërinj, minoriteti grek në Shqipëri ka luftuar krah për krah me mbarë popullin shqiptar kundër pushtuesve fashistë e nazistë dhe kundër kuisilingëve shqiptarë e grekë. Nga ana tjetër, nuk e di nëse zotërinjtë delegatë kanë dijeni për terrorin e ushtruar në kurriz të popullsisë çame në Greqi. Bandat e gjeneralit kuisiling, Napolon Zevës, dogjën katundet e tyre, u morën pasuritë dhe vranë me mijëra burra, gra, fëmijë e pleq. Deklarojmë solemnisht se brenda kufijve tanë të tanishëm nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të huaj dhe nuk do të lejojmë kurrë që të na preken, sepse për ne ata janë të shenjtë”.
Por në kohën kur shqiptarët po përballeshin me një sulm diplomatik në Paris, grekët, në krahun tjetër, ushtronin edhe presion ushtarak në kufirin shqiptar.
Në gusht të 1946-s, gjatë kohës kur Konferenca e Paqes po zhvillonte punimet e saj, 200 ushtarë grekë, duke përfituar edhe nga mungesa e organizimit te forcat ushtarake shqiptare, kalojnë kufirin dhe sulmojnë fshatin Radat të Gjirokastrës. Nga ky aksion mbetën të vrarë një numër i madh civilësh të pafajshëm. Ky ishte sulmi i parë i një serie të gjatë përplasjesh në kufirin greko-shqiptar.
Por grekët, sulmet në terren i shoqëronin edhe me një propagandë të dendur antishqiptare. Pavarësisht qëndrimit amerikan që nënvizonte rolin e rëndësishëm të luajtur nga Shqipëria gjatë luftës antifashiste, ku evidentohej shpartallimi i plotë i tre divizioneve gjermane, qeveria greke, duke i cilësuar shqiptarët si bashkëpunëtorë të Italisë, kërkoi publikisht që Shqipëria të mos renditej në koalicionin fitues të Luftës së Dytë Botërore. Nota greke pohonte se as në vitet ‘40-‘41 dhe as në 1942 shqiptarët nuk morën pjesë në Luftën e Aleatëve, përkundrazi sipas tyre, ata u rreshtuan përkrah boshtit kundërshtar, duke qenë pjesë aktive e sulmit italian mbi Greqinë.
Në Paris, ndërkohë, insistimit grek për çështjen e Vorio Epirit, Enver Hoxha dhe i gjithë delegacioni shqiptar iu përgjigjën prerazi se kufijtë e Shqipërisë janë të paprekshëm. Më 30 gusht 1946, seanca plenare e Konferencës së Paqes në Paris, me 11 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenime vendos që të fusë në rend të ditës propozimin e Greqisë për kufirin jugor të Shqipërisë. Bashkimi Sovjetik vuri veton për të penguar këtë projekt, por kjo nuk mjaftonte.
Në Amerikë nisi një luftë e fortë, nga njëri krah lobi grek kishte nisur një propagandë të shfrenuar kundër Shqipërisë, duke u përballur me patriotët si Fan Noli, që mbronin çështjen shqiptare. Por nuk ishte kjo përplasje që vendosi gjithçka. Disa ndër Fuqitë e Mëdha e mbi të gjitha Shtetet e Bashkuara u frikësuan nga kjo iniciativë që mund të hapte “Kutinë e Pandorës” dhe të vinte përballë shtete të shumta që do të kërkonin rishikim të kufijve.
Kur fatet e Shqipërisë së Jugut nuk ishin vendosur ende, më 16 shtator 1946, duke u larguar nga Parisi, Enver Hoxha bën një deklaratë të fortë në mediat ndërkombëtare, duke paralajmëruar edhe luftë, nëse do të kishte një vendim për t’i dhënë të drejtë Greqisë. Sipas tij, populli shqiptar nuk do të pranonte në asnjë mënyrë prekjen e kufijve të tij.
“Kur populli shqiptar luftonte trimërisht kundër fashizmit, të tjerët i hidhnin lule, por kur erdhi koha që ai të kërkonte vendin e tij kaq shumë të merituar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ose në Konferencën e Paqes, i hodhën gurë. Populli im nuk do ta kuptojë këtë logjikë, pasi ajo nuk është e ndershme. Ne jemi një popull paqedashës, por ne nuk jemi nga ata që lejojmë të na marrin nëpër këmbë. Shekuj me radhë, populli shqiptar ka luftuar për t’i fituar këto të drejta të shenjta dhe ai është gati edhe sot ta fillojë përsëri luftën e tij nëse aventurierët fashistë do të guxojnë t’ia prekin. Monarko – fashistët grekë nuk bëjnë gjë tjetër, veçse provokojnë në kufirin tonë të Jugut. Unë deklaroj solemnisht se as Konferenca e Parisit, as konferenca e të katërve, as çdo konferencë tjetër qoftë, nuk mund të marrin në shqyrtim kufijtë e vendit tonë, brenda të cilëve nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të huaj. Kufijtë tanë janë të padiskutueshëm dhe askush nuk do të guxojë t’i prekë. Që të mund të marrë një pëllëmbë tokë të vendit tonë, reaksioni grek duhet të vërë në lëvizje të tjerë mekanizma, përveç votës së Konferencës së Parisit. E gjithë bota ta dijë se populli shqiptar nuk lejon që të diskutohen kufijtë e tij dhe toka e tij.
