Topi në Budva: Çdo skenar për ndarjen e Kosovës është i papranueshëm

Presidenti i Republikës Bamir Topi mori pjesë sot në punimet e Samitit të Kryetarëve të Shteteve dhe të Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP) që po zhvillohet në Budva të Malit të Zi, shtet ky i cili mban dhe Presidencën e radhës së SEECP-it. Në këtë Samit të rëndësishëm ishin të pranishëm bashkë me Presidentin Topi dhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, Presidenti i Bosnje-Hercegovinës, Nebojsha Radmanoviç, Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviç dhe Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Në fjalën përshëndetëse me këtë rast, Kryetari i Shtetit vuri në dukje faktin se ky Samit presidencial është edhe një mesazh pozitiv që u përcillet qytetarëve të shteteve pjesëmarrëse në të, pasi konfirmohet miqësia dhe niveli i lartë i bashkëpunimit mes tyre.

Pasi bëri një përshkrim të zhvillimeve të fundit progresive edhe në kuadër të procesit të bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore, SEECP, Presidenti Topi vuri në dukje dhe ecurinë pozitive të disa prej reformave kryesore integruese në vendin tonë. Presidenti u shpreh se “ne ndeshemi me vështirësi që lidhen me aftësinë e aktorëve politikë për një sjellje më bashkëpunuese dhe evropiane në çështje të debatit dhe interesit politik të ditës, por,” – siç vuri në dukje Kryetari i Shtetit, – “gjithsesi kemi një rritje të ndjeshme të ndërgjegjësimit publik mbi atë se cilat duhet të jenë prioritetet dhe axhenda politike evropiane e vendit dhe se cila është përgjegjësia e vendimmarrësve politikë në çështje të tilla.” “Shqipëria beson tek integrimi i përbashkët evropian, ndaj edhe po jep e do të japë edhe në të ardhmen kontributin e saj aktiv në funksion të këtij synimi.”, – theksoi Presidenti.

Në vijim të fjalës së tij, Presidenti i Republikës u ndal në tri çështje të rëndësishme në lidhje me tërësinë e situatës së sigurisë, stabilitetit dhe të bashkëpunimit rajonal.

Së pari, Presidenti vuri në dukje qëndrimin e shtetit shqiptar lidhur me dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, duke nënvizuar se “Shqipëria e inkurajon këtë dialog dhe shpreson shumë që përmes tij të pranohen realitetet e reja politike e shtetërore në rajon, për të ndërtuar urat e bashkëpunimit reciprok midis dy vendeve fqinje që aspirojnë ashtu si edhe ne, integrimin euro-atlantik. “Shqipëria vlerëson se çdo ide apo teori tjetër, që e sheh të ardhmen e Kosovës apo ndonjë shteti tjetër ballkanik në skenarë ndarjeje apo përjashtimi, mbetet e papranueshme dhe çfarë është më e rëndësishme, mbetet burim destabilizimi për vetë rajonin, – u shpreh Presidenti Topi.

Së dyti, Presidenti i Republikës vuri në dukje faktin se Shqipëria mbështet jo vetëm hyrjen e Maqedonisë në NATO, por edhe të fqinjit tonë, Malit të Zi dhe beson se integrimi i plotë euro-atlantik është në dobi të vetë paqes e stabilitetit demokratik rajonal.

Së treti, duke u ndalur në aspektin ekonomik të bashkëpunimit rajonal, Kryetari i shtetit vuri në dukje se “përballimi i reformave të brendshme ekonomike dhe njëherësh i kostos së krizave ekonomike rajonale apo më gjerë, përbëjnë një sfidë të dyfishtë e të vështirë për ekonomitë tona modeste.” “Ndaj mendoj se ne ndiejmë nevojën për një zgjerim akoma më të madh të hapësirës ekonomike rajonale me atë evropiane, një prani më të madhe të programeve ekonomike të BE-së dhe shteteve kryesore përbërëse të saj, si edhe politika evropiane që asistojnë me teknologji e programe zhvillimi projektet e mëdha të infrastrukturës, energjetikës, informatikës, etj.”, – u shpreh Presidenti Topi.

Një vend të posaçëm në fjalën e Presidentit të Republikës zuri dhe një urim për Kroacinë me rastin e përcaktimit të një date për anëtarësimin në BE të këtij fqinji rajonal. “Në emrin tim dhe të shtetit shqiptar dua të uroj përzemërsisht Presidentin kroat për këtë sukses historik të vendit të tij, duke e vlerësuar njëherësh, si një zhvillim historik me rëndësi edhe për vetë rajonin! Ne do të kemi një zë më shumë në Bashkimin Evropian, dhe Shqipëria si vend që synon anëtarësimin, do të arrijë të përfitojë akoma më shumë nga modeli dhe përvoja kroate e integrimit.”, – u shpreh Presidenti Topi.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut  
Per me teper klikoni me siper ^^^
“Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button