Deprecated: stristr(): Non-string needles will be interpreted as strings in the future. Use an explicit chr() call to preserve the current behavior in /var/www/vhosts/zgjohushqiptar.com.al/zgjohushqiptar.al/wp-content/plugins/a2-w3-total-cache/lib/W3/PgCache.php on line 1054
Regjistrimi i popullsisë: nga shtyrja te bojkoti | My CMS

Regjistrimi i popullsisë: nga shtyrja te bojkoti

Ministri Pollo u shpreh sërish për regjistrimin e popullsisë dhe banesave. Përveç njoftimit të kohës kur do të zhvillohet, ai qëndroi më gjatë te dy-tri pyetjet me zgjedhje të pyetësorit. Kundërshtitë që kanë ngjallur këto pyetje në opinionin publik nuk i quajti më “legjenda urbane”, siç ka bërë më parë, por u përpoq që t’i rrëzojë me argumente për nevojën e përfshirjes së tyre. Mirëpo në thelb nuk tha asgjë të re, sikurse nuk ka asgjë të re në qëndrimin e qeverisë në lidhje me këto pyetje. Qeveria është e vendosur t’i shkojë deri në fund rrugës së zyrtarizimit të shkeljeve ligjore dhe abuzimeve që janë bërë për njëzet vite me ndërrimin e kombësisë në Shqipëri. Siç ka ndodhur rëndom në këtë vend gjatë kësaj kohe, qeveritë nuk parandalojnë, as ndëshkojnë, por në fund justifikojnë apo ligjësojnë krimin që kryhet: zaptimi i pronave, ndërtimet pa leje, vjedhja e pasurisë kombëtare, korrupsioni, privatizimet e pronës publike, vjedhjet e votave dhe të mandateve përfaqësuese etj. Në rastin e regjistrimit të popullsisë, ministri thotë se do të ndëshkohen ata qytetarë që gënjejnë për përkatësinë etnike, duke e ditur mirë se kjo nuk ka asnjë gjasë që të realizohet. Deri tani nuk dimë që të jenë dhënë ndëshkime ligjore për gjykatat dhe zyrat e gjendjes civile që kanë lëshuar vendime dhe certifikata të kombësisë greke jashtë procedurave ligjore.

Dihet botërisht se që nga rënia e komunizmit, në krahinat e Jugut të Shqipërisë ka vepruar një fushatë sistematike dhe e pandalshme e konvertimit në grekë të qytetarëve me kombësi shqiptare. Veprime të tilla janë kryer nën trysninë e shtrëngesës ekonomike, kufizimeve të lëvizjes së lirë jashtë vendit, apo për përfitime afatshkurtra materiale. Një rol të dorës së parë për ndërrimin e kombësisë së fesë dhe kombësisë së shumë qytetarëve shqiptarë ka luajtur diskriminimi dhe përndjekja sistematike që kanë pësuar emigrantët ekonomikë shqiptarë në Greqi për shumë vite me radhë, si dhe praktikat e dhënies së të ashtuquajturave “karta të homogjenitetit” nga organet greke. Ka pasur nxitje të hapur nga vetë Greqia për të realizuar konvertimin në grekë të sa më shumë shqiptarëve dhe kjo dëshmohet nga pjesëmarrja e ambasadorëve dhe konsujve grekë në këtë proces. Më 1998-n, ambasadori Prevenduraqis thoshte se shumica e banorëve të Shqipërisë janë me origjinë helene, ndërsa pak kohë më parë konsulli grek në Korçë, Ikonomu, shpalli se “Korça është greke” dhe se regjistrimi i popullsisë ishte pjesë e betejës së Greqisë për Vorio-Epirin. Vazhdimisht shteti grek ka pretenduar se në Shqipëri jetojnë deri në 300,000 grekë dhe kjo shifër e fantazuar duhej patjetër të mbështetej deri-diku nga realiteti në terren. Greqia ka nevojë ta mbështesë projektin ekspansionist me anë të “mbjelljes” së komuniteteve greke në treva të Shqipërisë Jugore, si Bregdeti, apo qyteti i Gjirokastrës, qytetet dhe krahinat e Korçës, Beratit etj.