Nga ana tjetër, protestoj për vendimin e marrë në seancë plenare të Konferencës së Parisit. Populli shqiptar nuk e ka dërguar delegacionin e tij në Paris për të dhënë llogari, por për t’u kërkuar llogari atyre, që e kanë dëmtuar aq tepër dhe që ai i ka luftuar me ashpërsi gjer në fund. Ne e kemi bërë detyrën tonë, ashtu siç e kanë bërë dhe të mëdhenjtë. Dëshmorët tanë dhe sakrificat tona janë për ne po aq të shenjtë sa janë dhe dëshmorët dhe sakrificat e të mëdhenjve; të drejtat tona janë po aq të shenjta, sa janë dhe ato të atyre. Mirëpo, Konferenca e Parisit, siç duket, nuk i mori parasysh këto gjëra.
Duke u larguar nga Parisi, dua të falënderoj në emër të popullit tonë, të gjithë përfaqësuesit e atyre vendeve që e mbrojtën kauzën e drejtë, por të merituar të popullit shqiptar. Ne urojmë me gjithë zemër, nga ana tjetër, që t’i jepet fund kësaj fushate të padrejtë e të shpifur fund e krye, kundër vendit tonë, që ka luftuar me kaq trimëri kundër fashizmit dhe që do t’i shkrijë të gjitha forcat e tij për të forcuar paqen e drejtë dhe të gjatë”.

Në seancën e 26 shtatorit, delegacioni grek tërhoqi kërkesat e tij, duke shuar në këtë mënyrë atë që grekët e konsideronin si shpresa e madhe për të bërë një bashkim të madh.
Por, nga krahu tjetër, shteti grek dhe silogjet vorio-epirote infiltruan një numër të madh bandash të armatosura në territorin shqiptar. Vetëm gjatë viteve 1946–1947 u vranë 393 anëtarë të tyre, si dhe u kapën apo u dorëzuan 770 persona të tjerë të armatosur. Vetëm në Jug të vendit, u goditën një sërë bandash në Tepelenë, Gjirokastër, Këlcyrë, Përmet, Korçë, Konispol. Një grup i rrezikshëm ishte edhe ai i Papu Aleks Lipes në Përmet, që mbante lidhje të drejtpërdrejta me dhespotin e Janinës, Spiridhon.
Në vitin 1947, shteti grek përfshihet nga një raund tjetër i luftës civile midis, EAM guerilëve komunistë të grumbulluar në Ushtrinë Demokratike Greke (themeluar në tetor 1946) dhe forcave qeveritare të Ushtrisë Kombëtare Greke të drejtuar nga Napolon Zerva. Ushtria partizane kishte një organizim perfekt të përbërë nga struktura të vërteta ushtarake, që përbëheshin nga toga, kompania, batalioni, brigada e deri te divizioni. Përplasja e përgjakshme mes dy palëve do të zgjaste dy vjet. Forcat e majta, të drejtuara nga gjenerali Markos, ishin në ndihmën e Enver Hoxhës, i cili u ofroi spitalet e Jugut të Shqipërisë për evakuimin e të plagosurve, por edhe për strehimin e trupave.
Ndërkohë, Gjykata Ushtarake e Tiranës, po atë vit, nis gjykimin mbi himarjotin Harrillo Bollano, i cili akuzohet për veprimtari armiqësore kundër pushtetit dhe propagandë për Vorio Epirin, duke kërkuar aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia. Gjatë seancës së pyetjeve, Bollano hedh poshtë akuzat, duke lënë përgjegjësinë te pjesëtarë të tjerë të familjes së tij.
“Vëllai im është arratisur dhe se ku është, nuk e di, Pavlo Bollano e të tjerë që më thoni janë arratisur në Greqi. Në kohën kur janë hedhur parullat, në regjiment është bërë një konferencë dhe na kanë thënë se çfarë ishte bërë, në seksionin e sigurimit më kanë thënë se kush i hidhte ato dhe i kam thënë se e kanë bërë ata që janë kundër pushtetit dhe jo unë. Për punën e zgjedhjeve, unë e di dhe e dinë të gjithë se Himara ka votuar kundër pushtetit. Për Savo Xhanin, di të them se kishte shkruar një parullë, por nuk e di se kush kishte shkruar Vorio Epir. Me silogjet vorio-epirote nga soji i Bollanove kam pasur Pilo Bollanon dhe Llambi Janollin”.

Trupi gjykues i udhëhequr nga major Gjon Banushi, në përfundim jep konkluzionet dhe vendimin, duke shpallur të pandehurin Harrillo Bollano fajtor për veprimtari armiqësore, duke hedhur parulla ndaj pushtetit popullor dhe reformave ekonomike, propagandë për Vorio Epirin dhe pushtimin nga Greqia të Jugut të Shqipërisë, si dhe për thyerjen e gjilpërës manjetike në regjiment, me qëllim sabotimin. Bollano dënohet me dy vjet heqje lirie dhe punë të detyruar.
Por agjentura greke dhe elementë të silogjeve vorio-epirote nisën infiltrimin edhe në komunitetet shqiptare jashtë vendit. Influenca e tyre nisi të ndihej sidomos në koloninë shqiptare në Australi, që gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo ishte zgjeruar më shumë pas përfundimit të saj nga elementë të tjerë grekofonë nga Gjirokastra dhe Korça. Komiteti pangrek arriti të krijojë në gjirin e vet një përfaqësi të veçantë të vorio-epirotëve me qendër në Melburn dhe disa nënkomitete të vogla, të cilat kishin edhe shtypin e tyre. Këto celula u përpoqën në mënyrë të vazhdueshme të fusnin grindje në koloninë shqiptare në Australi mes myslimanëve dhe ortodoksëve.
Në fund të viteve 1948, vlera strategjike e Shqipërisë ndryshoi ndjeshëm në rajon. Shqipëria e shndërruar në një bazë të fortë për Bashkimin Sovjetik përbënte për Perëndimin një rrezik shumë më të madh se popullsia e saj e vogël. Aleatët perëndimorë kërkonin të pengonin planin e Stalinit për të kontrolluar hyrjen në Adriatik. Ai e kishte pajisur ishullin e Sazanit me nëndetëse dhe raketa të modelit gjerman V2, të afta për të goditur deri në territorin italian. Në atë kohë, shërbimet sekrete amerikane informonin se Shqipëria po rriste gjithnjë e më shumë influencën sovjetike në Mesdhe, me baza e vija komunikacioni që arriheshin lehtë dhe që kishin rëndësi jetike për Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA. Në këtë situatë, pretendimet territoriale të Greqisë ktheheshin në një pengesë të madhe dhe kërcënim për planin e SHBA–së që kërkonte të përmbyste regjimin në Shqipëri pa hapur konflikte të mëdha në Ballkan. Por, pavarësisht qëndrimit amerikan, grekët ishin të interesuar për aneksimin e Shqipërisë së Jugut dhe jo për vendosjen e një demokracie perëndimore në këtë vend.
Në këtë situatë, për të konkretizuar planet e tyre, grekët do të hartonin dhe atë që në histori do të kujtohej si plani Pippinelis, një hap diplomatik që synonte të realizonte qëllimin e vjetër grek të Megalidesë. Zëvendësministri i Jashtëm, Panajotis Pippinelis, me anën e një memorandumi drejtuar Departamentit të Shtetit, i propozoi një plan konkret për aneksimin e Shqipërisë nga Greqia. Dokumenti i dorëzuar mbështetej në këto tri pika.
1. Copëtimi i Shqipërisë midis Greqisë dhe Jugosllavisë, ose midis Greqisë, Jugosllavisë dhe Italisë.
2. Administrimi i Shqipërisë nga një organizëm ndërkombëtar ose nga një fuqi e painteresuar.
3. Bashkim i Shqipërisë me një nga vendet fqinje dhe pikërisht me Greqinë

Sigurisht, Pippinelis insistonte më shumë te formula e tretë, të cilën ai e quante në memorandum si mundësinë më të mirë për t’i dhënë fund konflikteve dhe përplasjeve në Ballkan. Zëvendësministri i Jashtëm argumentonte pamundësinë e krijimit të një shteti federativ midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, duke u bazuar në dy pika. Jugosllavia tashmë ishte e ngarkuar rëndë me një numër të konsiderueshëm minoritetesh dhe e dyta armiqësia e vjetër racore sllavo-shqiptare, ndërsa bashkimin politik të Greqisë me Shqipërinë, Panajotis Pippinelis e quante të natyrshëm dhe të goditur.