Shteti shqiptar ka qenë thuajse jo i pranishëm dhe nuk ka bërë hapa për ta frenuar këtë dukuri, ku janë kompromentuar dhe korruptuar institucionet e tij, si zyrat e gjendjes civile dhe gjykatat. Alarmet janë dhënë vazhdimisht nga qytetarë të thjeshtë, politikanë, deputetë, gazetarë dhe organizata joqeveritare, por institucionet shtetërore nuk kanë mbajtur qëndrim. Sa për të cituar një rast, në prill të vitit 2008, Klubi Kombëtar, një organizatë joqeveritare, me anë të një peticioni të firmosur nga mijëra shqiptarë, u ka kërkuar organeve më të larta të shtetit shqiptar që të ndërhyjnë për frenimin e kësaj dukurie. Reagimi i tanishëm i zv.kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është për t’u lavdëruar, por gjithsesi i vonuar, ngaqë siç e deklaron edhe ai vetë, dukuria e ndërrimit të kombësisë dhe emrave ka marrë përmasa të mëdha.

Përcaktimi i kombësisë nuk është diçka private dhe individuale, por historike dhe me interes publik. Asimilimi nga një komb te një komb tjetër është një dukuri që edhe kur ndodh vullnetarisht, zgjat për një kohë të gjatë dhe është shpesh traumatik. Për këtë pyesni emigrantët shqiptarë që duan me dëshirë të integrohen në kombësinë dhe shoqërinë greke. Përkatësia etnike ka të bëjë me origjinën; edhe atëherë kur kultura e gjuha humbasin, kujtesa e prejardhjes së ndryshme etnike ruhet, ndonjëherë për disa shekuj. Për këtë pyesni arvanitët e Greqisë, apo arbëreshët e Italisë. Vendosja e komunitetit grek në Jug të Shqipërisë si argatë në tokat e pronarëve shqiptarë ka ndodhur vonë dhe është e ruajtur në kujtesën kolektive dhe në arkivat dokumentare. Përkatësia etno-kombëtare nuk vendoset nga individi në një ditë me vetëdeklarim.

Shifrat etnike të përftuara përmes vetëdeklarimit në këtë regjistrim do të citohen e përdoren në të ardhmen për panoramën demografike të Shqipërisë e politikat shtetërore dhe jo regjistri i popullsisë i zyrave të gjendjes civile, i cili është dokumenti më i saktë dhe përcaktues i kombësisë. Nëse do të ndodhë rritja artificiale e numrit të pakicës greke dhe e pakicave të tjera me anë të një regjistrimi të tillë të gabuar nga shteti shqiptar, kjo do t’i jepte besueshmëri tezës se gjoja shteti dhe shoqëria shqiptare janë shumetnike. Pas zgjerimit të zonës së pakicës greke do të pasojë plani i kantonizimit të Shqipërisë, drejt realizimin e Projektit të Korfuzit për gjoja autonominë e të ashtuquajturit “Vorio Epir”.

Në kushtet e tanishme të Shqipërisë, vendosja e pyetjes për vetëdeklarimin e etnisë në pyetësorin e regjistrimit të popullsisë tradhton përpjekjet dhe theroritë më shumë se njëshekullore të shqiptarëve të krahinave jugore për të mbrojtur atdheun dhe të vërtetën përballë pretendimeve shoviniste greke. Është një turp që atë andartët e Vorio-Epirit nuk e arritën me zjarr e hekur dhe me protokolle ndërkombëtare, të lejohet sot që të mundësohet pjesërisht nga vetë shteti shqiptar, gjoja në emër të të drejtave të njeriut dhe integrimit në Europë! Dhe kjo vetëm e vetëm sepse sot ka qëlluar që shumë shqiptarë prej hallit t’i shtrijnë dorën grekut për bukën e gojës dhe shtetarët tanë nuk bëjnë as përpjekjen më të vogël për t’u ngjarë burrave që dikur e bënë Shqipërinë!