Në librin “Tensioni greko-shqiptar ‘39–‘49” të historianit Beqir Meta, zbulohen edhe detajet që diplomati grek, Pipinelis, parashtronte për krijimin e shtetit të ri shqiptaro–grek. Ai afirmonte si parim themelor të ndërtimit të këtij shteti, sigurimin e vetëqeverisjes lokale dhe vetëvendosjes për të dy popujt, lirinë absolute në drejtimin e çështjeve të brendshme të dy vendeve nëpërmjet institucioneve të tyre demokratike, të cilat do të siguroheshin plotësisht me drejtimin e përbashkët të çështjeve ekonomike, ushtarake dhe diplomatike. Pippinelis shprehte bindjen se lehtësisht mund të gjendej një formulë ligjore për këtë bashkim politik, duke marrë si model monarkinë dualiste austro-hungareze, ose perandorinë britanike. Në librin e Beqir Metës shkruhet se zëvendësministri i Jashtëm grek merrte si argumente për të mbështetur propozimin, marrëveshjen e parë mes kapedanëve grekë dhe shqiptarë në SUL, më 15 janar 1821 për të formuar një aleancë dhe zotimin që i kishin dhënë njëri-tjetrit për të qenë të bashkuar si vëllezër. Pippinelis mbështeste tezën e tij edhe në shtrembërime të tjera, sikur në 1829-n, shqiptarët i kishin propozuar qeverisë greke përfshirjen e krahinës së Vlorës në shtetin fqinj, me kusht që atyre t’u garantohej liria e besimit fetar dhe nderi i haremeve të tyre.
Por SHBA, pasi shqyrtoi me kujdes planin e detajuar të Pippinelis, e hodhi poshtë atë në formë të prerë. Departamenti i Shtetit shprehu qartë qëndrimin për moscenimin e kufijve shqiptarë.
Teksa operonin me plane në arenën ndërkombëtare, në Greqi, forcat qeveritare, me ndihmën e SHBA-së, pothuajse kishin shtypur kundërshtarët politikë të majtë. Në këtë situatë, politika zyrtare greke, duke marrë shkas edhe prej ndihmës që Enver Hoxha i kishte dhënë ushtrisë partizane të gjeneralit Markos, bëhet mjaft agresive, duke shpallur sërish hapur oreksin për Jugun e Shqipërisë, që duhet të realizohej me një sulm në front të gjerë ndaj territorit shqiptar. Ka ardhur momenti që të lajmë hesapet me Shqipërinë, do të deklaronte një nga zyrtarët më të lartë të kohës. Vorio Epiri duhet çliruar.
Por edhe këtë herë, ishin Shtetet e Bashkuara që kundërshtuan planin grek, duke ushtruar presion të fortë ndaj Athinës zyrtare.
E megjithatë Greqia nuk u tërhoq dhe pas shtypjes së kryengritjes së të majtëve në vitin 1949, Napolon Zerva hedh sytë nga Shqipëria, duke komanduar sulme të njëpasnjëshme ushtarake në pika të ndryshme të kufirit.
Vetëm gjatë viteve 1948–1949, trupat greke shkaktuan rreth 1200 provokime ushtarake në kufirin shqiptar nga ajri, toka dhe deti. Ato u intensifikuan sidomos më 2 gusht të 1949-s, ku disa batalione greke të mbështetura nga artileria dhe 15 aeroplanë sulmuan postën kufitare shqiptare në Vidohovë të Devollit, duke vrarë 6 ushtarë shqiptarë dhe duke plagosur po aq të tjerë. Vetëm pasdite, ushtria shqiptare mundi të sprapsë batalionet greke që lanë rreth 100 të vrarë brenda kufirit shqiptar.
Trupat greke do të sulmonin edhe në ditët në vijim kufirin shqiptar. Më 4 gusht, sulme u regjistruan në disa pika kufitare në zonën e Bozhigradit dhe Leskovikut. Vetëm gjatë këtyre dy ditëve, trupat greke hodhën në kufirin shqiptar më shumë se 1500 predha artilerie, pjesa më e madhe e të cilave ranë mbi fshatin Menkulas.
Më 7 gusht, trupat greke dhe ato shqiptare përplasen në një betejë frontale. Pas një ditë luftimesh, trupat shqiptare të ushtrisë popullore mundën të rimerrnin pikat e zëna të kufirit shqiptar.
Më 12 gusht, për rreth 6 orë, forcat greke dhe ato shqiptare luftojnë në zonën e Gurit-Bilisht. Një brigadë e mbështetur nga artileria dhe katër aeroplanë sulmojnë tokën shqiptare nga krahu i Bilishtit. Beteja përfundoi me tërheqjen e trupave greke, të cilat patën përdorur edhe artileri të rëndë e predha të tipeve të ndryshme.
Më 13 gusht, trupat greke sulmojnë sërish nga krahu i Bilishtit. Në betejë mbetën të vrarë komisari i batalionit të kufirit Bilisht, Nasi Remaçka, dhe korrieri i tij Dane Zeneli. Ndërkohë nga krahu grek, në dy ditë luftime, mbetën të vrarë më shumë se 70 ushtarë.
Më 14 gusht, ushtria greke hodhi më shumë se 2000 predha artilerie në tokën shqiptare, në fshatrat Trestenik, Kapshticë e Cangonj-Devoll. Nga goditjet e artilerisë mbetën 5 civilë të vrarë dhe u shkaktuan dëme materiale në disa shtëpi të fshatrave të mësipërme.
I ndodhur në këto kushte, Enver Hoxha jep urdhrin për mobilizimin e plotë ushtarak, në të gjithë Jugun e vendit.
Por grekët nuk ndalen dhe vijojnë sulmet në kufirin shqiptar. Arenë përplasjesh mes forcave ushtarake shqiptare dhe greke u shndërruan në pak ditë edhe zona të tjera të kufirit. Ndërkohë qeveria shqiptare reagoi ndaj sulmeve, duke i dërguar një notë proteste OKB-së. Në Shqipëri u organizuan mitingje të shumta proteste kundër agresioneve greke.
Në atë periudhë, diku në afërsi të Sarandës, është ulur edhe një avion grek. Kjo ngjarje ka mbetur thuajse mister. I sigurt mbetet fakti se avioni luftarak i ushtrisë së vendit fqinj u bë pjesë e Parkut Kombëtar të Aviacionit Shqiptar nga viti 1949 deri-diku pas vitit 1953. Historia e vërtetë është shndërruar në legjendë me disa versione. Disa thonë se ai u soll nga një agjent i zbulimit shqiptar që ishte njëkohësisht edhe pilot, disa me avarinë që kishte pësuar mjeti fluturues, por e vërteta mbetet ende enigmë.
Megjithatë, qeveria greke nuk e ndali presionin dhe mbante të përqëndruar në kufirin me Shqipërinë një numër të madh forcash ushtarake me justifikimin për të penguar lëvizjen e guerilasve komunistë.
Nën presion edhe të Jugosllavëve, me të cilët kishte prishur marrëdhëniet, Enver Hoxha udhëton drejt Moskës, ku më 2 prill të 1951 takohet me Stalinin, Mikojanin, Beriasin, Molotovin, Malenkovin dhe Bulganinin, të cilëve u shpreh shqetësimet dhe mëdyshjet e qeverisë shqiptare. Enver Hoxha dhe Stalini në takimin e tyre në kryeqytetin e Bashkimit Sovjetik, për të disatën herë, kishin në qendër të bisedimeve qëndrimin e Greqisë dhe provokimet e vazhdueshme ndaj Shqipërisë. Stalini udhëzoi Enverin t’u jepte ndihmë komunistëve grekë, por me shumë kujdes dhe në formë të maskuar.
Enveri i parashtroi Stalinit rrezikun, sipas tij, të një sulmi të mundshëm të menjëhershëm të Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë e në këtë rast, kërkoi mbështetjen e Bashkimit Sovjetik. Provokacionet, vijoi më tej Enver Hoxha, i kanë ardhur Shqipërisë nga ajri, toka, dhe deti nga të tria këto vende. Ndër të tjera, Enveri i zbuloi Stalinit edhe disa plane operative, të cilat ishin përgatitur në rastin se sulmi mbi Shqipërinë do të bëhej realitet. Në këto plane të detajuara demonstrohej mënyra sesi ushtria shqiptare synonte t’i kundër përgjigjej armikut. Duke theksuar se ushtria shqiptare mund të arrinte në mbi 230 mijë ushtarë, Enveri kërkoi mbështetje të mëtejshme në furnizimin me armë dhe municione. Nga krahu i tij, Stalini u tregua i qetë dhe ftoi Enverin të mos i përgjigjet provokacioneve të fqinjëve. Sipas Stalinit, sulmi ndaj Shqipërisë është thuajse i pamundur për sa kohë ka një sërë vendesh që do të përfshiheshin në konflikt. Për sa i përket kërkesave për pajisje ushtarake, Stalini jep konsensusin e tij, duke ftuar Enverin t’i parashtrojë kërkesat Bulganinit. Stalini i këshilloi Enverit gjithashtu që në organet drejtuese të vendit, të mbajë një shumicë të zgjedhurish nga feja myslimane, një mënyrë kjo për të respektuar fenë e shumicës së popullit.