Mirëpo gjendja nuk do të jetë gjithmonë kështu dhe në fakt pozita e shqiptarëve në Ballkan ka nisur të forcohet. Prandaj dhe nxitohen grekët për të realizuar sa më shpejt synimet e tyre në Shqipëri. Koha e fituar me shtyrjen duhet të përdoret për t’u organizuar sa më mirë edhe nga ata qytetarë, organizata civile e parti politike që janë shprehur kundër dy (tri) pyetjeve opsionale të pyetësorit. Deri tani kritikat dhe thirrjet e tyre kanë qenë drejtuar ndaj qeverisë, duke shpresuar se trysnia nga poshtë do ta detyrojë që ta ndryshojë pyetësorin. Aleanca Kuq e Zi ka mbledhur firmat e nevojshme për ta nisur një proces parlamentar për rrëzimin e pyetësorit të tanishëm të regjistrimit. Do të vijë shumë shpejt koha, kur të lodhur nga shurdhësia e qeverisë dhe Parlamentit, kundërshtarët e pyetësorit të tanishëm do të duhet të kthehen nga populli.

Nëse qeveria do të këmbëngulë që në tetor pyetësorin e pandryshuar t’ua paraqesë për plotësim qytetarëve të Shqipërisë, këta të fundit do të jenë para një përgjegjësie të madhe kombëtare dhe historike. Rrallëherë ndodh që fatet e vendit të vendosen bashkërisht nga anëtarët e kombit dhe ky është një rast ku tregohet vullneti i përbashkët. Rrallëherë qëllon që populli ta ushtrojë drejtpërdrejt sovranitetin e tij dhe dita e regjistrimit do të jetë një shans i tillë. Dita e regjistrimit duhet të kthehet në një ditë referendumi. Të gjithë ata që ndihen shqiptarë dhe nuk duan të pranojnë tjetërsimin e një pjese të kombit, atdheut dhe shtetit të tyre, e kanë për detyrë ta bojkotojnë të gjithë pyetësorin në shenjë proteste. Refuzimi për t’iu përgjigjur veç dy pyetjeve është një e drejtë individuale, ndërsa refuzimi për të plotësuar pyetësorin është një akt i pastër politik, që tregon se në fund të fundit një qeveri e zgjedhur nuk mund të vendosë kundër popullit. Shumica dërrmuese e popullit të Shqipërisë ka identitetin e tij kombëtar, të cilin qeveria dhe institucionet e tjera shtetërore duhet ta mbrojnë e jo ta nëpërkëmbin. Bojkoti i regjistrimit të popullsisë do të jetë një akt kombëtar, por edhe një akt i qytetarisë përballë një qeverie që e ka harruar se detyra më e shenjtë dhe më e lartë është mbrojtja e interesave kombëtare dhe e sovranitetit.

Me bojkotin e regjistrimit të popullsisë qytetarët e Shqipërisë nuk do të bëjnë asgjë më shumë se sa kanë bërë më parë bashkëkombësit e tyre në Kosovë dhe në Maqedoni, në rrethana të ngjashme, kur pushteti kërkonte të manipulonte realitetin demografik. Disa e quajnë kombësinë si rastësi me të cilën individi vjen në jetë. Kjo i bën ata të gatshëm për ta tregtuar identitetin kombëtar për përfitime materiale të çastit a interesa partikulare. Mirëpo për shumë të tjerë, përkushtimi që individi tregon ndaj kombit dhe atdheut nuk është tjetër veçse vullneti për ta kthyer rastësinë në një fat të përbashkët.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut  
Per me teper klikoni me siper ^^^
“Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button