Ndërkohë, dy fqinjët, dikur armiq e tashmë aleatë të fortë, Jugosllavia dhe Greqia, vazhdonin të thurnin plane dhe të dërgonin në Shqipëri grupe të shumta agjentësh. Afrimi edhe i Turqisë në këtë aleancë vuri menjëherë në pozita mbrojtëse Shqipërinë, e cila i druhej një sulmi të papritur, sidomos nga dy vendet kufitare. Silogjet vorio-epirote riorganizuan strukturat e tyre dhe forcuan përpjekjet për të rilidhur kontaktet e vjetra të humbura pas ardhjes së komunistëve në pushtet.
Në shkurt të 1953, dyshimet e qeverisë shqiptare do të bëheshin realitet me firmosjen e traktatit greko-turko-jugosllav, i cili ndikoi në mënyrë të menjëhershme në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë. Vetë Enver Hoxha dhe drejtuesit më të lartë të Partisë Komuniste, u shqetësuan për mundësinë e ndërmarrjes së një aksioni të përbashkët të tre vendeve ballkanike kundër saj. Në 1954, tre shtetet nënshkruan edhe aleancën ushtarake, e njohur si Pakti Ballkanik. Në librin e Beqir Metës, “Shqipëria dhe Greqia, Paqja e Vështirë”, shkruhet se në këtë pakt ekzistonte një klauzolë sekrete mes Greqisë dhe Jugosllavisë, që binin dakord që në rastin e një lufte, të pushtonin bashkërisht Shqipërinë”.
Grekët nuk frenuan. Pas planit të Pippinelis, që ishte refuzuar nga Shtetet e Bashkuara, grekët paraqitën një tjetër iniciativë që njihet si projekti “Dragumis”. Diplomati i njohur, Filip Dragumis, propozoi një plan konkret, me shpresën se ai do të pranohej këtë herë nga komuniteti ndërkombëtar e mbi të gjitha nga SHBA. Edhe në qendër të këtij plani, shpalosej hapur dëshira aneksuese kundrejt Shqipërisë.
Ndryshimet që propozonte Dragumisi ishin:
Të sigurohej pushtimi i kanalit të Korfuzit nga Greqia dhe nëpërmjet saj nga NATO. Kjo do të arrihej, duke i dhënë Greqisë zonën bregdetare të Delvinës, Sarandës dhe të Himarës. Në zonën e Konicës, vija e kufirit do të kalonte përtej qytetit të Leskovikut, duke e lënë atë në territorin grek, ndërsa Përmeti do të mbetej shqiptar. Vija kufitare do të vijonte, duke kapërcyer lumin Vjosë dhe do të linte në territorin shqiptar Poliçanin dhe Libohovën, por duke kaluar te grekët Sopikun. Greqia do të merrte të gjithë luginën e Devollit të Sipërm, bashkë me 14 fshatrat e liqenit të Prespës. Ndërsa Korça do t’i mbetej Shqipërisë.

Por edhe kjo tentativë e re e maskuar greke nuk do të pranohej nga ndërkombëtarët, të cilët mundën të kuptonin prapavijën pushtuese të tyre ndaj Shqipërisë.
Në vitet në vijim 1953–1954, drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, por edhe vetë Enver Hoxha, shprehën hapur qëndrimin për të normalizuar marrëdhëniet me fqinjët grekë. Megjithatë qeveria fqinje në mënyra të ndryshme shtynte dhe shpërfillte kërkesën shqiptare. Nënshkrimi i Marrëveshjes Bled në gusht të 1954-s mes Jugosllavisë, Greqisë dhe Turqisë rivuri sërish në pozicion mbrojtës qeverinë shqiptare, e cila e konsideroi atë si një pakt kundër demokracive popullore, sovjetikëve, Shqipërisë dhe Bullgarisë.
Më 28 mars 1955, Shqipëria anëtarësohet në Traktatin e Varshavës. Enver Hoxha, në një fjalim solemn në Kuvendin e Shqipërisë, ashtu siç pritej, arriti të merrte 100 për qind të votave të deputetëve për ratifikimin e këtij traktati.
Në këto momente, Shqipëria nisi të çngurtësohet, duke kërkuar sërish përmirësimin e marrëdhënieve me vendet fqinje, por edhe zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera të bllokut komunist.
Në 1955-s, Shqipëria kërkoi përmes sekretarit të përgjithshëm të OKB-së vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë. Por edhe këtë herë, përgjigjja greke ishte negative. Përkundrazi grekët riformuluan të njëjtat akuza dhe kërkesa, duke filluar nga kufizimi i pjesëmarrjes së Shqipërisë në të gjithë organizmat ndërkombëtare. Për më tepër, grekët përsëritën qëndrimin e vjetër se shqiptarët nuk duhet të renditeshin në bllokun fitues të Luftës së Dytë Botërore.
Më 8 dhe 9 korrik 1956, në Athinë, organizohet Kongresi Ndërkombëtar Panepirot, i cili kërkonte sërish çlirimin e zonës së ashtuquajtur nga Greqia të Vorio Epirit me anë të forcës. Kongresi kishte hedhur idenë e krijimit të një fronti për çlirimin e Vorio Epirit, me thirrjen nën armë të të gjithë grekëve dhe kishte vendosur krijimin e një organi ekzekutiv kombëtar për zbatimin e vendimeve të tij. Sipas informacioneve që vinin në atë kohë në Ministrinë e Brendshme në kampin e Llavrios në Greqi, ishin armatosur rreth 3000 persona, të cilët do të fillonin kryengritjen për çlirimin e Jugut të Shqipërisë.
Në këtë situatë, pushteti komunist forcon masat përgjatë kufirit me Greqinë, ndërkohë që ndërmerren edhe aksione të shumta në zonat më problematike ku jetonin minoritarë. Në 1956-n, organet e drejtësisë shqiptare arrestojnë Sokrat Dimantin, vëllain e ish- krahut të djathtë të Vasil Shahinit, ish-kreut të agjenturës greke në Shqipëri për shumë vite para komunizmit. Sokrat Diamanti, vëllai i Jani Diamantit, akuzohej për propagandë greke, sabotim të zgjedhjeve të 2 Dhjetorit 1945, në zonën e Derviçanit në Gjirokastër, për shtyrje në arratisje të disa personave, agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe tradhti të lartë shtetërore.
Diamanti iu nënshtrua pyetjeve të hetuesve për ditë me radhë.
Hetuesi: Na flisni për veprimtarinë tuaj kundër pushtetit
Përgjigje Sokrat Diamanti: Unë kam qenë i prekur nga pushteti që më kishte cilësuar kulak dhe më luftonte vazhdimisht, ndaj unë nuk e doja. Prisnim të shpëtonim nga kjo gjendje dhe ndryshimin e situatës në vendin tonë nga ana e jashtme, sidomos nga Greqia dhe dëshiroja që ata të zaptonin Shqipërinë.
Hetuesi: Me cilin keni biseduar kundër pushtetit?
Përgjigje Sokrat Diamanti: Kam biseduar me LLambi Mukën, Koço Mukën dhe Thoma Mukën të tre nga Derviçani, edhe këta cilësohen kulak si unë. Kur kishim mundësi, takoheshim dhe flisnim për problemet tona dhe thoshim që ky regjim duhet të bjerë të përmbyset dhe këtu të vijë Greqia, ndryshe për ne nuk kishte shpëtim. Bisedoja edhe me Ilia Diamantin, edhe ai kërkonte pushtimin nga ana e Greqisë.
Hetuesi: Nga tregoni shokët me të ngushtë që keni pasur në ushtri
Përgjigje Sokrat Diamanti: Në ushtri, kam pasur shokë të ngushtë Thoma Llazarin nga Himara, Panajot Shutin nga Gjirokastra, Vasil Makno nga Delvina, Foto Papajanin nga Leshnica, Mexhit Kokalarin nga Gjirokastra, Kristo Dulen nga Goranxia dhe Kristo Zoto nga Poliçani.
Hetuesi: Tregoni se çfarë keni biseduar me këta persona
Përgjigje Sokrat Diamanti: Të gjithë flisnin kundër pushtetit p.sh Andon Vajua tha një ditë, duke parë foton e Stalinit, ta bëjmë supë kokën e plakut. E shumë të tjera që tani nuk më kujtohen.
Hetuesi: Po ju çfarë u keni thënë shokëve në repart?
Përgjigje Sokrat Diamanti: Unë u kam thënë shokëve se tani që amerikanët ndërprenë luftën në Kore, do ta shpërthejnë në Ballkan, sepse paktin Greqi-Turqi-Jugosllavi nuk e kanë bërë kot, por për të sulmuar Republikën e Shqipërisë. Bisedat tona ishin rreth ndryshimit në vendin tonë dhe hapjen e shpejtë të një lufte të re, se e shikonim si shpëtim.
Hetuesi: Mendohuni mirë dhe tregoni
Përgjigje Sokrat Diamanti: Më kujtohet se shokëve iu kam thënë se unë kam vepruar për sabotimin e zgjedhjeve. Nuk më kujtohet sa ju kam treguar për këtë çështje. Bashkë me kushëririn tim, Jorgji Diamanti, kemi shkruar parulla kundër zgjedhjeve.
Hetuesi: A e ndjeni veten fajtor?
Përgjigje Sokrat Diamanti: Po, unë ndihem fajtor
Hetuesi: Pse ?
Përgjigje Sokrat Diamanti: Unë, sidomos pas vitit 1951, kam biseduar me shumë elementë kundër pushtetit. Në biseda shpreheshim se shpëtimi i vetëm është largimi i këtij regjimi dhe këtu të vinte Greqia. Unë kam lexuar dhe komentuar shumë fletushka të hedhura nga aeroplanët në vitin 1952. Për sa i përket sabotimit të zgjedhjeve të 1945-s kam shkruar trakte sipas udhëzimeve të Jorgo Diamantit. Jorgo më udhëzoi që traktet t’i shkruaja me shkronja të mëdha, që të lexoheshin më mirë. Shkrova shumë të tilla në gjuhën greke, të cilat i shpërndamë në rrugën automobilistike ndërmjet Derviçanit dhe Goranxisë. Me shokët në ushtri kam biseduar për t’u arratisur në Greqi. Nuk më kujtohen persona të tjerë që kanë dijeni dhe punojnë në favor të zbulimit grek veç meje, të tjerët ju a thashë.
Hetuesi: Keni pasur kontakte me vëllain tuaj, Jani Diamanti?
Përgjigje Sokrat Diamanti: Po ai më lajmëronte në ‘45 – ‘46 që të arratisesha dhe të shkoja atje. Kam biseduar me Miço Barutan i cili më informonte se për grekët punonin edhe oficerë, të cilët çonin në Greqi informata ushtarake. Ai kishte lidhje me diversantin Niko Stirmo, të cilin e fshihte kur vinte nga Greqia në mullar. Ky i sillte trakte dhe merrte informata të fshehta të cilat i çonte në Greqi.

Dosja dërgohet në Gjykatën Ushtarake të Gjirokastrës, e cila nën kryesimin e kapitenit të parë, Sami Abazi, pasi shqyrtoi provat e paraqitura nga hetuesia, më 30 Janar 1957 vendosi dënimin e të pandehurit Sokrat Diamanti me 18 vjet heqje lirie. Pavarësisht kërkesës ankimore të avokatit mbrojtës së Diamantit që kërkonte një dënim më të butë për klientin e tij, Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë në Tiranë lë në fuqi masën e dënimit me 18 vjet.
Pushteti komunist rrit gatishmërinë dhe shton agjentët e sigurimit të shtetit në Jug të vendit. Ashtu si para ardhjes në fuqi të komunistëve, një ndër zonat më problematike mbetej Himara që ishte nën vëzhgim të rreptë, për shkak të problemeve të vazhdueshme që kishte pasur me elementë grekofone të ndryshëm.
Me këtë rast, më 30 janar 1957, arrestohen Leko Kallushi, Pano Konomi, Irakli Rrapo, Ilija Kokoveshi, Mihal Llato, Andrea Bollano, Koço Beleri, Jani Brigo, të gjithë nga Himara, nën akuzën e përvetësimit të pasurisë socialiste, pasi u vërtetua vjedhja që kishin kryer në fabrikën e vajit të ullirit në Himarë por edhe për krimin e agjitacion e propagandës dhe tradhtisë ndaj atdheut.
Një pjesë e të arrestuarve vinin nga familje që kishin pasur lidhje të forta me agjenturën greke dhe kishin edhe të arratisur në vendin fqinj. Ndër të cilat, familja Bollano, anëtarë të së cilës ishin skeduar për herë të parë në vitet 1920 nga organet e drejtësisë së asaj kohe. Plenumi i Gjykatës së Lartë, i udhëhequr nga kryetari Aranit Cela, jep dënime të ashpra për të gjithë të pandehurit.
Irakli Rrapo, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste dënohet me 15 vjet burg dhe zhdëmtim të plotë të shumës së dëmit shkaktuar fabrikës së vajit të ullirit, humbjen e së drejtës elektorale, konfiskimin e pasurisë së tij të luajtshme e të paluajtshme. Nën të njëjtën akuzë, Ilija Kokoveshi dënohet me 11 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës së votës për 3 vite. Andrea Bollano, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste dënohet me 6 vjet burg dhe humbjen e së drejtës elektorale për 2 vite si dhe zhdëmtim të shumës së dëmit financiar shkaktuar fabrikës në Himarë. Leko Kallushi me 18 vjet e 9 muaj, Pano Konomi me 13 vjet e Mihal Llato me 7 vjet e 6 muaj.
Vijon neser…

Artikuj te ngjashem:
Kali i Trojës, 70 vitet e agjenturës greke në Shqipëri (DOSSIER) Pj.1
Kali i Trojës, 70 vitet e agjenturës greke në Shqipëri (DOSSIER) Pj.2

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut
Per me teper klikoni me siper ^^^
“Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button